Avionët dhe çudirat e teknologjisë

 

Në vitin 2050 do të udhëtojnë me avionë që do të bëhen transparentë gjatë fluturimit, për të admiruar nga lart qytetet e shndritshme dhe qiellin e yjëzuar.

Sot, të fluturosh me një avion është diçka e zakonshme, nesër do të shndërrohet në një eksperiencë.

Në vitin 2050 ne (ose fëmijët tanë) do të udhëtojmë me avionë që do të bëhen transparentë gjatë fluturimit, për të admiruar nga lart qytetet e shndritshme dhe qiellin e yjëzuar; po ashtu këta avionë do të reagojnë si qenie njerëzore ndaj çdo agjenti të jashtëm: do ta ndiejnë prej një distance të largët zbrazëtirat e ajrit dhe turbulencat, do të thithin dhe riciklojnë nxehtësinë e njerëzve, do të kenë një strukturë të aftë për të “shëruar” vetë çdo shenjë ose “plagë” si trupi ynë.

Mos vallë kjo është fantashkenca e regjisorit Stanley Kubrick? Jo është ngjarje tepër e vërtetë. Për këtë projekt po mendojnë mendjet e ndritura të industrisë “Airbus”, gjiganti europian që drejtohet nga gjermanët, britanikët dhe francezët. Avioni do të quhet “Concept Plane”. Do të jetë njësoj si një kandil deti që “Airbus” ka vendosur të krijojë. Në fakt, ky projekt është si një revolucion konceptual, por që do të bëhet duke fluturuar. Po të krahasohet me avionët e sotëm, amerikanët “Boeing 707”, britanikët “Comet”, rusët “Tupolev 104”, nuk kanë asgjë të përbashkët. Qëllimi i pronarëve është që të kënaqin pasagjerët. Është parashikuar që ndërsa do të jeni duke fluturuar papritur të bëhet transparent brenda: impulset elektronike do të eliminojnë dukshmërinë e trupit të tij. Gjithçka do të jetë e ndërtuar me qeramika speciale hiper-rezistente. Në këtë mënyrë pasagjerët do të shohin çdo yll dhe dritë të metropoleve të mëdha. “Për udhëtarët, kjo do të shndërrohet në një eksperiencë të re”, thotë me entuziazëm Alex Krein, numri një i kërkimeve shkencore të “Airbus”. Por kjo nuk është e gjitha. Mbi sipërfaqen e avionit do të jenë të vendosur sensorë, gjë që do t’i lejojnë atij që të ndiejë çdo lloj gërvishtjeje në trup dhe strukturë, e të vetëriparohet me mikro-spërkatjen e disa lëndëve të veçanta.

“Nanoteknologjia” bën të mundur edhe një pastrim automatik të sediljeve dhe kabinave pas çdo fluturimi, pa ndihmën e personelit dhe materialeve spërkatëse tipike të pastrimeve në tokë. E gjithnjë sensorë tepër të fuqishëm do t’i lejojnë “Airbus”-it të së ardhmes të ndiejë turbulencat dhe zbrazëtitë e ajrit e t’i shmangë ato, ose t’ua bëjë sa më të rehatshëm udhëtimin pasagjerëve. Brenda pastaj, do të jetë një tjetër mrekulli: pasagjerët e shtresës së lartë mund ta shndërrojnë kabinën e tyre në mënyrë virtuale në zyrë, dhomë gjumi ose kuzhinë.

“Concept Plane” do të mund të mbajë deri në 300 pasagjerë dhe do të harxhojë më pak karburant sesa paraardhësit e tij: trupin dhe krahët do t’i ketë të ndërtuara prej të njëjtit material, motorët do t’i ketë gjysmë të fshehur në trup. “Të mendosh për ‘Concept Plane’ është një mënyrë për të shtyrë më tej ëndrrat, si të inxhinierëve ashtu edhe të pasagjerëve të sotëm dhe të nesërm”, shpjegon Charles Champion, zëvendëspresidenti i “Airbus”.

Studimet e gjigantit europian flasin qartë: publiku dëshiron aeroporte komode, udhëtime me kosto të ulët dhe pastërti. Ajo që vlen më shumë është komforti dhe eksperienca e re. Në fund, avioni i së ardhmes do të “thithë” nxehtësinë e pasagjerëve për ta ruajtur dhe ricikluar, duke kursyer kështu një energji tjetër.

Për momentin pasagjerët kërkojnë siguri gjatë fluturimit, të mos qëndrojnë gjithë kohës me gjak të ngrirë. Avioni i projektuar nga “Airbus” është fantashkencë. Për momentin do të mjaftonte shumë pak për atë arritur komfortin maksimal. Projekti në fjalë është magjepsës dhe me shumë gjasa udhëtarët nuk do të tërhiqeshin nga këto risi teknologjike, por për momentin një rëndësi të veçantë ka edhe pagesa për një udhëtim. Gjatë viteve të fundit transporti ajror është bërë mjaft popullor falë çmimeve që mund të përballohen, dhe nuk do të ishte mirë që ky avion të konsiderohej ëndërr për një kategori njerëzish.