Të qëndrosh si fëmijë para urdhrave

Enes KARIQ

1. Me kalimin e viteve, shpesh kujtohem që kam lindur më 1958, trembëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, ndjeshëm në epokën e Jugosllavisë Socialiste të Titos. Sot, kur kam pesëdhjetë e pesë vjet mund të them se kam gjithnjë e më pak vite. Sepse ato vite që kaluan nuk janë më të miat. Apo janë më së paku të miat.

Sa më shumë që largohem nga viti 1958 e këndej, tek unë gjithnjë e më shumë shfaqet një fëmijë, e pastaj një djalosh, i cili në besimin e vet është zgjuar në fshatin Vishnjevë, komuna e Travnikut, në Bosnjën e mesme. Njëmend, si ka qenë kjo që unë si fëmijë, e pastaj unë si djalosh, kam mësuar se jam musliman.

(Këto fjalë që pasojnë shpesh ua kam rrëfyer studentëve egjiptianë në Kajro, ku, më 1983, një semestër e kam kaluar në specializimin e gjuhës arabe. Në fakt, sa herë më shikonin në Universitetin e Kajros në shfaqjen e fytyrës sime “evropiane” dhe kur merrnin vesh se emrin e kam Enes, studentët arabë më pyesnin: “Enes, kur e keni pranuar Islamin?” Kurse unë, shkurtimisht, ua tregoja këtë që vijon).

Menjëherë do të them se ritualet islame janë ato që mua më kanë dhuruar vetëdijen për prejardhjen dhe përkatësinë time religjioze.  Me fjalë të tjera, edhe sot feja islame për mua ka kuptimin para së gjithash të zbatimit me vëmendje dhe me përkushtim të ritualeve të përditshme islame: shqiptimit të fesë ose të shehadetit (Ashhadu an lā ilāha il-lā All-llāh – Unë dëshmoj se nuk ka hyjni tjetër pos Allahut!), pastaj faljes së namazit pesë herë në ditë, agjërimit të ramazanit, dhënies së zekatit, shkuarjes për të kryer haxhin në Mekë… Këtë njohuri, se Islami gjithnjë bazohet në ritualet e veta, e kam pranuar nga gjyshi im Huseini dhe gjyshja Hanifja (prej prindërve të babait tim Eminit).

Huseini dhe Hanifja jetët e tyre të zakonshme fshatare ua kanë dhuruar ritualeve islame. Sipas atyre ritualeve i kanë kurdisur orët e detyrimeve të tyre jetësore.

Kur gjatë verës kositnin barin, saktë në drekë në livadhin tonë dëgjohej ezani, thirrja për namaz, dhe gjysmë ore kryhej namazi i drekës. Nga një livadh, në shpatet e malit Vllashiq, të gjithë kemi qenë me fytyra të kthyer drejt Mekës. Rreth nesh heshtnin kodrat dhe hapësira e verës së gjallë zhdukej në horizonte. Me të vërtetë, kurrë nuk e kam harruar atë dritë me të cilin feja islame ka ndriçuar në fytyrat e këtyre fshatarëve të cilët kanë falur namaz në livadh.

2. Më kujtohen shumë mirë të reshurat e mëdha me borë të cilat binin në fshatin tim qysh prej fundit të nëntorit, për shembull në vitin 1962 ose 1963.  Dhe, më kujtohet muaji i agjërimit, Ramazani. Atëherë fillonte në shkurt, që në vitet 1964, 1965, 1966, 1967 etj., Ramazani lëvizte gjithnjë e më shumë në ditët e ftohta të janarit dhe dhjetorit.

Para fillimit të muajit të Ramazanit të gjitha shtëpitë tona pastroheshin dhe gëlqeroseshin, të gjitha dhomat erëzoheshin me një bimë, të cilën nëna ime Sabiha e quante beyturān.

Në muajin e agjërimit nëna Sabiha përgatiste gjellë të mira për të gjithë anëtarët e familjes, kurse para fillimit të iftarit (ndërprerjes së agjërimit), të gjithë ne, anëtarët e familjes së gjyshit Huseinit, uleshim këmbëkryq rreth sofrës së madhe dhe kështu, në qetësi dhe heshtje, hanim ushqim. Ne, fëmijët, nuk agjëronim. Natyrisht. Por, hanim. I gëzoheshim ramazanit.

Kjo sofër ishte një epiqendër, ndërsa ne që uleshin përreth kemi qenë një “periferi” të cilën e unifikonte rituali i iftarit. Qetësia ishte jashtëzakonisht e bukur.

Fëmijët aty ishin të barabartë me të rriturit, kurse gjellët vendoseshin në mes të sofrës. Në fund të çdo darke të atij ramazani, të gjithë i kthenim shuplakat tona të pastra drejt qiellit, ndërsa babai im, Emini, e këndonte atëherë në arabisht të a.q. jemek-dova.

