MODELI MES ZHURMËS DHE HESHTJES

Sa herë kemi nevojë të mësojmë prej dikujt, paraqiten njëkohësisht një mori dilemash: si të mësojmë, koha, referencat, si të mbajmë mend e kështu me radhë.
Dikush mëson pa mësues, thjesht duke lexuar dhe hulumtuar në burimet e mundshme. Ky, në realitet grumbullon informacione, që nuk është e parëndësishme. Por nuk besoj se njeriu në këtë mënyrë mund të bëhet i ditur, së paku jo model.
Mësuesi, përveç informacioneve dhe dijes, jep aftësinë e aplikimit të dijes, pa të cilën dija nuk ka vlerë. Jep edukatën, që është bukuria dhe hijeshia e dijes dhe të diturit. Heshturazi ka mundësi të japë etikën e sjelljes, për ç’gjë njerëzit kanë shumë nevojë.
Kur i kthehemi realitetit, vërejmë se njeriu në masë të madhe është lodhë prej elaborimeve, “argumentimeve”, polemikave shterpe. Sot nuk ka krizë të teorive dhe informacioneve. Kriza është e veprave, praktikës dhe mirësjelljes. Është sfida e modelit që është vështirë të gjindet mes njerëzve. Modeli që mungon është modeli i thirrësit të heshtur, i cili në vend se të bëjë zhurmë promovon vlera me veprat, sjelljet, gjestet dhe bamirësinë e tij konkrete.

Hoxhë Ekrem Avdiu