Dr. Jusuf El Kardavi
Besimi është forcë stimuluese, njeriun e stimulon për vepra të mira, për punë, për prodhim, e bën që ta adhurojë Allahun duke punuar; punën e dynjasë për jetesë, për fitimin e rrëskut – e konsideron adhurim dhe përpjekje në rrugën e Allahut xh.sh..
Në kohën tonë, shtrohen pyetje të ndryshme: A është feja pengesë e përparimit të shoqërive islame? A është Islami shkak për prapambetjen, prej së cilës po vuan populli musliman?
Feja, dhe sidomos Islami, asnjëherë nuk është pengesë e përparimit, përkundrazi, feja është forcë udhëzuese. Allahu xh.sh. thotë: “E kush i beson Allahut, Ai ia
udhëzon zemrën e tij” (Et-Tegabun, 11).
Feja, ia ndriçon njeriut rrugën, i bën gjërat të qarta për të, në mënyrë që as të mos luhatet e as të mos lëkundet. Besimtari fetar ka kuptuar qëllimin e tij, është përqendruar dhe ka përparuar. Besimi është forcë stimuluese, njeriun e stimulon për vepra të mira, për punë, për prodhim, e bën që ta adhurojë Allahun duke punuar; punën e dynjasë për jetesë, për fitimin e rrëskut – e konsideron adhurim dhe përpjekje në rrugën e Allahut xh.sh..
Besimi, ashtu siç është forcë stimuluese, gjithashtu është edhe forcë kontrolluese, kontrollon sjelljet e njeriut, e frenon atë nga të këqijat, e përmban nga të urryerat, e bën njeriun besimtar që të mos shesë ndërgjegjen, nderin dhe as atdheun e tij, të mos shesë asnjë vlerë, qoftë edhe t’ia mbulojë faqen e dheut me ar. Feja nuk përbën kurrë pengesë, përveçse ndaj fesë së trilluar. Një gjë e tillë ka ndodhur në Evropë, atëherë feja përkrahte mbretërit kundër popujve, feudalët kundër bujqve, kapitalistët kundër punëtorëve, injorantët kundër shkencëtarëve. Kisha ishte kundër lirisë së popujve, për këtë arsye njerëzit organizuan kryengritje kundër tyre, dhe e thanë fjalën e njohur: “Ekzekutoni me varje mbretin e fundit me zorrët e priftit të fundit. S’kemi nevojë as për mbretër e as për njerëz të fesë”. Ata prishën dynjanë dhe fenë. Kjo ngjau. Në atë kohë në Evropë ekzistonin gjykatat që gjykonin shkencëtarët, digjnin kufomat e tyre, sepse ata kishin zbuluar gjëra që nuk ishin njohuri të kishës. Galileu, Koperniku e të tjerë, zbuluan gjëra të reja, për të cilat dinin muslimanët. Ata zbuluan se Toka është e rrumbullakët, një gjë që nxënësit e myslimanëve e kishin mësuar më herët; Ibn Hazmi, në librat e tij, argumentonte në disa mënyra se Toka është e rrumbullakët, gjithashtu edhe Rraziunë librat e tij fliste për këto çështje. Perëndimorët i konsideronin si heretikë
dhe ateistë ata që kishin arritur këto rezultate, prandaj, sipas tyre, ata meritonin të ndëshkoheshin. I ndëshkuan njerëzit edhe pas vdekjes së tyre, i gjykuan dhe i dogjën kufomat e tyre. Kjo nuk ekziston tek ne.
Fetarësia e refuzuar
Feja që bëhet pengesë e përparimit, është ajo që përmban trillime, përmban determinizëm në besim, përmban politeizëm, përmban formalitete në adhurime, përmban negativizëm në moral, përmban pamje të jashtme në jetë, përmban pamje sipërfaqësore në mendimet, përmban ngrirje në jurisprudencë, e kjo mund ta ngrijë jetën, – dhe ne jemi kundër këtij lloji të fetarësisë dhe e luftojmë atë.
Fetarësia e vërtetë
Fetarësia e vërtetë është ajo që besimtarit i jep forcë për të përballuar padrejtësinë, tiraninë, për të qëndruar përballë së keqes, për të urdhëruar për të mira e për të ndaluar nga të këqijat, për t’i këshilluar udhëheqësit e muslimanëve dhe masën e përgjithshme. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Xhihadi më i mirë është fjala e vërtetë tek sunduesi i padrejtë (keqbërës)”. (Ibn Maxhe nga Ebu Se’id El-Hudriu r.a.. Gjithashtu e transmetojnë edhe: Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).
“Zotëria i dëshmorëve është Hamza ibn Abdul-Mutalibi, dhe një njeri i cili ngrihet kundër një sunduesi të padrejtë që e urdhëron dhe e ndalon, e pastaj e mbyt”. (Hakimi, Ed-Dejlemiu dhe Ed-Dijaul-Makdesiu nga Xhabir ibn Abdullahu r.a.).
“Kur të vëreni se populli im frikësohet t’i thotë mizorit: O mizor, atëherë largohuni prej tyre”. (Ahmedi nga Abdullah ibn Amri r.a.).
