ADEMI ALEJHI SELAM

Para se të fillojmë rrëfimin e historisë të babait tonë Ademit, alejhi selam, do të ndalim disa çaste që ta shpjegojmë vlerën dhe rëndësinë e tregimeve në Islam. S’ka dyshim se tregimet njerëzit i pranojnë më së lehti se sa sendet tjera, janë të dashura për zemrat, ndikojnë shumë lehtë në shpirtra, dhe janë të këndshme për veshin kur i dëgjon.Tregimet janë të llojllojshme, të shkurta, të gjata, të vërteta, të pavërteta, tw trilluara, etj. Por tregimet më të mira dhe të vërteta janë tregimet prej Kuranit, të zbritura prej më të Dijshmit azze ue xhel, e pastaj tregimet prej Sunnetit. Thotë Allahu azze ue xhel: “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.” Jusuf 3

Të gjitha tregimet në Kuran dhe Hadithet e vërteta janë të sakta dhe reale. Ato na rrëfejnë dhe qartësojnë të gjitha ndodhitë siç kanë ndodhur, pa mangësi apo tepricë. Thotë Allahu azze ue xhel:“Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” Kehf 13, dhe “Pa dyshim, të gjitha këto janë rrëfime të vërteta.” Ali Imran 62

Allahu azze ue xhel e urdhëroi të dërguarin e Tij, t’ua rrëfen njerëzve atë çka ia mësoi atij prej tregimeve, që ndoshta ata do të meditojnë gjendjen e popujve të mëhershëm, e do të marrin mësime prej jetës së tyre, dhe do të largohen prej rrugës së tyre në rast se ishin zullumqar, e do t’i pasojnë në rast se ishin në rrugë të drejtë. Thotë Allahu azze ue xhel: “Tregoju atyre këto ngjarje,në mënyrë që ata të mendojnë.”‘Araf 176, dhe “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar.” Jusuf 111

Çka mundemi të mësojmë prej tregimeve:

1- Jetën e Pejgamberëve dhe pasuesve të tyre, vuajtjet, sfidat, peripecitë që i përjetonin prej kundërshtarëve të tyre

2- Qartësimin e metodologjive të Pejgamberëve në davet, pastaj durimin e tyre në këtë rrugë, dhe obligimin e çdo muslimani që t’i pason ato në atë rrugë. Thotë Allahu azze ue xhel duke iu drejtuar të dërguarit të Tij: “Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” En’am 90

3- Paraqitja e jetës të besimtarëve të devotshëm, sabrin e tyre prej zullumqarëve, shpërblimin e tyre në këtë botë dhe Ahiret, dhe dënimin e jobesimtarëve dhe atyre që e pasojnë rrugën e tyre.

4- Qartësimin e krijimit të njeriut, tokës, kafshëve, bimëve, qiejve, deteve e kështu me radhë.

Pra, tregimet s’janë thjesht vetëm histori që lexohen për ta kaluar kohën dhe për tu argëtuar, por prej saj mundemi të përfitojmë shumë gjëra. Çdo histori prej tyre përçon parime dhe koncepte plot vlera e domethënie.

Në Kuran dhe në Sunnet është treguar jeta dhe veprimtaria e shumë Pejgamberëve, mirëpo dëshira jonë kësaj radhe ishte që të flasim për Ademin, alejhi selam, , i cili është njeriu i parë në këtë rruzull tokësor, babai i krejt njerëzimit, lajmëtari i parë nga ana e Allahut azze ue xhel, etj, , e në shkrimet e ardhshme do të flasim për Pejgamberët tjerë.

Pasiqë historiku i tij është i gjatë do të tentojmë që të sjellim atë më kryesoren dhe atë çka është më e saktë, duke u bazuar në Kuran, Sunnet dhe gjurmët e selefit.