3. Krahas Ramazanit (por edhe jashtë Ramazanit), në fillim të çdo mbrëmjeje të të enjtes dhe të dielës, kur muzgu lëshonte krahët e veta në fshatin tim Vishnjevë, në shtëpinë e gjyshit tim Huseinit, e reja më e vjetër e tij Sabiha (nëna ime) e ndezte dritën, të a.q. petrolejka, sepse energjia elektrike ende nuk pati arritur në fshat. Drita e llambës petrolejkë derdhej nëpër fytyrat e të gjithë fëmijëve dhe të rriturve, sikur në këtë dritë kemi qenë sërish të krijuar!

Të gjithë qëndronim ulur në gjunjë, përreth dhomës së madhe, kurse në mes ishte gjyshi Husein, nga ana e djathtë e tij ulej babai tim Emini, kurse para tyre ishte një tavolinë e vogël e bukur nga druri i arrës. Në atë tavolinë ishte një peshqir i bardhë pambuku, kurse në peshqir libri i Kur’anit i shpalosur. Babai im e lexonte me zë suren Jā Sín, të 36-tën me radhë në Librin e Shenjtë Islam. (Kur në dhjetor 2007 kam kryer haxhin, kam vërejtur se pozita qendrore e Qabesë në Tempullin Mekas, i ngjason pozitës qendrore të Kur’anit në leximin ritual të sures Jā Sín, në atë dhomën time të dashur nga fëmijëria ime).

4. Edhe pse tërë jetën time të pjekurisë ia kam kushtuar studimit të Islamit dhe Kur’anit (dhe kam qëndruar në universitetet botërore, nga UCLA e UCSB në Kaliforni, nëpër al-Az’har në Kajro, e deri në IUU në Kuala Lumpur), ritualet e Islamit për mua kanë mbetur thelbi i fesë islame dhe pasuria e saj e madhe shpirtërore. Shumë vite më vonë kam mësuar si vijon: ritualet islame ruajnë tonalitetin unik shpirtëror të Islamit nëpër histori. Kjo është e pakalueshmja në Islam. Nëpër botën islame kanë defiluar shumë sisteme: halifatet, sulltanatet, emiratet, mbretëritë, carët, regjimet totalitare, drejtimet kolonialiste, regjimet jokolonaliste e të tjera. Të gjitha këto kanë qenë dhe kanë kaluar dhe dështuar. Por, ritualet islame i kanë mbijetuar të gjitha këto dhe kanë mbetur përgjithmonë!

5. Por, në botën e fesë sime me rituale ndodhia e parë e rëndësishme ka qenë në vitin shkollor 1969-1970. Atëherë kam filluar në klasën e pestë të shkollës fillore. Pasi në fshatin tim Vishnjevë nuk kishte shkollë fillore të plotë, unë kam kaluar në fshatin Podovë, ku kam banuar te gjyshi Ahmet dhe gjyshja Fatime (prindërit e nënës). Prej aty e kisha më afër të shkojë në Han-Bill, ku ishte shkolla e madhe fillore.

Atëherë për herë të parë në jetën time jam bërë i vetëdijshëm që, menjëherë aty, dhjetë apo njëzet kilometra përreth, jetojnë edhe shumë katolikë. I kam parë kishat e tyre dhe me interesim kam shikuar sesi çdo të diel shumë prej tyre, të veshur me këmisha të bardha solemne, shkojnë në meshë. (Mbaj mend se si gjyshja ime Fatime më qortonte që të dielën katolikët kalojnë rrugëve në kishë, në fshatin Brajkoviq, dhe që ajo më urdhëronte rreptë që askujt nga ata nuk guxoj t’i them asnjë fjalë të shëmtuar!). Atëherë për herë të parë kam filluar të shoqërohem me fëmijët katolikë.

Shkolla e madhe fillore në vendin Han-Bill ka pasur ndoshta më shumë se njëmijë nxënës. Sipas programeve të ideologjisë së atëhershme socialiste, të gjithë fëmijët, katolikë, ortodoksë dhe myslimanë, nga numri i madh i fshatrave të afërta, kanë shkuar së bashku. Shkollat atëherë kanë qenë “farkuese socialiste të vëllazërimit dhe bashkimit” të shtetit tonë Jugosllavisë! Në klasë kemi qenë të gjithë “Pionierë të Titos” dhe kemi qenë të përzier. Nuk ishte e dëshirueshme të theksohet feja. Por, përkundër socializmit dhe atmosferës ateiste të shkollës sonë fillore, atëherë për herë të parë kam dëgjuar për krishtlindjen katolike, për pashkët dhe festat tjera kristiane. Kam mësuar se ato festa kanë qenë shumë të rëndësishme për fëmijët katolikë. Jam vetëdijesuar për ekzistimin edhe të një universi tjetër fetar, krahas atij universit tim islam.

