PËR ERDOGANOFOBINË E SHQIPTARËVE

Shkruan: Abdylvehab Ejupi

Teksa po lexoj këto ditë opinione gjithfarëshe, që nga ato që po vajtojnë pse grusht-shteti dështoi e deri te ata që “habiten” pse shqiptarët e kanë ndjekur me kaq kujdes dhe dhimbje këtë ngjarje në Turqi, përshtypje të bëjnë ca që shiten për mendjehapur e liberalë, ndërsa janë turkofobë e islamofobë, sepse nuk prajnë duke alarmuar sa e dëmshme qenka për shqiptarët respekti që kanë ata për presidentin turk Erdogan. Duke parë këtë gjendje dhe këtë, që ne po e quajmë, erdoganofobi, po e bëjmë këtu një analizë.
Shqiptarët, BE-ja dhe Erdogani
Nëse shqiptarët kaq vite ëndërrojnë integrimin në BE, drejtësinë, mirëqenien dhe demokracinë, ndërsa BE-ja gjithnjë u vendos kushte që kurrë nuk përmbushen, madje mbështet politikanë të korruptuar, të inkriminuar dhe të përfshirë në manipulime zgjedhore, shqiptari ordinerë do të pyetet: kah t’ia mbaj tash? Një çerek-shekulli ëndërrojmë për Europë, ndërsa tashmë kur Europa po fillon të perëndojë (si Bashkim Europian), ndoshta e vetmja zgjidhje për të mbetet Turqia. Mund të mos pajtoheni, por mendoj se kjo klasë politike shqiptare (jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri e Kosovë), si dhe qasja orientaliste që ka pasur dhe ka BE-ja ndaj shqiptarëve, i ka shtyrë shqiptarët që shpëtimin e tyre ta kërkojnë diku tjetër. BE-ja flet për drejtësi, integrim, demokraci, mirëqenie, ndërsa shqiptarët i mban me politikanë që abuzojnë me drejtësinë, demokracinë dhe lirinë e fjalës, që futen në krime etj. E pastaj habiten pse kjo erdoganofili. Po është vetëm Erdogani që jep shpresë këtu, që bën ndonjë investim, që shpreh vëllazëri. Fundja, është vetëm Erdogani lideri i vetëm në Lindje që, për sa vite që është në pushtet, ka prodhuar mirëqenie për popullin e vet, ka prodhuar shëndetësi dhe arsim më të mirë, që e kanë ndjerë edhe të rinjtë shqiptarë. Andaj, në mungesë të BE-së, detyrimisht që kjo do të jetë Turqia dhe Erdogani. Vakumi nuk ekziston. E pse te ne nuk erdhi dhe nuk do të vijë BE-ja, le ta shpjegojnë ata që kaq vite kanë folur për integrimin evropian, por kanë punuar kundër vlerave evropiane. Thënë në një fjalë, Turqia dhe Erdogani janë bërë sot shpresa e shqiptarëve, sepse gjithnjë e më shumë shpresa evropiane po venitet. Ndërkaq, nëse e çojmë më tej, këta opinionistë që kanë aq shumë vërejtje për “autokracinë” e Erdoganit, çuditërisht sa pak ose aspak nuk flasin për autokratët tanë, që brenda 10-15 viteve u bënë milionerë dhe çuditërisht besojnë se në Perëndim nuk ka figura të tilla. Mendoj se kjo më shumë është tendencë sesa argument.
Erdogani, Islami dhe shqiptarët
Para disa ditëve erdhi në Shkup një hoxhë i Tiranës dhe gati e bllokoi Shkupin (pak a shumë e njëjta ndodhi edhe në Kosovë e Preshevë). As Rama, as Berisha, madje as Kadareja nuk është pritur me aq pompozitet siç është pritur hoxha nga Tirana. Se a është e mirë kjo fetari e shqiptarëve të Maqedonisë apo jo dhe pse ka ndodhur ajo, kjo mund të jetë objekt analize sociologjike, por realiteti është ky. Dhe, derisa këta shqiptarë janë kaq të lidhur me një hoxhë tiranas (pra, jo me një hoxhë turk), menaxhuesit e jetës publike shqiptare, pra politikanët shqiptarë, do të duhej menduar se a janë të përfaqësuar këta njerëz. Nëse këta shqiptarët nuk ndjehen të përfaqësuar nga klasa politike shqiptare dhe shfaqin kaq simpati për Erdoganin, kjo flet se këta duan një politikan të atij tipi. Dhe, derisa ta kenë atë që t’ju flasë shqip, ata do ta admirojnë