Pyetja:
Es selamu alejkum ue rahmetullah!
Ç’mendoni për lëndën e filozofisë?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në esencë, filozofia synonte kërkimin e urtësisë (mik i diturisë, ta duash urtësinë) dhe, si tregohet nga Sokrati, filozofia hulumton me anë të mendjes të vërtetën rreth gjërave që na shpijnë në mirësi. Prandaj edhe filozofët e vjetër quheshin me epitetin “Të urtët”.
Kërkimi i diturisë dhe i urtësisë është një parim islam dhe trajtimi i filozofisë nga pikëpamja e hulumtimit të diturisë dhe dashurisë ndaj saj është një gjë jo vetëm e pranuar në mësimet islame, por edhe e kërkuar.
Por problemi qëndron në atë se filozofia nuk ndalet këtu. Prej përkufizimeve të filozofisë më e njohura është se “filozofia është gjykim mendor i liruar nga çdo kushtëzim dhe autoritet që imponohet jashtë (mendjes)”. Me këtë përkufizim kuptojmë se filozofia manifeston mospërfillje ndaj çdo autoriteti dhe nuk pranon asnjë mbështetje përveç arsyes e logjikës.
Për ta kuptuar më qartë këtë që thamë më lart, duhet të sqarojmë pak më shumë. Filozofia e ngre dhe e konsideron mendjen si peshore të vetme në vlerësimin dhe saktësimin e gjërave. Pastaj ideja themelore e filozofisë qëndron në atë se të gjitha siguritë duhet të vihen në pikëpyetje, madje edhe ato që konsiderohen aksiome1, sikurse ekzistenca, jeta, vdekja, etj. Sipas filozofëve, logjikës i nënshtrohen edhe çështjet e besimit, si ekzistenca e Zotit, e melekëve, ringjallja, dërgimi i të Dërguarve e gjërat e tjera të fesë dhe për t`i vërtetuar këto duhet ta kemi pikënisje vetëm meditimin. Kjo nënkupton se për t`i saktësuar çështjet e besimit, sikurse këto që u përmendën, duhet të zhvishemi dhe t`i anashkalojmë të gjitha argumentet e tjera (edhe shpalljen) dhe të fillojmë të flasim rreth tyre vetëm nga aspekti logjik. Për këtë devijimi i filozofëve në lidhje me besimin ishte shumë i madh dhe i rrezikshëm, por edhe i ndryshueshëm, varësisht si janë perceptuar gjërat prej një këndvështrimi (mendjeje të filozofit) në tjetrin.
Duke mos hyrë në elaborime të tjera, themi se problemi më kryesor në lidhje me filozofinë qëndron në këtë që përmendëm më lart. Studiuesit të kësaj shkence i japin rolin mendjes që të gjitha gjërat t`i vlerësojnë vetëm nga ky aspekt. Madje shohim shpesh në trajtimet e tyre se anashkalojnë edhe shembujt praktikë të jetës së përditshme.
Islam nuk e zhvlerëson mendjen dhe logjikën e njeriut në asnjë formë. Në shumë versete kuranore vlerësohet se mendja është dhuntia më e madhe që posedon njeriu dhe krahas kësaj urdhërohet që të shfrytëzohet në të mirën e tij. Sa për ilustrim veçojmë disa versete:
“Ai (Allahu) ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush.” (Bekare, 269)
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.” (Ali Imran, 190)
“Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra kini frikë Allahun (e mos pranoni të keqen) o ju të zotët e mendjes.” (Maide, 100)
Por në të njëjtën kohë Islami nuk e konsideron mendjen si peshore të vetme e të pagabueshme në vlerësimin e gjërave. Muslimani beson se mendja është gjëja më e përsosur që posedon njeriu, në fakt me të njeriu dallon nga krijesat e tjera. Megjithëkëtë nuk është absolute, kapaciteti i saj është i kufizuar në perceptimin dhe dhënien e përgjigjeve ndaj të gjitha gjërave. Pra logjika e njeriut është e kufizuar te njeriu ashtu si janë të kufizuara të gjitha karakteristikat e tjera. Prandaj njeriu kishte nevojë për të Dërguar të cilët do ta drejtojnë dhe do ta orientojnë atë kah mirësia dhe e sakta.
Sido që të jetë, të flasësh për filozofinë kërkon qasje të shumanshme dhe kjo nuk bëhet në një përgjigje, por në këtë vend dëshirojmë të nxjerrim në pah vetëm pikën esenciale që e bënë njeriun të mbajë rezervë ndaj këtij lëmi. Filozofët kriter të vetëm për t`i vlerësuar të gjitha të vërtetat kanë meditimin me anë të logjikës dhe kështu ata arrijnë në shenjtërimin e mendjes së njeriut duke anashkaluar çdo formë tjetër me të cilën mund të arrihet tek e vërteta, madje edhe shpalljen. Prandaj edhe tek ata muslimanë që u ndikuan nga filozofia greke, sikurse Ibën Arebiu, Kindiu, Farabiu, etj. vërejmë ngritje e shenjtërim të mendjes derisa te disa nga ata filozofët e Greqisë së vjetër u konsideruan më të ngritur dhe më të mëdhenj se vetë Profetët e Allahut.
Megjithëkëtë nuk është e saktë që të refuzohet çdo gjë që ka të bëjë me filozofinë, por duhet të kemi kujdes se çfarë lexojmë dhe sa thellohemi në të. Allahu e di më së miri!
Hoxhë Alaudin Abaz
/klubikulturor.com