QARTËSIMI I TEUHIDIT TË ADHURIMIT NËPËRMJET RITEVE TË HAXHIT

Frikojuni Allahut dhe dijeni se qëllimi i krijimit tuaj nuk është tjetër përpos adhurimi i Tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”. (Edh-Dharijat: 56)

Allahu me këtë mesazh i porositi të gjitha krijesat: O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun”. (El-Bekare: 21-22)

Adhurimi pa teuhid (njësim) i përngjanë namazit pa abdesë. Sikurse papastërtia që e prish abdesin ashtu shirku i vepruar nga ana e robit e shkatërron teuhidin. Allahu, azze ue xhel, për këtë shkak i drejtohet krijesës më të dashur duke i thënë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit”. (Ez-Zumer: 65)

Shirku (politeizmi) është arsyeja kryesore për mospranimin e veprave dhe adhurimeve, prandaj urdhri për adhurimin e Allahut shumë herë vjen i shoqëruar me ndalesën prej shirkut, sikurse në thënien e Allahut, azze ue xhel: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)”. (En-Nisa: 36) Ky ishte edhe mesazhi i të gjithë Profetëve drejtuar popujve të tyre: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! “. (El-A’raf: 59)

O robër të Allahut!

Allahu na e detyroi Haxhin, prandaj le të përsiatim në të, manifestimin e teuhidit dhe largimin prej shirkut, që të mbetet shembull praktik që do ta përpilojmë në të gjitha adhurimet tona.

Në rend të parë nëse përsiatim themelimin e Qabes do të vërejmë se ajo është themeluar mbi teuhid, siç na njofton edhe Allahu, azze ue xhel: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qaben) për ata që e vizitojnë, që rrijnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. (El-Bekare: 125)

Allahu i urdhëroi ata të dy që ta pastrojnë Qabenë prej të gjitha papastërtive, e posaçërisht prej shirkut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti”. (Et-Teube: 28); “Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. (El-Haxh: 26)

Kjo shtëpi pra, është themeluar mbi teuhid dhe detyrohet të mbetet ashtu deri në Ditën e Kiametit, nuk lejohet që t’i afrohet asnjë jobesimtar (mushrik) ose të depërton ndonjë lloj i shirkut përreth saj. Prandaj Profeti, salallahu alejhi ue selem, kur e çliroi Mekën hyri në Qabe dhe përreth saj i gjeti treqind e gjashtëdhjetë idhuj të cilët filloi t’i shkatërron dhe të përsërisë ajetin: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!”. (El-Isra: 81) Pastaj urdhëroi që të nxirren prej Qabes dhe të digjen, ndërsa Profeti, salallahu alejhi ue selem, hyri në brendësinë e saj dhe filloi t’i fshin vizatimet e pikturuara në mure duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. (El-Haxh: 26)

Qabeja është Kibla e muslimanëve, në të kryhet Haxhi dhe Umreja, është vendtakim i zemrave dhe trupave të tyre, prandaj detyrohet të jetë burim i teuhidit (njësimit) dhe i besimit të pastër ku do të adhurohet Allahu me sinqeritet, dhe të largohet prej saj çdo lloj i idhujtarisë dhe risive. Prandaj edhe erdhi urdhri që të kryhet Haxhi dhe Umreja vetëm se për Allahun: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!” (El-Bekare: 196)

O robër të Allahut!

Prej manifestimeve të teuhidit të adhurimit në Haxh është ngritja e zërave pas veshjes së Ihramit duke iu përgjigjur ftesës së Haxhit vetëm se për hir të Allahut, dhe duke e publikuar njësimin e Tij në falënderim, begati e sundim: “Lebbejke Allahume Lebbejk, Lebbejke La sherike Leke Lebbejk, innel-Hamde ven-ni’ëmete leke vel-Mulk La sherike Lek” (Të përgjigjem o Zot, Ti je i pashoq, vetëm Ty të përgjigjem, falënderimi të takon vetëm Ty. Të gjitha begatitë dhe i tërë sundimi të takon Ty, Ti je i pashoq).

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është përmendja e Allahut në ditën e Arafatit me lutjen: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shejin Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

Profeti, salallahu alejhi ue selem, thoshte: “Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

Kjo lutje është kumtesë e njësimit të adhurimit në këtë shoqëri madhështore dhe në këtë ditë të bekuar, dhe preferohet të shqiptohet sa më shpesh me qëllim që haxhiu ta kupton thelbin e saj dhe të vepron sipas asaj çka e aludon ajo, që në fund t’i kryen ritet e Haxhit me sinqeritet dhe t’i largohet çdo llojit të shirkut e risive.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është Tavafi përreth Qabesë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. (El-Haxh: 29)

Tavafi përreth Qabes është i veçantë për të dhe nuk lejohet veprimi i tij ndokund tjetër në gjithë rruzullin tokësor. Haxhiu prej këtu e kupton se Tavafi përreth varreve, druve, gurëve e tyrbeve, nuk është adhurim i lejuar nga Allahu, por është adhurim i urdhëruar nga shejtanët qofshin ata njerëz apo xhinë.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është madhërimi i Allahut me puthjen dhe fërkimin e Gurit të Zi. Haxhiu e puth atë gur me bindje të thellë se është prej riteve të Haxhit dhe se me këtë vepër i nënshtrohet Allahut dhe Profetit të Tij. Mu për këtë arsye Omeri ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur e puthi Gurin e Zi tha: “Pasha Allahun, unë e di se ti je gur, nuk bën dobi e as dëm, dhe mos ta kisha parë Profetin, salallahu alejhi ue selem, duke të puthur asnjëherë nuk do të puthja”,

