dentifikimimi i cilësdo fe a ideologji me terrorizmin është një qëndrim tërësisht i gabuar. Prapashtesat e ndryshme, në mesin e të cilave, mjerisht, më i popullarizuar është ai “islamik” i cili kohëve të fundit po përdoret aq lehtas nga mediat, thjesht nuk mund ta paraqesin përkatësinë e vërtetë të një terroristi apo edhe përkatësinë fetare e ideologjike të një organizate terroriste.
Ai që kurdis bomba dhe vret njerëz të pafajshëm, thjesht është një kriminel. Meqë dëshiroj të përpiqem të tregoj se islami padrejtësisht po identifikohet me terrorizmin, ndonjëherë nga mosdia dhe më shpesh nga dashakeqësia, po e shtroj një pyetje shumë logjike: Nëse pajtohemi se terrorizmi është krim, si është e mundur që ai të ketë çfarëdo qoftë lidhje me fetë, sidomos me islamin, me fenë e paqes, dashurisë dhe mëshirës?
Pra, po ashtu, terrorizmin nuk mund ta quajmë as “katolik”, edhe pse, të përkujtojmë, të gjithë pjesëtarët e IRA-s, e cila me dekada shkaktoi aq shumë frikë e tmerr, ishin katolikë. Euskadi Ta Askatasuna (Baskia dhe Liria) që në botën e terrorizmit njihet si ETA, nuk ka kurrfarë lidhje me islamin, sepse anëtarët e saj, po ashtu janë të krishterë.
Terrorizmi i bolshevikëve a u dallua me prapashtesënt “rus”, “ sllav” apo “komunist”? Dhe, nëse po imponohet të tërheqim paralele, do të shohim se, p.sh, historia e VMRO është përplot me atentate dhe akte dhune që lirisht mund të emërtohen si terroriste. A do të ishte normale që në këtë rast të flasim për terrorizmin “maqedonas” apo “ortodoks”?
Nga ana tjetër, nëse i bëjmë një vështrim historisë së terrorizmin në Lindjen e Afërt, do të duket paksa e pabesueshme, por është ëtrësisht e vërtetë se grupet e para terroriste aty fare nuk kanë lidhje me islamin, madje as me arabët. Në fakt, ato janë hebraike dhe paraqiten në kohën e krijimit të Izraelit, kurse identifikohen me Irgun Zvai Leumi dhe Lehi (Banda e Shternit), edhe pse ka fakte se edhe vetë Mosad ka kryer aksione terroriste (p.sh. Afera Lavon).
Ato organizata, është interesante, i kanë sulmuar më shumë britanikët dhe aty kanë marrë pjesë edhe figura që më vonë janë bërë kryeministra, presidentë e gjeneralë (Menahem Begin, Ben Gurion). Vetëm sa për përkujtim: Në një aksion të Bandës së Shternit, është shkatërruar në Jerusalem hoteli “Mbreti David”, me ç’rast kanë humbur jetën mbi njëqind njerëz, shumica britanikë, por edhe civilë hebrenj e myslimanë.
Në një rast tjetër, ajo organizatë e ka vrarë ministrin britanik Lordin Mojni, si edhe ndërmjetësuesin ndërkombëtar Bernadot, me ç’gjë u penguan negociatat e para për paqe mes arabëve dhe hebrenjve. Dhe, a ka dëgjuar dikush ndonjëherë ose a është ndeshur me shprehjen “terrorizmi hebraik”? Nuk e besoj dhe nuk mendoj se duhet të përdoret nje shprehje e tillë.
Sidoqoftë, fakti se disa terroristë ose organizata terroriste e prezantojnë veten sikur janë të motivuar për veprat e tyre nga një fe e caktuar, nga dashuria për një komb ose për një ideologji të caktuar, vetëm dëshmon se ata e keqpërdorin fenë, popullin apo ideologjinë të cilës i përkasin. Krimi përfundimisht nuk ka fe dhe ideologji, ai nuk njeh as komb.
Por, t’i kthehemi terrorizmit “islam” dhe “islamik”. Njerëzit që e përdorin shprehjen e parë, bëjnë aludime se disa organizata terroriste frymëzohen për veprat e tyre drejtpërsëdrejti nga feja islame, ndërkohë që ata të cilët e përdorin shprehjen e dytë, mendojnë se Islami po përdoret për qëllime politike.
Fatkeqësisht, shumë pak njerëz po e dëgjojnë me kujdes zërin e Ulemasë islame, pra të njohësve të vërtetë të Islamit të cilët kategorikisht dëshmojnë se Islami e ndalon terrorizmin. E numri i tyre është dominant në krahasim me disa “prijës fetarë” irelevantë që po përpiqen të realizojnë qëllimet e tyre duke i bërë shpjegime të gabuara Kur’anit.
Qëndrimi ndaj luftës në Librin e Shenjtë të Islamit nuk është i qartë vetëm për ata të cilët nuk duan të kuptojnë. Po ashtu, edhe hadithet e Pejganberit Muhamed a.s. shumë qartë thonë se në luftë nuk duhet të vriten robërit, fëmijët, gratë, pleqtë. Pejgamberi i Allahut xh.sh. po ashtu thotë se myslimanët duhet të tregojnë mëshirë ndaj të pafajshmit, bile e ndalon edhe vrasjen e kafshëve dhe dëmtimin e pemëve
E ja që jemi dëshmitarë se të gjitha ato që janë të ndaluara me islam, po ndodhin. Dhe, mjerisht, po shkaktojnë reagime që janë skajshmërisht të dëmshme për myslimanët në përgjithësi. Edhe pse jam i bindur se shumë gjëra rreth të ashtuquajturit “terrorizëm islamik” janë të fryra dhe që islami nuk mund të jetë frymëzuesi i tmerreve të ISIL dhe Al Kaeda, më duhet të pranoj faktin se, njeriu i rëndomtë jomysliman dhe i painformuar për porositë e Islamit, po fillon nga pak të frikësohet nga ai.
