AGJËRIMI NË RAMAZAN – RREGULLA DHE DISPOZITA

  1. Myslimani e ka për detyrë që t’i mësojë dispozitat e agjërimit dhe t’i pyetë dijetarët nëse për to nuk ka njohuri. Ai duhet t’i mësojë shtyllat e agjërimit, gjërat që e prishin atë, rregullat e agjërimit për të sëmurin, udhëtarin dhe të ngjashmit me ta, që u lejohet prishja e agjërimit. Është obligim individual për atë, i cili detyrohet të agjërojë që të mësojë dhe të dijë rreth atyre gjërave që agjërimi nuk mund të jetë i saktë, përveçse me to. Është një rregull në sheriat ku thotë: “Një gjë pa të cilën nuk plotësohet vaxhibi (obligimi), përveçse me të, ajo (gjë) është vaxhib (obligim).”
  2. Agjërimi është të adhuruarit e Allahut duke abstenuar nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime, nga lindja e sabahut (koha e imsakut) e deri në perëndimin e diellit.
  3. Hyrja e muajit Ramazan vërtetohet me shikimin e hënës ose me plotësimin e ditëve të muajit Shaban. Tridhjetë ditë, nëse ndodh pengesë në shikimin e hënës dhe nuk arrihet të shikohet më herët. Nuk lejohet të përcaktohet fillimi i muajit duke u mbështetur vetëm në llogaritjet astronomike.
  4. Agjërimi i Ramazanit është shtyllë nga shtyllat e Islamit dhe çdo mysliman dhe myslimane e ka për detyrë ta agjërojë.

Kushtet që e detyrojnë agjërimin e Ramazanit janë katër: Islami, hyrja në moshën e pjekurisë (pubertetit), mendja dhe aftësia (mundësia) për agjërim.

  1. Kushtet e saktësisë së agjërimit janë: Islami, ndërprerja e gjakut të menstruacioneve dhe lehonisë te gruaja, mosha e dallimit[1], mendja dhe bërja e nijetit natën.
  2. Shtyllat e agjërimit janë: Nijeti, abstenimi nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime nga lindja e agimit (koha e imsakut) e deri në perëndim të diellit.
  3. Nijeti[2] është kusht për saktësinë e agjërimit farz (të detyruar), dhe çdo agjërimi të obliguar, si: kompensimi i ditëve të humbura ose agjërimi për të shpaguar dhe nijeti (është vepër e zemrës) nuk shprehet me gojë, por bëhet me zemër.

Nijeti mund të bëhet në çdo pjesë të natës, qoftë edhe pak para se të hyjë koha e agimit apo imsakut.

Mjafton të bëhet nijeti në fillim të Ramazanit për tërë muajin[3], mirëpo nëse nijetin e bën për çdo natë, kjo është më e sigurt dhe më e vlefshme.

  1. Pëlqehet ngritja në syfyr, qoftë edhe me pak ushqim ose një gllënjkë ujë, dhe pëlqehet shtyrja e syfyrit (deri para se të hyjë koha e imsakut). Syfyri është sunet profetik i vërtetuar dhe i fortë dhe në hadith ka ardhur: “Hani syfyrin, sepse në syfyr ka bereqet.[4]

Pra, me ngritjen në syfyr e ndjekim rrugën profetike dhe dallohemi me ithtarët e librit (sepse dallimi në mes agjërimit tonë dhe të tyre është të ushqyerit në syfyr). Me të ushqyerit në syfyr, agjëruesi forcohet për ibadetin e ditës si dhe syfyri është koha e lutjeve që shpresohet Allahu t’i pranojë, po ashtu në këtë kohë agjëruesi e ripërtërin nijetin për agjërim.

  1. Pëlqehet shpejtimi i iftarit. Në një hadith ka ardhur: “Njerëzit vazhdojnë të jenë në hair dhe mirësi përderisa ta shpejtojnë iftarin.”[5]

Nga suneti është që iftari të çelet me hurma të freskëta para se të falet namazi, poqë nuk ka të freskëta atëherë me hurma të thata, dhe poqë nuk ka hurma, atëherë me ujë.

  1. Esenca e gjërave që e prishin agjërimin janë: ushqimi, pija dhe marrëdhëniet.

Këtyre u bashkëngjitet: vjellja me qëllim (futja e gishtit me qëllim apo nxitja e të vjellit me qëllim, -sh.p-), menstruacionet ose lehonia te gratë, bërja e hixhames dhe masturbimi gjatë ditës.

  1. Agjëruesit nuk i prishet agjërimi i tij, përderisa nuk plotësohen tri kushte: të jetë i ditur për dispozitën dhe të mos jetë i paditur, ta bëjë me vetëdije dhe jo me harresë, ta bëjë me dëshirë dhe të mos i imponohet.

