Fuqia çudibërëse e istigfarit!
الحمد لله رب العالمين و الصلاة و السلام على رسولنا محمد و على آله وَ صَحْبِهِ أَجْـمَعِينَ ، وَ بَعْدُ:
Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim.
Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Të nderuar vëllezër besimtarë;
Tema e hutbes së sotme është: Fuqia çudibërëse e istigfarit!
Transmetohet nga Ibni Abbasi se i Dërguari i Allahut savs ka thënë: Shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të jesh i zënë dhe jetën para vdekjes. (Tirmidhiu)
Thuhet se shkrimtari rus Anton Çehov ka thënë: Njeriu i shëndetshëm ka 1000 dëshira. I sëmuri ka vetëm një. Çdo njeri i mençur e di se ajo dëshirë është shëndeti, por kohët e fundit dikush bukur i pasqyron politikanët e sotëm dhe thotë: politikani i sëmurë, e ka vetëm një dëshirë, e ajo është që t’i fitojë zgjedhjet.
Nëse dëshiron të jetosh një jetë kuptimplote dhe të suksesshme, bën durim dhe këtë hutbe lexoje deri në fund.
Ajo është ilaç për të gjitha fatkeqësitë tona dhe çelës i suksesit të kësaj bote dhe të botës tjetër. Ai çelës i hap të gjitha thesaret e çmueshëm me vlerë të pallogaritshme. Prandaj, lexo, mendo dhe kënaqu!
– Burri më vdiq kur isha tridhjetë vjeçe. Me të unë i fitova pesë djem dhe vajza. Çdo gjë mu errësua para syve të mi. Aq shumë kam qarë sa që kisha frikë se do të verbohem. U ndjeva pafundësisht e pafat, më kaploi edhe frika, sepse fëmijët të vegjël dhe të ardhura e vogla dhe të pamjaftueshme për jetë. Me lugë e harxhova atë që na kishte mbetur nga babai ynë. Duke ndenjur ulur në dhomën time e hapa Radio Kur’anin, kur një dijetar po fliste: Pejgamberi savs ka thënë: Kush bën shumë istigfar, Allahu do t’ia lehtësojë atij çdo brengë, do t’i japë rrugëdalje nga çdo situatë, dhe do ta pajis prej nga nuk e shpreson. (Imam Ahmedi)
Pas kësaj unë bëra shumë istigfar, edhe nga fëmijët e mi kërkova që ta bëjnë të njëjtën gjë. Betohem në Allahun se nuk kanë kaluar as 6 muaj dhe Allahu i Madhërishëm na ka dhuruar nafakë të bollshme. Pastaj njëri nga djemtë e mi u shpall nxënësi më i mirë, e mësoi krejt Kuranin përmendësh, njerëzit filluan të kujdesen për të, shtëpia na u mbush me të gjitha të mirat dhe jetuam jetë të rehatshme dhe të lehtë. Allahu i Madhërishëm i udhëzoi dhe i bëri të ndershëm të gjithë djemtë dhe vajzat e mia, më shpëtoi nga brengat, nga vuajtja dhe mërzia dhe unë u bëra gruaja më e lumtur dhe më e kënaqur. Po, ky është rezultati dhe kjo është fuqia çudibërëse e istigfarit, të cilën të gjithë në masë të madhe e kemi lënë pas dore.
– Një bashkëshort, nga ana tjetër, thotë: Sa herë që unë kam qenë i vrazhdë ndaj gruas sime, kur grindeshim me njëri-tjetrin apo kishim ndonjë problem, unë nga zemërimi menjëherë largohesha nga shtëpia. Mirëpo, menjëherë pas largimit nga shtëpia, tek unë paraqitej një dëshirë (ndjenjë) e madhe që të kthehem, t’i kërkojë falje dhe ta bëjë atë të lumtur. Unë i tregova asaj për këtë ndjenjë, dhe ajo më pyeti: A e din pse? I kërkova përgjigje, dhe ajo më tha: Sapo dilje ti nga shtëpia pas grindjes sonë, unë menjëherë dhe me të gjithë zemër bëja shumë istigfar, derisa ti të ktheheshe dhe të më qetësoje mua!
