20 vite nga vënja e gurthemelit të xhamisë së re në Bresanë

Ditën e sotme u bënë 20 vite nga vënja e gurthemelit të xhamisë së re në Bresanë.

YouTube video player

Një xhami kjo e cila i nevojitej banorëve të Bresanës, sidomos pas viteve të 90-ta kur edhe u shtua numri i xhematit. Përpjekjet e para për vënjen e gurthemelit ishin qysh në vitet e 90-ta, por pasi që ishte gjendje lufte nuk ishte e mundur të punohej në këtë drejtim. Ndërsa, menjëherë pas rikthimit në vatrat tona, pra pas luftës, në vitin 2002, përkatësisht më datën: 26. 08. 2002 ndodhi “mrekullia” dhe Bresana mblodhi forcat për t’ia vënë gurthemelin xhamisë së re, duke siguruar mjete materiale nga vet xhemati.

Për këtë ditë ishte planifikuar edhe një manifestim që filloi pas faljes së namazit të drekës. Të pranishmit u tubuan në vendin e quajtur “Frashër” ku edhe po prezentohej projekti dhe ideja nga këshilli i xhamisë, e po shoqërohej me një program të pasur me këndim të Kur’an-it e Ilahi-ve, deri sa rreth orës 14:00 do të vendosej edhe gurthemeli nga Hoxha Salim Rexhepi.

Në këtë manifestim ishin të pranishëm qindra banorë nga e gjithë treva e Opojës, por edhe të ftuar special nga Prizreni, Prishtina e më gjerë.

Fshati formoi edhe këshillin e ndertimit, gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2002 u ndërtua baza e bodrumit të xhamisë, ndërsa muret dhe kubetë e xhamisë mbetën pa u ngritur një kohë të gjatë për shkak të mungesës së mjeteve. Në vitin 2006 Bashkësia Islame e Kosovës arriti të sigurojë një fond të cilin e destinoi për muret dhe kubetë e xhamisë së re.

Pas Ramazanit të vitit 2009, pra nga data 20. 09. 2009 një grup vullnetarësh u organizuan për të punuar dhe investuar në xhami të re. Kjo iniciativë u mbështet dhe u përkrah fuqishëm nga xhemati, e edhe banorët e Opojës në përgjithësi, të cilët ndienin si obligim moral e fetar përfundimin e kësaj xhamie.

I gjithë fshati po dhuronte mjete materiale sipas mundësive, e kishte edhe të tillë që shiten tokat e tyre për të kontribuar në xhami. Jo vetëm tokën, por banorët e Bresanës (gratë e nënat tona) dhuruan pjesë nga stolitë e arit që e posedonin.

Më: 20.11.2009 u hapën solemnisht dyert e xhamisë, me një program ku ishin të pranishëm hoxhallarë nga e mbarë Opoja e më gjerë, ishte një organizim madhështor.

Nga viti 2009 e këndej, me mbështetjen e vazhdueshme të xhematit, janë përfunduar: katër minaret, oborri, instalimi elektrik, ujësjellësi alternativ, mbulesa e kubeve, e shumë investime të tjera.

Nga atëherë e deri sot, kur xhamia feston 20 vjetorin e gurthemelit në këtë xhami u organizuan shum aktivitete, krahas xhamisë së re vazhdon të funksionojë edhe xhamia e vjetër, e cila është meremetuar. Në të dy këto xhami frekuenton një numër i madh i xhematit, e organizohen programe të ndryshme për festa fetare.

Televizoni Opoja planifikon të realizojë edhe një film dokumentar për ndertimin e kësaj xhamie, në të cilin do të publikohen pamje dhe të dhëna të cilat nuk janë parë më herët.

©TVOPOJA