Prandaj, ai që ha ushqim ose pi ujë shkaku se nuk e di kohën ose dispozitën, agjërimi i tij është në rregull.

Kush ha dhe pi me harresë, le ta vazhdojë agjërimin e tij, sepse Allahu e ushqeu dhe i dha të pijë ujë.

Kush merr apo përdor diçka nga gjërat që e prishin agjërimin, pa dëshirën apo zgjedhjen e tij, agjërimi i tij është i saktë.

  1. Po ashtu gjërave që e prishin agjërimin iu bashkëngjitet edhe çdo gjë tjetër që është në kuptim të ushqimit dhe pijes:
  • Marrja e ilaçeve dhe tabletave.

  • Pirja e duhanit, e cila njëkohësisht është edhe e ndaluar.

  • Transfuzioni i gjakut në trupin e agjëruesit.

  • Marrja e ineksioneve ushqyese, të cilat përdoren si zëvendësim për ushqimin dhe pijen.[6]

  • Dializa.

  • Endoskopia e zorrës së trashë, nëse lyhet tuba me yndyrë ose solucion dhe arrin deri në organet e tretjes.

  1. Donacioni (dhurimi) i gjakut e prish agjërimin, ngase ndikon në trupin e njeriut sikurse ndikon hixhameja, prandaj nuk i lejohet agjëruesit që të dhurojë gjak, përveçse në raste specifike dhe të domosdoshme, ku i lejohet të dhurojë gjak dhe ta prishë agjërimin, pastaj këtë ditë e kompenson me ditë tjetër pas Ramazanit.
  2. Dhënia e gjakut për analiza nëse jepet në sasi të vogël nuk e prish agjërimin, sepse kjo sasi nuk e dobëson trupin e njeriut.
  3. Nga gjërat që nuk e prishin agjërimin janë:
  • Futja e ujit në gojë dhe hundë, pa e tepruar.

  • Pikat për syrin.

  • Pikat për veshin.

  • Larja e veshëve.

-Pikat për hundë dhe inhalatori për hundë, duke qenë i kujdesshëm që të mos gëlltitet diçka nga to dhe të arrijë deri në fyt.

  • Inhalatori për astmë.

  • Ineksionet mjekuese që jepen nën muskuj, lëkurë dhe venë.[7]

  • Tabletat që vendoset nën gjuhë në rastin e sulmit në zemër dhe sëmundjeve të tjera të zemrës, duke qenë i kujdesshëm që të mos gëlltitet diçka nga to dhe të arrijë deri në fyt.

  • Nxjerrja e dhëmbit ose mjekimi i tij.

  • Pastrimi i dhëmbëve me misvak ose me brushë për dhëmbë, duke qenë i kujdesshëm që pasta e dhëmbëve të mos shkojë deri në fyt.

  • Pomada dhe leukoplasti (fashat ngjitëse) për mjekim.

  • Ujë që përdoret për shpëlarjen e gojës, nëse nuk e gëlltit.

  • Gastroskopia e lukthit, me kusht që tubës të mos i vendosen preparate ushqyese, si: yndyrë dhe lëngje.

  • Endoskopia gjinekologjike (futja e endoskopit në mitrën e gruas) dhe vendosja e spirales dhe të ngjashmet me të.

  • Supozitorët që futen në vagjinën e femrës dhe losionet vagjinale.

  1. Agjëruesit i lejohet përdorimi i parfumit dhe nuhatja e erërave të mira, nga ushqimi dhe parfumet, etj., mirëpo nuk lejohet thithja me hundë e erëzave dhe as e avullit që del nga ushqimi, sepse mund të përmbajnë materie që mund të depërtojnë deri në lukth.
  2. Agjëruesit i lejohet të lahet dhe nuk ka pengesë nëse noton ose zhytet në ujë.
  3. Agjëruesi nuk e prish agjërimin nëse e gëlltit pështymën e tij, edhe nëse ajo është shumë dhe vjen në vazhdimësi, kurse nëse është këlbaz i trashë atëherë nuk e gëlltit.
  4. Nuk ka pengesë për agjëruesin, burrë ose grua, ta shijojë ushqimin, nëse ka nevojë duke e provuar atë me maje të gjuhës, dhe pasi e provon e nxjerr nga goja dhe nuk gëlltit diçka nga ushqimi.
  5. Ai që detyrohet (fetarisht) të agjërojë, nëse gjatë ditës kryen marrëdhënie me gruan e tij, me qëllim dhe me vetëdëshirë, i prishet agjërimi.

