Meshkujt e dobët dhe tërheqës kanë më pak baktere hundore

 

A na tregojnë tiparet tërheqëse diçka lidhur me shëndetin riprodhues të një personi?

Studimi i ri në “American Journal of Human Biology” tregon një lidhje midis Indeksit të Masës Trupore (ang. BMI – Body Mass Index) dhe sasisë së baktereve që e kolonizojnë hundën. Rezultatet tregojnë se meshkujt më të rëndë përmbajnë specie potencialisht më patogjene të baktereve në hundën e tyre, në krahasim me meshkujt më të dobët dhe tradicionalisht më tërheqës.

“Sipas një këndvështrimi evolutiv, tiparet që lidhen me atraktivitetin supozohet të jenë sinjale të sinqerta të cilësisë biologjike,” tha dr. Boguslaw Pawlowski. “Ne kemi analizuar nëse kolonizimi i hundës dhe fytit me baktere potencialisht patogjene është i ndërlidhur me lartësinë e trupit dhe BMI në të dy gjinitë.”

103 femra të shëndetshme dhe 90 meshkuj të shëndetshëm morën pjesë në studim. Lartësitë dhe peshat janë vetëraportuar, ndërsa perimetri i belit dhe ijëve ishte matur. Gjashtë baktere potencialisht patogjene ishin izoluar dhe identifikuar nga strisho e hundës dhe fytit.

Rezultatet treguan se meshkujt e kolonizuar kishin një BMI më të lartë sesa meshkujt jo të kolonizuar; ndonëse nuk ishte konstatuar ndonjë ndryshim tek femrat.

“Me sa dimë, kjo është përpjekja e parë për të studiuar tiparet e morfologjisë së trupit që ndërlidhen me atraktivitetin fizik në lidhje me kolonizimin bakterial tek të rinjtë”, tha Pawlowski. “Rezultatet konfirmuan hipotezën tonë, por vetëm për BMI-në tek meshkujt”. /Telegrafi/