ILJASA SALIHU
Lavdërim Muhaxheri preu një kokë njeriu, ndoshta më shumë se një kokë për të treguar se ai vetë është njeri pa kokë, por një kokë të prerë na tregoi. Më erdhi keq për viktimën, ngaqë fundja nuk kisha dëgjuar akuzë paraprake për viktimën dhe për rrjedhojë unë besoj se ai është i pafajshëm, meqë fajësia e tij nuk ishte vërtetuar publikisht, por vetëm prerja e kokës qe kumtuar haptas. E përsëris, fillimisht më erdhi keq për viktimën, pastaj më erdhi keq për xhelatin, gjegjësisht për identitetin e xhelatit, edhe pse xhelati xhelat është, ai nuk mund të ketë ndonjë identitet tjetër, por sidoqoftë, realiteti është se xhelati duhet të dihet se prej nga është, cilës kombësi i takon, prej çfarë familje rrjedhë e cilës fe i takon? Kjo krejt në rregull, sepse këto elemente mund të të shpien drejt një përgjigje më të saktë rreth shkaqeve të krimit. Na vjen keq, por realiteti është ky që është. Shpeshherë më ka rastisur që prej autorëve ndërkombëtarë të lexoj se shqiptarët janë gjaknxehtë. Në vend që të hidhërohem me këtë konstatim, unë kam parashtruar pyetje se pse shqiptarët janë më gjaknxehtë sesa disa popuj tjetër? Normalisht se janë më gjaknxehtë, jo për shkaqe gjenetike, por për shkak të kthetrave të shumtë dhe të tej zgjatura të cilët e derdhën aq shumë gjakun tonë, saqë ruajtja e tij mbështetej në nxehjen e gjakut, ku për rrjedhojë shqiptarët u ngritën në këmbë për të luftuar në luftë kundër atyre që në paqe i luftonin shqiptarët. Me kalimin e kohës, nëse gjendja do të qetësohet në trojet tona, pa dyshim se edhe gjaku jonë do të ftohet.
Të kthehemi te Lavdërimi. Ai me vete mbartte identitetin shqiptar, ani pse e kishte grisur pasaportën, sepse grisja e pasaportës nuk nënkupton grisjen e identitetit kombëtar. Ai mbetet tërë jetën, edhe atëherë kur shlyhet prej letrës, ngaqë identiteti kombëtar ishte i pranishëm para se të shkruhet në letra zyrtare. Me nxitim, fare pa e analizuar rastin, shumë syresh në emër të kombit filluan ta godasin vetë fenë islame përmes Lavdërimit. “Ja se çfarë e mësoi këtë derr feja, ky është i indoktrinuar prej hoxhallarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, kjo bishë flet më së miri sesa është paqësore feja islame, larg islamit do të thotë larg Lavdërimave”, – ishin fjalë që ishin bërë kryetituj nëpër gazeta e nëpër televizione, të cilat me aq siguri të madhe davariteshin gjithandej, edhe pse vetë myslimanët dhe dijetarët islam pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, Lavdërimin dhe Lavdërimat i kritikuan ashpër duke dhënë argumente se ajo që ata janë duke e vepruar, asgjë të përbashkët nuk ka me fenë islame.
