Në vargun e ligjëratave private që disa student mbajmë me shejhun e nderuar prof. Dr. Lutfullah hoxheh, tash e tutje kemi filluar me librin ez-zuhd të Imam Veki’ ibën el Xherrah i vdekur në vitin 197 sipas hixhretit.
Në dersin e parë shejhu foli rreth kuptimit të drejtë të zuhdit, e që unë do t’i permend disa dobi dhe sqarime nga ky ders, ndër to:
1. Zuhdi është definuar me shumë definime, por nga definimet më kryesore janë këto dyja, e që të dyja janë transmetuar nga Imam Ahmedi:
– “Të kesh dynjanë në dorë e jo në zemër”
– “Të mos gëzohesh nëse të shtohet pasuria dhe të mos mërzitesh nëse të pakësohet apo të humb”, por definimi më i drejt është ai i pari, kurse ky i dyti ka nevojë për sqarim.
2. Është pyetur Imam Ahmedi, a mund të jetë njeriu zahid nëse është i pasur dhe posedon njëqind mijë dinar? Ka thënë: po, por me kusht, nëse nuk mërzitet nëse ndodh t’i pakësohet.
Siç thamë lartë, ky definim ka nevojë për sqarim, dhe ai është:
Nga natyrshmëria që Allahu ka krijuar gjithë njerëzit është se ata gëzohen me shtimin e pasurisë dhe merziten me pakësimin e saj, andaj nuk është e drejt të luftohet kjo natyrshmëri me të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit.
Por, kuptimi i drejt i fjalëve të imamit është që të thuhet:
Nëse shtimi i pasurisë e bën atë të harrojë veten, të dal nga kufijtë e normales për shkak gëzimit të pakontrolluar, atëherë në këtë rast ka dalur nga zuhdi. Ose nëse mërzitet aq shumë kur i humb apo i pakësohet pasuria saqë nuk din ta kontrollojë veten në sjelljet e tij me familje apo me shoqëri, atëherë ka dalur nga zuhdi.
Pra, për të kuptuar këtë definicion si duhet, e themi këtë rregull:
“Gezimi me shtimin e pasurisë dhe mërzitja me pakësimin e saj nuk është i ndaluar në vetveten e saj dhe nuk të largon nga zuhdi, por ajo që të largon nga zuhdi në këtë rast është nëse ky gëzim apo kjo mërzitje sjell gjëra tjera negative, pra lë pasoja negative”.
3. Zuhdi më së miri arrihet përmes dy gjërave kryesore:
– shpresa e shkurtë për këtë dynja
– mbushja e zemrës me Allahun, saqë nuk e mbush shpirtin dhe zemrën e tij asgjë tjetër pos dhikri dhe lidhja me Allahun.
4. Zuhdi nuk është dije që mësohet dhe futet në praktikë përnjëherë, ai është luftim i vazhdueshëm me epshin (el muxhahede) derisa të arrish ta dominosh atë, e nëse ai dominohet, është leht të drejtohet!
5. Ai që ka lidhur zemrën e Tij me Allahun me lidhje të fortë, nuk ka vend në zemrën e tij për gjëra të ulëta nga kjo botë, çfarëdo qofshin ato,sepse ajo është e mbushur me gjëra madhore.
6. Nuk është kuptim i drejt i zuhdit siç veprojnë disa grupacione, duke u larguar nga të mirat e dynjasë që ua ka dhënë Allahu, apo duke u shfaqur të mjerë në veshjet e tyre e në sjelljet e tyre, madje kjo gjë është përbuzje dhe përçmim i vetes, kurse muslimani nuk guxon të jetë kështu.
7. Njashtu nuk është nga zuhdi ikja nga dynjaja, lërja e punës dhe kërkimit te rrizkut, madje kjo gjë është e ndaluar. Shumë prej pejgamberëve të Allahut kan punuar me duart e tyre punë të ndryshme, ashtu siç edhe Pejgamberi ynë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka lavdëruar atë që ushqehet nga puna e duarve të tij.
8. Allahu i lartësuar në suren Nur ajeti 37, i ka lavdëruar disa burra duke thënë se ata nuk i pengon tregtia e as shitblerja nga dhikri, falja e namazit, dhënia e zeqatit.
Pra, ata janë lavdëruar nga Allahu edhe pse kanë punuar me tregti dhe shitblerje, ngase kjo pasuri nuk ua ka kapluar zemrat.
Pra, puna, tregtia etj, nuk të largojnë nga zuhdi nëse nuk ta marrin zemrën.
9. Po ashtu Allahu i lartësuar i ka lavdëruar ata musliman që japin pasurinë e tyre për hir të Allahut, e si ka mundësi të arrihet kjo pasuri pa mundi dhe punë?!
10. Zuhdi është pasuri e shpirtit, andaj zahidi jo vetëm që arrin dashurinë e Allahut por arrin edhe dashurinë e njerëzve dhe largon zënkat dhe problemet nga ai, ngase problemet tek njerëzit zakonisht ndodhin për shkak lakmisë dhe interesit, e veçanërisht në pasuri.
Vazhdojmë tutje në javën e ardhshme, nese don Allahu i lartësuar.
Xheladin LEKA
Mekë, Arabi Saudite.