“Njerëzit, kur ta shohin mizorin dhe nuk e ndalojnë, ata të gjithë Allahu do t’i përfshijë shumë shpejt me një ndëshkim”. (Ahmedi nga Ebu Bekri. Gjithashtu e transmetojnë edhe: Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe).
Islami erdhi me këto gjëra. Në lutjen e kunutit, Ibn Mes’udi r.a., ndër të tjera, lutej me këto fjalë: “O Allah, Ty të falënderojmë dhe s’i shlyejmë mirësitë e Tua. E refuzojmë dhe shmangemi nga ai që gabon ndaj Teje”. Çfarë përparimi dëshirojnë ata? Përparim material?
Islami dhe përparimi shkencor
Islami kujdeset për përparimin material, përparimin shpirtëror, përparimin ndjenjor, përparimin kuptimor. Përparimi material është bazë e shkencës, ndërsa Islami çdo shkencë të dobishme e konsideron obligim për muslimanët, prandaj myslimanët duhet të shquhen në të gjitha shkencat në mënyrë që të mos bëhen të varur nga të tjerët dhe të bëhen të pavarur në shkencë e teknologji. Për këtë arsye, dijetarët e dikurshëm kanë thënë: “Studimi i mjekësisë, inxhinierisë, matematikës dhe shkencave të tjera është farzi kifaje për Ymetin, gjithashtu edhe mësimi i industrisë”. Kjo do të thotë se Islami i urdhëron të gjithë myslimanët bashkërisht të jenë një popull i fortë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake)”. (El Enfalë, 60).
Si mund të përgatitet Ymeti me aq mundësi force sa ka? Të përgatisë vetveten shkencërisht e teknikisht, ky është obligim i Ymetit. Tek ne muslimanët shkenca nuk është në kundërshtim me fenë, të menduarit nuk është në kundërshtim me besimin, urtësia nuk është në kundërshtim me Sheriatin; një kundërshtim i tillë ekziston në fetë e tjera, kurse te muslimanët ka një lloj vëllazërimi ndërmjet këtyre vlerave me njëra-tjetrën, tek ne feja është shkencë dhe shkenca është fe. E kemi parë se shumë dijetarë islam ishin edhe dijetarë të fushave fetare, po edhe dijetarë të fushave shkencore. Rraziu ishte njohës i mirë i Tefsirit (komentimi i Kuranit), Fikhut (jurisprudenca islame), po gjithashtu ishte edhe njohës i mirë i mjekësisë, njësoj sikur i fushave fetare. Ibn Nefisi zbuloi qarkullimin e gjakut, e ai ishte gjithashtu fekih (jurist islam). Edhe Ibn Rushdi (i njohur si Averreos), ishte shpjegues i mësimeve të Aristotelit, madje disa nga historianët e filozofisë konsideronin si filozofin më të madh islam. Ai ishte mjek i njohur dhe kishte shkruar libra, prej të cilëve përfituan evropianët për disa shekuj me radhë e i përkthyen në gjuhën latine. Ai ishte gjithashtu edhe jurist islam, prandaj ka qenë edhe gjykatës sipas Sheriatit. Tek ne nuk ka kurrfarë konflikti ndërmjet fesë dhe shkencës, ashtu siç dihet në historinë e Evropës.
Nëse ata kanë për qëllim përparimin shkencor, Islami e mirëpret atë dhe e konsideron obligim për Ymetin musliman.
Islami dhe zhvillimi ekonomik
Islami bën thirrje për zhvillim ekonomik. Parimet e Kuranit dhe të Synetit bëjnë thirrje për shtimin e prodhimtarisë, pakësimin e shpenzimeve, për orientimin e pasurisë në mënyrë të drejtë, për shpërndarjen e saj në mënyrë të drejtë, duke i përgatitur muslimanët që të ngrenë më lart pozitën e tyre. Krishterimi pasurinë e konsideron, ashtu siç transmetohet nga Isai a.s.: “I pasuri nuk mund të hyjë në mbretërinë e qiejve derisa të mund të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës”. Jo, kjo nuk ekziston në Islam. Thuhet se një njeri erdhi tek Isai a.s. dhe i tha: “Dëshiroj të të besoj dhe të të pasoj”. Isai a.s. i tha: “Shko e shite pasurinë tënde, e pastaj më paso”. Islami nuk e thotë këtë, madje Pejgamberi a.s. thotë: “E bekuar është pasuria e mirë për njeriun e mirë”. (Ahmedi nga Amër in A’si r.a.. Gjithashtu e transmetojnë edhe: Ibn Hibbani, Taberaniu në «Evset» dhe Hakimi). Muhamedi a.s. ka thënë gjithashtu: “Nuk më ka bërë dobi asnjë pasuri aq sa më bëri dobi pasuria e Ebu Bekrit r.a.”. (Ahmedi nga Ebu Hurejra r.a.).
