Kafshët më të rrezikshme janë ato helmueset. Disa prej tyre janë në gjendje të prodhojnë helm aq të fuqishëm sa të vrasin një njeri. I tillë është oktapodi i vogël me unaza blu, në dukje i parrezikshëm, por pasi e kafshon viktimën, i lëshon helmin në plagë duke i shkaktuar bllokimin e sistemit nervor dhe për pasojë vdekjen.
10- Peshku top
Këto kafshë janë shumë të ndryshme nga ato të pyllit të Amazonës. Le ta fillojmë nga peshku top, që me siguri ju deri më tani e keni konsideruar si të parrezikshëm. Ky peshk, në të vërtetë, është shumë helmues, përderisa është përfshirë në këtë listë. Si ky peshk, ka 185 lloje, si të ujërave të ëmbla ashtu edhe të atyre të kripura. Zakonisht peshku top jeton në ujërat e Meksikës, të Filipineve, të Japonisë dhe të Kinës.
—
9- Bretkosa me shigjetë helmuese
Ekzemplarët e koleksionit blu janë pa dyshim më toksikët: ngjyrat e shndritshme përdoren për të larguar grabitqarët. Bëhet fjalë për amfibë që jetojnë nga 3 deri në 15 vjet, ndërsa madhësia e tyre arrin deri në 2.5 centimetra. Këto bretkosa lëshojnë shigjeta helmuese, helmi i të cilave është vdekjeprurës. Vetëm një ekzemplar mund të vrasë plot 10 persona të rritur!
—
8- Taipan
Ky është njëri prej gjarpërinjve më helmues në botë. Bëhet fjalë për një gjarpër të madh dhe të shpejtë australian, që ushqehet kryesisht me brejtës si minj. Helmi i tij është 7 herë më i fuqishëm sesa ai i një gjarpri me zile dhe 50 herë më shumë sesa ai i një kobre të zakonshme.
—
7- Peshku gur
Pas gjarprit më helmues në botë, ja edhe peshku më helmues në botë: peshku gur! Bëhet fjalë për një peshk që jeton në ujërat e kripura, i përhapur kryesisht në Detin e Kuq dhe në Oqeanin Indian e Paqësor. Ky lloj peshku ka një strukturë shumë të fortë, luspa, kokë dhe gojë shumë të madhe. Ai mund të arrijë një gjatësi mesatare prej 40 centimetrash. Helmi i peshkut gur është në formën e qumështit dhe ai e përdor atë vetëm për mbrojtje: nëse dikush apo diçka prek këtë peshk, ai e nxjerr helmin e tij nga pjesët si gjemba.
—
6- Merimanga braziliane
A e dini se merimanga braziliane apo merimanga më helmuese në botë, është e njohur gjithashtu edhe si “merimanga viagër”. Me të drejtë pyetet pse quhet kështu? Sepse pickimi i saj, përveçse është i dhembshëm dhe provokon një paralizë kardiorespiratore, te njeriu shkakton një reagim të gjatë dhe shumë të dhembshëm! Emri i saj specifik është phoneutria dhe bëhet fjalë për një aracnide të madhe amerikanojugore, e cila është vazhdimisht në kërkim të presë së saj. Ajo fshihet vazhdimisht në tufat e bananeve dhe për këtë motiv, shpeshherë vjen aksidentalisht edhe në Europë!
—
5- Akrepi i verdhë izraelit
Akrepi i verdhë izraelit është lloji më helmues i akrepave në të gjithë botën. Helmi i tij është një “koktej” neurotoksinash shumë toksike, edhe pse pickimi i tij, përveçse te fëmijët, nuk është vdekjeprurës. Ky ekzemplar është përhapur në shkretëtirat e Afrikës së Veriut dhe në Lindjen e Mesme.
—
4- Kërmilli në formë konike
Është shumë e vërtetë se pamja gënjen! Ky kërmill, në pamje të parë si i pafajshëm, është më i rrezikshmi në botë! Helmi i tij mund të shkaktojë dhembje, inflamacione, madje edhe probleme me shikimin, frymëmarrjen dhe paraliza muskulore. Deri më tani, nuk është zhvilluar asnjë antidot, kështu që nëse hasni një të tillë, atëherë qëndroni sa më larg! Por, gjithsesi, qetësohuni, kjo kafshë jeton vetëm në ambiente me ujë të kripur dhe të nxehtë.
—
3- Oktapodi me unazat blu
Oktapodi me unazat blu, i cili i përket llojit të Hapalochlaena, është i madh rreth 5 centimetra, dhe tentakulat e tij arrijnë deri në 7 centimetra. Por, pavarësisht kësaj, helmi i tij është vdekjeprurës për njeriun. Kjo kafshë sulmon vetëm kur bezdiset. Gjëndrat e tij të pështymës janë të afta të prodhojnë një toksinë shumë helmuese: tetrodotoxina është një helm që mund të vrasë, duke shkaktuar paraliza të muskujve.
—
2- Kobra e vërtetë
Vetëm me një lëvizje, është në gjendje që të vrasë një elefant indian të rritur. Gjendet në Indi, Kinë, Malajzi dhe në Filipine. Gjarpri më helmues në botë, kobra e vërtetë, është në gjendje që të mbijetojë edhe në lartësitë mbi 2000 metra. Ai njihet falë dy shkallëve në anën e pasme të kokës, ndërsa lëkura e këtij gjarpri është në ngjyrë verdhegjelbër dhe kafe të murrme.
—
1- Kandili i detit i Australisë
Më në fund, arritëm në llojin më të rrezikshëm të klasifikimit tonë: Është një lloj kandili deti! I njohur ndryshe edhe si grerëza e detit, është një notar i zoti dhe një nga kafshët më helmuese në të gjithë botën. Ai gjendet në detin e Australisë veriore dhe Azisë juglindore, ndërsa ushqimi i tij i preferuar janë peshqit e vegjël. Tentakulat e këtij kandili mund të arrijnë deri në 3 metra! Mes tyre gjenden miliona qeliza helmuese, që përgjithësisht kanë aq shumë helm sa mund të vrasin 60 persona në më pak se 30 minuta!/tiranaobserver