Muslimani prej kësaj vepre e kupton se nuk lejohet puthja dhe fërkimi për bereqet të asnjë objekti apo guri, duke e përjashtuar këtu puthjen dhe fërkimin e Gurit të zi për arsye se kjo është prej riteve të Haxhit, ndërsa puthja dhe fërkimi i varreve, tyrbeve e druve për bereqet është prej veprave që e kundërshtojnë fenë e Allahut dhe nuk janë prej riteve të Tij.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është që haxhiu pasi ta kryen Tavafin t’i fal dy rekate pas Mekami Ibrahim duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel,: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qaben vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!”. (El-Bekare: 125)

Preferohet që në rekatin e parë pas Fatihas të lexon suren el Kafirun, ndërsa në të dytin suren el Ihlas. Urtësia e leximit të këtyre dy sureve qëndron në faktin se ato në vete përmbajnë njësimin e Allahut me njohje dhe pohim (teuhid rububije) dhe njësimin e Allahut me adhurim (teuhid uluhije). Surja e parë përmban mospranimin e fesë së mushrikëve dhe njësimin e Allahut me adhurim, ndërsa surja e dytë përmban njësimin e Allahut me cilësitë e përkryera dhe dëlirjen e Tij prej cilësive të mangëta.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është saji (ecja) mes kodrinave të Safës dhe Meruas duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel: “Kodrinat Safa dhe Merua (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm”. (El-Bekare: 158)

Prej këtij riti të Haxhit muslimani mëson se saji nuk kryhet në vend tjetër përveç se në Safa dhe Merua, për arsye se këto janë rite të Haxhit, ndërsa saji i kryer në ndonjë vend tjetër është mashtrim i shejtanit dhe nuk është adhurim i Allahut.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është ajo çka e ligjësoi Allahu në ditën e Bajramit dhe në ditët e caktuara (të Teshrikut) prej përmendjes së Tij: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)”. (El-Bekare: 203)

Përmendja e Allahut në këto ditë qartësohet në veprat e mëdha që kryhen gjatë atyre ditëve duke filluar prej qëndrimit në Mina, pastaj gjuajtjes së gurëve, prerjes së Kurbanit, faljes së pesë kohërave të namazit në atë vend të bekuar dhe në ato ditë të bekuara. Muslimani kur i gjuan gurët thotë “Allahu Ekber (Allahu është më i madhi)”, e kjo është përmendje e Allahut, po ashtu kur e ther Kurbanin e përmend Allahun, ashtu siç na njofton Allahu në Kur’an: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim”. (El-Haxh: 34)

Allahu, azze ue xhel, po ashtu thotë: “Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës. Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!” (El-Haxh: 36-37)

Muslimani prej këtyre ajeteve kupton se therja e Kurbanit është adhurim dhe se therja e saj nuk lejohet t’i kushtohet dikujt tjetër veç Allahut, se kjo është shirk.

Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është se Allahu i ka porositur haxhilerët që ta përmendin Atë shumë gjatë kryerjes së riteve të Allahut dhe pas përfundimit të saj. I ndaloi prej përmendjes së parive dhe njerëzve të mëdhenj me ndikim, të gjallë apo të vdekur, dhe i porositi që të mos krenohen me fise dhe gjenezë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” (El-Bekare: 198-203)

Haxhi pra, nuk qenka thjesht një udhëtim vëzhgues e turistik dhe manifestim i riteve, por është përvojë dhe mësim praktik për besimin e pastër dhe largimin e besimeve të kota të kohës së injorancës.

O ju që Allahu jua mundësoi ta kryeni Haxhin, e mësuat prej riteve të tij besimin e pastër dhe i vërejtët të tjerët qofshin prej vendit të juaj apo prej ndonjë vendi tjetër se kanë gabime që bien ndesh me besimin e pastër, mësojuani atyre besimin dhe përmirësoni gabimet e tyre për arsye se detyra e dijetarit është mësimi i të paditurit dhe mos harroni se ju jeni përgjegjës para Allahut i cili thotë: “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut”. (Et-Teube: 122); “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit”. (Ali Imran: 104)

Besimtari pra, së pari shpreson në përmirësimin e vetes e pastaj në përmirësimin e të tjerëve. Profeti, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush deri sa nuk e do për vëllain e tij musliman atë çka e donë për vetvete”.

O robër të Allahut!

Frikojuni Allahut, kujdesuni për fenë e juaj në përgjithësi dhe për besimin tuaj në veçanti, për shkak se ajo është baza dhe themeli. Kjo fe është e ndërtuar mbi dy parime: sinqeritetin në adhurim dhe pasimin e Profetit, salallahu alejhi ue selem, dhe këto dy parime nuk mund të njihen përveç se me përsiatje të Kur’anit dhe Sunetit dhe me pasimin e tyre.

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU