LUTJET E PEJGAMBERËVE

– Lutja e Ademit, alejhi selam: O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. Earaf 23.

– Lutja e Nuhit, alejhi selam: O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!”. Nuh 28.

– Lutja e Hudit, alejhi selam: “Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë”. Hud 56.

– Lutja e Ibrahimit, alejhi selam: “O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!”. Ibrahim 40, dhe “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!”. Bekare 127.

– Lutja e Jusufit, alejhi selam: “O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!”. Jusuf 101.

– Lutja e Shuajbit, alejhi selam: “Ai përfshin çdo gjë me dijeninë e Vet dhe tek Ai ne mbështetemi. O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë”! Earaf 89.

– Lutja e Musait, alejhi selam: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!”. Kasas 16, dhe “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjen e gjuhës sime, që ata të kuptojnë fjalën time!”. Taha 25-28.

– Lutja e Sulejmanit, alejhi selam: “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!”. Neml 19.

– Lutja e Ejubit, alejhi selam: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi I mëshiruesve!”. Enbija 83.

– Lutja e Junusit, alejhi selam: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”. Enbija 87.

– Lutja e Jakubit, alejhi selam: “Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut e nga Allahu di atë që nuk e dini ju”. Jusuf 86.

– Lutja e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. Bekare 201.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU