Feja Islame e cila u shpall para 1400 viteve përmes pejgamberit Muhammed a.s., i nxit besimtaret në kërkimin e diturisë, si dhe e urren paditurin dhe injorancën.
Zoti xh.sh. përmes Kuranit ju bënë thirrje besimtarëve në kërkimin e diturisë, e atë jo vetëm një herë po më dhjetëra herë, ku në disa raste në formë këshille, nxitje, apo edhe në formën urdhërore. Gjithashtu Zoti xh.sh. e ngre lartë pozitën e dijetarit, bile edhe më pozitë edhe më të lartë se të atij muslimani që lufton në rrugën e Tij. Edhe Muhammedi a.s. ju bënë thirrje muslimaneve që ti përkushtohen kërkimit të diturisë. Këtë e vërtetojnë më dhjetëra hadithe ku i Dërguari a.s. herë i nxitë, herë i urdhëron, dhe e herë i këshillon, në kërkimin e diturisë, mjafton ta cekim hadithin e të Dërguarit a.s. ku thotë: “Kërkoni diturinë nga djepi deri në varr”.
Siç do të shohim edhe më poshtë, Zoti xh.sh. në Kuran, si dhe Muhammedi a.s. në hadithet e tij, ju kanë tregu muslimaneve për vlerën e diturisë që ka për besimtarin në veçanti dhe besimtaret në përgjithësi.
Të nxitur nga Kurani, si dhe hadithet, shumë musliman ju përkushtuan arritjes së diturisë, d.m.th. filluan të merren më shkencë. Këta nuk studiuan vetëm shkencën islame, por edhe shkencat natyrore si dhe ato humane – shoqërore. Rezultat e këtyre muslimanëve nuk munguan, arritjet e tyre shkencore kontribuuan në zhvillimin e shkencës moderne. Sot janë të njohur me qindra musliman që ndihmuan zhvillimin e shkencës. Më zbulimet e këtyre muslimanëve, janë vu edhe themelet e disa shkencave, siç është ajo e algjebrës.
Në këtë punim jemi mundur që ta trajtojmë rolin dhe nxitjen e diturisë, si dhe marrjen më hulumtime shkencore sipas fesë Islame.
Vlera e diturisë në Islam
Islami i kushton rëndësi të veçantë diturisë, meqë është bazë për përparimin e njerëzve në këtë botë dhe në botën tjetër. Vetë fakti se fjala e parë e shpallur ishte “lexo”, tregon për vlerën dhe nivelin në të cilin e ngre Islami diturinë. Në Kuran fjala dituri përmendet në 660 vende. Vlera e diturisë peshohet me vlerën e adhurimeve që bëjmë ndaj Allahut të Madhërishëm. Nuk ka asnjë adhurim në Islam i cili nuk realizohet pa dituri dhe të gjitha adhurimet që bëhen pa dituri, në fakt janë të destinuara që të shkatërrojnë jetën tonë dhe në këtë mënyrë të cenojnë integritetin e zemrës sonë.[1]
Pejgamberit që s’dinte shkrim – lexim i zbret shpallja e parë në shpellën Hira, gjë që është lidhje e tokës me qiellin dhe natyrisht në rend të parë edhe lidhje e qiellit me tokën, pas një periudhe e cila zgjati dhe qëndroi gjashtë shekuj (Ajo është periudha ndërmjet Pejgamberisë së Isait a.s. dhe Muhammedit a.s.). Shpallja nuk fillon me urdhrin e adhurimit, njohjen e Allahut të Madhërishëm dhe nënshtrimin atij, apo thirrjen në Allahu xh.sh., të cilat janë prej gjërave pozitive; apo braktisjen e idhujve dhe putave, vajtimin e xhahilijetit, dokeve dhe zakoneve të tij, të cilat janë prej gjërave negative, gjë që plotësisht do të ishte me vend, por shpallja fillon me fjalën “Lexo”.[2]
Njeriu nëpërmjet arsimit dhe shkencës e kupton qëllimin e krijimit të tij dhe e njeh vetveten,e kupton gjithësinë dhe e njeh Krijuesin e tij. Kjo ka qenë edhe arsyeja se Muhammedit a.s. ajetet e para i kanë zbritur për hulumtim, studim dhe shkencë, e jo në adhurim.[3]
“Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruaj me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte. (Alek 1)”
Kjo është jehona e parë e cila e lartëson vlerën e lapsit, e çmon vlerën e diturisë dhe i shpall luftë analfabetizmit negli – zhent. Allahu i Madhërishëm i lartësoi aq tepër gradat e dijetarëve, saqë i bashkëngjiti me Veten e Tij dhe melekët në dëshmi – min e Njëshmërisë së Tij dhe konfirmimin e drejtësisë së Tij:[4]
“Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është zbatues i drejtë-sisë. Nuk ka zot, përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit. (Ali Imran: 18)”
Ai i cili analizon ajetet e Kuranit kupton qartë se Islami e obligon muslimanin të studioj dhe ia obligon shkencën dhe arsimimin. Në personalitetin e muslimanit shkenca dhe arsimi janë dy pjesë të pandashme. Në islam feja është shkencë dhe dituri, dituria dhe shkenca janë fe, që do të thotë Islami bënë bashkimin e shkencës me fenë. Prej qëllimeve kryesore të islamit është edukimi dhe arsimimi i njeriut, me fjalë tjera kompletimin e njeriut në të gjitha aspektet si në aspektin truporë ashtu edhe në atë shpirtërorë pasi që dihet se njeriu udhëhiqet prej mendjes dhe zemrës e jo prej syrit dhe veshit.[5]
Në Islam shumë ajete Kuranore dhe thënie të Muhamedit a.s., tregojnë për vlerën që Islami i jep diturisë.