Në vorbullën e këtyre akuzave, shpifjeve dhe mëtimit për trushpëlarje, doli Mërgim Mavraj, një futbollist i shkëlqyeshëm dhe mbi të gjitha një njeri i mirë dhe i ndryshim prej shumë të famshmëve që jemi mësuar t’i shohim, të cilët mëngjeset i presin nëpër diskoteka, duke qenë të dehur e të rrethuar prej femrave më shumë se gjysmë lakuriqe. Mërgimin, mëngjeset e zënë në xhami duke e falur namazin e sabahut. Në xhami apo në diskotekë më mirë, këtë gjë askush nuk e diskuton, madje edhe ai që fare nuk ka lidhje me fenë, ngaqë mbi të gjitha është të jesh esëll në mendje! Kësodore, doli futbollisti Mërgim Mavraj dhe për pasojë dolën disa që janë në gjendje gjithçka të flijojnë, që vetëm e vetëm elementet islam të mos dalin sheshit. Madje dëshirojnë të merren me islamin, por vetëm në raste të të bëmave të Lavdërim Muhaxherit, të cilët gjoja duke u brengosur për shkërmoqjen e drejtësisë dhe për jetët e njerëzve, djallëzisht shfrytëzojnë rastin ta sulmojnë vetë fenë islame, duke menduar se do të lënë përshtypje reale tek ata që shumë pak dinë rreth fesë islame. Këta njerëz nuk do t’i quaj as spiunë, as njerëz të shitur as të indoktrinuar, por thjesht njerëz që kanë frikë të panevojshme, të cilët sjelljet dhe sukseset e Mërgimit nuk i ndërlidhën fare me fenë islame, kurse të bëmat mjerane të Lavdërimit thellësisht i ndërlidhën me mësimet që gjoja po i dhënka islami. Është krejt normale të thuash se feja islame nuk të mëson se si të luash futboll, sepse atëherë ç’të thoshim për Mesin? Mirëpo, sjellja e mirë e ka një rrënjë, ashtu siç sjellja e keqe në mungesë të rrënjëve bëhet pre e kaheve të erës. Me këtë rast, përse sjelljet e Mërgimit nuk po i cilësohen islamit, kurse të Lavdërimit po? Përse shfaqja publike e ndonjë elementi islam nuk qenka e nevojshme përgjatë ndonjë ndeshje a ndonjë konference shkencore, kurse shfaqja publike e islamit, pa dyshim e keqpërdorur, prej Lavdërimit qenka krejt në rregull? Përse kjo shpurë nuk tha se mos e keqpërdorni fenë islame në raste kriminale, kurse po këta njerëz thanë e po thonë se mos të keqpërdoret kombi shqiptar me shfaqje të elementeve të fesë islame? Këtu edhe qartësisht vërehet dashakeqësia e tyre, për të cilën ndoshta nuk janë të vetëdijshëm, ndaj edhe unë si një dashamirë i së mirës dhe i së drejtës dua që sado pak t’i këndelli.
Rrjedhimisht, fenë dhe besimtarët mund t’i urresh për shkaqe të ndryshme, edhe pse kjo urrejtje vetë urrejtësin e gërryen prej brenda, por assesi në emër të kombit, sepse kombi po aq sa është i imi, aq është edhe i shokut tim, Vilsonit që është shqiptar katolik nga Kosova. Ju që villni vrer duke thënë se ata që po e shfaqin edhe anën e tyre fetare na morën në qafë si komb, ia rikujtoj se Ymer Prizreni ishte mësues medreseje, Kadri Prishtina ishte hoxhë, Mulla Idriz Gjilani ishte hoxhë, Harun Aliu kishte arsimim teologjik, Shaban Zenuni që u vra së bashku me Harunin ishte hoxhë. Këta dhe shumë të tjerë si këta assesi nuk i pengoi ana e tyre e fortë fetare, përkundrazi i nxiti që të punojnë e të flijohen për vendin e tyre. Nëse vendi jonë nuk është kombi ynë, atëherë ç’dreq kuptimi paska kombi? Ju që e urreni fenë në emër të kombit dhe po ashtu krijoni përbindësha fetar në mënyrë që ta sulmoni vetë fenë, për mos t’ju lodhë shumë, ju kisha sugjeruar ta lexoni librin e Muhamed Pirrakut për Mulla Idriz Gjilanin. Nuk është histori e largët që të mund të manipulohej me të dhënat dhe veprimtarinë e tij. Madje vetë autori i këtij libri nuk i përket atyre palaçove të historisë, palaço të cilët duke qenë në shërbim të tiranëve, shkruajnë histeri dhe jo histori. Kështu që, mbushuni me mend, sa nuk jeni mbushur plotësisht pa mend. Lexoni e kundroni me qetësi dhe pa paragjykime, sepse nëse e urreni tani Mërgimin, atëherë ç’mbeti puna me Lavdërimin? Nuk mund që t’i urreni të dytë, ngaqë ata nuk janë njësoj. Prandaj, ta duam dhe vlerësojmë Mërgimin edhe si futbollist edhe si njeri, sa nuk u kapërthyem prej Lavdërimit si përbindësh!