Vëllezër të dashur;
Ky është istigfari për të cilin Allahu i Madhërishëm thotë:
Allahu nuk i ndëshkon ata, derisa ti je në mesin e tyre; dhe Allahu nuk i ndëshkon, nëse ata kërkojnë falje. (el-Enfal, 33)
Sepse istigfari bën mrekulli.
Ku është pozita jonë në lidhje me fjalët e Allahut të Plotfuqishëm:
Dhe ju thashë (thotë Nuhu a.s.): Kërkoni falje nga Zoti i juaj, sepse, me të vërtetë, Ai është falës, i madh; Ai do t’ju dërgojë juve shi të bollshëm, dhe do t’ju ndihmojë me pasuri dhe me fëmijë, dhe për ju do të krijojë kopshte dhe për ju do të krijojë lumenj. (Nuh, 10-12)
Ju të cilët padrejtësisht po shkurorëzoheni dhe doni ta ruani martesën, bëni shumë istigfar!
Ju që nuk keni fëmijë, përveç shkuarjes te mjeku dhe kërkimit të ilaçit, bëni shumë istigfar!
Ju që nuk jeni të martuar nuk është i martuar, bëni rregullisht istigfar! Ju që jeni të sëmurë, ose e keni dikën të sëmurë, bëni istigfar me qëllim të shërimit, pas kërkimit të ndihmës mjekësore!
Ju të cilët jeni privuar nga nafaka hallall ku ka bereqet, bëni istigfar, bashkë me punën dhe përpjekjet!
Ju që nuk keni rezultate në studimeve, krahas mësimit të përditshëm, bëni shumë istigfar!
Ju që jeni të ngarkuar me brenga dhe probleme, bëni istigfar!
Ju të cilëve po ju duket toka e ngushtë për shkak të shumë problemeve të shumta, bëni istigfar!
Edhe ju që jetoni në bollëk, që jeta ju shkon si mjaltë e tëlyen, edhe ju bëni shumë istigfar, si mirënjohje për të gjitha të mirat! Sepse, mos harroni se gjithçka që keni mund të zhduken për një çast. Të gjitha gjërat e kësaj bote mund të zhduken, por besimi dhe veprat e mira vazhdojnë edhe pas vdekjes. Ka edhe sëmundje, e atëherë e dëshironi vetëm shëndetin, përveç nëse jeni politikan i sëmurë, dëshira e vetme e të cilit është t’i fitojë zgjedhjet.
Edhe ne të gjithë, pa marrë parasysh se kush jemi dhe çka punojmë, të bëjmë shumë istigfar, t’i pastrojmë mendimet tona, t’i fisnikërojmë zemrat tona, të bëjmë vepra të mira, të bëhemi të mirë ndaj të tjerëve, e pastaj edhe Allahu i Plotfuqishëm do të jetë i mirë ndaj nesh.
O besimtar të mirë, o njerëz fisnikë,
Ta mbajmë në mend se Allahu i Madhërishëm është gjithmonë me ne, kudo që të jemi, dhe sa herë që i drejtojmë lutje dhe bëjmë istigfar, Ai kurrë nuk do të na kthejë duar bosh, me lutje të papranuar, dhe kurrë nuk do të na zhgënjej. Vetëm se, nuk duhet të nxitojmë! Nëse ne nuk e harrojmë Atë, as Ai me siguri nuk do të na harrojë! Shpesh herë ne nuk e dimë se çka është mirë për ne.