Krijimi i Ademit, alejhi selam, : Krijimi i Ademit, alejhi selam, kaloi në disa etapa, të cilat i tregon Allahu azze ue xhel në librin e Tij:

“Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” Ali Imran 59

“Ai e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës” Sexhde 7

“Pyeti (o Muhamed) ata (mekas mosbesimtarë): A është më i vështirë krijimi i tyre apo i të gjitha gjërave të tjera që i kemi krijuar? Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse.” Safat 11

” Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba” Rrahman 14

“Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë, kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.” Hixhr 26

“Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formë.” Araf 11

Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i vërtet, prej Ebu Musa el Esharij se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu e krijoi Ademin nga një grusht dheu të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës .Nisur nga kjo, bijtë e Ademit, alejhi selam, morën ngjyrat e tokës. Prej tyre të bardhë, të kuq, të zinj, dhe të përzier. Ashtu siç kishte zemërbutë, të dashur, të ligë, të vështirë dhe të përzier”.

Pra, baza është se Allahu azze ue xhel e ka marrë një grusht prej dheut të tokës, dhe në këtë grusht janë përfshirë të gjitha llojet e dheut të tokës, dhe ky është shkaku se pse njerëzit janë shumë ngjyrësh. Kjo vlen edhe për karakterin e secilit prej tyre.

Pastaj e lagi me ujë, dhe u bë baltë e ngjitur. Kur balta u bë e përshtatshme, Allahu e mori dhe i dha formë me dy duart e Tij fisnike, thotë azze ue xhel: ” Zoti tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia?” Sad 75

Trupi apo shtatorja prej balte, u la në atë formë për një periudhë kohe derisa u tha. Pasi u tha,statuja mori ngjyrën e baltës së zezë, si ngjyra e vorbës.

Përveçse ishte njeriu i parë i krijuar, Ademi, alejhi selam, është edhe njeriu më i gjatë në të gjithë kohërat. Të gjithë banorët e xhenetit, do të kenë gjatësinë e Ademit alejhi selam.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi prej Ebu Hurejrës se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë : “Allahu e krijoi Ademin dhe gjatësia e tij ishte gjashtëdhjetë parakrahë. Pastaj i tha: “Shko dhe përshëndeti ata melek, dhe dëgjo se me çka të përgjigjen, se ajo do të jetë përshëndetja e jote dhe e pasardhësve tu”. Ai u tha: ” es Selamu Alejkum”, e melaqet iu përgjigjën: “es Selamu Alejkum ue rahmetullah”, e ashtu shtuan “ue rahmetullah” . Secili prej bijve të Ademit që do të hyn në xhenet, do të hyn në formën e Tij dhe krijesat ende vazhdojnë të shkurtohen deri tash. “

Prej këtij hadithit shihet se Ademi ka qenë i gjatë gjashtëdhjetë parakrahë, dhe se ai ka qenë krijesë e përsosur, e plotë prej fillimit të krijimit të tij, e jo i mangët sikurse thonë disa prej injorantëve, e se pastaj shumë vite me rrallë është përsosur. Shihet se ai flet, përgjigjet, ecë, kupton,dhe s’është e mundur që Allahu ta krijon robin e Tij dhe dërguarin e Tij dhe babain e krejt njerëzimit të mangët. Poashtu përfitojmë prej hadithit se krejt njerëzit që hyn në xhenet do të hynë në formën e Tij azze ue xhel.

Thuhet se kur Allahu i dha formë Ademit, alejhi selam, s’e pajisi me shpirt menjëherë. Ai e la për një kohë të konsiderueshme ashtu si statujë. Kur e pa Iblisi, filloi t’i sillej rrotull i habitur. Kur dalloi se nga brenda ishte bosh, Iblisi e kuptoi se ishte një krijesë që nuk vetëpërmbahej.

