Që në lashtësi është zbuluar efekti kurues i frutave.
Që në lashtësi është zbuluar efekti kurues i frutave. Aktualisht, më së shumti janë këshilluar frutat e njoma, por edhe ato të thata, në rast se dini mënyrën e përdorimit janë po aq të efektshme sa edhe “të gjalla”. Madje, disa prej tyre, kur merren të thata janë disa herë më kuruese për shumë lloje sëmundjesh. Më poshtë po japim një guidë të shkurtër të këtyre frutave, ato më kryesoret.
Kajsia
Përveç përdorimit në kuzhinë për përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme, kajsia renditet edhe si një pemë kuruese në mjekësinë popullore. Në mjekësinë popullore përdoren frutat e kajsisë, të cilat janë të pasura me shumë vlera ushqyese. Frutat e kajsisë përdoren të freskëta ose të thata, si dhe të përpunuara në trajtë kompostoje, reçeli dhe lëngu të këndshëm.
Fruta e freskët ka vlera të mira ushqimore. Ajo përmban rreth 14 për qind sheqerna, acide organike, albumina, pektinë, kripëra minerale, si: kalium, fosfor, kalcium, vitamina të ndryshme si provitamina A, Vitaminë B1, B2, PP, C etj.
Në frutat e thata sasia e sheqerit arrin deri në 60 për qind. Thelpinjtë janë të pasur me albumina deri 28 për qind dhe me vajra deri 55 për qind.
Frutat e kajsisë janë të shijshme, aromatike dhe pëlqehen nga të gjithë. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në pastrimin e gjakut. Përdoren me efekt edhe në rastet e zënies së zërit. Kajsitë janë ushqim i çmueshëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë. Ndërsa bërthamat e kajsisë përdoren kundër dhimbjes së kokës. Për këtë qëllim ato piqen dhe hahen me mjaltë për t u tretur më lehtë.
Lajthia
Fruti i lajthisë është shumë i këndshëm dhe i ushqyeshëm. Lajthia përdoret e freskët, e thatë dhe e përpunuar në ëmbëlsira të ndryshme. Frutat përmbajnë rreth 60 për qind vaj, albuminë dhe pak sheqerna. Me miellin e saj edhe të grurit përgatitet një bukë shumë e ushqyeshme. Thelbi është i pasur në kripëra minerale si dhe vitamina A, B1, B5, C, PP etj.
Lajthitë përdoren me rezultate të mira dhe rekomandohen për organizma të dobësuar dhe anemikë, si dhe për gratë me barrë. Nuk këshillohet përdorimi i lajthive, atyre që vuajnë nga stomaku dhe nga dispepsia (tretje me vështirësi e ushqimit dhe me dhimbje të aparatit tretës.) Lëvorja e rrënjës ka veti antipiretike. Pjalmi i luleve është përdorur kundër epilepsisë (sëmundjes së tokës). Gjethet e lajthisë kanë veprim qetësues në dhimbjet dhe infeksionet e zorrëve dhe përdoren kundër diarresë, meqenëse ato përmbajnë lëndë tanike. Nga druri i lajthisë nxirret një vaj eterik, që përdoret kundër dhimbjeve të dhëmbëve; për këtë do të mjaftonin disa pika mbi dhëmbin e sëmurë. Gjithashtu, ky vaj ka dhënë rezultate të mira për luftimin e krimbave askaride. Me përdorim të jashtëm jep efekt kundër thumbimeve të insekteve.
Limoni
Për qëllime mjekësore përdoren lëvozhga dhe lëngu i frutit të limonit, farat, gjethet dhe lulet e limonit. Vetitë mjekësore të limonit kushtëzohen nga prania në të e një sasie të madhe vitaminash, kryesisht të vitaminave C dhe P. Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë efekt shërues më të theksuar. Ato përdoren kundër sëmundjeve që shoqërohen me ethe, janë freskuese dhe ulin temperaturën.
Limoni ka veti të mira tretëse në stomak, është freskues i këndshëm dhe nxit oreksin që mund të jetë prerë nga sëmundje të ndryshme.
Në këto raste përdoret lëngu i limonit në trajtë limonade ose i shtuar në çaj apo në gjellë. Në sajë të vetive rrudhëse dhe antitoksike, lëngu i limonit përdoret me efekt kundër barkut dhe diarresë, me pak ose pa sheqer. Rezultate të mira ka dhënë lëngu i limonit gjatë përdorimit kundër acarimeve të mukozës së gojës dhe të grykës, duke bërë larjen dezinfektuese në formë gargarash. Limoni ka gjetur përdorim të gjerë kundër acarimit ose qelbëzimit të bajameve, shërimin e sëmundjeve të mëlçisë. Lëngu i limonit është i dobishëm edhe për artritikët. Por nuk duhet ta përdorin ata që kanë stomak delikat e të ndjeshëm, pasi shton aciditetin dhe dëmton stomakun.
Vishnja
Frutat e vishnjës janë të shijshme, përdoren për të kuruar mëlçinë, pastrojnë gjakun dhe luftojnë aneminë. Veç të tjerash konsumimi i tyre rekomandohet për të gjithë ata që kanë probleme me tretjen. Ky lloj fruti përmban acide organike me shumicë, vitamina A, C, P, PP, B1, B2 etj. Me bishtat e frutave mjekët popullorë kanë luftuar me sukses gurët dhe rërën e veshkave.