Duhet ta dimë se të gjitha problemet në këtë botë, mjerimi, vuajtjet, sprovat dhe çdo gjë që na bën të palumtur dhe të pakënaqur janë pasojë e mëkateve tona, andaj duhet të kërkojmë falje. Le ta bëjmë këtë detyrë të përditshme dhe zakon sikurse konsumin e ushqimit. Pa ushqim trupi dobësohet dhe vdes, kurse istigfari është lidhja shpirtërore me Allahun dhe shpirtit i siguron jetë të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Të mësohemi që pas çdo namazi, apo edhe gjatë ditës, 100 herë të bëjnë istigfar, kurse në lutje mund të kërkojmë çka të dëshirojmë.
Iblisi ka thënë: Unë i kam shkatërruar bijtë e Ademit me mëkate, kurse ata mua më shkatërruan më istigfar!
Istigfari është një armë e fuqishme dhe ilaç.
Edhe tash kur ta lexojmë dhe aplikojmë këtë do të kemi përfitim të madh, por mos të lejojmë, vëllezër të dashur, që istigfari të jetë vetëm pasuri e jona – vetëm thesar i yni, por këtë t’ua përcjellim edhe të tjerëve, që edhe ata t’i gëzojnë frytet e istigfarit në këtë botë dhe në jetën e përjetshme. Nga kjo do të përfitojmë shumë.
Dhe në fund, të mendojnë mirë për kuptimin e këtyre fjalëve të Allahut të Plotfuqishëm:
الْمَالُ وَالْبَنُونَ زِينَةُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۖ وَالْبَاقِيَاتُ الصَّالِحَاتُ خَيْرٌ عِندَ رَبِّكَ ثَوَابًا وَخَيْرٌ أَمَلًا ﴿٤٦﴾
Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote, por veprat e mira, që mbetën përherë, janë më mirë të shpërblyera te Zoti dhe janë shpresë më e mirë. (el-Kehf, 46)
Një shumicë e njerëzve i përmbahen pjesës së parë të këtij ajeti, ndërsa e neglizhojnë pjesën e dytë, e cila ka rëndësi të madhe dhe është kurorë e kuptimit të jetës. Veprat e mira janë të gjitha veprat e mira të bëra në emër të Allahut për të mirën e njerëzve dhe të gjitha qenieve të gjalla, në të cilat me siguri hyn istigfari dhe përmendja e përhershme të Zotit tonë.
Do ta përfundojmë këtë hutbe të sotme me katër çështje fantastike. Thuhet se një njeri kishte ardhur tek halifi (udhëheqësi i besimtarëve) dhe i kishte thënë:
Do t’i shtroj katër pyetje, të lutëm që të më përgjigjesh:
(1) Çka është e detyrueshme (vaxhib), e çka është edhe më e detyrueshme?
(2) Çka është afër, e çka është edhe më afër?
(3) Çka është e çuditshme, e çka është edhe më e çuditshme?
(4) Çka është e vështirë, e çka është edhe më e vështirë?
Udhëheqësi i besimtarëve (halifi) ju përgjigj:
(1) Është e detyrueshme (vaxhib) shmangia nga mëkatet, por edhe më e detyrueshme është nënshtrimi ndaj Allahut!
(2) Kiameti është afër, por vdekja është edhe më afër.
(3) Kjo botë është e çuditshme, por edhe më e çuditshme është dashuria ndaj saj!
(4) Varri është i vështirë, por edhe më e vështirë është vdekja pa vepra të mira!
Allahu ekber! Në mënyrë koncize, por shumë bukur e shprehur, për ata që kanë mendje.
O Allah, Zoti ynë, shpërblej të gjithë ata që e lexuan këtë hutbe, na i fal mëkatet, na i prano lutjet, na dhuro begatitë Tua, na i hiq njollat e zeza nga zemrat tona, na ruaj nga letargjia e shpirtit tonë dhe nga fundi i keq.
Në botën tjetër, në xhenetin Firdevs, na bashko me të dashurit dhe të zgjedhurit Tu. Amin.
Perkthim me pershtatje: Miftar Ajdini.