Thotë ibën Kethiri: Allahu azze ue xhel e krijoi Ademin me duart e Tij, që Iblisi mos të bëhet kryelartë para tij, pastaj e formoi njeri, dhe ishte trup prej balte dyzet vjet. Kur iu afruan melekët, u frikësuan prej pamjes të tij, por më shumë prej tij u tremb Iblisi. Filloi të sillet rreth tij dhe ta godas në trup, dhe dilte prej trupit tingull, sikurse tingulli i cili dëgjohet kur i bihet argjilës. Pastaj u fut prej gojës së Ademit dhe u largua prej prapanicës së tij, dhe i tha melekëve: Mos u frikoni prej këtij,se Zoti juaj është i pandryshueshëm, i përjetshëm, kurse ky është i zbrazur, bosh, dhe në rast se e sulmoj do ta shkatërroj.

Tregon Abdullah ibën Abasi: “Zoti urdhëroi që t’i çohej dheu i Ademit alejhi selam. Ai e krijoi Ademin, alejhi selam, nga balta e ngjitshme dhe balta e tharë. Ai i dha formë me duart e Tij dhe e la dyzet ditë në atë gjendje, trup pa shpirt. Iblisi i sillej rrotull dhe e godiste me shqelma. Nga goditjet,statuja e Ademit, alejhi selam, jehonte. Iblisi i thoshte:”Për diçka je krijuar.” Pastaj hynte nga goja e Ademit, alejhi selam, dhe dilte nga pjesa e pasme dhe u drejtohej melekëve, të cilët ishin frikësuar kur e kishin parë: “Mos e kini frikë këtë! Nëse Zoti më jep pushtet mbi të, do e shkatërroj. Por nëse Zoti i jep pushtet mbi mua, do e kundërshtoj.”

Që ditët e para të krijimit të njeriut, lindi dhe armiqësia mes tij dhe shejtanit Pasi që e krijoi dhe e formoi, Allahu azze ue xhel Ademin, alejhi selam, e shpirtëzoi, duke i fry prej shpirtit të Tij, : “Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”. Hixhr 29. Duke qenë se Iblisi edhe pse ishte prej xhindeve, ishte i lidhur me Allahun dhe e adhuronte Atë. Allahu e kishte bashkuar me melekët, edhe pse nuk i përkiste atyre. Ai nuk i kishte thyer kurrë urdhrat e Zotit. Për këtë, Allahu e kishte shpërblyer duke e ngritur me melekët në qiell.

Pasi përfundoi krijimin e Ademit, alejhi selam, Allahu i urdhëroi të gjithë melekët që t’i përulen atij,si formë nderimi për të. Meqë edhe Iblisi ishte me melekët, ky urdhër ishte i vlefshëm edhe për të. Por, ai e kundërshtoj urdhërin e Allahut dhe u bë prej mohuesve.

“Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai.Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. Araf 12.

Thotë Hasan el Basrij dhe Muhamed Sirini se Iblisi ishte i pari i cili e përdori analogjinë. Ai gaboi në dy çështje:

E para: Harroi se dheu është më i mirë se zjarri. Prej cilësive të dheut është: i butë, i qetë, i ulët,kurse zjarri i lartë, i egër, që djeg.

E dyta: Ai harroi se urdhri vjen prej Allahut azze ue xhel, e ai obligohet t’i nënshtrohet urdhërave të Tij. Melekët iu përulën Ademit në shenjë respekti e jo se ai ishte më i miri se ato, dhe respektuan urdhrin e Allahut.

Krijimi i Havës, alejha selam, :

Pasi përfundoi plotësisht krijimi i Ademit, alejhi selam, Allahu krijoi bashkëshorten e tij Havën, alejha selam, . Hava nuk u krijua menjëherë pas Ademit. Ademi, alejhi selam, jetoi një periudhë kohe krejtësisht i vetëm në xhenet, gjë e cila e bëri të ndihej i vetmuar dhe i mërzitur. Një ditë,ndërkohë që Ademi ishte duke fjetur, Allahu azze ue xhel e krijoi Havën, nga një brinjë e krahut të majtë të Ademit. Me anë të kësaj brinje, Allahu krijoi gruan e parë, Havën, alejha selam, . Kur Ademit i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij. Ai e pyeti menjëherë: “Kush je ti?” Ajo u përgjigj:”Jam një grua.” Ademi, alejhi selam, e pyeti:” pse je krijuar?” Hava u përgjigj: “Që të gjesh prehje tek unë.” Melekët, kur e panë që Allahu kishte krijuar një krijesë tjetër të ngjashme me Ademin, alejha selam, menduan ta vënë në provë Ademin. Meqë ai dinte emrat e çdo sendi, melekët e pyetën mbi emrin e Havës. Kështu, i thanë: “Si e quajnë atë?” Ademi u përgjigj:”E quajnë Hava.” Melekët, e pyetën sërish:”Po përse ka marrë këtë emër?” Ademi u përgjigj:”Sepse është krijuar nga diçka e gjallë.”