Ajetet të cilat flasin për vlerën e diturisë janë të shumtë po ne do i përmendim vetëm disa:
“Po, Allahut i kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët.”(Fatir 28)
“…Thuaj: ‘A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?’ Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.”(Zumer 9)
“A është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën. (Rad)”
Për sa u përket haditheve të cilat na tregojnë për vlerën e diturisë për muslimanet, ato të jenë të shumtë. Pejgamberi a.s. në disa hadithe ka thënë: “Vlera e diturisë është më e madhe se vlera e adhurimit.” (Transmeton Bezzari);
“Dituria e paktë është më e dobishme se adhurimi i shumtë.” (Transmeton Taberaniu);
“Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit, është si vlera ime ndaj njeriut më të ulët prej jush.” (Transmeton Tirmidhiu);
“Nëse ngrihesh në mëngjes dhe e mëson një ajet prej librit të Allahut, është më e dobishme për ty sesa të falesh njëqind rekate. Nëse ngrihesh në mëngjes dhe e mëson një çështje shkencore, pa marrë parasysh se a veprohet apo jo me të, është më e dobishme për ty sesa të falesh njëmijë rekate.” (Transmeton Ibën Maxhe).
“Kush i mëson dikujt dituri, ai do të marrë shpërblimin e atij që punon sipas saj duke mos i munguar aspak shpërblimi edhe atij që vepron sipas saj.” (Sehl ibn Muadhi transmeton nga Enesi, i cili transmeton nga babai i tij).
Siç shihet edhe më lartë Zoti xh.sh. e ka lavdëruar dijen dhe poseduesit e saj, gjithashtu i ka nxitur robët e Tij që të mësojnë. Po ashtu edhe në Sunetin e të Dërguarit të Allahut a.s. shohim se gjejmë nxitje në kërkimin e dijës.
Islami obligon në arritjen e diturisë
Mësimi dhe arsimi është baza dhe jeta e Islamit. Në historinë islame zënë vend qendror, sepse janë shtyllat themelore të kulturës e të civilizimit islam. Mësimi dhe arsimimi në Islam janë të përcaktuar me fjalën e Zotit xh.sh në Kuranin madhërishëm, me thëniet e Pejgamberit a.s. në hadithet, dhe janë të urdhëruara për të gjithë muslimanët “prej djepit deri në varr”.[6]
Natyra e Islamit ia imponon popullatës, e cila e ka përqafuar atë, që të jetë popull i arsimuar, popull në të cilën do të jetë e lartë përqindja e intelektualëve dhe do të ulet, apo do të zhduket krejtësisht, përqindja e analfabetëve.[7] Nëse njeriu dëshiron të arrijë imanin e rregullt, është i obliguar ta studioj shkencën.[8]
Feja islame qysh në fillim, të detyron të mësosh me shpalljen e parë: “Ikre’ bismi Rabbike… (Alek 1”) “Lexo, në emër të Zotit tënd… (Alek 1”). Më këtë dhe shumë ajete tjera Kurani udhëzon në udhëtime, hulumtime dhe kundrime të gjithësisë dhe të njeriut në gjithësi, në makro – e mikrokozmos në mënyrë që të zbulohet harmonia dhe ligjet e kësaj bote të krijuar dhe t’i hapë rrugën mendjes dhe zemrës së njeriut kah Krijuesi. Aty është, sipas fesë islame qëllimi i jetës dhe fatit në këtë botë kalimtare, si parakusht i lumturisë për në botën e amshueshme. Sipas disa muffesireve, feja Islame, është e vetmja nga fetë botërore e cila insiston në arritje të diturisë, duke përmendur në Kuran në më shumë se pesëqind vende “akl” – logjikë, kurse “kalb”zemër në katërqind vende. Ata e arsyetojnë këtë me faktin esencial se shpallja e më hershme u drejtohet fiseve të caktuara, kurse feja Islame si fe e fundit vjen në shekullin e shtatë kur logjika dhe provoja njerëzore kishte përparuar deri në atë masë sa që njerëzit të munden në të ardhmen ta zbulojnë vetë të vërtetën për Zotin xh.sh. me anë të njohjes së botës dhe përjetimit religjioz, pa shpallje të veçantë dhe pa mrekulli, të cilat më përpara i kanë përcjellur pejgamberet, që më lehtë t’i bindin popujt tek të cilit ishin dërguar.[9]
