Pyetja:
Kam nevojë për një këshillë nga ana juaj. Unë jam një motër 26 vjeçare, i fal 5 kohet e namazit, fal nafile namaz, lexoj Kuranin në gjuhen shqipe, por nuk jam e mbuluar. Kam një hall shumë të madh, kam pasur një lidhje me një djalë 2 vite e gjysmë, po tash ka 2 muaj e gjysmë që jemi ndarë. Nuk ishim të fejuar por familjet tona ishin të njohura me këtë lidhje. Brenda kohës që kemi qenë bashkë kemi pasur edhe momente të këqija, por edhe të mira, ka pas raste kur më ka ofenduar, nënçmuar, shfrytëzuar por ka pasur edhe raste kur me të vërtetë më ka bërë të ndjehem femra më e lumtur në botë! Ai u largua nga unë, nuk më dha mundësi as ta shoh për herë të fundit dhe të bisedojmë së paku sy më sy! Kur kam biseduar në telefon më thotë se më nuk më do, se i kam dalë prej zemre, se nuk më pëlqen, se nuk i dukem interesant më…këto fjalë më vrasin shumë! Habitem se çka e shtyu të ndryshojë kështu, para se të ndaheshim e kishim lënë të fejohemi, po se çka ndodhi
nuk e kuptova. Prej kur jemi ndarë nuk më ka kërkuar fare, veç unë kur kam bërë ndonjë përpjekje por është bërë edhe më keq situata, nervozohet edhe më shumë kur e kërkoj unë! Nuk di si të veproj, jam në hall të madh, jam në depresion të madh, nuk kam shpresë për jetë, shumë herë mendoj t’i jap fund jetës sime, nuk
shpresoj se do të vijnë ditë të mira për mua. Gjate gjithë kohës mendoj çka të bëj, si ta kthej prapë njeriun e jetës time sepse nuk mundem të jetoj pa të, ai është qëllimi i jetës sime! Më tregoni ju lutem ndonjë lutje
më të veçantë për të m’u kthyer njeriu i zemrës sime, ju lutem më tregoni çka mund të bëj! Fal natën nafile namaz me nijet për t’u pajtuar, kam pirë ujin e zemzemit për të njëjtin nijet, kam pirë ujin e shiut të fryrë me disa dua, gjatë gjithë kohës i lutem Zotit i lutem… Herën e fundit kur kemi folur, më ka thënë se kur kemi qenë bashkë çdoherë ka pasur dhimbje koke e tash që jemi ndarë më thotë se nuk ka, këtu më bën pak të dyshoj, mos kam unë sihr apo ai. Ju lutem më tregoni si të veproj, a ta kërkoj apo ta lë të qetë se fundi ngushëllohem me atë se nëse është fati im, do të vijë përsëri tek unë? Po si t’ia bëj me momentet e këqija kur i kam, kur mendoj t’i jap fund jetës sime?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Motër e nderuar, e lexuam letrën tuaj dhe duhet t`ju themi se gjendja në të cilën keni arritur është rezultat i tejkalimeve të cilat ia keni lejuar vetës, në raport me këtë djalë. Po të ishit në moshë më të re, atëherë për këtë gjendje do të mund të kishte ndikim edhe adoleshenca, mirëpo tani ju jeni e pjekur dhe nuk do të duhej t`ia lejonit vetës që të arrini në këtë gjendje.
Ju duhet ta kuptoni se absolutisht nuk ishte e drejtë që keni vazhduar të mbani kontakte me atë djalë plot dy vite gjysmë, për faktin se tërë këtë kohë, keni kultivuar dashuri ndaj tij, pa definuar se a do të përmbyllet kjo dashuri me bashkim të ndërsjellë (fejesë apo martesë) apo jo. Në anën tjetër, duhet ta dini se meshkujt nuk janë të ndjeshëm sikurse vajzat në këtë dhe arsyeja e pothuajse e të gjithë atyre meshkujve që krijojnë kontakte paramartesore, me vajza, janë për qëllim të zbavitjes, dëfrimit, kalimit të kohës, të krenohen para shokëve (se kanë femër),… dhe ndoshta gjëja e fundit që mund ta mendojnë është martesa. Duket se kështu ka qenë edhe synimi i atij djali, pasi që edhe gjatë shoqërimit me ty, ka manifestuar sjellje jo të mira, se ju ka nënçmuar, shfrytëzuar…, ashtu si e përmendni në letër. Këtë e vërteton edhe më shumë fakti se ai nuk dëshiron të dëgjoj më për ty.
Gjithashtu themi se deri diku është normale që tani jeni në depresion, pasi që e keni kuptuar realitetin se si është gjendja me ju. Më parë ju mendonit se keni gjetur personin e jetës suaj, me të cilin do të bëni këtë edhe atë, mirëpo tani keni kuptuar se e tëra ajo ishte mashtrim dhe ndërtim i shpresave të dobëta, sikurse shtëpia e merimangës. Njeriu shpesh herë tronditet nga e vërteta të cilën e kupton, prandaj edhe kjo tronditje është normale.
Tani para vetës keni dy rrugë; që të vazhdoni ta vajtoni hallin tuaj dhe të shpresoni ende në atë që nuk ja vlen ta ktheni kokën për të dhe kështu të largoheni edhe më shumë nga mëshira e Allahut të Madhëruar. Ndërsa rruga tjetër është që ta kuptoni gabimin e bërë, të kërkoni falje te Zoti i juaj, për mëkatin e bërë dhe të mundoheni që tani e tutje ti vlerësoni gjërat jo vetëm nga aspekti i ndjenjave, por nga aspekti se si do të jetë i kënaqur me ty Krijuesi yt, pastaj familja dhe e tërë shoqëria. Dijeni motër e nderuar, se mu për këto shkaqe me të cilat ju tani po ballafaqoheni, Islami ka ndaluar raportet dhe krijimin e lidhjeve dashurore në mes të një mashkulli e femre, pa përcaktuar fillimisht se ku do të përfundoj ajo dashuri.
Në anën tjetër preokupimi i juaj ndaj këtij personi, supozimet se mos keni magji (sihër), thellimet në mendime që me çdo kusht ta riktheni atë, aplikimi i disa veprimeve për këtë synim; të gjitha këto janë sjellje që aludojnë se ju ende nuk e keni kuptuar, ose më mirë të themi se nuk jeni pajtuar me realitetin tuaj. Gjithashtu, pasi që në këtë pikë tani jeni e dobët edhe shejtani ju bën cytje e vesvese që mos të jeni produktiv në jetën tuaj dhe në vend që të preokupoheni me gjërat e dobishme, ai ju bën të kaloni me kohë të tëra duke menduar për këtë gjë.
Në fund ju këshillojmë se që nga ky moment duhet të ndryshoni në mënyrën e të menduarit dhe të vetëdijesoheni me realitetin tuaj. E keni përmendur se jeni një vajzë e cila krahas namazeve të rregullta falni edhe namaze vullnetare, e lexoni Kuranin, prandaj nuk është e drejtë nga një person sikurse ju, të bie në këtë gjendje, e aq më pak që në vend se të keni turp ndaj Allahut për mëkatet e shkaktuara, me atë lidhje të ndaluar dhe të kërkoni falje e pendim, që të kërkoni ende t`ju rikthehet mundësia e këtij raporti.
Nëse dëshironi shpëtim, sukses dhe lumturi reale në këtë botë dhe në botën tjetër, atëherë dijeni se këto arrihen vetëm duke synuar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.
Hoxhë Alaudin Abazi
/klubikulturor