10 GABIME TE NJË NUMËR I MADH I AGJËRUESVE (RUAJENI AGJËRIMIN TUAJ)

Ka thënë Hudhejfe (r.a.): “… Njerëzit e kanë pyetur Pejgamberin (a.s.) për të mirat, kurse unë e pyeta për të këqijat, nga frika që të mos më ndodhin.” (Buhariu)

Në bazë të kësaj formule ne përmes këtij teksti, shkurtimisht pa shpjegime të detajuara, do t’i nxjerrim në pah disa gabime, të cilat i kryejnë agjëruesit gjatë agjërimit, duke mos ditur se ato mund tu kushtojnë shtrenjtë, ose të paktën, mund të bëhen shkak të humbjes së shpërblimeve të mëdha.

1- Shpërndarja e pabarabartë e energjisë; ka shumë prej atyre që në fillim të ramazanit, “i përvjelin mëngët” dhe fillojnë me një ritëm të ashpër me ibadete, dhe duke kaluar ramazani, edhe ritmi i tyre dobësohet, ashtu që në fund të ramazanit pothuajse fare nuk bëjnë ibadet. Pejgamberi (a.s.) ka thënë:

“Veprat më të dashura për Allahun e Plotfuqishëm janë ato të cilat janë të vazhdueshme, edhe nëse janë më pak të parëndësishme.” (Buhariu dhe Muslimi nga Aishja, r.a.)

2– Mosnjohja e rregullave që e prishin agjërimin; shpesh jemi dëshmitarë të deklaratave nga të cilat shohim se agjëruesit për disa gjëra mendojnë se e prishin agjërimin, por në fakt nuk është ashtu, ndërsa për disa gjëra të tjera mendojnë se nuk e prishin agjërimin dhe i veprojnë ato, kurse ato në fakt e prish agjërimin.

Ka shumë njerëz të cilët agjërojnë dhe gjatë agjërimit konsumojnë duhan, me pretekstin se ai nuk është as ushqim as pije, ndërsa nëse i shikojmë librat e dijetarëve islamikë, do të shohim se ata kanë mendim unanim se konsumi i duhanit e prish agjërimin.

Nga ana tjetër, shumë njerëz për disa mëkate të caktuara, si gënjeshtra, përgojimi, shikimi i femrave, mos veshja e mbulesës, ata besojnë se veprimi i tyre e prish agjërimin, që është e pa saktë. Veprimi i mëkateve të përmendura sigurisht se e zvogëlon shpërblimin e agjërimit, por kjo nuk do të thotë se agjërimi i personit që i bën ato është i prishur.

3- Bindja se gjumi është ibadet; ndodh që njerëzit një pjesë të madhe të ramazanit kalojnë duke fjetur, duke u mbështetur për këtë në fjalët e Pejgamberit (a.s.): “Gjumi i agjëruesit është ibadet.” Ky hadith nuk është i besueshëm dhe nuk mund të përdoret për të provuar dispozitat e sheriatit, siç e ka konfirmuar sh. Albani në librat e tij.

4- Kryerja e mëkateve gjatë agjërimit; te një numër i madh i agjëruesve ndodh që tek ata nuk ka ndryshim dita kur agjërojnë nga dita kur nuk agjërojnë, sepse vazhdimisht kryejnë mëkate. Ka thënë Pejgamberi (a.s.): “Kush nuk e lënë rrenën dhe veprimin me të, Allahu nuk ka nevojë që ta lënë ushqimin dhe pijen.” (Buhariu, nga Ebu Hurejre, r.a.)

5- Shtyrja e iftarit; një numër i madh i njerëzve, nga disa masa shtrënguese që nuk kanë bazë në Islam, qoftë edhe nëse janë të sigurtë se dielli ka perënduar dhe akshami ka hyrë, e vonojnë iftarin, duke konsideruar se kjo është ibadet.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë në të mirë për aq kohë sa ata të nxitojnë për të bërë iftar.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Disa presin që muezini ta përfundojë këndimin e ezanit dhe pastaj bëjnë iftar – që është gabim, kurse disa të tjerë presin që ta falin namazin e akshamit dhe të kthehen nga xhamia, dhe pastaj të bëjnë iftar, duke mos ditur se Pejgamberi (a.s.) kurrë nuk e ka falur akshamin para se të bënte iftar.

6- Bërja iftar me gjëra të ndaluara; shumë njerëz gjatë gjithë ditës nuk konsumojnë duhan, por bëjnë gabim dhe bëjnë iftar me atë që është e ndaluar – me duhan, duke mos ditur se në këtë mënyrë i bëjnë nga tri shkelje: e neglizhojnë sunetin e Pejgamberit (a.s.) që të bëjnë iftar me hurma; bëjnë iftar me atë që është i ndaluar; dëmi i duhanit është shumë më i madh nëse konsumohen në stomak bosh, sesa nëse bëhet pas ngrënies (që në asnjë mënyrë nuk do të thotë se ai është i lejuar).

7- Braktisja e sunetit – përsëritja e fjalëve të ezanit pas muezinit; ka shumë prej atyre që nga dëshira e madhe për ushqim e harrojnë sunetin – përsëritjen pas muezinit. Ka thënë Pejgamberi (a.s.): “Kur ta dëgjoni zërin e muezinit, thoni (përsërisni pas tij) të njëjtat fjalë që thotë ai.” (Buhariu dhe Muslimi) Ky hadith është i karakterit të përgjithshëm dhe nuk e përjashton kohën e iftarit.

8- Bindja (e disa meshkujve) se gratë nuk janë të obliguara për ta falur namazin e teravihve; Ka thënë Pejgamberi (a.s.):

“Kur ndonjërit prej jush gruaja i kërkon leje për të shkuar në xhami, lejoni.” (Buhariu dhe Muslimi) Normalisht, kjo leje është e kushtëzuar me mosekzistimin e pengesave të sheriatit kur gruaja del nga shtëpia. Gruaja nuk lejohet të largohet nga shtëpia – për teravi – e parfumuar apo me kozmetikë, e veshur në mënyrë të papërshtatshme, sepse nëse gruaja kur del për të shkuar për teravi nëse bën ndonjë shkelje të sheriatit, atëherë burrit i lejohet t’ia ndalojë shkuarjen në xhami.

9- Mbajtja e musafit në dorë gjatë namazit të teravisë; personi që e mban musafin në dorë gjatë namazit të teravihve, i bën disa shkelje (i lë disa sunete); nuk i lidh duart në namaz, nuk i ngre duart kur shkon në ruku’ dhe kur kthehet nga rukuja, nuk shikon gjatë namazit në vendin e sexhdes.

10- Raporti i agjëruesit ndaj fëmijëve; ka shumë njerëz që në ramazan bëjnë gabime dhe shkelje lidhur me fëmijët e tyre. Ka shumë prindër që nuk e dinë nëse fëmijët e tyre janë bërë moshërritur dhe nuk i urdhërojnë ata që të agjërojnë. Kur fëmija të bëhet moshërritur (sipas mënyrës islame të përcaktimit) është i detyruar të agjërojë dhe t’i zbatojë urdhrat e sheriatit, ndër të cilat është edhe agjërimi i muajit ramazan. Gjithashtu, ka shumë prindër të cilët nuk i praktikojnë fëmijët e tyre për agjërim para moshës së pjekurisë, gjë që është gabim. Disa prindër, Allahu i faltë, fëmijët e tyre që duan të agjërojnë, pasi të bëhen moshërritur, ua ndalojnë agjërimin, gjë që përsëri është mëkat i madh.

//Pezić Elvedin; minber.ba; // Përshtati: Miftar Ajdini