Sa i përket obligueshmërisë së të kërkuarit të diturisë, Pejgamberi a.s. shprehet: “Kërkimi i diturisë është farëz (obligim) për çdo myslimanin”. Obligimi i të cekurit në këtë hadith, përfshinë të gjithë muslimanët pa dallim, ngase obligimi është kolektivë. Për çdo musliman apo muslimane është detyrë të zotëroj dituri rreth obligimeve të domosdoshme – primare – që lidhet me jetën besimtare, me moralin dhe dispozitat themelore të jetesë. Në aspektin juridik islam, kjo dituri themelore përfshihet në kategorinë e “Farzit ajn”, gjë që do të thotë se kjo dituri është obligim i çdo individi besimtar. Njeriu vlerësohet si gjynahqar, kur nuk e zotëron këtë dituri themelore fetare – morale, apo është zotëruesi i saj por nuk e zbaton atë.[10]
Islami në mënyra të ndryshme i motivon kërkuesit e diturisë, njëra prej tyre është thënia e Pejgamberit a.s. ku thotë: “Kush merr rrugë për kërkim të dijes, Allahu ia lehtëson atij rrugën për në xhenet.” Nga hadithi kuptojmë se prej punëve më të virtytshmëve në islam është studimi, orvatja me kërkim të diturisë dhe kjo është njëra prej rrugëve që e shpie njeriun në xhenet.[11]
Edhe as’habët (shokët) e Pejgamberit a.s., edhe gjeneratat më pas, kanë qenë shumë të përpiktë në kërkimin e diturisë, sepse kërkimi i diturisë është obligim për çdonjërin, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman”; Omeri r.a. thotë: “O ju njerëz, e keni për borxh të kërkoni diturinë, ngase për Allahun është kostum i dashurisë. Ai që kërkon një derë të diturisë, Allahu do ta mbulojë me atë kostum të Tij”; Një njeri e kishte pyetur Ibn Abbasin për xhihadin. Ai iu ka përgjigjur: ”A nuk dëshiron të të tregoj ty diçka që është më e mirë se xhihadi? – ia ktheu ai dhe i tha: Mësyja një xhamie dhe aty mëso Kuranin, sunnetet e Pejgamberit a.s. dhe parimet e fesë”; Aliu r.a. thotë: “Dituria është më e mirë se pasuria, sepse pasurinë duhet ta ruash ti, ndërsa dituria të ruan ty; pasuria pakësohet me anë të dhënies, ndërsa dituria shtohet me anë të dhënies; dituria është gjykues, ndërsa pasuria e gjykuar; grumbulluesit e pasurisë kanë vdekur, edhe pse janë të gjallë, ndërsa dijetarët janë të gjallë sa të këtë jetë mbi tokë; trupat e tyre janë të humbur, ndërsa gjurmët e tyre në zemrat e njerëzve ekzistojnë”; Ebu Hurejre, radijallahu anhu, rrëfen se Pejgamberi a.s. ka thënë:”Kur të vdesë biri i Ademit, i ndërpriten të gjitha veprat, me përjashtim të trijave: Lëmosha në vijim, dituria që është e dobishme ose fëmija i mirë, i cili do të lutet për të”; El-Gazaliu ka thënë: “Përveç dijetarëve, të tjerët nuk llogariten njerëz, sepse veçoria që i dallon nga shtazët është dituria. Njeriu është njeri për shkak të asaj që është me vlerë dhe fisnik, jo për shkak të fuqisë fizike, ngase deveja për nga aspekti fizik është më e fuqishme se njeriu, jo për shkak të ashtit, sepse elefanti është më i fortë, jo për shkak të trimërisë, sepse luani është më trim se njeriu, jo për shkak të ngrënies ngase demi e ka barkun më të gjerë, jo për shkak të marrëdhënieve intime, sepse harabelat e nivelit më të ulët janë më të fuqishëm në marrëdhënie intime prej tij. Njerëzit nuk janë të krijuar për diç tjetër përveç për dituri dhe shkencë”.[12]
Feja e nxit shkencën
Nuk njohim ndonjë fe prej feve, e as libër prej librave qiellor, e cila ka thirrur në përdorimin e logjikës dhe shfrytëzimin e saj në të menduar dhe konkludim, lidhjen e pasojave me shkaqet dhe rezultateve me premisat, vështrim dhe përkujtim, qortim të pasivizimit të aftësisë të cilën Allahu xh.sh. ia fali njeriut për të soditur atë që është rreth tij, shmangies nga dëshmitë e Allahut në persona dhe horizonte, vende dhe popuj, shembuj dhe leksione që kaluan në jetën e popujve dhe ajo që u pa prej rezultateve të veprave dhe moralit, në nivel të individëve, popujve, pushteteve dhe kombeve, ashtu siç veproi për këtë Kurani.[13]
