DISA ÇËSHTJE LIDHUR ME MES’HUN

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar. Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Pejgamberin Muhamed, sal Allahu alejhi ue selem, mbi familjen, shokët dhe gjithë pasuesit e tij.

Nisur nga rëndësia e madhe që ka njohja e rregullave të mesteve dhe nga shkaku i ndodhjes së shumë veprimeve jo të sakta në lidhje me to, kemi pa të arsyeshme përzgjedhjen e këtyre dispozitave kryesore lidhur me mestet.

1. El-mes’hu në terminologjinë fetare  nënkupton:  kalimin e dorës së lagur mbi ndonjë send, p.sh. nëse thuhet se dikush ka fshirë murin, kuptohet se ai kaloi dorën e tij mbi mur.

2. Për  sa i përket vërtetësisë së mes’hut Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë kishte thënë: “ nuk kam asnjë dyshim në saktësinë e mes’hut mbi meste, kur dihet që për këtë çështje janë transmetuar 40 hadithe nga i Dërguari i Allahut  sal Allahu alejhi ue selem”.

Ndërsa Hasan el- Basriu, Allahu e mëshiroftë, kishte thënë: “ dispozita e mes’hut është transmetuar nga 70 shokë të Profetit alejhi selam, bazuar në fjalët dhe veprat e tij”.

3. Cilat janë gjërat mbi të cilat mund të realizohet mes’hu ?

  a)  mestet , që janë prodhim i lëkurës dhe mbathen në këmbë.

  b)  çorapet, që nënkupton të gjitha llojet e tyre.

  c)  këpucët, që zakonisht mbathen mbi meste apo çorape.

4. Kushtet e përgjithshme për rënien mes’h ( mbi meste, çorape, këpucë). Disa nga to janë unanimisht të pranuara e disa të polemizuara nga dijetarët:

–          Që mbathja e mesteve dhe çorapeve  të bëhet pasi këmbët të jenë pastruar plotësisht, d.m.th pasi të ketë marrë abdes apo gusël.

–          Që mestet, çorapet të jenë dendura ( trasha), dhe në këtë pikë ekziston mos pajtim mes dijetarëve. Lejohet tu bihet mes’h edhe nëse ato janë holla por më mirë është që të jenë të trasha.

–          Që mos të jenë mestet, çorapet të grabitura.

–          Që mos të jenë të prodhuara nga gjërat e ndaluara, si lëkura e qenit apo derrit.

–          Që ta mbulojnë pjesën e detyruar të këmbës për pastrim, d.m.th. të jenë mbi zogun e këmbës.

–          Të zbathen pas mbarimit të kohës së tyre.

5.  Kohëzgjatja e mesteve

–          Për vendasin është një ditë e një natë;

–          Për udhëtarin është tre ditë e tre net;

6. Forma e rënies mes’h. Bejhakiu shënon nga Mugira , Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, se Pejgamberi, sal Allahu alejhi ue selem i binte mes’h me dorën e djathtë këmbës së djathtë dhe me dorën e majtë këmbës së majtë, duke i mbajtur gishtërinjtë të shpërndarë. Kjo është forma më e saktë, gjithashtu sunet është që të fillohet nga maja e gishtërinjve e të vazhdohet deri mbi zog të këmbës.

7. Nëse i bie mes’h dy këmbëve me të njëjtën dorë , mes’hu është i saktë.

8. Nëse i bie mes’h me dorën e djathtë mbi këmbën e djathtë dhe me dorën e majtë mbi këmbën e majtë në të njëjtën kohë, mes’hu është i saktë, madje i preferuar.

9. Hadithi në të cilin thuhet se Pejgamberi ,sal Allahu alejhi ue selem i kishte ra mes’h pjesës së epërme dhe pjesës së poshtme të këmbës nuk është i saktë, por është hadith i dobët ashtu siç transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Madje është vërtetuar e kundërta  e këtij hadithi nga Aliu Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se po të ishte feja e mbështetur vetëm në mendje atëherë pjesa e poshtme e këmbës do të ishte më  nevojshme për mes’h se sa pjesa e epërme.

