VLERA E TEUHIDIT

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e humbë dhe kë e largon Ai nga rruga e vërtet s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të vërtet përveçse Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” Ali Imran 102. 

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” Nisa 1. 

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore. Ahzab 70-71. 

O ju musliman, 

Teuhidi (njësimi i Allahut) është detyra dhe obligimi i parë që duhet të ngjyroset muslimani me të dhe ta praktikon. Teuhidi është adhurimi kryesor dhe më me vlerë, dhe Allahu për realizuesin e tij ka përgatitur shpërblime të mëdha në dynja dhe ahiret. 

Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e mediton gjendjen në tokë do të vëren se shkak i çdo përmirësimi në tokë është njësimi i Allahut, azze ue xhel, adhurimi i Tij dhe nënshtrimi i të Dërguarit të Tij, ndërsa çdo sherr, sprovë dhe bela, thatësi dhe uri, shtypje prej armikut dhe sundim, vjen si pasojë e kundërshtimit të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe thirrjes në idhujtari dhe në ligje të cilat bien ndesh me ligjet e Allahut”.   

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” Enam 82, që nënkupton se ata të cilët e adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe nuk e njollosin teuhidin e tyre me idhujtari për to Allahu ka përgatitur shpërblime: “pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar”. Pra shpërblimi i tyre është se ata janë të sigurt dhe të udhëzuar në rrugën e drejtë në dynja dhe ahiret. 

Kur zbriti ky ajet shokët e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, i kaploi frika, menduan se fjala padrejtësi në ajet e ka për qëllim padrejtësinë ndaj vetvetes dhe se nuk ka siguri e as udhëzim përveçse për atë i cili nuk i bën padrejtësi vetvetes. Prandaj iu drejtuan Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut, cili prej nesh nuk i bën padrejtësi vetvetes?” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Nuk është ashtu siç mendoni. Ajeti “nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari)” e ka për qëllim nuk e njollosin besimin e tyre me shirk. A nuk i keni dëgjuar fjalët e Llukmanit: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. Llukman 13″. 

Pra, ua bëri me dije se ai i cili nuk e njollos besimin e tij me këtë padrejtësi do të jetë prej atyre që i garantohet siguria dhe udhëzimi, dhe se ai do të jetë prej të zgjedhurve: “Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit, sal-allahu alejhi ue selem). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe.”Fatir 32. 

Padrejtësi quhet vendosja e një gjëje në vend jo të drejtë dhe jo të përshtatshëm. Prandaj shirku (idhujtaria) është emërtuar si padrejtësi, për shkak se njeriu e vendos adhurimin e tij në vend jo të duhur dhe nuk ia përkushton Allahut, por ia përkushton dikujt tjetër që nuk e meriton. 

Padrejtësinë dijetarët e ndajnë në tre lloje: 

Lloji i parë: Padrejtësi që ia bën njeriu vetvetes me idhujtari. Ky është lloji më i madh i padrejtësisë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. Llukman 13. 

Lloji i dytë: Padrejtësi që ia bën njeriu vetvetes me mëkate. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Nisa 110. 

Lloji i tretë: Padrejtësi ndaj robërve të Allahut në shpirt, pasuri ose nder. 

Kush largohet prej këtyre tre llojeve të padrejtësive fiton siguri dhe udhëzim të plotë në dynja e ahiret. Kush largohet prej padrejtësisë së madhe dhe nuk largohet prej dy llojeve të tjera, do të ketë mangësi në sigurinë dhe udhëzimin e tij sipas sasisë së padrejtësisë që ia bën vetvetes dhe ia bën të tjerëve. Ndërsa ai i cili nuk largohet prej padrejtësisë së madhe nuk do të ketë as siguri e as udhëzim në dynja dhe ahiret. 

Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, e shënojnë një hadith në librat e tyre prej Ubadeh ibën Samit, radijallahu anhu, i cili na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Vetëm të pa shok dhe se unë jam rob dhe i Dërguari i Tij dhe se Isa është rob dhe i Dërguari i Tij dhe fjalë e Tij që e hodhi te Merjemja dhe shpirt prej Tij(sikurse edhe shpirtrat tjerë) dhe se xheneti është i vërtetë dhe se xhehenemi është i vërtetë, Allahu e futë atë në xhenet sipas punës që e ka bërë.” 

Ky hadith madhështor në vete i përmban katër çështje kryesore: 

Çështja e parë: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut, azze ue xhel. 

Muslimani duhet ta dijë se ky është kuptimi i vërtetë i shehadetit (dëshmisë), dhe se nuk i bën dobi aspak shqiptimi i saj pa mos e kuptuar thelbin e saj dhe pa mos vepruar me të, me bindje të plotë, duke iu larguar çdo gjëje që e mohon dhe e shkatërron atë.