Thotë Allahu azze ue xhel: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. Nisa 1.

Thotë Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, : “Dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm, sepse ato janë të krijuara nga brinjët. Briri anën më të lakuar e ka pjesën e epërme. Po deshe ta drejtosh, ai do të thyhet, e po e le ashtu siç është, do të ngele i lakuar. Prandaj dëgjoni porosinë time,ndaj grave bëhuni të kujdesshëm”.

Natyra e gruas është e tillë që shpesh herë udhëhiqet nga ndjenjat dhe jo arsyeja. Nëse ti rrekesh t’i ndryshosh sjelljet, të cilat burojnë nga bota emocionale e pasur e saj, t’i po tenton të ndryshosh vetë natyrën e saj, gjë e cila është e pamundur. Me gruan duhet të sillesh me të butë dhe dashamirësi, jo me dhunë dhe imponim.

Të dy jetonin si banorë të Xhenetit, hanin dhe pinin prej gjitha begative të tij, përveç asaj peme që e kishin të ndalur, thotë Allahu azze ue xhel në Kuran lidhur me këtë: “Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme,se ndryshe do të bëheni të padrejtë”. Bekare 35.

Që në fillim, Allahu azze ue xhel i tregoi Ademit, alejhi selam, mbi shejtanin, të cilin e etiketoi si armik të tij. Kjo ishte që para se shejtani të fillojë me vesveset e tij. Thotë Allahu në Librin e Tij:“Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! ” Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.” Merjem 117

Pra, ato që thonë se njeriu i parë ishte i pambuluar dhe më vonë filloi të mbulohet nuk është aspak e vërtetë. Zoti i kishte veshur njerëzit e parë që në xhenet, ashtu siç i mëson si të vishen pasi do të vendosen në tokë. Allahu thotë: “O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim. por, petku i devotshmërisë është më i miri.” Araf 26.

Iblisi filloi t’i mashtron dhe t’i tundojë që të hanin nga pema, duke I thënë se kjo pemë është e përjetësisë dhe pushtetit. Na rrëfen Allahun azze ue xhel dhe thotë: “Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj ua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.”Araf 20. Veç kësaj, filloi edhe t’u betohej se po u tregonte të vërtetën, : ” Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë! Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij.” Araf 21-22.

Në çastin kur ata hëngrën nga pema e ndaluar dhe thyen urdhrin e Allahut, u zhduken rrobat që kishin veshur dhe befasisht u shfaqën lakuriqë: “Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme” Araf 22.

Kur ndodhi kjo Ademit dhe Havës u erdhi turp. Natyra e njeriut e urren lakuriqësinë dhe nuk ndihet rehat. Kur panë se rrobat që i mbulonin, filluan të mbulohen me gjethe pemësh të Xhenetit:dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit” Araf 22.

Transmetohet se Hava ishte ajo e para e cila kishte ngrënë prej pemës dhe ajo e nxiste Ademin për të ngrënë prej peme.Prandaj, thuhet se Hava e tradhtoi Ademin alejhi selam, dhe se cilësinë e mashtrimit, gratë e kanë fituar prej Havës.