Ai duhet të pendohet për gabimin dhe ta plotësojë ditën me agjërim (edhe pse e ka prishur) si dhe pas Ramazanit ta kompensojë këtë ditë. Po ashtu duhet ta shpaguajë gabimin duke agjëruar dy muaj pandërprerë, ndërsa nëse e ka të pamundur të agjërojë atëherë duhet t’i ushqejë gjashtëdhjetë të ngratë.

Nëse gruaja i bindet burrit me vetëdëshirë, edhe ajo atëherë duhet të veprojë sikurse burri i saj, ndërsa nëse ka qenë e imponuar dhe pa dëshirën e saj, agjërimi i saj është në rregull.

  1. Kush zgjohet në mëngjes xhunub, agjërimi i tij është në rregull.

Kush bie të flejë dhe në gjumë bëhet xhunub, agjërimi i tij është në rregull.

Dalja e lëngut medhij[8] nuk e prish agjërimin.

  1. Ai që është bërë xhunub, i lejohet ta vonojë gusllin (larjen e trupit) nga xhunubllëku deri pas lindjes së sabahut (deri pas imsakut), dhe më pas duhet të nxitojë të lahet sa më shpejt për ta falur namazin e sabahut.
  2. Për të mos agjëruar në udhëtim kusht është:
  • Që largësia e destinacionit për ku je nisur të llogaritet udhëtim, përafërsisht 80 km ose sipas traditës.

  • Ta kapërcesh vendbanimin tënd dhe pas teje t’i lësh shtëpitë e fundit.

  • Të mos jetë udhëtimi yt për të bërë mëkat (sipas shumicës së dijetarëve).

  • Të mos jetë synimi i udhëtimit tënd prishja e agjërimit (të mos jetë hile për ta prishur agjërimin).

  1. Çdo sëmundje që shkaku i saj njeriu del nga rrethi i shëndetit, ia bën të lejuar prishjen e agjërimit. Allahu thotë: “…nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” (El-Bekare: 184)

Kurse sëmundjet e lehta, siç janë: kolli dhe kokëdhembja, për to nuk lejohet të prishet agjërimi.

  1. I sëmuri që frikohet se me agjërim do t’i shtohet edhe më tepër sëmundja, ose do t’i ngadalësohet shërimi, ose do t’i dëmtohet ndonjë organ, lejohet të mos agjërojë dhe për të nuk parapëlqehet të agjërojë.

Ndërsa nëse është i sigurt se agjërimi e dëmton, obligohet ta prishë agjërimin dhe i ndalohet të agjërojë, kurse shpërblimi i tij, me lejen e Allahut, është i vërtetuar, duke u bazuar në fjalën e Allahut: “…dhe mos e vritni veten…” (En-Nisa: 29)

Ndalesa këtu përfshin marrjen e shpirtit si dhe përfshin çdo gjë që në të ka dëm.

  1. Nëse shpresohet që sëmundja të kalojë dhe të largohet, i sëmuri duhet ta presë shërimin dhe më pas t’i kompensojë ditët e humbura dhe nuk lejohet që t’i shpaguajë këto ditë.

Nëse mjekët konstatojnë se sëmundja do të kalojë dhe i sëmuri do të shërohet, me lejen e Allahut, i sëmuri nuk detyrohet t’i kompensojë ditët e humbura vetëm pasi të shërohet, edhe nëse sëmundja e tij zgjat me vite të tëra.

  1. Arsyet që vazhdimisht ndikojnë në agjërimin e njeriut janë disallojëshe, nga to janë: sëmundja kronike, ku nuk shpresohet shërimi i saj, sipas mendimit të mjekëve dhe përvojës së tyre, si dhe pleqëria e thellë.

Këto arsye janë që e lejojnë mosagjërimin dhe ditët e humbura nuk kompensohen, por ato shpaguhen.