Kuron:
-Mëlçinë
-Pastrojnë gjakun
-Luftojnë aneminë
-Tretet shpejt nga stomaku
Mjekësia popullore e përdor frutën e vishnjës për kurimin e sëmundjeve, vetëm në formën e një çaji. Për këtë duhet të merren 1-15 gramë bishta vishnje dhe zihen në 200 ml ujë derisa të mbeten ¾ e sasisë fillestare të ujit. Çaji pihet i ngrohtë, para buke, duke e përsëritur 2-3 herë gjatë ditës, për 10-15 ditë radhazi.
Frutat e vishnjës janë freskuese, shuajnë etjen, pranohen mirë nga stomaku, ndihmojnë tretjen, dhe kur përdoren në mënyrë sistematike, ndikojnë në shërimin e sëmundjeve të mëlçisë, pastrojnë gjakun duke e pasuruar atë me elemente të reja dhe luftojnë aneminë. Në këto raste këshillohet të konsumohen deri në gjysmë kilogramë vishnjë të freskëta në ditë, duke vazhduar mjekimin për 15-20 ditë. Frutat e vishnjës kanë veti direkte, ato këshillohen t i konsumojnë ata që vuajnë nga veshkat. Vishnja ka të gjitha vlerat ushqimore e dietike dhe vetitë farmaceutike që ka qershia, por ajo i ka më të theksuara vetitë rrudhëse e freskuese.
Shega
Lëngu i shegës përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon toksinat (helmet) e organizmit. Ai (lëngu i portokallit) i jep freski mendimit të njeriut. Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen në dhimbjet e barkut, në hemorragji, në hemorroidet, si dhe për gargara (shpëlarje të gojës) kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.
Kuron:
-Sëmundjet e stomakut
-Sëmundjet e zorrëve
-Dhimbjet e barkut
-Hemorroidet
-Ënjtjen e bajameve
-Acarimin e mishrave të dhëmbëve
Merren 20-30 gramë lule shege në një litër ujë dhe vihen të zihen për gjysmë ore. Nga ky çaj merren 2-3 gota çaji në ditë. Edhe lëvozhga e frutave të shegës ka veti regjëse. Lëvozhga e thatë, para se të përdoret, duhet të vihet në ujë për disa orë që të zbutet. Çaji i lëvozhgave të shegës përdoret kundër diarreve, si dhe për luftimin e krimbave parazitarë të zorrëve. Lëvozhga e frutave të shegës lufton me sukses amebat, të cilat e dobësojnë shumë organizmin, e veçanërisht te fëmijët. Për këtë merren lëvozhgat e një kokrre shege, vendosen në një enë prej balte dhe zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Pasi ftohet lëngu, pihen dy gota likeri në ditë, një në mëngjes e një në darkë, gjithmonë para buke, për 10-15 ditë. Pa përdorur tjetër ilaç, organizmi do të çlirohet nga amebat.
Mandarina
Në mjekësinë popullore përdoren frutat, lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet. Fruta e mandarinës është shumë e këndshme dhe aromatike. Ajo është e pasur me vitamina A, B, C dhe sheqerna. Nga lëngu i frutave prodhohet mandarinadë shumë e shijshme. Mandarinat janë ndër agrumet më të pëlqyeshme falë aromës dhe përmbajtjes më të lartë të sheqerit. Ato janë tretëse, freskuese dhe lëngu i tyre është i pranueshëm edhe nga stomaku i fëmijëve.
Në sajë të përmbajtjes së vitaminave, si dhe të një sasie të konsiderueshme hekuri, mandarinat përbëjnë një ushqim shumë të përshtatshëm për pastrimin e gjakut dhe për luftimin e anemisë. Mjekimi me mandarina vazhdon 20-25 ditë, duke konsumuar çdo ditë nga 10-15 kokrra ose edhe më shumë. Lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet kanë po ato përdorime si te portokalli. Nëse ato zihen dhe pihen si lëng në formë çaji, kur ky lëng pihet i ngrohtë, bën mirë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kur ka acarime në grykë apo zënie zëri. Gjethet dhe filizat e njomë të mandarinës dhe portokallit kanë veti qetësuese në rastet e nevrastenisë (nevrasteni: sëmundje që ka për shkak dobësimin e force nervore).
Hurma
Në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, fruta, gjethet, degët. Ajo përdoret e freskët, e thatë, përgatitet reçel, marmelatë, alkool, raki dhe ëmbëlsira të ndryshme. Fruta përmban rreth 17 për qind sheqer kur është e freskët dhe 62 për qind kur thahet. Përmban vitamina A dhe C, proteina, yndyra, kripëra minerale, si hekur, sasi të konsiderueshme taninë etj. Hurmat kanë gjetur përdorim të mirë në luftimin e sëmundjes së anemisë, dobësimit të përgjithshëm të organizmit pas kalimit të ndonjë sëmundjeje.
Në këto raste përdoret mjekimi me hurma: Çdo ditë konsumohen 6-15 kokrra të tejpjekura rreth një orë para ose pas ushqimit.
Mjekimi vazhdon 15 ditë deri në 25 ditë. Hurmat kanë dhënë rezultate të mira në luftimin e sëmundjeve të aparatit tretës, të cilat shoqërohen me diarre (me të dala të shpeshta jashtë). Mjekimi me hurma rekomandohet edhe për personat që vuajnë nga diarreja kronike. Gjithashtu, shumë të sëmurë nga gjëndrat tiroide (fryrja e gushës), kanë pasur përmirësime të dukshme pas përdorimit me bollëk në racionin ditor të frutave të hurmës. Farat e hurmës kanë gjetur përdorime në dhimbjet shumë të forta të barkut./rtk