10. Kur fillon të llogaritet koha e mesteve ?

    Në lidhje me këtë ekzistojnë dy mendime:

–          Koha e mesteve llogaritet nga momenti kur ndodh prishja e parë e abdesit pas mbathjes së mesteve;

–          Koha e mesteve llogaritet nga rënia e parë mes’h pasi të jenë mbathur mestet;    mendimi më i saktë është  i pari.

11. Nëse u bihet mes’h vetëm anës së poshtme të mesteve abdesi nuk është i saktë, nëse i bihet mes’h anës së poshtme dhe anës së epërme të mesteve, abdesi është i saktë por një veprim i tillë është  i urrejtur.

12. Nëse pastrohen mestet dhe nuk i bihet mes’h, në këtë gjendje kemi abdes të saktë dhe të pa saktë, kemi abdes të saktë kur me pastrim të mesteve është për qëllim mes’hu i tyre ( por është e urrejtur) dhe kemi abdes të pa saktë kur me pastrim të tyre nuk është për qëllim mes’hu por diçka tjetër.

13. Nëse mestet janë të shkoqura dhe të leckosura ,  dijetarët janë të mendimit se lejohet tu bihet mes’h vetëm mesteve që janë pak të shkoqura. Mirëpo mendimi më i saktë është se lejohet tu bihet mes’h edhe mesteve që janë të shkoqura me të madhe.

14. Nëse mestet janë aq të copëtuara dhe shkoqura derisa nuk mund të mbahen në këmbë apo të ecet me to atëherë nuk lejohet që tu bihet mes’h atyre.

15. Nëse mbath disa meste pasi të ketë marrë abdes të plotë, dhe pastaj dëshiron ti ndërrojë ato dhe të mbathë meste tjera, një gjë  e tillë është lejuar me kusht që mos të ndodh prishja e abdesit të parë.

16. Nëse mbath mestet pasi të ketë marrë abdes dhe falë një namaz farz, dhe pas namazit iu prishet abdesi dhe i zbath mestet, në këtë rast ato meste nuk janë të vlefshme derisa të marrë abdes përsëri.

17. Nëse merr abdes, mbath meste dhe falet, pastaj i zbath mestet dhe i mbath përsëri abdesi i tij nuk është prishur edhe sikur të veproj kështu njëqind herë, përderisa abdesi i tij nuk prishet me diçka tjetër.

 18.  Nëse mbath mestet duke qenë me abdes, pastaj iu prishet abdesi dhe i mbath meste tjera mbi mestet e para, dhe nëse dëshiron t’i bie mes’h duhet që mestet e dyta të zbathen dhe tu bihet mes’h vetëm mesteve të para ( atyre që ishin mbath pas marrjes abdes në fillim). Forma e dhënies mes’h bëhet duke i zbathur mestet e epërme pastaj i bien mes’h mesteve të para, ose vetëm duke fut dorën nën mestet e epërme dhe rënia mes’h mesteve të brendshme, kjo kur mestet e jashtme janë të gjëra.

19. Nëse i mbath mestet duke qenë në shtëpi ( jo udhëtarë), udhëton duke mos e  prish abdesin e tij, pastaj i bie mes’h gjatë udhëtimit, ky mes’h llogaritet mes’h i udhëtarit (  tri ditë e tri netë). Apo nëse iu prishet abdesi dhe i bie mes’h derisa është në shtëpi, pastaj ende pa skaduar afati i mesteve udhëton , mes’h i tij llogaritet mes’h i udhëtarit, ndërsa nëse ka skaduar afati i mesteve ende pa nis udhëtimin detyrohet zbathja e mesteve dhe marrja abdes.

20. Nëse i mbath mestet duke qenë në udhëtim, pastaj ende pa e prishur abdesin kthehet në shtëpi, ky mes’h llogaritet mes’h i vendasit ( një ditë dhe një natë. Apo nëse iu prishet abdesi gjatë udhëtimit dhe i bie mes’h pastaj kthehet në shtëpi ende pa i skaduar afati i mesteve ky mes’h llogaritet mes’h i vendasit.