  1. Shpagimi ( El-Fidje – në gjuhën arabe) bëhet duke e ushqyer një të ngratë për çdo ditë që nuk e ka agjëruar. Shpagimi për çdo ditë të paagjëruar është gjysmë sa’a nga ushqimi i vendit ku jeton, ajo përafërsisht është një kilogram e gjysmë dhe obligohet të jepet ushqim (dhe jo të holla, – sh.p-) bazuar në ajetin: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” (El: Bekare: 184)
  2. Shpagimi mund të bëhet edhe bashkë duke u dhënë ushqim një numri më të madh të të ngratëve në fund të muajit, ose duke u përgatitur ushqim dhe i thërret në numër aq ditë sa i ke të paagjëruara si dhe, lejohet të ushqesh një të ngratë për çdo ditë. Njashtu lejohet që nëse ti nuk je prezent ose nuk ke kohë, ta lësh dikë të besueshëm si zëvendës ose ndonjë organizatë bamirëse të besueshme, që ata ta blejnë ushqimin dhe t’ua shpërndajnë në vend tëndin.
  3. Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve nuk lejohet shpejtimi i shpagimit duke e dhënë atë përnjëherë për një muaj në fillim të Ramazanit ose duke e shpaguar ditën që nuk do ta agjërosh para kohe.
  4. Gruaja shtatzëne dhe gjidhënësja, nëse frikohen për veten e tyre ose për fëmijën, u lejohet të mos agjërojnë, dhe ditët e paagjëruara i kompensojnë pas Ramazanit dhe nuk duhet të shtojnë diçka tjetër jashtë agjërimit.
  5. I tërë umeti është unik se ai i cili e prish agjërimin me qëllim pa asnjë arsye, ka bërë mëkat nga mëkatet e mëdha.

Për të nuk ka shpagim, mirëpo duhet të kompensojë këtë ditë dhe të shpeshtojë istigfarin, të pendohet tek Allahu nga ky mëkat i madh dhe të ndiejë keqardhje për veprën e bërë dhe të jetë i vendosur që në të ardhmen të mos e veprojë të njëjtën gjë më asnjëherë.

  1. Kushdo që nuk e ka agjëruar ndonjë ditë të Ramazanit shkaku i pakujdesisë, më pas Allahu e ka begatuar me udhëzim dhe me pendim dhe është përqendruar në fenë e Allahut, pendimi i tij ia fshin mëkatet e mëhershme, dhe ai detyrohet që t’i kompensojë muajt dhe ditët që në to nuk ka agjëruar, e nëse nuk e din se sa ato janë saktësisht, atëherë agjëron përafërsisht derisa të mendojë se i ka kompensuar ato.

Në këtë rast, ajo më e mira është që për çdo ditë të paagjëruar ta ushqejë nga një të ngratë me gjysmë sa’a (sasi matëse) nga ushqimi i vendit ku jeton, kjo sipas mundësive, e nëse është i varfër dhe nuk i ka mundësitë të shpenzojë, atëherë e bën vetëm kompensimin.

  1. Kush e ka traditë të flejë gjatë ditës në Ramazan, tërë ditën apo të shumtën e saj, ky është i privuar dhe i dështuar, ndërsa agjërimin e i tij e ka të saktë.

Kurse ai i cili për shkak të gjumit gjatë ditës nuk i fal namazet në kohën e vet të caktuar, ky është mëkatar dhe në rrezik të madh për fenë e tij.

E lusim Allahun që të na e pranojë agjërimin, namazin e natës dhe leximin e Kuranit, të na ndihmojë në adhurimin e Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët në Ramazan. Amin.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed El-Munexhid

Përktheu nga gjuha arabe: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri “SEZONET E ADHURIMIT”)

 

[1] Agjërimi nuk pranohet nga fëmija që nuk e ka arrit moshën e dallimit shkaku se nuk ka dije dhe nuk di të dallojë synimin e ibadeteve dhe kuptimin e tyre. (sh.p.)

[2] Me nijet nënkuptojmë vendosmërinë e zemrës për të bërë një vepër. (sh.a.)

[3] Pra, nga nata e parë e bën nijetin që ta agjërojë tërë  muajin dhe nuk ka nevojë që ta përsërisë nijetin në çdo natë. Por nëse ndodh që brenda ditëve të Ramazanit ta ndërpretë agjërimin shkaku i udhëtimit, sëmundjes, menstruacioneve apo lehonisë tek gratë, atëherë duhet ripërtëritja e nijetit për ditët e tjera që kanë mbetur. (sh.p.)

[4] Buhariu (1923), Muslimi (1095).

[5] Buhariu (1957), Muslimi (1098).

[6] Pa marrë parasysh se ku merren injeksionet ushqyese ose me vitamina, në muskuj apo venë, e prishin agjërimin. (sh.p.)

[7] Përveç atyre që janë ushqyese, si infuzionet ose marrja e glukozës në venë ose vitaminave. (sh.p.)

[8] Medhij nuk është spermë, por është lëng i cili del nga organi gjenital, në rast të epshit dhe del pa shpejtësi apo ndonjë kënaqësi. Zakonisht vjen nga mendimet ose nga fërkimet mes burrit dhe gruas ose nga shikimi që e nxit epshin. Ky lëng del edhe te meshkujt edhe te femrat. Është lëng i hollë dhe i bardhë dhe ndodh që të mos hetohet dalja e tij. Ky lëng nuk e prish agjërimin, mirëpo e prish abdesin. (sh.p.)