atë. Madje, po të duam ta shtrijmë më tej analizën, shqiptarët me identitet të theksuar religjioz (që rëndom e mbështesin Erdoganin), mendoj se bëjnë mirë që identitetin e tyre religjioz e lidhin me Turqinë dhe Erdoganin. Kjo, sepse në mungesë të një mendimi islam shqiptar, për çka shqiptarët tanë aNkademikë e politikanë kurrë nuk kanë menduar se është e rëndësishme – duke u nisur nga egocentrizmi i tyre ateist a agnostik – shpesh kanë lejuar të ndërtohet një identitet islam shqiptar mjaft radikal dhe i huaj për rrethanat shqiptare. Andaj, identifikimi me Islamin turk megjithatë është një shmangie nga radikalizmit dhe ekstremizmi islamik dhe, po t’ia donin të mirën shqiptarëve, do të duhej ta shihnin këtë si avantazh dhe jo si handikap.
Erdogani dhe grusht-shteti
Dhe, po vijmë te grusht-shteti. Pas sulmeve të 11 shtatorit, ne të gjithë – përfshirë edhe erdoganofobët e sotëm – ishim të gjithë në ujdi se SHBA-të bënë mirë me sulmin në Afganistan, madje u pajtuam që forcërisht e hoqën edhe diktaturën e Sadam Husejnit. Dhe, krejt këtë e arsyetonim dhe argumentonim me atë se SHBA-të janë të rrezikuara dhe duhet ta mbrojnë veten e tyre. Në këtë frymë e kemi arsyetuar ose, së paku, e kemi heshtur burgun Abu Graib ose atë në Guantanamo. Personalisht, megjithëse kam pasur vërejtje, kam qenë dakord. Dhe, këtë e e kemi bërë duke u mbështetur mbi parimin se siguria është mbi lirinë. Por, kur një sulm i tillë i ndodhë Turqisë, kur ia ndezin ushtrinë kundër institucioneve shtetërore, ndërsa populli turk me gjoks del e mbron vullnetin e vet demokratik, lirinë e vet, po këta opinionistë dalin e akuzojnë se paska arrestuar shumë gjeneralë, shumë gjykatës etj. Kjo, po të mos quhej hipokrizi, së paku flet për standarde të dyfishta.
Erdogani dhe shqiptarët
Dhe, për fund, cili është dëmi që kanë shqiptarët nga admirimi ndaj Erdoganit? Çfarë humbim ne si komb? Një lider që i ka mbështetur shqiptarët në çdo gjë, që nga njohja dhe beteja për njohjen e Kosovës, pastaj mbështetja e Shqipërisë, për të cilën është thellë mirënjohës kryeministri Rama, por edhe përfitimet e pushtetit lokal të shqiptarëve në Maqedoni, nuk meriton që të dalin disa të hurit e të konopit ta akuzojnë për autokraci, islamik e blla-blla-blla. Po cili lider tjetër ballkanik ka qenë kaq pranë shqiptarëve? Dhe, cila ka qenë humbja e shqiptarëve nga kjo? Prandaj, edhe sikur të ishte Erdogani ashtu siç propagandojnë disa media që paguhen për atë qëllim, neve shqiptarëve duhet të na vijë turp ta akuzojmë. Shkurt thënë, derisa shqiptarët nuk shohin më ëndrra evropiane, ëndrra e vetme u mbetet ajo turke me Erdoganin; derisa shqiptarët përfaqësohet nga Ali Ahmeti e Musa Xhaferi, Erdogani do të jetë lideri i pakontestueshëm i tyre; derisa një hoxhë i Tiranës bën boom në Shkup, është e natyrshme që politikan që i përfaqëson këta myslimanë nuk mund të jetë Blerim Bexheti, por Erdogani; derisa e kemi arsyetuar Xhorxh Bushin për sulmet në mbrojtje kundër talebanëve dhe sadamëve, do të duhet ta arsyetojmë edhe sulmin që ai e bën ndaj organizatës që ai e quan terroriste të Fethullah Gylenit dhe, në fund, derisa në këto 15 vite kemi regjistruar vetëm akte miqësie nga Erdogani, janë të paarsyeshme thirrjet për erdoganofobi. A është mirë kjo apo jo, është temë tjetër, por gjendja është kjo dhe vetëm të verbrit nuk e shohin këtë.

*Autori është student i Shkencave Politive dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, nivelit Master, pranë Universitetit të Stambollit.