Ibni Haxheri kur flet rreth hadithit: “Po mos të kishte qenë Havaja s’do ta tradhtonte gruaja burrin e saj” thotë se s’është tradhti në nder, Allahu na ruajt, . Si mund që nëna e njerëzimit të përshkruhet me atë veti të keqe, por e ka tradhtuar përshkak se anoi epshi i saj që të han prej peme dhe pastaj ia zbukuroi Ademit ngrënien prej saj. Kurse, gratë çka kanë ardhur pas saj, tradhtia e tyre është sipas asaj çka kanë vepruar.

Pasi kishin ngrënë nga pema e ndaluar Allahu iu drejtua duke iu thënë: ” dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” Araf 22.

Kur e vërejtën gabimin e tyre, iu drejtuan Allahut të tyre me pendim të sinqertë, duke thënë: “Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit” Araf 23. Kështu zbriti Ademi dhe Hava në tokë, dhe me ato zbriti edhe Iblisi. Vendi ku zbritën s’dihet saktë. Disa thonë në Indi, disa thonë afër Xhides ( Arabi Saudite), por s’ka argument të saktë për asnjërën palë.

Pema prej të cilës ngrënë Ademi dhe Havaja, s’dihet se çka është, dhe si quhet. Thuhet se ishte pemë rrushi, apo palmë etj., por s’ka argument për emrin e saj, dhe të kishte qenë me rëndësi emri i saj, do ta kishte përmendur Allahu në Kuran.

Kohëqëndrimi i Ademit në Xhenet s’dihet saktësisht: disa thonë prej pas Ikindije e deri në perëndimin e diellit.

Disa të tjerë thonë: se ka qenë brenda një dite, dhe argumentohen me hadithin që e transmeton Muslimi: “Dita më e mirë që ka lindur dielli është dita e Xhumasë. Atë ditë është krijuar Ademi, atë ditë ka hy në xhenet, atë ditë është nxjerr, dhe atë ditë do të bëhet Kiameti”.

Pasi që e zbriti Allahu Ademin në tokë ia mësoi zanatin, e furnizoi me fryte prej Xheneti, pra këto fryte në tokë janë prej Xheneti vetëm se këto ndërrohen, e ata në Xhenet s’ndërrohen.

Fëmijët e Ademit:

Transmetohet se Hava i lindi Ademit dyzet fëmi prej njëzet shtatzënive, disa thonë se i kishte 120 shtatzëni, dhe në çdo shtatzëni kishte nga një mashkull dhe femër. I pari ishte Kabili dhe motra e tij Kalima, dhe i dyti ishte Abdulmugithi dhe motra e tij Abdulmugitha. Fëmi me emër Abdulharith s’kishte Ademi dhe hadithi që e cek këtë emër është i dobët.

Habili dhe Kabili: Ishin të dytë djem të Ademit. Kabili ishte i vrazhgët dhe i ashpër në karakter. Ndërkohë që Habili ishte zemërmirë. Kabili merrej me bujqësi, kurse Habili merrej me bagëti.

Asokohe, njerëzimi kishte nevojë për një kod familjar, sidomos lidhur me shtimin e njerëzimit, duke ditur se ata ishin vëllezër dhe motra të njëri-tjetrit. Kështu, ligji ishte i tillë, që djemtë e Ademit, alejhi salam, mund të martoheshin me këdo nga motrat, përveç binjakes. Nga ky ligj nuk bënte përjashtim as Kabili dhe as Habili. Sipas transmetimeve, thuhet se binjakja e Kabilit, ishte më e bukur se binjakja e Habilit. Kabili dëshironte që ai të martohej me binjaken, por kjo ishte e ndaluar sipas ligjeve të asaj kohe. Duke qenë se Ademi, alejhi selam, ishte profet, kishte dhe legjislacionin e tij. Një ligj tjetër, ishte dhe ai i kurbaneve, flijimeve të bagëtisë. Shenja që Allahu e ka pranuar kurbanin e dikujt, ishte që të zbriste një zjarr nga qielli dhe ta digjte. Kurbani që nuk digjej nga zjarri, ishte i refuzuar nga Allahu.

