Më 25 shkurt të vitit 1994, gjatë namazit të sabahut qindra palestinezë u sulmuan nga të shtënat masive dhe bombardimet në xhaminë Harem-i Ibrahim në El-Halil (Hebron) të Palestinës, sulm i cili la të martirizuar 29 besimtarë muslimanë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.
Sipas dëshmitarëve okularë, sulmi ishte planifikuar nga një grup kolonësh hebrenj së bashku me ndihmën indirekte të ushtrisë izraelite e cila nuk ishte në vendin e ngjarjes gjatë masakrës.
Besohet se brenda xhamisë Ibrahim gjendet varri i profetit Ibrahim, ndërsa pas sulmit të 25 shkurtit xhamia u nda në dy pjesë, një pjesë muslimanëve, ndërsa tjetra hebrenjve. Pjesa e ndarë për hebrenjtë u shndërrua në sinagogë.
Para masakrës
Duke folur për Anadolu Agency (AA), 60-vjeçari Khamis Qafisha, një mësues në pension, kujton se atë kohë ishte befasuar nga mungesa absolute e ushtrisë izraelite nga vendet e tyre të zakonshme gjatë namazit të sabahut, pavarësisht përplasjeve midis besimtarëve muslimanë dhe kolonëve gjatë namazit të jacisë në mbrëmjen para masakrës. Ai tha se kjo konfirmon përfshirjen e Izraelit.
“Gjatë namazit të jacisë ushtria vonoi hyrjen tonë në xhami për më shumë se 15 minuta dhe u përpoq të negocionte me ne për të falur namazin në një vend tjetër nga vendi ku ne faleshim, sepse kolonët ishin brenda xhamisë. Për shkak të përplasjeve, unë prisja që ushtria të mobilizonte trupat e saj në hyrjet e xhamisë, por kur shkova për t’u falur (në mëngjes) vëmendja ime ishte në mungesën e pazakonshme të ushtarëve nga vendet e tyre”, shpjegoi Qafisha.
Ai kujton detajet e masakrës, duke u shprehur se, “Ndërsa rash në sexhde dëgjova një bum të fort. Mendova se ndodhi një tërmet, por ishin bomba dhe të shtëna. Kur ngrita kokën nga sexhdja, sytë e mi panë izraelito-amerikanin Baruch Goldstein duke mbajtur një pushkë dhe një pistoletë me karikator të zbrazur plotësisht”.
Goldstein, një banor i vendbanimit Kiryat Arba në El-Halil, ishte një mjek ushtarak në ushtrinë izraelite dhe ishte aktiv në lëvizjen terroriste Kach, e themeluar nga ekstremisti Meir Kahane.
Më vonë, besimtarët muslimanë arritën të kapin Goldstein-in dhe ta vrasin para se të ikë.
Skena të përgjakshme të agimit
Dëshmitarët okular thanë se shumica e viktimave ishin ata në rreshtat e mesit në xhami dhe midis tyre kishte edhe fëmijë dhe të moshuar.
“Pashë një pellg gjaku në shtrojat e qilimit të xhamisë, kafka të goditura, kufoma dhe pjesë të trupit të shpërndarë, përfshirë një fëmijë që nuk ishte as 11-vjeç dhe njerëz të plagosur që thërrisnin për ndihmë. Unë ndihmova në transferimin e martirëve dhe besimtarëve të plagosur përmes makinave private dhe ambulancave derisa rrobat e mia ishin të njomura me gjak”, kujton Qafisha.
Qafisha po ashtu tha se kolonët dogjën qilimat e xhamisë, derdhën kimikate mbi të, sollën qen në xhami, si dhe sulmuan dhe rrahën besimtarët muslimanë.
Pavarësisht dëmit të madh që iu ekspozua muslimanëve palestinezë si rezultat i masakrës, ata u befasuan nga një komitet hetimor izraelit që lëshoi dekrete të ashpra, më i rëndësishmi prej të cilëve ishte ndarja e zonës së lutjes së xhamisë në dy pjesë, një për muslimanët dhe tjetra për kolonët.
Ndërkohë, të gjitha rrugët si Al-Shuhada dhe qindra dyqane u mbyllën me urdhra dhe kufizime ushtarake, të cilat mbeten të mbyllura deri më tani.
Ushtria pushtuese po ashtu vendosi dhjetëra pika kontrolli ushtarake, barriera betoni të bëra me mure hekuri dhe shumë ushtarë brenda rrugicave të Qytetit të Vjetër të El-Hilalit dhe në afërsi të xhamisë.
Shkeljet e vazhdueshme
Adhuruesit që dëshirojnë të hyjnë në xhami nga jashtë qytetit ende janë të detyruar të kalojnë disa pika kontrolli ushtarake dhe elektronike.
Po ashtu ezani nuk lejohet gjithmonë në xhami.
Nga ana e tij, kreu i xhamisë Sheikh Hefzy Abu Sneina, tha se dhoma e ezanit ndodhet në pjesën e caktuar për kolonët dhe hyrja në të kërkon praninë e ushtarëve. Ai theksoi se gjatë vitit 2020 Izraeli bllokoi ezanin 599 herë.
Ndarja e qytetit
Protokolli i El-Halilit, të cilin Izraeli dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) nënshkruan në vitin 1997 ndau qytetin e El-Halilit në dy zona, respektivisht H1 që përbën rreth 80 për qind të zonës së banimit të qytetit të cilën Autoriteti Palestinez pretendon përgjegjësitë, si dhe H2 në të cilën Izraeli mban të gjitha përgjegjësitë, përfshirë xhaminë Harem-i Ibrahim dhe Qytetin e Vjetër.
Sipas të dhënave nga Grupi Rino kundër Vendbanimit Lokal (grup joqeveritar), rreth 700 kolonë jetojnë në pesë poste vendbanimesh në El-Halil dhe përreth xhamisë Harem-i Ibrahim, ndërkohë tre poste të tjera vendbanimesh janë në ndërtim e sipër.
Të paktën 400 kolonë janë me banim të përhershëm në qytetin e vjetër, përveç 300 kolonëve që studiojnë në një shkollë fetare. Sa i përket palestinezëve, ata janë rreth 7 mijë.
UNESCO në vitin 2017 shtoi xhaminë Harem-i Ibrahim dhe Qytetin e Vjetër të El-Halilit në Listën e Trashëgimisë Botërore.