Në Kuran vazhdimisht përsëritet thirrja e besimtarëve për të kërkuar dituri, e në të njëjtën kohë aty paraqiten një mori observimesh për shumë fenomene si p.sh. si qiejt, shiun, bimët, kafshët, lindja dhe perëndimi i Diellit, shenjat gjeografike, procesi i krijimit të njeriut, planetët, etj. Për t’i eksploruar këto duhet ti studiojmë! Në ajetet që vijojnë vërehet qartë rëndësia e kërkimit të diturisë dhe përdorimit të intelektit për të kuptuar shenjat – argumentet e Allahut xh.sh. në Tokë, kudo që janë ato. Sa u përket ajeteve kuranore të cilat na thërrasin që ta studiojmë hapësirën ku jetojmë si dhe hapësirën e gjithësisë, jenë të shumtë. Ne në këtë punim i kemi zgjedhur vetëm tre prej tyre. Zoti xh.sh. për këtë çështje në Kuran thotë:
“A nuk shikojnë ata me vëmendje nga qielli se si mbi ta e kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti? Edhe tokën se si e kemi shtrirë e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura. Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen. Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe me të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra që korren. Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të paluar njëri mbi tjetrin. (Kaf 6-10)”
“Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente. (Bekare 164)”
“A nuk i shikojnë devetë se si janë krijuar? Edhe qiellin se si është ngritur lart? Edhe malet se si janë vendosur? Edhe tokën se si është shtruar? (Gashijeh 17-20)”
Edhe pse Allahu xh.sh. u ka dhënë njerëzve atë që nuk ua ka dhënë krijesave tjera – logjikën dhe fuqinë e të menduarit, prapëseprapë kjo nuk mjafton që ai të njohë dispozitat e drejta të fesë Islame dhe të njoh këtë botë në të cilën jeton, as mundet me i gëzuar frytet dhe zbulimet shkencore. Prandaj Islami i urdhëron muslimanët që në emër të Allahut xh.sh. të studiojnë, të mësojnë dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha dituritë, pasiqë feja islame nuk bënë dallim në mes shkencës se është fetare apo jofetare.[14]
Islami urdhëron në një arsimim të përgjithshëm, të pa kufizuar dhe thotë: ”…Thuaj, a janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë.(Zumer, 9)”. Në këtë ajet, konkretisht me fjalën ilmun nënkuptohet shkenca në përgjithësi dhe nuk kufizohet vetëm në shkencat fetare, siç mendon dikush por qëllimi kryesor është për çdo dituri e cila e largon paditurinë, qoftë ajo të jetë dituri fetare apo për çështjet e kësaj bote. Për të vërtetuar se bëhet fjalë për shkencën në përgjithësi, mund të na shërbejë si shembull edhe hadithi i njohur i Pejgamberit a.s.:”lypnje diturinë bile edhe në Kinë”, – përpjekje që sot mund të korrespondojë me udhëtimin për në Hënë. Mbase në Kinë atëherë nuk ka pasur muslimanë, kuptohet qartë se me këtë Muhamedi a.s. ka pasur për qëllim diturinë (shkencën në përgjithësi). Kurani nxitë që të studiohet dhe të hulumtohet Toka dhe Gjithësia. Ai intelektin e njeriut e identifikon me aparatin për të menduar dhe studiuar, në realitet është pranim i arsyes dhe kërkesë që arsyeja të zhvillohet dhe të forcohet, sepse njeriu duke zhvilluar intelektin e vet do t’i njohë të vërtetat shkencore, më mirë do ta njohë Zotin xh.sh., dhe do të lirohet nga trillimet dhe përrallat. Në këtë mënyrë Islami u bë fe e logjikës, fe e arsyes, fe e shkencës, sepse Kurani për sa i përket diturisë në formë të imperativit, ka konstatuar se për lënien e shkencës pasdore do të ketë përgjegjësi edhe në botën tjetër dhe citon fjalët e atyre, të cilët intelektin e vet nuk e shfrytëzuan për të njohur të vërtetën dhe thotë: ”…sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit (Mulk, 10)”.[15]
Nga ajo që u tha më parë, del edhe një e vërtetë tjetër thelbësore: që feja Islame e shikon shkencën – dijen si një mjetë mik për njohën e botës materiale dhe shpirtërore, pa i ndarë njohuritë fetare nga të tjerat, pasi që shkencat shoqërore dhe ato natyrore përbejnë tërësinë, duke përfshirë edhe fenë edhe filozofinë, të cilat duhet të na shpijnë kah domethënia më e thellë e jetës dhe botës. Ajeti në të cilin thuhet se Allahu xh.sh. më së tepërmi i shfaqin respekt e drojë dijetarit, zbulon një realitet për shumë hulumtues të natyrës të cilët kanë qen edhe sot janë besimtarët më të mirë, ngase njohja e tyre me harmonin dhe