Ai i cili vetëm e shqipton e nuk punon me të dhe nuk e di kuptimin e saj, nuk e pranon e beson sinqerisht, nuk e pohon e mohon çdo gjë që e aludon kjo fjali, nuk i bën dobi aspak shqiptimi i saj edhe po ta përsëriste ditë e natë, dhe gjithashtu do të jetë argument kundër tij në dynja e ahiret. 

Idhujtarët e Mekës në kohën e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, e mohonin këtë fjalë dhe kuptimin e saj dhe kur Pejgamberi,sal-allahu alejhi ue selem, u thoshte atyre: “Thoni: la ilahe il-lallah (nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveçse Allahut) do të shpëtoni”.  Thoshin: “A mos kërkon ai, që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” Sad 5.” Idhujtarët e sotëm në krahasim me ato të mëhershmit e shqiptojnë këtë fjalë, mirëpo e mohojnë kuptimin e saj. Bile as në raste vështirësie nuk i luten Allahut në krahasim me idhujtarët e Mekës të cilët në vështirësi i drejtoheshin vetëm Allahut, azze ue xhel. Prandaj ai i cili pretendon se është njësues (muvehhid) është ai i cili pohon se Allahu është Një, Krijues i çdo gjëje dhe kështu e komenton edhe shehadetin gabon shumë, për shkak se ky koment i shehadetit është i mangët dhe gjuha arabe nuk aludon në këtë kuptim. Kurani dhe Suneti na qartësojnë se njësues është ai i cili ia përkushton adhurimet vetëm Allahut dhe nuk i bën ortak në asnjë adhurim dhe se ky është qëllimi i dërgimit të të gjithë pejgamberëve prej te Nuhu, alejhi selam, e deri te Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem. 

Çështja e dytë: Dëshmia se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. 

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në këtë hadith përshkruhet me dy cilësi. 

Cilësia e parë: Rob i Allahut i cili nuk posedon veçori hyjnore adhuruese. Kjo është argument kundër atyre të cilët i drejtohen Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, me dua e lutje, me kërkim të bereqetit dhe me lloje të ndryshme të adhurimeve. 

Cilësia e dytë: I Dërguar i Allahut të cilin e dërgoi për të gjitha krijesat, njerëzit dhe xhinët, të cilët i urdhëroi që t’i nënshtrohen dhe mos ta kundërshtojnë. Kjo është argument kundër atyre të cilët nuk i nënshtrohen e nuk e pasojnë rrugën e tij, por i pasojnë epshet dhe pasionet e tyre. 

Ndërsa kuptimi i thënies dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij është: “Nënshtrimi i tij në atë çka urdhëroi, besimi dhe konfirmimi i tij në atë çka lajmëroi, largimi prej asaj çka e ndaloi dhe adhurimi i Allahut vetëm me atë ai çka erdhi dhe e ligjësoi.” 

Çështja e tretë: Isa është rob dhe i Dërguari i Tij dhe fjalë e Tij që e hodhi te Merjemja dhe shpirt prej Tij. 

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, Isain, alejhi selam, e përshkroi në këtë hadith me katër cilësi: 

E para: Se ai është rob i Allahut. Kjo është argument kundër të krishterëve të cilët pretendojnë se Isa është Zot, ose biri  i Zotit, Allahu na ruajt prej këtyre shpifjeve. 

E dyta: Se ai është i Dërguar i Allahut. Kjo është argument kundër jehudive të cilët e refuzuan mesazhin e Isait dhe e akuzuan se është bir i lavires, Allahu na ruajt prej këtyre shpifjeve. 

E treta: Se ai është fjalë e Tij që e hodhi te Merjemja, që do të thotë se Allahu e krijoi me fjalën “Bëhu”, fjalë e cila u bart nëpërmjet Xhibrilit, alejhi selam, deri tek Merjemja. 

E katërta: Se ai është shpirt prej Tij, që do të thotë se Isa, alejhi selam, është shpirt sikur se shpirtrat e tjerë që i krijoi Allahu, azze ue xhel, dhe fjala shpirt që i dedikohet emrit të Allahut është dedikim nderi dhe fisnikërie.

Çështja e katërt: Xheneti është i vërtetë dhe xhehenemi është i vërtetë. 

Besimi në xhenet dhe në xhehenem është pjesë e besimit në Ditën e Fundit, mirëpo Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i veçoi me përmendje në këtë hadith për shkak se ato janë stacioni i fundit i përhershëm i çdo njeriu. Xheneti do të jetë vendbanim për besimtarët dhe të devotshmit, xhehenemi do të jetë vendbanim për jobesimtarët dhe mëkatarët. 

Fryti i dëshmisë së katër çështjeve të lartpërmendura të cilat i përfshiu hadithi është futja e robit në xhenet sipas punës që e ka bërë. Ai i cili  e takon Allahun i pastër prej të gjitha mëkateve hyn në xhenet me mëshirën e Allahut, ndërsa ai i cili e takon Allahun me mëkate duke mos i bërë ortak në adhurime, është nën vullnetin e Allahut, nëse do ia falë me mëshirën e Tij, e nëse do e dënon me drejtësinë e Tij e pastaj e futë në xhenet. 