21. Nëse mbath mestet pasi të ketë marë abdes të plotë, pastaj mbath meste tjera mbi mestet e para ende pa u prishur abdesi, dhe më pas prishet abdesi. Tani i bie mes’h mesteve të jashtme dhe dëshiron ti zbath mestet e jashtme a e ka të detyruar zbathjen edhe të mesteve të brendshme apo jo ?

Sipas medhhebit hanbelij është e detyruar gjithashtu edhe zbathja e mesteve të brendshme, pasi ato tani janë bërë sikur njëparë meste.

Mendimi i saktë është që nuk obligohet zbathja e tyre, vetëm nëse dikush vepron kështu si masë preventive.

22. Nëse zbath njërën meste pasi të jetë prishur abdesi, detyrohet me zbathjen e mestes tjetër dhe me pastrimin e të dy këmbëve.

23. Nëse mbath njërën meste në këmbën e tij, dhe i prishet abdesi para se të mbath mesten e këmbës tjetër, në këtë rast abdesi i tij është i prishur dhe mestet e tij janë të pa vlefshme.

24. Nëse e pastron këmbën e djathtë nga abdesi dhe e mbath mesten pastaj e pastron këmbën tjetër dhe e mbath mesten tjetër, d.m.th. nuk ka ndodh mbathja e dy mesteve pasi të ketë përfunduar pastrimi i plotë ( abdesi), në këtë gjendje a është i lejuar mes’h mbi këto meste apo jo ?

–          Thuhet se është i lejuar ;

–          dhe thuhet se nuk është i lejuar ; kjo është e saktë ngase nuk u realizua mbathja e mesteve pasi të jetë përfunduar abdesi.

 25.  Nëse dikush posedon vetëm një këmbë, a preferohet që të mbath vetëm një meste dhe ti bie mes’h asaj, apo t’iu rekomandohet që të marrë abdes dhe të pastroj këmbën e tij ?

Përgjigja për këtë është se lejohet të mbath vetëm një meste dhe ti bie mes’h asaj.

26. Nëse mbath njërën meste në njërën këmbë dhe këmbën tjetër e pastron me ujë, abdesi i tij nuk është i vlefshëm.

27. Nëse mbath mestet pastaj prishet abdesi dhe i bie mes’h mbi to, pastaj zbath njërën meste duhet që të zbath edhe mesten tjetër.

28. Nëse mbath mestet në vendin e tij, pastaj nuk iu prishet abdesi dhe nuk i bie mes’h asnjëherë,  pastaj udhëton, në këtë rast mestet e tij llogariten meste të udhëtarit.

29. Nëse dikush ka mbathur mestet derisa gjendet në udhëtim dhe pastaj nuk gjen ujë për të marrë abdes, atëherë iu lejohet atij që të marr tejemum në formën e njohur të tij, duke mos pasur nevojë për zbathjen e mesteve.

30. Nuk ekziston ndonjë afat kohor një ditë apo tri ditë për personin që ka mbathur meste dhe ka marrë tejemum, siç është rasti i kufizimit kohor të mesteve për personin që merr abdes.

Sa i përket tejemumit sa herë prish abdesin merr tejemum duke mos i zbathur mestet, pa një afat të caktuar, derisa të gjej ujë, ku pastaj duhet të zbathen mestet dhe të mirët abdes i plotë.

31. Lejohet për gratë t’u bien mes’h mesteve të mëndafshta dhe nuk lejohet për meshkujt. Sa i përket hermafroditit ( dyseksorit) nuk i lejohet veshja e gjërave nga mëndafshi dhe nuk iu lejohet rënia mes’h mesteve të tilla, për shkak që mund ti përkas gjinisë mashkullore.

32. Gjërat e urrejtura gjatë mes’hut:

–          Që tu bihet mes’h më tepër se njëherë;

–          Pastrimi i mesteve ;

–          Që tu bihet mes’h me barkun dhe shpinën e dorës;

Tani do ti trajtojmë disa rregullave të mes’hut mbi këpucë apo çizme.

Këpucët që ne i mbathim ndahen në dy lloje:

–          Këpucë që e mbulojnë pjesën e obliguar të këmbës për pastrim ( mbulojnë këmbën dhe zogun e saj).