ligjshmëritë e botës së pa fund i udhëzojnë kah Logjika Supreme e Përjetshme që krijon, drejton dhe shkatërron. Deklarata e drejtorit të përgjithshëm të UNESCO – s, zotëri M. Bov, se zhvillimi i shkencës moderne i ndihmon Islamizimit që afirmohet me të vërtetat, e gjithashtu i udhëzon muslimanët që të merren edhe më tepër me shkencë, e cila njeriun bashkëkohor e magjeps, e lë të mahnitur, por edhe i ndihmon të zbuloj rrugën ka Allahu xh.sh. krahas fisnikërimit të zemrës me jetën etike. “Ilm” është nga atributet e para të Zotit xh.sh. me anë të cilit besimtarët, duke arritur dije, i afrohen të gjithëdijshmit.[16]
Islami obligon edhe femrën në arritjen e diturisë
Në lidhje më të drejtën për arsimim, Kurani ka kërkuar nga njerëzit që të kërkojnë diturinë e që shumë ajete i referohen rëndësisë që ka dija, shkenca dhe kërkimi i diturisë në vazhdimësi. Për këtë kemi ajete të shumta por edhe hadithe që obligojnë kërkimin e diturisë. Islami e beri obligim kërkimin e diturisë për çdo musliman dhe muslimane dhe se në shoqërinë islame asnjëherë nuk mund të këtë ndalesë për marrjen e diturisë për asnjërën gjini.[17]
Kërkimi i dijes dhe arsimimit është një e drejtë që i Islami e miraton në mënyrë të njëjtë për burrat dhe për gratë, si në rastin e diturisë fetare ashtu edhe të asaj shekullare. Është i saktë identifikimi i arsimimit si një e drejtë si për burrat ashtu edhe për gratë, por në të vërtetë kjo është diçka më shumë se kaq: ajo është një kërkesë, madje një obligim, që gjen mbështetje në shprehjen e qartë të një hadithi që deklaron se: “kërkimi i dijes është një detyrë e çdo muslimani”. Në shprehjen “çdo musliman” përfshihen natyrisht edhe gratë. Një tjetër version i të njëjtit hadith vazhdon me fjalët “për burrat dhe gratë”. Bashkëshortja e Profetit a.s., Aishja, është njohur gjerësisht si një dijetare (shkollare) kryesore midis shokëve (sahabëve) të Profetit a.s. dhe shfaqet në mënyrë të dukshme në shkollarizëm për shkak të njohjes që kishte rreth Kuranit dhe Sunetit. Gjithashtu, Profeti a.s. punësoi një grua, Shifa el-Adavijeh, për t’i mësuar gruas tjetër të tij, Hafsa – së, shkrim e këndim. Ibn Hazmi ka vërejtur me të drejtë se Islami na ka obliguar me disa detyra fetare, të tilla si pesë faljet ditore, agjërimin, haxhin etj., të cilat e bëjnë të nevojshme njëfarë njohjeje rreth bazave të besimit. Si pasojë, pritet që çdokush të këtë një njohje bazë të hallallit dhe haramit. Në lidhje me këtë nuk ka asnjë dallim midis burrit dhe gruas, të cilët kanë të njëjtën të drejtë, madje janë të obliguar, që të kërkojnë dije.[18]
Muslimanët, që nga e kaluara e hershme, ishin të vëmendshëm në arsimimin e femrave, për faktin se ato janë edukatore në familje dhe shoqëri. Edhe në gjenerata të mëvonshme kërkimi i diturisë nga femrat muslimane ishte parim jetësor për t’u aftësuar dhe për të ngritur vetëdijen e tyre e të shoqërisë, kështu që, për hir të etjes së madhe për t’u pajisur me dije, pati prej tyre që kërkuan për dhuratë martese – mehër që burri i saj ta pajiste me dije nga ajo që dispononte ai, siç ishte rasti edhe me fekihen Fatime, bijën e dijetarit të mirënjohur të shkollës juridike hanefite – Alaudin es-Samerkandi, autori i librit “Tuhfetelfukaha”, të cilin e memorizoi e bija e tij, kurse Alaudin el Kasaniu përpiloi librin “Kitabul bedai’a”, qe ishte koment i tuhfes, e për ta shpërblyer mundin e tij, atë ia beri dhuratë martese me vajzën e tij, e të tjerët, lidhur më këtë, thanë: “E komentoi librin e tij – tuhfen dhe ia dha të bijën”.[19]
Muslimanet që i kontribuuan në zhvillimin e shkencës
Shkencëtarët musliman të cilët ishin nxitur nga mësimet Kuranore për të studiuar, hulumtuar, iu përkushtuan jo vetëm shkencës islame, por edhe shkencës në përgjithësi. Këta shkencëtarë bënë zbulime të rëndësishme si në fushat e shkencave natyrore ashtu edhe të atyre humane – shoqërore. Të arriturat e muslimanëve në këto fusha shkencore janë të pamohueshme.