Pejgamberi a.s. i lutej Allahut xh.sh. me këto fjalë: “O Allahu im, nga Ti kërkoj udhëzim, devotshmëri, ndershmëri dhe pasuri”. (Muslimi nga Ibn Mes’udi r.a.). Allahu xh.sh. ia pranoi lutjen e tij dhe i tha: “A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt”. (Ed-Duha, 8) Ai kërkonte mbrojtje prej Allahut nga varfëria dhe mosbesimi, pra varfërinë e konsideronte fatkeqësi. Islami erdhi me këto gjëra. Nëse ata kanë për qëllim përparimin në zhvillimin ekonomik, atëherë ne e mirëpresim atë, edhe Islami e mirëpret e bën thirrje për të dhe e lufton varfërinë me të gjitha mjetet. Mjeti i parë me të cilin luftohet varfëria, është puna, përgatitja e popullit për punë, për prodhim, që të mos jetojë vetëm duke shpenzuar, vetëm duke importuar nga vende të tjera, ashtu siç importojmë ushqimin, armatimin, prodhimtarinë e rëndë etj..Ne themi: Feja nuk është pengesë e përparimit.
Islami dhe avancimi shëndetësor
Nëse ata kanë për qëllim përparimin shëndetësor, Islami e dëshiron popullin që është i shëndoshë fizikisht. Pejgamberi a.s. thotë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët”. (Muslimi nga Ebu Hurejra r.a.).
Për herë të parë, në frymën e fesë, njerëzit dëgjuan këtë fjalë të Muhamedit a.s.: “Me të vërtetë ti ke obligim ndaj trupit tënd”. (Pjesë nga hadithi i Abdullah in Amër ibn Asit r.a., të cilin e transmeton Buhariu në kapitullin e agjërimit. Gjithashtu e transmeton edhe Muslimi).
Më përpara njerëzit dëgjonin vetëm këtë fjalë: “Me të vërtetë ti ke obligim ndaj Zotit tënd”, mirëpo – që të ketë trupi të drejta nga njeriu, këtë gjë e dëgjuan për herë të parë.
Nga obligimi që ke ndaj trupit tënd, është që ta ushqesh – kur të ketë uri, ta pushosh – kur të lodhet, ta pastrosh – kur të ndotet, ta mjekosh – kur të sëmuret, sepse: “Allahu nuk ka vënë ndonjë sëmundje veçse për të ka vënë edhe shërim” (Buhariu nga Ebu Hurejra r.a.), ta mbrosh nga sëmundjet, sepse: “Parandalimi i sëmundjeve është më i mirë se mjekimi”.
Islami u bën thirrje njerëzve që ta mbrojnë shëndetin e tyre duke u mjekuar, duke i parandaluar sëmundjet dhe duke u pastruar.
Islami e dëshiron njeriun të pastër. Pejgamberi a.s. thotë: “E drejtë e Allahut për çdo musliman është që në javë të lahet (së paku) një herë, të pastrojë kokën dhe trupin e tij” (Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra r.a.), së paku një herë në javë. Muslimanit i ndodhin gjëra të natyrshme, pas të cilave duhet të lahet ose të marrë abdes kur dëshiron të falet.
Islami erdhi për ta mbrojtur popullin, prandaj ndaloi urinimin dhe kryerjen e nevojës në rrugë, në hapësirat nën hije, në burimet e ujërave etj., dhe këto gjëra (të cilat njerëzve u sjellin sëmundje mbytëse) i konsideroi ndër tri të mallkuarat që tërheqin mallkimin e Allahut, të engjëjve dhe të mbarë njerëzve. Gjithashtu, Islami ka ndaluar pijet alkoolike e narkotike, dhe konsumimin e çdo gjëje që dëmton trupin e njeriut, sepse njeriut nuk i lejohet ta mbysë veten e tij: “Dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju”. (En-Nisa, 29).
Islami dhe avancimi ushtarak
Nëse ata kanë për qëllim progresin ushtarak dhe forcën ushtarake, atëherë, pra, Islami thotë: «E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake)». (El Enfalë, 60).
“Ne e zbritëm hekurin, në të cilin ka (material për) luftë të fuqishme dhe dobi (të tjera) për njerëzit” (El-Hadid, 25).
Në këtë ajet shprehja “ka (material për) luftë të fuqishme” sinjalizon prodhimet luftarake, ndërsa shprehja “dobi (të tjera) për njerëzit” sinjalizon prodhimet e civilizuara, dhe atë që i prodhon shigjetat, e ka konsideruar si atë që gjuan me to, prodhuesi është ortak në shpërblim dhe konsiderohet nga muxhahidët.
Prodhimi luftarak është një lloj xhihadi (i luftës së shenjtë), sepse pa armatim nuk mund të luftohet. Nëse ne nuk prodhojmë armë, atëherë do të detyrohemi të importojmë nga armiqtë tanë.
Islami na jep çdo gjë për se ka nevojë përparimi, Islami na stimulon dhe na jep metoda të vërteta që të përparojmë në mënyrën më të mirë, prandaj feja nuk mund të jetë pengesë në rrugën drejt përparimit.
Përktheu: Mr. Faruk Ukallo,
(Burimi: “Predikimet e Shejh El-Kardavit”, përgatitur nga Muhammed Havtar dhe Ekrem Abdus-Settar, mektebetu vehbeh, Kajro, 2006, v.7).