–          Këpucë që nuk e mbulojnë pjesën e obliguar të këmbës për pastrim.

 a)    Nëse këpucët janë të atilla që mbulojnë këmbën dhe zogun e saj ( madje mund të jenë të gjata deri tek gjuri),  atëherë lejohet rënia mes’h mbi to mu ashtu siç lejohet edhe mbi meste, nëse plotësojnë kushtet e nevojshme për mes’h.

b)   Nëse këpucët që i mbathim nuk e mbulojnë pjesën e obliguar të këmbës për pastrim ( zogun e këmbës), atëherë kemi disa gjendje:

  • nëse këpucët e tilla mbathen pa çorape, nuk lejohet tu bihet mes’h pasi ato nuk kanë mbuluar vendin e obliguar për pastrim.
  • ndërsa kur këpucët mbathen mbi çorape atëherë është i lejuar tu bihet mes’h, nëse çorapet janë mbathur pasi të jenë pastruar këmbët me abdes. Një gjë e tillë i ngjason sikur dikush mbath çorape mbi çorapet të cilave i ka ra mes’h.

Nëse këpucët e tilla pasi t’u bihet mes’h zbathen kemi disa gjendje:

 •  abdesi është në rregull, nuk nevojitet përsëritja e tij dhe as pastrimi i këmbëve ( sipas mendimit më të saktë të dijetarëve).

Argument për këtë vlerësohet veprimi i Aliut Allahu qoft i kënaqur ndaj tij i cili pasi përfundoi nevojën e tij, kërkoi ujë për abdes dhe gjatë abdesit u ra mes’h nalleve që i kishte mbathur, ndërsa kur hyri në xhami për namaz i zbathi nallet dhe u fal.

  • nuk i lejohet tu bihet  mes’h këtyre këpucëve nëse mbathen përsëri,  vetëm nëse ekziston ende abdesi i parë pa u prishur, pas të cilit ishin mbathur çorapet, ndërsa nëse abdesi prishet gjatë kohës kur ishin këpucët të zbathura dhe iu bihet mes’h mbi çorape, nuk lejohet tu bihet mes’h këpucëve që mbathen më pas.

 •  lejohet tu bihet mes’h çorapeve të poshtme, pas zbathjes së  këpucëve,  të cilat (çorape ) ishin mbathur pas pastrimit të këmbëve.

Dhe në fund disa pyetje të shpeshta:

a)    A është i obliguar nijeti për mestet ? p.sh. nijeti se këto meste, çorape apo këpucë që do të mbathen do t’u bihet mes’h mbi to, ose nijeti që ky  mes’h do të jetë mes’h i vendasit apo mes’h i udhëtarit.

Përgjigje : nijeti për mestet nuk është i obliguar, ngase mes’hu është veprim i ndërlidhur me prezencën e mesteve, d.m.th. kur ato janë prezent ( të mbathura) mund t’iu bihet mes’h, duke mos kushtëzuar bërjen nijet paraprakisht. Sikurse rrobat që vishen nuk kushtëzohet që të bëhet nijet për mbulimin e avretit gjatë namazit, kështu edhe tek mestet nuk kushtëzohet që ato të mbathen vetëm për ti rënë mes’h. Nuk është i obliguar nijeti gjithashtu në përcaktimin e kohës së mesteve një apo tre ditë , derisa je në shtëpi i bie mes’h një ditë e një natë, e kur je udhëtarë i bie tre ditë e tre netë.

b)   A lejohet zbathja e mestes apo një pjese të saj për të larguar diçka ( guralec) që është futur në mes të gishtrinjëve?

Përgjigje: nëse e fut dorën në brendësi të mesteve (çorapeve) nuk ka asgjë të keqe, por nëse ndodh zbathja e mesteve atëherë shikohet: nëse është zbathur vetëm një pjesë e mesteve nuk ka problem, por nëse është zbathur pjesa dërmuese e mesteve dhe është zbuluar shumica e këmbës në këtë rast prishen mestet dhe nuk lejohet tu bihet mes’h në të ardhmen.

përgatiti: Fazli Bunjaku