Këta musliman i kushtuan vëmendje të madhe gjeografisë, astronomisë, mjekësisë, biologjisë, matematikës, fizikës, sociologjisë, farmacisë, filozofisë, etj. Kontributet e qindra personaliteteve muslimane që kontribuuan në zhvillimin e shkencës në përgjithësi, gjenden neper shumë publikime të njohura të historianëve perëndimore. Në pa mundësi për ti përmendur të gjithë këta shkencëtar, ne do i përmendim shkurtimisht vetëm disa prej tyre.
Në mes të emrave më të njohur musliman që kontribuuan në shkencë janë: Abu Musa Xhabir Ibn Haijan (vdiq 880 e.r.) – i njohur më emrin Geber, kontributi i tij më i madh ishte në fushën e kimisë, njihet edhe si babai i kimisë; Abdul Malik ibn Kureib el-Esmai (740 – 828 e.r.) – konsiderohet si shkencëtari i pare musliman i cili kontribuoi ne zoologji, botanike, dhe përkujdesjen e kafshëve; Muhamed Bin Musa Al-Khuarizmi (770 – 840 e.r.) – ishte një nga matematikanët më të mëdhenj e kohës së tij. Al-Khuarizmi ishte gjithashtu edhe astronom dhe gjeograf i njohur. Njihet si themeluesi i algjebrës. Emri algjebër rrjedh nga libri i tij i famshëm “Al-Xhabr ua-al-Mukabilah”; Jakub Ibn Ishak Al-Kindi (Alkindus) (800 – 873 e.r.) – ishte një filozof, astronom, fizikanë, matematikan, dhe gjeograf. Midis të tjerave ai ishte edhe një ekspert në muzikë; Ali Ibn Rabban El (Tabari) (838 – 870 e.r.) – u be i famshëm me trajtimin e tij mjekësor “Firdeus El-Hikmah”. Përveç njohurive në shkencat mjekësore ai gjithashtu ishte edhe filozof, matematikan dhe astronom; Thabit Ibn Kurrah (Thebit) (836 – 901 e.r.) – i njohur në botën perëndim me emrin Thebit, njihet për kontributin e tij ne mekanikë, astronomi, matematikë dhe gjeometri; Ebu Abullah El-Batani (858 – 929 e.r.) – është i njohur si astronomi më i madh gjatë kohës së tij, gjithashtu Thebeti është nga astronomët më të njohur në Mesjetës; Abd El-Rrahman El-Sufi (Azofi) (903 – 986 e.r.) – në botën perëndimore është i njohur si Azofi, kontribuoi në astronomi dhe ishte nder dy astronomët më të njohur gjatë mesjetës; Ebul Kasim Halaf ibn El-Abas El- Zahravi (Albukasis) (936 – 1013 e.r.) – shërbeu si fizikanë në oborrin mbretëror të mbretit El-Hakami II të Spanjës, gjithashtu ishte një kirurg i dalluar. Pacientët dhe studentët nga gjithë vendet e Evropës vinin tek ai për mjekim si dhe këshilla; Ebu El-Hasan Ali Ibn Muhammed Ibn Habib el-Mavardi (927 – 1058 e.r.) – ishte një nga mendimtarët më të njohur të shkencave politike në epokën e mesjetës. Ai ishte gjithashtu sociolog, jurist dhe muhadithin i madh; Ebu Raihan Muhamed el-Biruni (973 – 1048 e.r.) – ishte një astronom, matematikan, fizikanë, gjeografë, gjeologë dhe historian i shquar; Ebu Ali el-Husein ibn Abdullah ibn Sina (981 – 1037 e.r.) – është i njohur në filozofi, enciklopedi, matematik dhe astronomi, ku ishte astronomi më më famë gjatë kohës së tij. Kontributi kryesor i tij ishte në shkencën e mjekësisë. Në botën perëndimore ishte i njohur me emrin Avicena; Omar Al-Khajami (1044 – 1123 e.r.) – ishte i njohur si matematikan dhe astronom i shquar. Gjithashtu u njoh