Pasi që në Jugosllavinë socialiste festat fetare kanë qenë ditë pune (pos nëse qëllonin ditën e diel), në shkollë shkohej normalisht, fëmijët katolikë atëherë ishin të veshur solemnisht, na sillnin dhurata neve, fëmijëve muslimanë, na dhuronin me vezë të ngjyrosura të Pashkëve etj. Më vinte mirë që fëmijët katolikë besonin në Zot. Më vinte mirë që e respektonin fenë e tyre.

Por, atëherë, në klasën e pestë, gjashtë, shtatë dhe tetë të shkollës fillore, fillova të vetëdijesohem për dallimet fetare. Ne dhe ata, e jona dhe e tyrja, e afërt dhe e largët – ky pozicion binar ka përcaktuar shumë heshtje të miat për besimin në Zotin në vitet e mia të hershme tinejxheriste. Atëherë në mënyrë jo të qartë kam mësuar: Kjo që Jezu Krishti është tek ata – për ne muslimanët dukej e tepruar! Kjo që Isai alejhisselam është te ne – kristianëve u dukej tepër e vogël! Në jetë më vonë kam mësuar për shumë shpjegime të pluralizmit të religjioneve. Por, gjithnjë me respekt thellë kam heshtur për faktin e madh të teologjisë sistematike: Zoti është një, kurse religjione ka me mijëra.

6. Pasi e përfundova shkollën fillore, jam regjistruar në kolegjin prestigjioz islam në Sarajevë, në medresenë e famshme të Gazi Husrevbeut (të themeluar në vitin 1573). Aty kam kaluar dhjetë semestra. Me pa dëshirë duhet të pranoj se shkollimi im në këtë medrese nga viti 1973 deri 1978 ka kryer “sulme teorike” të shumëfishta mbi atë islamin ritual të fuqishëm dhe të përkryer, në atë Islamin nga mbrëmjet parafestore të fshatit tim Vishnjevë.

Në Medresenë e Gazi Husrevbeut si tinejxher kam mësuar se Islami është edhe besim e jo vetëm ritual. Kam mësuar ritualet islame janë aty që të bësh diç për Zotin, për veten, për prindërit e vet, për bashkëshortin/en, për njerëzit tjerë, për shtazët, për bimët, për gurët! Kurse besimi islam është aty që për Zotin mos të mendosh gabueshëm ose që, mos dhashtë Zoti, çkado të shtrembër për Zotin mos ta shqiptosh!

Si nxënës medreseje në Sarajevë pesë vite nëpërmjet lëndëve të ndryshme (fetare dhe të përgjithshme) kam mësuar një apologji mjaft të gjerë teorike të Islamit. Natyrisht, edhe më tej rregullisht i kam kryer të gjitha ritualet islame të cilat para gjyshit dhe babait i kam mësuar në fshatin tim Vishnjevë. Në njëfarë mënyre, mua ritualet islame më dukeshin mbi çdo teori islame. Për mua ritualet islame qysh në vete, në parim, përmbanin teorinë e Islamit ose besimin islam. Jam përpjekur që edhe në medrese ritualet islame për mua të mbeten të shenjta, të mbetet të pashpjegueshme. Të mbeten për mua thesar i mbyllur i pasurisë së pashtershme shpirtërore. Së këndejmi unë ritualet kurrë nuk i kam racionalizuar. Sikur ato për mua kanë qenë aksioma, edhe pse në medrese ka pasur profesorë të cilët na kanë shpjeguar se përkuljet tona në lutje janë të dobishme si gjimnastikë e trupit etj. Ka pasur edhe profesorë në medrese të cilët na e shpjegonin agjërimin e Ramazanit nga aspekti medicinal, si diç të dobishme për shëndetin e njeriut. Natyrisht, ka pasur edhe profesorë të cilët na kanë folur sesi Islami me mësimet e veta është mjaft i afërt me socializmin dhe si i tillë përmban ideal të socializmit etj.

7. Pasuan pastaj vitet (1978-1992) në të cilat kam përfunduar Fakultetin e Shkencave Islame, pastaj Fakultetin e Shkencave Politike, me pas magjistrova në filozofi dhe doktorova në filologji. Kam ndjekur edhe studimet pasdoktoratës në Universitetin “Yale”, kam qëndruar në “El-Ez’her” dhe në Universitetin e Kajros etj.

