Sami Frashëri thoshte se bilbilin e mbajnë në kafaz për zërin e bukur që ka, filin e vrasin për dhëmbët e eshtrat e tij qelibar, ndërsa e mbajnë në burg njeriun për mençurinë dhe mendjen e shpirtin e tij të ndritur.
Të ditur e të ndritur janë burrat nga lista e mëposhtme. Këta askujt asnjëherë nuk i kanë bërë asnjë të keqe. Megjithatë regjimi dhe qeveria marionetë e Kosovës këta i ka ndryrë në burg!
Shteti në të gjitha linjat e tij i dështuar i Kosovës, pasi me vite të tëra toleroi dhe për më tepër edhe inkurajoi dhe investoi në terrorizmin verbal kundër ylemasë kosovare, tash e gjeti rastin, më mirë të thuhet e mori sinjalin që të vërsulet brutalisht kundër prijësve të xhamive më të mëdha të vendit. Arbitraritet e dhunë të këtillë nuk mban mend historia e Kosovës as ajo shqiptare.
Dua të solidarizohem me këta burra.
Personalisht nuk njoh asnjërin prej tyre. Nuk jam falur në asnjërën nga xhamitë e tyre.
Solidariteti im me këta dijetarë nuk është i karakterit fetar.
Është ndërgjegjja ime që më thotë se këta po ndiqen e po persekutohen për gjerat që janë në pajtim absolut me kushtetutën, ligjet kombëtare dhe me kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Kushtetuta, ligjet, konventat ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, për lirinë e besimit, për të drejtën e shfaqjes lirisht të opinioneve, me burgosjen e kësaj ylemaje, janë shkelur barbarisht e arbitrarisht si nga prokuroria poashtu edhe nga gjyqësia e Kosovës, të cilat, tashmë dihet botërisht se veprojnë të teledirigjuara.
Këto shkelje do të kenë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin ashtu e kështu të luhatur të Republikës, të cilën e gangrenizon me vite të tëra korrupsioni e vjedhjet nga personat e niveleve më të larta të të gjitha pushteteve.
Besoj në pafajësinë e këtyre burrave. E mbroj të drejtën e tyre për liri dhe bëj thirrje të zëshme që sa më parê t’u rikthehet ajo.
Njësoj besoj se qeveria në ikje (bashkë me korin e kukuvajkave mediatike), me këto burgosje të palejueshme e të pajustifikueshme, kanë bërë shkeljen më të rëndë të mundshme të drejtave dhe lirive të njeriut bashkë me vetë ligjet e Kushtetutën.
Shefqet Krasniqin, Bedri Robajn, Idriz Bilibanin, Enes Gogën, Mazllam Mazllamin, Ekrem Avdiun, Enis Ramën, Fuad Ramiqin, Alban Malsiun, Dardan Gjukën, Eroll Nesimin, Leonard Rulin, Sabahudin Selimin dhe Trim Ademin i konsideroj të burgosurit e vetëm të ndërgjegjes në Evropë.
Salih Kabashi