Më 19 prill 2022, delegacioni i diasporës i Bashkësisë Islame të Kosovës, i përbërë nga drejtori i Diasporës në Kryesinë e BIK-ut, Ekrem ef. Simnica dhe nga imami Fadil ef. Musliu, vizituan xhematin e xhamisë në Regensdorf të Zvicrës, ku u pritën nga imami Ferid ef. Zeqiri, anëtarët e kryesisë dhe nga xhemati i kësaj xhamie.
Drejtori i Diasporës, Ekrem ef. Simnica, në ligjëratën e tij, theks të veçantë i kushtoi punës dhe veprimtarisë së institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai me këtë rast përcolli urimet dhe përgëzimet e Myftiut Tërnava për muajin Ramazan, duke lutur Allahun që të na i pranoj ibadetet dhe adhurimet që i kryejmë gjatë këtij muaji. Drejtori Simnica në ligjëratën e tij falënderoi të gjithë mërgimtarët tanë për kontributin e vazhdueshëm dhënë për vendlindjen në përgjithësi, e në veçanti për institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai shfaqi shpresën dhe bindjen e tij se kjo mërgatë do të vazhdojë kontributin e saj edhe përgjatë viteve të ardhshme, sa herë që të jetë nevoja.
Më pas, imami Fadil ef. Musliu, para të pranishmëve mbajti një ligjëratë kushtuar dobive dhe të mirave të muajit Ramazan, me një theks më të veçantë, ligjërata e tij u fokusua në dhënien e sadakasë dhe të zekatit.