Kështu bëhesha gjithnjë e më i vetëdijshëm që ritualet e çdo feje, sikur edhe besimi i çdo feje, kanë kontekstin e vet. Por, edhe i bëjnë kontekst vetvetes. Në këtë epokën tonë të teknikës ritualet islame dhe bindjet islame mua më kanë adresuar me detyrën që veten rishtazi ta ndjej si krijesë të Zotit. Dhe, që edhe te të tjerët ta zgjoj këtë ndjenjë të lumtur se edhe ata janë krijesa të Zotit!

Ky status, kjo të jesh krijesë e Zotit, kjo është ajo që më bën të pasur, që më jep prehje, dhe gjithnjë e më shumë më përcakton që edhe nga ajo anë t’i përjetoj ritualet islame dhe bindjet islame.

8. Shpalosja ime e këtillë e thesarit simbolik të Islamit ritual më ka ndihmuar të gjendem në këtë kohë turbulente të teknikës dhe makinës. Natyra, pra edhe natyra njerëzore, qysh moti në scientizmin rigid më shumë shpjegohen si krijesa të Zotit dhe shenjë e veçantë dhe dhuratë e Zotit, i Cili krijon çdo gjë, por shpjegohen si qëndrime në listën e resurseve industriale, si burim të pasurisë së njeriut, si çështje e shtrirë në shtrirjen e së cilës njeriu do ta ushtrojë pangopësinë e vet të përkrahur me arsyen/mendjen e shfrenuar dhe të “çliruar”.

Njeriu me makinë është nisur ta pushtojë dhe privatizojë Natyrën, është bërë qenie shuplakat e të cilit janë përplot me pasuri të kësaj bote. Ne, pasardhësit e sotëm të homo sapiensit, qysh moti tashmë tundim duart me miliona tonelata të qymyrit, çelikut dhe naftës në duart tona.

Duart tona sot janë përplot me bomba të ndryshme, atomike, neutronike e çfarë jo tjetër! Edhe pse kjo është pamje e vrazhdë, në të ka në masë të madhe simbolikë. Dhe, kjo është e vërteta e hidhur në këtë katastrofë ekonomike sot.

Në orët e shpeshta të pesimizmit tim boshnjak porosia islame më mëson: ato shuplaka të thjeshta boshe njerëzore dhe duart boshe të njeriut janë njëra nga arritjet më të mëdha të namazit musliman, të duave dhe lutjeve, kurse gjithashtu edhe në lutjet në religjionet tjera tradicionale botërore. Kur njeriu, mashkull apo femër, ta përfundojë namazin, duanë dhe lutjen e vet dhe kur, pastaj, në një përfundim solemn, i ngre shuplakat e tij boshe në lartësi të fytyrës së tij, ai/ajo atëherë duhet të shikojë në duart e tij boshe. Dhe që, pastaj, njeriu, mashkull ose femër, ta kuptojë dhe mendojë pikërisht atë që duart atëherë në lutje asgjë nuk kanë. Ndërkaq, në fakt, kanë çdo gjë! A ka diç më të vlefshme për njeriun se mbështetja në Zotin?!

Ja përse duhet shikuar në këtë boshllëk të lartësuar të duarve tona, dhe të pëshpëritim fjalët e lutjes nga librat e shenjta. Ky është një aspekt i rëndësishëm etik dhe moral i ritualeve, duave, lutjeve në Islam. (Për këtë shpesh kam menduar në Sarajevën e rrethuar prej vitit 1992 deri 1995. Sa shumë miliona tonelata armë mban në duart e veta njeriu i sotëm modern! Ndërkaq do të duhej të shikojë së paku një herë në ditë në duart e veta të zbrazëta dhe të pyes: O Zot, me cilën detyrë Ti mua ma ke urdhëruar që ta kryej me këto duar, këtu në tokë?!) Ja, me këto porosi m’i dhuron Islami, e unë, pastaj, në biseda me njerëzit e tjerë, synoj që paimponueshëm t’i shpërndaj ato dhurata.

Fetë zanafillore tradicionale (Islami, kristianizmi, judaizmi…) janë të rëndësishme për ne sot, në këtë epokën e teknikës. Sepse, religjionet nuk i belbezojnë njeriut dhe nuk i lajkatojnë atij.  Religjionet asgjë nuk ia heshtin njeriut. Asgjë nuk ka përballë ashtu sinqerisht me situatat tona kufitare si Bibla dhe Kur’ani.

Nga ana tjetër, nuk është problem në atë që sot e predikon scientizmi dhe zhurma e tmerrshme e makinave të tërbuara, por problemi është në atë që ata e heshtin. Ja përse botës i duhet Islami (si edhe fetë tjera tradicionale, natyrisht). Ritualet e Islamit janë për ne të domosdoshme edhe si ngushëllim. Ndërkaq Zoti do ta kthejë mëshirën e vet nga njeriu modest dhe i përkushtuar.

Përktheu: Nexhat Ibrahimi