Pyetje:
Eselamu alejkum ue Rahmetullah!
Desha të pyes rreth vathëve. Shumica më thonë që është haram mirëpo dua ta di nëse është haram të vihen më shumë se 1 vath në një vesh? Disa thonë se është haram pasi që ti falesh. Unë falem dhe mundohem të mos ekspozohem me rroba mirëpo nuk jam e mbuluar! Do të dëshiroja që sa më parë të më përgjigjeni!
Përgjigje:
Alejkum selam ve Rahmetullahi ve berekatuh!
Çështja e shpimit të bulave të veshëve për qëllim zbukurimi është çështje e debatuar në mesin e dijetarëve. Mendimi më i saktë i dijetarëve lidhur me këtë çështje është se lejohet ky veprim me qëllim zbukurimi.
Sa i përket shpimit të dy vrimave në vesh për dy vathë, ndonëse nuk ka ndonjë argument të drejtpërdrejt që do të bënte dallim me shpimin e vetëm një vrime, dijetarët mendojnë se nuk ishte zakon i hershëm i grave myslimane një veprim i tillë, por është një importim nga kulturat e huaja të jobesimtareve, që nga ky prizëm del të mos lejohet. Përveç nëse kjo bëhet kulturë e përgjithshme sa nuk dallohen me këtë fenomen femrat myslimane nga ato jomyslimane.
Kjo ishte përgjigja rreth pjesës së parë të pyetjes, por dëshiroj t’ju përkujtojë se zbukurimi që i lejohet femrës si në gardërobë, e bizhuteri, është lejuar vetëm kur ajo është para burrit të vet si dhe femrave të besueshme. Pra, ato gjëra që lejohen në ndeja të brendshme, nuk lejohen në botën e jashtme. Pra, nuk lejohet bartja e bizhuterisë kur del në rrugë, nëse ato hallhalle, unaza, rrathë etj. duken nga të huajt.
Në rastin që ju keni përmendur për vete, që nuk jeni e mbuluar, nuk lejohet bartja e vathëve kur dilni në rrugë, pasi femra edhe kur ecë e mbuluar, e ka të ndaluar zbukurimin kur del në rrugë.
Allahu jua mundësoftë që sa më parë ta praktikoni mbulimin e flokëve dhe vendosjen e shamisë!
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku