KY LIBËR IA VLEN

Jürgen Todenhöfer është publicist gjerman i njohur botërisht për ambiciet e larta drejt gjetjes së të vërtetës. Së fundi botoi librin “Brenda IS – 10 ditë në >shtetin islamik<” i cili është reportazh i sinqertë për atë se si e organizoi një udhëtim drejt këtij shtetit famëkeq, çfarë përjetoi atje dhe çfarë përfundimi nxori.
Fillimin e librit e pasuron tejmase historiografia e lindjes së atij shteti si dhe pjesa kur flet për qëllimet globale të Perëndimit, ku demaskon luftën e pretenduar kundër terrorizmit, si rezultat i të cilës çdoherë vriten civilë të pafajshëm, me numra marramendës dhe asnjëherë nuk i jepet fund terroristëve dhe terrorizmit.
Për të organizuar atë udhëtim dhe për të marrë siguri për jetën e tij, të djalit të vet Frederikut dhe të një shokut tjetër, ka kërkuar nëpër rrjete sociale derisa kish gjetur atëfar Abu Qataden, gjerman i konvertuar dhe i dëshpëruar nga dashuria, që tash gëzon pozita të larta në IS. Gjatë leximit të chatit të zhvilluar mes tyre, u binda se vendosmëria e z. Todenhöfer për të kuptuar të vërtetën ishte e pakrahasueshme, së paku në ditët e sotshme.
Me shumë frikë për veten dhe shokët e tij, më në fund arrijnë të marrin garanci me shkrim nga i vetquajturi kalif Ebu Bekr el-Bagdadi dhe nëpërmjet Turqisë ilegalisht futen brenda territorit që kontrollon IS. Atje vizitojnë qytetin Rakka, e pastaj Mosulin dhe nën kontrolla të rrepta zhvillojnë intervista me njerëz të ndryshëm.
Gjatë librit, kur ai përcjellë jetën “normale” që zhvillohet atje dhe argumentimet “fetare” të pjesëtarëve të IS-it që i shprehin gjatë intervistave, të jep përshtypje në disa momente sikur po dëshiron që me këtë libër të amnistojë çmenduritë e tyre, madje të duket sikur një përkrahës i tyre, por e tëra kjo, kishte të bëjë me zhveshjen e tij nga çdo ndikim i jashtëm apo i brendshëm për të përcjellë sa më saktësisht. Mikpritja me ushqime të lezetshme, të drejtat e të krishterëve atje, forma e robërisë dhe e robërimit, ambiciet për të vrarë çdo kafir, tekfiri i botës islame në tërësi dhe i dijetarëve të Islamit në veçanti, jeta normale në afërsi të bombardimeve amerikane, vozitja me kasapin Jihadi John dhe çka jo tjetër të japin ndjenja nga më të ndryshmet, kryesisht jo të këndshme, të cilave dëshiron t’i japësh fund sa më shpejt.
Ajo të cilën e kemi thënë ne muslimanët për ideologjinë e devijuar të havarixhëve dhe tekfiristëve, që sot kryesisht gjendet tek IS, autori i librit e kurorëzon me letrën e hapur që ia drejton “kalifit” dhe luftëtarëve të ardhur, ku i përkujton me disa ajete nga Kurani dhe me mësimet e Islamit në përgjithësi. Me shumë të drejtë, në fund konkludon se ky shtet për të nuk mund të jetë IS (Islamische Staat) por AIS (AntiIslamistische Staat).
Edhe unë e ndaj të njëjtin mendim, porse ajo që vazhdon të më habisë personalisht nga autori 75 vjeçar është: Nëse aq shumë ka ambicie drejt të vërtetës së ndodhive, pse nuk ka ambicie për të gjetur të vërtetën e të vërtetave?! Islamin!

Omer Berisha

Omer_Berisha Linz