MENDJEMADHËSIA DHE DËMI I SAJ

Mendjemadhësia është sëmundje e zemrës, dhe cilësi e ligë dhe e qortuar fortë. Sot plot nga njerëzit përshkruhen me këtë cilësi, nga e cila na paralajmëroi fortë Allahu dhe i Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Disa nga të parët tanë thanë: Gjynahu i parë i cili ju bë Allahut ka qenë nga mendjemadhësia. Allahu tha: “Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh”. Bekare 34.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e qartësoi kuptimin e mendjemadhësisë me një hadith, të cilin na e përcjelli Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, ku thotë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie”. Një burrë tha: Dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? I Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,  tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogancë ndaj njerëzve”.

Refuzimi i të vërtetës: mospranimi i saj dhe refuzimi me mëndjemadhësi i atij, që e thotë atë .

Sjellja me arrogancë ndaj njerëzve: duke i poshtëruar dhe përbuzur.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e qartësoi se zbukurimi në formë dhe rroba është nga çështjet e dashura tek Allahu dhe nuk është nga mendjemadhësia. Mendjemadhësia është cilësi e brendshme, ku gjurmët e saj paraqiten në sjelljet e njeriut, dhe e nxit atë në mospranimin e së vërtetës dhe në nënçmimin e njerëzve. Iblisi kur u paraqit mendjemadh para Ademit, alejhi selam, e pengoi mendjemadhësia e tij që t’i bie në sexhde, dhe me atë ta refuzon urdhrin e Allahut. Mendjemadhësia ishte sebepi që jobesimtarët i nxiti t’i kundërshtojnë Pejgamberët e Allahut kur u erdhën me argumente të qarta: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta. Pa shiko, cili ka qenë fundi i shkatërrimtarëve!”. Neml 14.

Mendjemadhin mendjemadhësia e pengon t’i lutet Zotit të vet dhe ta adhuron Atë. Allahu thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”!”. Gafir 60.

Mendjemadhësia është ajo që i pengon disa nga pasanikët apo disa nga ata që ju është dhënë pushtet, ta falin namazin apo namazin me xhemat nëpër xhami. I sheh se xhamitë i kanë afër shtëpive të tyre, dhe e dëgjojnë ezanin për çdo kohë, dhe mendjemadhësia nuk e len të shkon në xhami, dhe të del para Allahut së bashku me të tjerët, ngase e sheh veten se është më i madh se të tjerët.

Mendjemadhësia është ajo që i pengon disa të mos punojnë komfor traditës së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ashtu si e përcjell imam Muslimi nga Seleme ibën Ekva, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se një njeri ka ngrënë te Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me dorën e majtë, e i Dërguari i Allahut i tha: “Ha me dorën e djathtë!” Ai tha: “Nuk mundem!” Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Si nuk mundesh! Nuk e pengoi asgjë përveç mendjemadhësisë!” Pas kësaj, njeriu nuk e afroi dorën e majtë te goja”.

Mendjemadhësia është ajo që i pengon disa nga marrja e mësimit të dobishëm, ashtu siç e cekin edhe disa nga të parët tanë se këtë dituri nuk e merr mendjemadhi.

Të bërit mendjemadh para të vërtetës dhe para krijesave, e bën të detyrueshëm ndëshkimin e llojllojshëm, edhe atë të shpejtë dhe të vonshëm.

Nga ndëshkimet më të mëdha është se mendjemadhit i largohet zemra e tij nga udhëzimi. Allahu tha: Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me arrogance në Tokë”. Earaf 146, dhe tha: “Kështu ua vulos Allahu zemrat mohuesve”. Earaf 101. Kurse në librat e hadithit ka ardhur se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë se: “Në ditën e gjykimit mendjemëdhenjtë do të grumbullohen e do të mblidhen, për t’u bërë sa një grimcë e vogël, ku poshtërimi i rrethon nga të gjitha anët”.

Sufjan ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e ka bërë gjynahun për shkak epshit, shpreso për të pendim, ngase Ademi, alejhi selam, ra në gjynah për shkak epshit, dhe Allahu ia fali, kurse, kush e ka bërë gjynahun për shkak mendjemadhësisë, frikoju se për të ka mallkim, sepse Iblisi ra në gjynah për shkak mendjemadhësisë, dhe u mallkua!

Si mos t’i kushtohet rëndësi të veçantë sëmundjes së mendjemadhësisë kur i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë se: “Nuk do të hyjë në xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie”.

Mendjemadhësia është bërë pengesë për të hyrë në Xhenet, ngase ajo, ndërhyn mes robit dhe mes moralit të besimtarëve! Mendjemadhi nuk mundet t’ia donë besimtarëve atë që e donë për vete, dhe nuk mundet të jetë modest, dhe t’i largohen zilisë, urrejtjes dhe zemërimit, dhe ta mposht mllefin dhe ta pranon këshillën. Kurse lloji më i keq i mendjemadhësisë është ai që e pengon njeriun ta pranon të vërtetën dhe t’i nënshtrohet asaj!

O ju robër të Allahut! Njeriu duhet ta largon mendjemadhësinë nga vetja e tij, duke u njoftuar me prejardhjen dhe krijimin e tij, dhe nevojën e tij dhe fukarallëkun e tij, si dhe të njoftohet me Zotin e tij dhe madhështinë e Tij.

Njeriut i mjafton të shikon në bazën e krijimit të tij, e cila ishte nga asgjëja; fillimisht nga dheu, e pastaj nga sperma, e pastaj nga gjaku i ngjizur, e pastaj nga mishi, e pastaj u bë gjë që përmendet, pasi që nuk dëgjonte, e nuk shihte, e nuk ndjente dhe nuk lëvizte! Vetëm se e filloi me vdekjen e tij para jetës, me dobësinë e tij para forcës, me fukarallëkun e tij para pasurisë, e pastaj vdes dhe bëhet dhe, dhe dënohet apo begatohet në varrin e tij, dhe pastaj ringjallet, dhe llogaritet dhe shpërblehet për veprat e tij! Allahu i Madhëruar tha: “Mallkuar qoftë njeriu! Sa mosmirënjohës që është ai! Prej çfarë gjëje e krijon Allahu atë?Prej pikës së farës e krijon dhe i jep përmasa të rregullta. Më pas ia lehtëson rrugën (e lindjes) e pastaj e vdes dhe i cakton një varr, dhe, kur të dojë, Ai e ringjall. E megjithatë, njeriu ende nuk i ka plotësuar ato që i ka urdhëruar Ai!”. Abese 17-23.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU