Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më /16/10/2015
Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati,
Tema:Hixhreti i Pejgamberit, mësime dhe këshilla ( pjesa e parë)
Para katërmbëdhjetë shekuj, kur tokën kishte ndriçuar drita Hyjnore me ardhjen e Pejgamberit, ndodhi një ngjarje madhështore. Ishte ngjarja e Hixhretit, shpërnguljes së Pejgamberit prej Meke, vendi i lindjes së Pejgamberit, vendi më i dashur për Pejgamberin deri në Medine. Ngjarja e Hixhretit ishte një kthesë vendimtare në historinë e Pejgamberit. Kjo ngjarje është e mbushur me mësime dhe shembuj të cilat neve na forcojnë në tejkalimin e sfidave të jetës. Myslimani kur lexon ndonjë ngjarje, e sidomos ngjarjet madhështore duhet të ndalet dhe të meditoj në. Të nxjerr mësimet dhe dobitë e asaj ngjarje.
Para se të nxjerrim mësimet dhe dobitë nga kjo ngjarje madhështore do të ndalemi pak në historikun e kësaj ngjarje, ndodhinë e saj në mënyrë kronologjike.
I Dërguari i Allahut qëndroi në Meke trembëdhjetë vite duke thirrur njerëzit në besimin e pastër në Allahun. Gjithë këto vite i kaloi në tortura, në sprova dhe vështirësi. Pas këtyre torturave dhe pamundësisë që i Dërguari i Allahut të kryej misionin e tij, një natë prej netëve i Dërguari i Allahut sheh në ëndërr vendin ku ai do të shpërngulet me shokët e tij një vend me drunj hurme , një vend të bukur. Kurjeshitët filluan ta ndiejnë rrezikun nëse i Dërguari i Allahut ju shpëton nga dora e tyre dhe shpërngulet në Medine. Shpejtë organizuan një mbledhje që një herë e përgjithmonë të qërojnë hesapet me Pejgamberin , para se të bëhet vonë. Iblisi prezanton në këtë mbledhje sekrete, në pamjen e një plaku nga Nexhdi. U parashtruan shumë nga mendimet e atyre që ishin prezent. Disa prej tyre thanë ta burgosin Pejgamberin deri sa të vdesë. Të tjerët mendoni që ta largojnë nga vendi i tyre. Pasi që këto dy mendime u refuzuan nga ky parlament, atëherë u ngritë Ebu Xhehli, Faraoni i këtij populli dhe shpalosi një mendim të tretë, i cili iu pëlqeu të gjithëve. Ideja e tij ishte që prej çdo fisi të marrin një të ri dhe çdo njërit prej tyre të ju jepet një armë dhe të gjithë së bashku ta goditin Muhamedin me një goditje dhe ta mbysin. Kështu gjaku i tij do të përhapet në të gjitha fiset dhe fisi i Muhamedit nuk do të ketë mundësi të marr gjak prej çdo fisi. Të gjithëve ju pëlqeu një mendim i tillë, gjersa edhe shejtani i cili ishte prezent në këtë tubim nuk dinte të sjell ndonjë mendim më të mirë se Ebu Xhehli dhe e përkrahu mendimin e tij. Allahu përshkruan këtë moment në Kuran , ku thotë: Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të burgosur, vrarë ose dëbuar. Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë. ( Enfal 30).
Zbret Xhibrili dhe e njofton Pejgamberin për një komplot të tillë dhe i thotë që mos të flejë në këtë natë në shtëpinë e tij. I Dërguari i Allahut shkoi te Ebu Bekri, shoku i tij më i ngushtë dhe i tregoi se Allahu e ka porositë që të merr rrugën e shpërnguljes. Ebu Bekri kërkoi nga Pejgamberi që të jetë shoqërues i tij në këtë udhëtim kaq të rëndësishëm. Në mbrëmje i Dërguari i Allahut urdhëroi Aliun që të flejë në shtratin e tij, ndërsa ai doli nga dera, të cilën e kishin rrethuar jo besimtarët. Askush prej tyre nuk e hetoi daljen e Pejgamberit. Allahu në sytë e tyre vendosi perde dhe i Dërguari i Allahut mori dhe nga toka dhe vendosi në kokat e tyre dhe vazhdoi rrugën nën kujdesin e Allahut. Në mëngjes jobesimtarët u vërsulën në shtratin e Pejgamberit për ta mbyt Pejgamberin por kur hoqën mbulesën pan se aty nuk ishte Pejgamberi por djali i axhës së tij Aliu. Kurjeshitët sa u çmendën për lajmin e ikjes së Pejgamberit dhe vendosën kontroll të rreptë në çdo dalje dhe hyrje të Mekës. Po ashtu publikuan edhe shpërblimin për atë i cili sjell Pejgamberin dhe shokun e tij të gjallë apo të vdekur. Një grup i jobesimtarëve filluan në ndjekjen e Pejgamberit dhe zbulimin e vendit të tij, ndërsa një grup tjetër shkoi te familja e Ebu Bekrit , trokitën në derën e familjes së Ebu Bekrit, doli vajza e tij Esma dhe e pyetën ku është babai i juaj? I tha nuk e di. Atëherë Ebu Xhehli me dorën e tij të rëndë i ra shuplak vajzës sa e shtriu për toke dhe ia këputi vathin nga veshi. Ebu Bekri doli me tërë pasurinë e tij që ta shoqëroi Pejgamberin. Kur Ebu Bekri doli nga shtëpia e tij, Ebu Kuhafe babai i Ebu Bekrit të cilin e kishin lënë sytë hyri te nipat dhe mbesat e tij dhe iu tha po frikohem për ju sepse babai i juaj nuk la asgjë për ju. Atëherë Esma, Bija e Ebu Bekrit i tha gjyshit të saj jo o gjyshi im, babai ka lënë shumë prej pasurisë së tij për ne.
Vajza mori disa gur, i tuboi, mbi ta vendosi një rrobë dhe i tha gjyshit kjo është pasuria që ka lënë prindi për ne. Mori dorën e gjyshit të tij dhe e afroi që ti prek me dorën e tij këta gurë të mbuluar me rrobë. Atëherë gjyshi tha nëse ka lënë pasuri sa kjo atëherë do të ju mjaftoj.
I Dërguari i Allahut e dinte se Kurejshitët do të fillojnë kërkimin e tij nga ana veriore në drejtim të Medinës, atëherë i Dërguari i Allahut mori drejtimin tjetër nga ana jugore në drejtim të shpellës Thevr, në drejtim të Jemenit. Kur arritën te shpella, Ebu Bekri hyri i pari në shpellë që të siguroj vendin për Pejgamberin dhe të shoh nëse ka diçka prej egërsirave. Vrimat e shpellës i mbyllte me rrobat e tij. Pasi që mbetën edhe dy vrima që nuk pat me çka ti mbyll atëherë vendosi këmbët e tij që ti mbyll edhe këto vrima. Pastaj hyri Pejgamberi në shpellë dhe u shtri për të pushu në prehrin e Ebu Bekrit. Sa ishte duke pushuar Pejgamberi në prehrin e Ebu Bekrit, Ebu Bekrin e kafshoi një akrep në këmbën e tij. Kishte dhembje të madhe por i duroi dhe nuk lëvizi, nga frika se mos po shqetësohet Pejgamberin. Por, lotët e tij që dolën nga dhimbja, ranë në fytyrën e Pejgamberit. Pejgamberit i doli gjumi dhe e pa se shoku i tij ishte sulmuar nga akrepi, i lexoi diçka nga lutjet dhe u shërua.
Abdullahu i biri i Ebu Bekrit ishte një djalosh i mençur dhe mendjemprehtë. Gjatë tërë ditën rrinte me Kurejshitët, dëgjonte lajmet e tyre dhe intrigat që planifikonin për Pejgamberin dhe babin e tij. Ndërsa, kur binte terri shkonte në shpellë dhe njoftonte Pejgamberin dhe babin e tij për planet e armiqve të tyre. Ndërsa Aisha dhe Esma dy bijat e Ebu Bekrit përgatitnin ushqim dhe i dërgonin Pejgamberit dhe shokut të tij. Gjithashtu bariu i kafshëve të Ebu Bekrit i dërgonte delet kah shpella që të pinë qumësht Pejgamberi dhe shoku i tij dhe ti shlyej gjurmët e Abdullahit i cili dërgonte lajmet e kurjeshitëve deri te Pejgamberi. Kur Pejgamberi vendosi të dal nga shpella për të u nisur në Medine, pagoi një njeri që t’ia tregoj rrugën më të shkurtë dhe më të sigurt që të shpie në Medine.
Kurjejshitët shpallën gjendje të jashtëzakonshme dhe pasi që njerëzit dëgjuan për shpërblimin e madh që kishin afruar për atë i cili e sjell Pejgamberin të gjallë apo të vdekur, të gjithë filluan ta kërkonin Pejgamberin në çdo cep. Gjersa disa prej tyre arritën në shpellën në të cilën ishte fshehur Pejgamberi. U ngjitën në kodër, gjersa arritën te dera e shpellës. Kur i pa Ebu Bekri nga frika që kishte për Pejgamberin i tha o i Dërguari i Allahut! Sikur të shikonte dikush te këmbët e tij do të na shohin. I Dërguari i Allahut filloi ta qetësoj shokun e tij duke i thënë: “ O Ebu Bekr çka mendon për dy persona e që Allahu është i treti me ta”. Allahu përshkruan këtë moment në Kuran: Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” ( tevbe 40).
I Dërguari i Allahut qëndroi edhe tre ditë në shpellë dhe kur e vërejti se po vazhdojnë në kërkimin e tij dhe shokut të tij, doli nga shpella dhe vazhdoi rrugën në drejtim të Medinës. Gjatë rrugës kur kaloi pran një fisit e hetuan që është Pejgamberi me shokun e tij. Atëherë në këtë mexhlis ishte edhe Suraka b. Malik, i cili kishte dëshirë që të jetë fituesi i çmimit për kapjen e Pejgamberit. U nisë pas Pejgamberit që ti ndjek. Sa më shumë që afrohej afër Pejgamberit dëgjonte zërin e Pejgamberit duke lexuar Kuran dhe nuk kthehej mbrapa. U kthye Ebu Bekri dhe kur pa Surakën u frikua, ndërsa Pejgamberi nuk kthehej as të shikonte. Kur Suraka iu afrua Pejgamberit filluan të shafitin këmbët e kalit të Surakës në tokë. Kur e pa se po fundoset në tokë, atëherë kërkoi nga Pejgamberi siguri dhe shpëtim. I Dërguari i Allahut i garantoi shpëtimin me kusht që të kthehet mos ta ndjek Pejgamberin dhe ti kthej të gjithë ata që janë nisur në këtë drejtim në kërkimin e Pejgamberit.
Kështu i Dërguari i Allahut arriti në Medine, dolën Ensarët ( vendasit e Medinës ) dhe e pritën Pejgamberin me një pritje madhështore, të gëzuar për mysafirin e tyre, duke falënderuar Allahun që shpëtoi Pejgamberin e tyre nga intrigat dhe komplotet e jo besimtarëve.