150 MËNYRA SE SI TË SILLESH NDAJ NËNËS (1)

Falënderimi i përket vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi më të zgjedhurin e Pejgamberëve, të Dërguarin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij në përgjithësi. Allahu i Lartësuar të drejtën dhe detyrimet ndaj Tij si dhe ndaj prindërve e ka cituar në Kuran së bashku në shumë vende, siç është verseti:{ Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!} .

Gjithashtu bëri që sjellja e mirë ndaj tyre të jetë shkak për t’u futur në Xhenet, siç mësojmë nga hadithi i Resulullahit, sal-lAllahu alejhi ue selem:” Është I humbur, është I humbur, është I humbur”, dikush tha: cili o I Dërguar I Allahut? U përgjigj:” Personi që ka arritur prindërit në pleqëri apo njërin prej tyre, pastaj nuk mund të hyjë në Xhenet ( pasi nuk sillej mirë ndaj tyre)” .

Argumentet nga Kurani dhe Suneti janë të shumta që aludojnë për vlerën dhe pozitën e lartë të dy prindërve në përgjithësi, megjithatë çështja e nënës dhe e drejta e saj është pak sa më e dalluar, ngase për të janë transmetuar citate profetike të veçanta, që vërtetojnë vlerën e madhe dhe detyrimet ndaj saj, ngase ajo njihet për vuajtjet e shtatzënisë dhe lindjes, pastaj për vështirësitë e rritjes dhe edukimit të fëmijëve, andaj ajo është që më së shumti nga njerëzit e meriton të shoqërohet në mirësi. Për këtë ishte pyetur Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem: O Dërguar I Allahut cilët nga njerëzit e meriton më së shumti të sillem mirë ndaj tij? Kurse ai u përgjigj:” Nëna yte”, personi tha: pastaj cili? Kurse Pejgamberi,sal-lAllahu alejhi ue selem ia kthehu:”Nëna yte”, personi pyeti: pastaj cili? Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem përsëri ia kthehu: “Nëna yte”, personi: pastaj cili? Dhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem tha:” Babai yt” .

Më poshtë ju paraqesim 150 mënyra praktike rreth sjelljes ndaj nënës në raste dhe situata të ndryshme. Ato janë metodë konkrete në mirësinë ndaj nënës, që u mundësojnë fëmijëve ta arrijnë lumturinë e nënës ndaj tyre, me Vullnetin e Zotit, pasi që fëmijët shpesh herë janë viktimë e shoqërisë ku jetojnë, edhe pse ndoshta I njohin argumentet fetare përmendësh, u mungojnë atyre metodat praktike për zbatimin e tyre në jetën e përditshme. Qëllimisht nuk e kam bërë renditjen e tyre sipas tematikave, që lexuesi për disa çaste të përjetoi forma të ndryshme të mirësisë ndaj nënës dhe të zgjedhë për veten e tij ato që iu përshtaten gjendjes së tij, dhe për arsye që mos të përqendrohet vetëm në një formë dhe të anashkalojë format tjera të bamirësisë. Këto mënyra mund të zbatohen pa dallim nga djali apo vajza, vetëm disa pika të caktuara kur mund të zbatohen vetëm nga vajzat. Lus Allahun të na ndihmoj në mirësinë ndaj prindërve tanë, të na stolisë me mëshirë dhe butësi ndaj tyre, të na bashkojë me ta në xhenetin Firdevs, dhe që Ai të jetë i Kënaqur ndaj nesh.

Në fillim Kam medituar raste të shumta të atyre që ishin të suksesshëm në mirësinë ndaj prindërve të tyre, dhe kam kuptuar se praktika e tyre ishte e thjeshtë, lodhja për t’i kënaqur prindërit ishte shumë modeste, si dhe në brendësinë e tyre mbretëronte hareja dhe lumturia. Ata nuk kryenin ndonjë vepër të rëndë për realizimin e qëllimit të tyre, arsye kryesore që i bëri ata të suksesshëm ishte se çdoherë posedonin zemra të zgjuara, fytyra të buzëqeshura dhe sinqeritet, që i ushqente ata në çdo situatë. Të nderuar vëllezër dhe motra, në këtë shkresë modeste kam regjistruar përvojat e njerëzve që ishin të mirë ndaj nënave të tyre, andaj po ju paraqesim nëse dikush dëshiron t’i ndjek gjurmët e tyre, zbaton metodat e tyre, ec hapave të tyre, nëse vërtetë në to mësoni gjëra që meritojnë të zbatohen, atëherë nxitoni, nxitoni, e nëse nga to nuk mësoni asgjë atëherë mos e harroni vëllanë tuaj nga lutjet e juaja.