Kur deshi Habili të ofrojë një kurban, zgjodhi kafshën më të mirë dhe e therri. Kurse Kabili ofroi një sasi drithërash të prishur. Një ditë më vonë, dy vëllezërit panë se kurbani i Habilit ishte pranuar nga Zoti, e kishte djegur zjarri. Kurse kurbanin e Kabilit e kishte refuzuar, nuk ishte djegur. Kjo ia shtoi urrejtjen dhe xhelozinë Kabilit për të vëllanë. Në këtë çast, ndërhyn dhe shejtani i cili e nxit Kabilin të vrasë vëllain e tij. Vrasja ishte një risi e re për jetën e njeriut mbi tokë,ishte krimi i parë që po ndodhte në histori. I vendosur, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili dhe i tregoi se dëshironte ta vrasë. Habili, nga ana e tij i tha se nuk do të reagonte duke tentuar ta vrasë. Ai i tha se nga kjo vepër nuk do të fitojë asgjë përveç gjynahit dhe ndëshkimit. Në një natë të errët dhe të zezë, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili i cili ishte duke fjetur dhe, e vrau. Ka shumë transmetime se si,por s’ka argument të saktë. Ishte krimi i parë në historinë njerëzore. Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të veprojë me kufomën. Ishte hera e parë që dikush vdiste nga njerëzit dhe nuk dinin si të sillen me të vdekurit. Mandej, Kabili e mbajti në krahë kufomën e të vëllait dhe e transportoi në një vend tjetër. Atje, Allahu e dërgoi dy sorra para Kabilit. Dy sorrat filluan të ziheshin me njëra-tjetrën,derisa njëra mbeti e ngordhur në vend. Sorra triumfuese, filloi të hapë një gropë me këmbët e saj. Pastaj e shtyu sorrën e ngordhur drejt gropës dhe e mbuloi me dhe. Nga kjo ngjarje, mësoi Kabili se çfarë duhet të bëjë me kufomën e të vëllait. Ai hapi një gropë menjëherë, e hodhi të vëllanë brenda dhe e mbuloi me dhe.

Këtë ndodhi Allahu azze ue xhel e ka regjistruar në Kuranin famëlartë, ku thotë: “Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” Maide, 27-31.

Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Muhamedi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë:“Çdo njeri që vritet padrejtësisht, një pjesë e gjynahut i shkon dhe djalit të Ademit, pasi ai është njeriu i parë që e shpiku vrasjen.”

Me vrasjen e të vëllait, Kabili shpiku një risi dhe krim që nuk ishte dëgjuar gjer atëherë. Për këtë,Zoti e ndëshkoi duke i dhënë pjesë të gjynahit të çdo të vrari padrejtësisht gjer Ditën e Kiametit.

Thotë Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, “Kush shpik një vepër të ligë, ai do të ketë gjynahun e tij dhe gjynahun e atyre që do e veprojnë pas tij, deri në Ditën e Kijametit.”

Pasi vrau vëllanë e tij, Kabili morri arratinë, duke mos dashur t’i dalë para babait të tyre, Ademit. Bashkë me gruan e tij, ai u vendos në fusha, ndërkohë që fëmijët e tjerë dhe prindërit jetonin rrrëzë maleve. Fëmijët dhe pasardhësit e Kabilit u shtuan, por në mungesë të mësuesit shpirtëror,mes tyre filloi të përhapej degjenerimi moral. Kjo, edhe pse adhuronin një Zot të vetëm. Që atëherë,njerëzit u ndanë në dy kategori: Të mirët, që jetonin me Ademin dhe të ligët, që jetonin me Kabilin.

