Pyetja:
Es-selamu aljekum ue rahmetullah ue berekatuhu!
Vëllezër besimtarë, unë kam një pyetje.
Sipas Kuranit, na mësohet se mashkulli dhe femra e parë ishin Ademi a.s. dhe Hava. Ky çift lindi dy djem (Habilin dhe Kabilin), që kryen vëllavrasje dhe mbeti vetëm Kabili.
Pyetja është: Si erdhi njeriu deri më sot në bazë të ideologjisë fetare? Si u shumua? A jemi ne pjellë e incestit?
Edhe pse lexoj shumë literaturë fetare, nuk kam mundur të gjej përgjigje për këtë kurrë.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Është e vërtetë se në mësimet islame vërtetohet ajo që keni përmendur ju në lidhje me mënyrën e krijimit dhe shumimit të njerëzimit, gjithashtu kjo shpjegohet njësoj edhe në mësimet e krishtera dhe hebraike.
Ndërsa për ta kuptuar drejt përgjigjen ndaj preokupimit tuaj, fillimisht ju themi se prej fillimit të krijimit të njerëzimit deri më tani kemi me qindra mijëra vite të kaluara dhe gjatë këtyre kohëve kemi ndryshime në ligjet dhe dispozitat të cilat Allahu i ka zbritur njerëzimit. Për këtë, Allahu i Lartmadhëruar, kohë pas kohe ka zbritur libra, ka dërguar Pejgamberë, që t’u zbriten atyre ligje e dispozita me të cilat do të punojnë njerëzit e një kohe të caktuar, që më pastaj të anulohen ato ligje me shpallje të re. Kjo vazhdoi kështu me të gjithë të Dërguarit derisa erdhi Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, si i Dërguar i cili solli shpalljen e fundit, me ligjet e të cilit u obliguan të punojnë tërë njerëzimi deri në Ditën e Gjykimit.
Për ta kuptuar më qartë këtë, do të marrim shembullin se si në jurisprudencën e Isait alejhi selam dita e shtunë ishte e shenjtë dhe ishte e ndaluar që njerëzit të punonin në këtë ditë. Me ardhjen e Muhamedit salallahu alejhi ve selem u anulua kjo ndalesë. Allahu i Lartësuar i mallkoi ata hebrenj që thyen shenjtërinë e të shtunës dhe punuan. Ai në Kuran thotë: “O ju, të cilëve ju është dhënë Libri! Besoni atë që kemi zbritur si vërtetues të asaj që keni në duar para se t’jua fshijmë fytyrat e t’jua kthejmë prapa ose t’ju mallkojmë ashtu siç i mallkuam shkelësit e të shtunës.” (Nisa 47). Ndërsa në jurisprudencën islame nuk është e ndaluar që të punohet të shtunave dhe kjo ndalesë kishte të bënte më ligjet të cilat Allahu i Lartmadhëruar ua zbriti hebrenjve para ardhjes së Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Me fjalë të tjera, kjo ndalesë është anuluar me zbritjen e Kuranit. Shembuj të këtij lloji kemi shumë, por për shkak të kohës nuk do të përmendim të tjera.
Gjithashtu edhe ndalesa e martesës së të afërmve në fillim nuk ishte e pranishme për shkak se po të ndalohej që atëherë, do të pamundësohej shumimi dhe zhvillimi i llojit njerëzor. Madje vërtetohet se Havaja, gruaja e Ademit alejhi selam ishte krijuar nga vetë Ademi, njeriu i parë dhe nga ata dy filloi shumimi i njerëzimit. Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (Nisa, 1)
Pra, ishte domosdoshmëri që të jetë e lejuar kjo formë e martesës mes fëmijëve të Ademit aljehi selam atëherë, që të mund të vazhdonte shumimi i njerëzimit. Por edhe kjo martesë në atë kohë kishte rregulla. Vërtetohet në disa transmetime se fëmijët që i lindnin Ademit ishin binjakë, një mashkull dhe një femër. Në ligjet e atëhershme të zbritura nga Allahu, ishte e paraparë që binjakët të mos martohen mes tyre, por mashkulli të martohet me femër tjetër e cila ka lindur më herët apo me vonë dhe që nuk është binjak me të. Prandaj edhe këtu ndodh konflikti mes Kabilit dhe Habilit. Me Habilin lindi Demimja, kurse me Kabilin lindi Vedia dhe sipas sheriatit (ligjit) të atëhershëm, Habili duhej të martohej me vajzën që kishte lindur së bashku me Kabilin, por Kabili kundërshtoi, sepse vajza që kishte lindur me të ishte më e bukur dhe thoshte se ai kishte përparësi që të martohej me të pasi ishte edhe më i madh. Ky mospajtim ishte shkaku i armiqësisë së dy vëllezërve dhe për këtë Kabili vendosi ta vriste vëllanë e tij Habilin. Allahu e di më së miri!/klubikulturor
Hoxhë Alaudin Abazi