1- Zgjidh dhuratë të përshtatshme për çdo rast, dhuroja asaj në shenjë mirënjohje dhe gëzohu kur e pranon atë. Raste të përshtatshme janë: festa e Bajramit, martesa e ndonjë nga djemtë e saj, suksesi i ndonjë biri/bije të saj, kur ktheheni nga udhëtimi, kur hynë stina e dimrit apo e verës, kur nëna shërohet nga ndonjë sëmundje etj.

2- Hapja e një llogarie të posaçme për nënën, ku anëtarësohen djemtë e saj me participimet e tyre mujore, që t’u mbulohen nevojat dhe kërkesat e nënës, pa u detyruar ajo të kërkoj nga dikush një gjë të tillë. Kjo preferohet edhe nëse nëna është vet punëtore dhe posedon rrogë, sepse ajo dëshiron të shoh sjellje të mirë nga fëmijët e saj edhe kur ajo nuk është nevojtare për ta.

3- Duhet që fëmijët ta kuptojnë ndryshimin e fazave nëpër të cilat kalon nëna e tyre gjatë jetës, kështu që të sillen ndaj nënës në përputhshmëri me fazën në të cilën gjendet ajo.

4- Kujdes në fjalimin tënd, zgjedh fjalët të cilat do të trokasin dëgjimin e saj, mos lejo të nxjerrësh asnjë fjalë që e lëndon nënën. Nëse është e ndaluar ndaj saj thënia ”Oh”që është fjala më e thjeshtë, atëherë lëndimi me fjalë të rënda është edhe më i ndaluar.

5- Kur merr ndonjë udhëtim, mundohu që nëna të jetë njeriu i fundit që e përshëndet, ajo të jetë fytyra e fundit që ke shikuar. Përshëndetu fytyrë me fytyrë, shprehe dashurinë ndaj saj, fute gëzimin në shpirtin e saj, qëndro tek ajo më së shumti para udhëtimit, dhe bëje stacionin e fundit të nisjes nga vendi ku gjendet ajo, sepse kështu do të triumfosh me lutjet e saj, të cilat Allahu nuk i refuzon.

6- Kur kthehesh nga udhëtimi, duhet që nëna të jetë e para me të cilën takohesh, jepi selam asaj, ulu dhe qëndro me të, qetësoje dhe binde se je kthyer nga udhëtimi shënosh e mirë. Mos e befaso nga udhëtimi, por mundohu ta lajmërosh për kohën e arritjes, ngase gëzimi i madhë nga befasia jote është i dëmshëm për të. Asnjëherë mos mendo të vonosh takimin me të kur kthehesh, mos thuaj se koha nuk është e përshtatshme, sepse nëna nuk zë vend dhe nuk qetësohet derisa të shoh birin e saj me sy, derisa syri i saj të kënaqet me arritjen e tij.

7- Derisa gjendesh në udhëtim jashtë vendit thirre nënën për çdo ditë, qoftë edhe sa për ta dëgjuar zërin tënd, ngase nuk ke idenë se sa lumturi fut në zemrën e saj thirrja jote, sa brenga dhe mërzi i largon nga shpirti i saj.

8- Nëse jeton në një qytet me nënën tënde mundohu ta vizitosh atë për ditë, mos u arsyeto me detyrimet e jetës në takimet e rralla me të, ngase ky është obligimi më vogël që ke ndaj saj. Pastaj le të jetë ky takim ashtu siç e meriton pozita e nënës, e mos të jetë vizitë e shpejtë dhe me nguti, sa t’i japësh selam dhe ta shikosh orën çdo moment, sepse haku i asaj për Zotin është shumë më i madh.

9- Nëse nëna jeton në ndonjë qytet tjetër vazhdimisht rri në lidhje me të në forma të ndryshme, nuk ke asnjë arsye që të shkëputesh nga nëna.

10- Gjëja më e mirë ndaj nënës është mbajtja e lidhjeve dhe afrimi me njerëzit e dashur të saj, e nuk ka dyshim që më dashurit e saj janë bijtë dhe bijat e saj, andaj sillu mirë ndaj tyre, shprehi afërsinë tënde, ndihmoi ata kur kanë nevojë për ty, bëhu shërbyes i tyre, sepse kjo e gëzon pa masë nënën kur sheh që pema e edukimit tek fëmijët e saj ka filluar të jap frytet e mira, ajo vërehet në unifikimin familjar.

(vazhdon)

Përkthehu: Fazli Bunjaku