Pra, po ndodhë pikërisht e kundërta e asaj që do duhej të ndodhte. Në vend se të rrezatojë shpresë dhe shpëtim për njerëzimin, përmes veprimeve të tmerrshme dhe jocivilizuese të ISIL dhe disa organizatave simotra, Islami po prezantohet dhe po konceptohet si gogol dhe kërcënim për botën.
Duke e interpretuar krejt gabimisht xhihadin, ISIL në fakt po e sulmon islamin nga brendësia e vet. Në vend të goditjeve nga jashtë, Islami i është shtruar një rrebeshi goditjesh nga organizatat që, në dukje të parë, “veprojnë” nga pozicionet e fesë së Allahut xh.sh.
Xhihadi gjithsesi se mund të ketë edhe kuptimin e “luftës së shenjtë”, po kjo fjalë kaq shumë e keqpërdorur ka edhe të tjera tingëllime dhe kuptimkeq. Xhihadi, mes tjerash, nënkupton edhe një mision individual dhe përpjekje që do të mundësojë rritjen e Islamit. D.m.th. edhe të mësuarit dhe të studiuarit janë xhihad, sikurse edhe kontributi për përparim dhe avancim teknologjik, ekonomik e shkencor të shoqërisë muyslimane.
Dhe, diçka që është shumë me rëndësi: Në luftë të shenjtë nuk mund të thërret çdokush sepse atëherë do bëhej fjalë për anarki dhe kaos. E Islami mbështetet mbi rregulla shumë të qarta, ai në mënyrë kategorike e flakë anarkinë dhe kaosin dhe i fton myslimanët t’i kundërvihen dukurive të tilla. Ekzistojnë edhe shembuj konkret kur Pejgamberi Muhamed a.s. i ka ftuar myslimanët dhe jomyslimanët bashkërisht t’ju kundërvihen dukurive të atij lloji.
Pikërisht në valën e aksioneve kundër ISIL, në botën myslimane po zhvillohen debate dhe polemika të zjarrta rreth asaj se a mund fare të vendosen organizata terroriste në kategorinë e “Islamit politik”. Derisa disa individë e mbrojnë të drejtën e ISIL të profilojë politikën e myslimanëve, pjesa dërmuese e intelektualëve të të gjitha proveniencave, si edhe udhëheqësit shtetërorë, janë të mendimit se ajo organizatë paraqet “rrezik ekzistencial”.
Sa ju përket shtresave të gjëra, ato në masë të madhe janë kundër të gjitha llojeve të ekstremizmit fetar, qoftë ai sunit apo shiit. Vlen të theksohet se, një pjesë e popullatës në të cilat sundon ISIL, mendojnë se kjo organizatë paraqet një mur mbrojtës përpara dominimit shiit, duke i dhënë, kësisoj, tërë kësaj situate edhe dimenzionin e konfliktit sektar.
Mbetet të shohim se çfarë do të ndodh me ISIL dhe përkrahësit e tij, a do të vazhdojë kjo organizatë ta zhvillojë luftën e vetë apo do të reterojë në qëndrimet e veta?
Historia e terrorizmit është përplot me shembuj që edhe organizatat më ekstreme, në fund të baladës e kuptojnë që frika të cilën e kanë ndjellë dhe mbjellë duke vrarë kryesisht njerëz të pafajshëm, nuk ua ka sjellë rezultatet e pritura. Terrorizmi mund të shkaktojë vetëm kundërefekte dhe reagim të pakontrolluar me ç rast, “në emër të drejtësisë” do të ushtrohet represion gjatë të cilit viktima do të jenë edhe të pafajshmit, do të arsyetohet tortura dhe do të shkelen të drejtat e njeriut.
Për shkak të tërë kësaj që u tha, por edhe për shkak të shumë gjërave të pa thëna e që do të duhet të ndriçohen, bëhet shumë e qartë se terrorizmi në emër të Islamit është i papranueshëm dhe i pamundur. Islami synon që jetën e njeriut ta bëjë më të lehtë e më të bukur. Por, jeta e myslimanit sot nuk është as shumë e bukur e as shumë e lehtë.
Nuk është as lehtë e as bukur të jetosh me ndjenjën se të tjerët frikësohen nga ti duke të shikuar si një “aktivizues potencial i detonuesit”. Ai konstatimi idiotik se “ të gjithë myslimanët nuk janë terroristë, por të gjithë terroristët janë myslimanë”, në mënyrën më të dhembshme e pasqyron peshën të cilën po e bartin sot pa të drejtë pjesëtarët e islamit anekënd botës.
Çdo mysliman nuk është terrorist dhe çdo terrorist nuk është mysliman. Kujtoni Karlosin, Bader & Majnhof, Brigadat e Kuqe dhe Tupamarosët, Tigrat Tamilë dhe Sikët, Celulat Maoiste nëpër Indi si dhe organizatat e përmendura më sipër.
H. Sulejman Rexhepi