Vdekja e Ademit, alejhi selam:

Transmeton Tirmidhiu prej hadithit të Ebu Hurejrës se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selam, :“Kur e krijoi Allahu Ademin, i fërkoi atij belin, dhe çdo person që do të lindë deri Ditën e Gjykimit bie nga beli i tij. Të gjithë njerëzve i krijoi një rreze nga drita ndërmjet dy syve. Pastaj ia paraqiti ata Ademit. Ademi tha:” O Zoti im kush janë këta”? Allahu tha: “Këta janë pasardhësit e tu”. Pastaj pa njërin prej tyre dhe i pëlqeu drita që shndriste ndërmjet dy syve, dhe tha:” O Zoti kush është ky “? Allahu tha:” Ky është një person nga pasardhësit e tu, nga popujt e fundit dhe quhet Davud”. Ademi tha:” O Zoti im sa ia ke caktuar jetën atij”? Allahu tha:”Gjashtëdhjetë vjet”. ” Shtoi atij dyzet vjet nga jeta ime, tha Ademi”. Kur iu plotësua jeta Ademit, erdhi meleku i vdekjes për t’ia marrë jetën.” Po mua më kanë mbetur edhe dyzet vjet, tha ai”. ” Po ti ia dhe djalit tënd, Davudit dyzet vjet, i tha meleku i vdekjes”. Pastaj Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, shtoi:” Mohoi Ademi, prandaj pasardhësit e tij po mohojnë. Harroi Ademi, prandaj dhe pasardhësit e tij janë duke harruar. Gaboi Ademi, prandaj pasardhësit e tij janë duke gabuar”.

Transmeton imam Ahmedi, se Xhumretu Sadij ka thënë:”Pashë një të moshuar në Medine duke folur. Kur pyeta kush ishte, më thanë se ishte Ubej ibën Kab (një nga më të diturit e sahabëve rreth shkencave të Kuranit dhe tefsirit). Ndër të tjera, ai tha:”Kur Ademit, alejhi selam, iu afrua vdekja, u tha fëmijëve:”Më ka marrë malli për fruta xheneti. Fëmijët e Ademit, alejhi selam, shkuan të kërkojnë fruta dhe në rrugë u takuan me melekët (në formë njerëzish), që mbanin në duar qefinë dhe materiale të tjera për përgatitjen e të vdekurit. Melekët u thanë:”O bijtë e Ademit! Çfarë po kërkoni?”

Ata u përgjigjën:”Babai ynë është sëmurë dhe na kërkoi fruta xheneti.” Melekët u thanë:”Kthehuni,se babait tuaj i ka ardhur momenti i vdekjes.”

Hava kur I pa, i njohu dhe lajmëroi Ademin, alejhi selam, menjëherë. Ademi i tha:”Largohu prej meje, pasi e keqja më erdhi prej teje. Më lër me melekët e Zotit tim të lartësuar.” Kështu, melekët e vdekjes ia morën shpirtin, e lanë, e veshën me qefinë, e lyen me parfum, i hapën varrin, i falën xhenazen dhe e mbuluan. Pra, ishin melekët ata që e përgatitën xhenazen e Ademit a.s dhe e varrosën së fundmi. Pasi e varrosën, melekët u thanë fëmijëve të Ademit: “O bij të Ademit! Kështu duhet të veproni me të vdekurit tuaj.”

Ademi a.s e kishte kaluar jetën në bindje dhe konform ligjeve të Zotit. Hera e parë që i kishte thyer ligjet e Zotit ishte kur hëngri nga pema e ndaluar në xhenet. Përgjatë nëntëqind e pesëdhjetë viteve jetë mbi tokë, ai nuk veproi gjynahe.

Një vit pas vdekjes së Ademit, alejhi selam, ndërroi jetë dhe gruaja e tij Hava, alejha selam, .

Përgatiti: Irfan JAHIU

LITERATURË E KONSULTUAR:

 1. Bidaje ue Nihaje, ibën Kethiri

 2. Kisas el Enbija,  Omer Eshkar

 3. Kisas el Enbija,  Abdulkadir Hamed

 4. Mustefad min Kisas el Enbija,  Abdulkerim Zejdan

 5. Ehadith akideh el mutevehim ishkaluha fi sahihejn,  Sulejman Debihih

 6. Fethul Bari,  sherh Sahih Buhari,  ibën Haxher el Askalani.