edhe si poet, filozof dhe fizikanë; Abu Maruan Abd Al-Malik Ibn Zuhr (Avenzoar) (1091 – 1161 e.r.) – në perëndim ishte i njohur më emrin Avenzoar, ishte një nga fizikantet, specialistet klinik dhe parazitologjistët më të mëdhenj në kohën e mesjetës. Nasir al-din al-Tusi (1201 – 1274 e.r.) – është një nga shkencëtarët më të njohur të kohës së tij, kontributi i tij ishte në matematikë, astronomi, filozofi, teologji, fizik dhe poezi. Shkroi edhe shumë teori në fusha të algjebër, trigonometri, gjeometri, logjik, metafizik, etik dhe teologji; Ibn Khalduni (1332 – 1395 e.r.) – njihet si themeluesi dhe babai i sociologjisë dhe i shkencave të historisë; Abu Abd Allah Muhammad al-Idrisi (1099 – 1166 e.r.) – kontributi i tij është në gjeografi, hartografi, zoologji, botanik. Ai gjithashtu dha ndihmese të madhe në bimët mjekësore; Muhamed al-Bujzani (940 – 997 e.r.) – kontribuoi në zhvillimin e matematikës, astronomisë, gjeometrisë dhe trigonometrisë; Abas ibn Firnas (810 – 887 e.r.) – kontribuoi në shkencën e gjeografisë dhe historisë; Ibn al-Baitar (1197 – 1248 e.r.) – kontributi i tij është në botanik, farmaci. Si dhe shumë muslimanë tjerë që kontribuuan në zhvillimin e shkencës.[20]
Përfundim
Vlera e diturisë për fenë Islame është e veçantë. Këtë e vetëton fakti, se shpallja nuk fillon me urdhrin e adhurimit, apo njohjen e Allahut xh.sh. dhe nënshtrimin ndaj tij, mirëpo shpallja fillon me fjalën “Lexo”. Çdo njeri i cili analizon ajetet e Kuranit kupton qartë se Islami të obligon që të merremi me hulumtimin dhe arritjen e diturisë dhe zhvillimin e shkencës. Siç u tha edhe më lartë, “në islam feja është shkencë dhe dituri, dituria dhe shkenca janë fe”, nga kjo kuptojmë se feja Islame e vlerëson aq shumë arritjen e diturisë sa që kjo fe e bënë bashkimin e shkencës me fenë. Ketë e vërtetojnë shumë ajete kuranore dhe hadithe të të Dërguarit a.s.
Feja Islame ia imponon popullatës, e cila e ka përqafuar atë, që të jetë popull i arsimuar, që ta ulë nivelin – përqindjen e analfabetizmit, si dhe të ngrit përqindjen e intelektualeve. Kjo fe na mëson se nëse një besimtar dëshiron që të jetë besimtar dhe ta arrij imanin e rregullt, ai besimtar është i obliguar ta studioj shkencën. Në lidhje më obligueshmërin e të kërkuarit të diturisë, Pejgamberi a.s. shprehet: “Kërkimi i diturisë është farëz (obligim) për çdo myslimanin”. Obligimi i të cekurit në këtë hadith, përfshinë të gjithë muslimanët pa dallim, ngase obligimi është kolektivë, për çdo musliman apo muslimane.
Kurani vazhdimisht përsëritet thirrja e besimtarëve për të kërkuar dituri. Në Kuran janë të paraqitura shumë fenomene natyrore si p.sh. si qiejt, shiun, bimët, kafshët, lindja dhe perëndimi i Diellit, krijimi i universit, procesi i krijimit, planetët, shenjat gjeografike, etj., ku na bënë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që ti eksplorojmë dhe ti studiojmë. Në shumë ajete, vërehet qartë rëndësia e kërkimit të diturisë dhe përdorimit të intelektit për të kuptuar shenjat – argumentet e Zotit xh.sh. në Tokë, kudo që janë ato.