O ju robërit e Allahut, 

Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, e shënojnë një hadith në librat e tyre prej Itbanit, radijallahu anhu, i cili na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu ia ka ndaluar hyrjen në xhehenem atij i cili thotë la ilahe il-lallah dhe me atë e kërkon Fytyrën e Allahut.” 

Kush e shqipton shehadetin dhe nuk punon me të nuk i bën dobi aspak ky hadith. Allahu ia ka ndaluar xhehenemin atij i cili vjen me shehadet duke qenë i sinqertë në atë çka e thotë, duke e vërtetuar me vepra dhe vdes me bindje të plotë në të ashtu siç aludon hadithi i Itbanit, radijallahu anhu.

Janë përcjellë shumë hadithe se kush thotë la ilahe il-lallah dhe në zemrën e tij ka një grimcë atomi prej mirësie i ndalohet atij xhehenemi, po ashtu janë përcjellë hadithe të shumta se një numër i madh i atyre që e thonë këtë thënie do të hynë në xhehenem e pastaj Allahu i fut në xhenet, dhe po ashtu na janë përcjellë shumë hadithe se kush thotë la ilahe il-lallah dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut i ndalohet atij hyrja në xhehenem, mirëpo të gjitha kanë ardhur të kufizuara dhe me kushte të caktuara. 

O rob i Allahut, 

“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” Rum 30.

Hutbeja e dytë 

Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja e mëshira qofshin mbi Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri Ditën e Gjykimit.

O ju muslimanë,

Dëshmia la ilahe il-lallah i ka shtatë kushte të cilat duhet të plotësohen që t’i bëjë dobi atij që e shqipton.

1- Dituria, detyrohet ta dimë kuptimin e saj dhe çka kërkohet prej saj, çka pohon e çka mohon.

2- Besimi i palëkundur, që thënësi ta besojë atë pa asnjë dyshim. Në rast se është i dyshimtë atëherë nuk i bën dobi thënia e saj.

3- Pranimi, i asaj çka përmban kjo fjali në vete, siç janë adhurimet ndaj Allahut.

4- Dorëzimi dhe nënshtrimi, në atë çka aludon kjo fjali: “Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë.” Llukman 22. “Vega e fortë” në ajet e ka për qëllim fjalinë la ilahe il-lallah, ndërsa“kush i dorëzohet Allahut” e ka për qëllim: kush i nënshtrohet Allahut me sinqeritet. 

5- Çiltërsia dhe sinqeriteti, çka do të thotë pastrimi i veprave prej të gjitha llojeve të idhujtarisë dhe të mos synohet me shqiptimin e saj kënaqësia e kësaj bote. 

6- Vërtetësia, që ai ta vërteton këtë fjalë me gjuhë, me zemër dhe me vepra.

7- Dashuria, e kësaj fjalie dhe asaj në çka aludon ajo. 

Shehadeti po ashtu i ka edhe dy shtylla: 

1- Mohimi, që nënkupton mohimin e adhurimit të hyjnive tjera përveç Allahut, azze ue xhel. 

2- Pohimi, të pohosh se adhurimi i takon vetëm Allahut. 

O ju robërit e Allahut, 

Ka prej njerëzve të cilët mendojnë se këmbëngulja e dijetarëve për ta paraqit rrezikun e idhujtarisë dhe për të thirr në teuhid  është i tepërt. Këtë e kundërshtojnë dijetarët e Ehli Sunetit të cilët thonë se dijetarët, e në veçanti Ibën Tejmija, nuk kanë këmbëngulur në çështjen e teuhidit më tepër se sa e meriton kjo çështje. Allahu është Ai i cili këmbënguli në paraqitjen e rrezikut të saj, ku edhe thotë  dy vende në Kuran: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij” Nisa 48. 

Allahu, azze ue xhel, po ashtu na paralajmëroi edhe nëpërmjet Isait, alejhi selam“Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri” Maide 72. 

Allahu, azze ue xhel, i tha Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem“Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.” Zumer 65, dhe “Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t’u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë.” Enam 88 dhe “Atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo!” Teube 5. 

Po ashtu na janë përcjellë shumë hadithe që paralajmërojnë prej shirkut dhe në çdo hadith ku ceken mëkatet e mëdha vërehet se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, çdo herë i fillonte me përmendjen e shirkut e pastaj me përmendjen e mëkateve të tjera. Kur u pyet, sal-lallahu alejhi ue selem, se cili është mëkati më i madh tek Allahu? – U përgjigj: “T’i bësh shok Allahut ndërsa Ai të ka krijuar.” 

E lus Allahun, azze ue xhel, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta të na bëjë prej atyre që e adhurojnë vetëm Allahun dhe të na mbrojë prej idhujtarisë dhe prej asaj që na çon nga ajo. 

nga arabishtja: Irfan JAHIU