Islami e beri obligim kërkimin e diturisë për çdo musliman dhe muslimane. Në shoqërinë islame asnjëherë nuk mund të këtë ndalesë për marrjen e diturisë për asnjërën gjini. Kërkimi i dijes dhe arsimimi është një e drejtë që nuk i mohet as burrave dhe as grave, si në rastin e diturisë fetare ashtu edhe të asaj shkencore. Se feja Islame nuk bën dallim mes femrave dhe meshkujve në kërkimin e diturisë, si dhe nxitjes së të marruarit më shkencë, e gjen mbështetjen në shprehjen e qartë të një hadithi që deklaron se: “kërkimi i dijes është një detyrë e çdo muslimani”. Në shprehjen “çdo musliman” përfshihen natyrisht edhe gratë. Një tjetër version i të njëjtit hadith vazhdon me fjalët “për burrat dhe gratë”.
Shumë musliman të nxitur nga mësimet Kuranore dhe hadithet për të studiuar, hulumtuar, iu përkushtuan jo vetëm shkencës islame, por edhe shkencës në përgjithësi. Këta nuk studiuan vetëm shkencën Islamen, por edhe shkencat natyrore si dhe ato humane – shoqërore. Të arriturat e muslimanëve që u morenë më hulumtime shkencore janë të pamohueshme. Në ditët e sodit janë të njohur me qindra musliman që kontribuuan në zhvillimin e shkencës moderne.
[1] http://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=1546, (Mr. Lutfi Nexhipi ) 15.09.2014
[2] Ebul-Hasen Ali en-NEDEVIJJ, ISLAMI – ndikimi i tij në civilizim dhe merita e tij për njerëzimin, Përktheu nga arabishtja Bashkim ALIU, KOMITETI I BASHKUAR SAUDIT – NDIHMË KOSOVËS, Prishtinë 2002, f. 62 – 63
[3] http://www.radioislame.com/index.php?frame_rd=artikulli.php?id=6952 (Dr. Musli Vërbani) 12.09.2014
[4] Muhammed GAZALI, KARAKTERI I MUSLIMANIT, Përkthyes Bashkim ALIU, KOMITETI I BASHKUAR SAUDIT – NDIHMË KOSOVËS, Prishtinë 2002, f. 261
[5] http://www.radioislame.com/index.php?frame_rd=artikulli.php?id=6952 (Dr. Musli Vërbani) 12.09.2014
[6] http://www.radiodituria.com/rendesia-e-kerkimit-te-diturise-dhe-e-arsimit-ne-islam-2/ Muhidin Ahmeti 16.09.2014
[7] Muhammed GAZALI, KARAKTERI I MUSLIMANIT,…….. f. 261
[8] ABDUL – MEXHID EZ ZINDANI, EL IMAN Të besuarit e vërtetë në dritën e Kuranit, Sunnetit dhe argumenteve shkencore (Përktheu dhe përshtati Nig’jar Bajrami – HOTI, Prishtinë 2000 – 1421 Hexhër, f. 27
[9] Sulejman Mashoviq, Pikëpamje islame, përktheu Dr. Feti Mehdiu, Grafo Beni, Prishtinë 2007, f. 82
[10] Mr. Abdylkader Durguti, Vlera e diturisë dhe veprës në Islam, Publikuar në revistën Etika, nr. 30, Shtator 2010, f. 44
[11] Po aty.f.44
[12] http://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=1546, (Mr. Lutfi Nexhipi ) 15.09.2014
[13] Ebul-Hasen Ali en-NEDEVIJJ, ISLAMI – ndikimi i tij në civilizim,…….. f. 72
[14] http://www.mesazhi.com/artikuj/islami-dhe-dituria (Kujtim Kasami) 16.09.2014
[15] http://www.radioislame.com/index.php?frame_rd=artikulli.php?id=595 (Kujtim Kasami) 15.09.2014
[16] Sulejman Mashoviq, Pikëpamje islame,…….. f. 82 – 83
[17] http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1198 (Mr. Bekim Jashari) 15.09.2014
[18] http://www.e-zani.com/2012/02/18/statusi-i-gruas-ne-islam/ (Mohammad Hashim Kamali) 16.09.2014
[19] http://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=5086 (Mr. Sadat Rrustemi) 16.09.2014
[20] Më gjerësisht rreth muslimaneve që kontribuuan në zhvillimin e shkencës mund te shikoni në: BIOGRAPHY Muslim Scholars and Scientists, Dr W. Hazmy C.H. Dr Zainurashid Z. Dr Hussaini R. (http://www.social-sciences-and-humanities.com/PDF/Biographies-of-Muslim-Scholars-and-Scientists.pdf); si dhe në uebfaqen http://mendohu.ucoz.com/blog/2009-03-20-150
M.sc. Artan S. Mehmeti