O lënës i agjërimit! S’di kah t’ia filloj… Jam thellësisht i pikëlluar kur të shoh që s’po agjëron, o rob i Allahut! Me mosagjërim po e rrënon një obligim të madh fetar, një shtyllë të Islamit! Dëshiroj të të flas, që mos të të shembet ndërtesa e quajtur Islam. O ti që i ke thënë vetes musliman! Ja, të erdhi rasti ta dëshmosh Islamin tënd. Kur Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i përmendi shtyllat e Islamit, mes tjerash tha: “…agjërimi i Ramazanit.” O lënës i agjërimit! Vallë, për shkak të nxehtësisë s’po agjëron?! Ndoshta mendon se do të të mbulojnë djersët, e do ta kesh të vështirë?! A mos e ke harruar Ditën e Kiametit kur njerëzit do të pëmbyten në djersët e tyre?! Mos harro se, ai që djersitet në këtë dynja duke i kryer urdhrat e Allahut, do të freskohet atë ditë, që është e rëndë për mosagjëruesit! A nuk e ke kujtuar Ditën kur zjarri i Xhehenemit do të vërshojë e dëshiron t`i gllabërojë të gjithë njerëzit?! Vallë, a nuk e di madhësinë e Xhehenemit?! Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka treguar se atë Ditë do të hidhet Dielli dhe Hëna në Xhehenem. Tani, a e kuptove se sa i madh është ai? E ti, o lënës i agjërimit, me se do ta mbrosh veten tënde? Mos mendon se mund të të shpëtojnë pasuria, pozita e familja?! Jo! Kurrsesi. Atë Ditë të shpëton vetëm puna e mirë që e ke bërë për hir të Allahut. Të shpëton agjërimi, o rob i Allahut! Agjërimi do t’i thotë Allahut: “O Zoti im! Unë e privova atë nga ushqimi dhe epshi gjatë ditës, andaj pranoje ndërmjetësimin tim për të! ….dhe do t’i pranohet ndërmjetësimi.” Ti, o mosagjërues, nuk e ke me vete këtë ndërmjetësues, për faktin se e ke shpërfillur. O lënës i agjërimit! A nuk e di se ai që ia kthen shpinën Këshillës së Allahut të Madhëruar do të ketë jetë të mjeruar, jetë me plot brenga e mërzi. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha të shikuar më parë? (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Taha, 124-126) O lënës i agjërimit! A nuk e di se ai që e braktis agjërimin, pa ndonjë arsye, është fundosur në një mëkat shumë të madh?! Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë!, ka thënë: “Muslimanët janë të dakorduar se ai që e lë agjërimin e Ramazanit, pa qenë i sëmurë, konsiderohet më i keq se ai që bën imoralitet dhe ai që pi alkool. Në fakt, ata hedhin dyshime mbi Islamin e tij dhe mendojnë se ai mund të jetë nga ata që nuk janë muslimanë dhe nga ata që e shkatërrojnë realisht Islamin.” A nuk e di se artikulli i Allahut është i shtrenjtë?! Artikulli i Allahut është Xheneti nën të cilin rrjedhin lumenj, ku në të njerëzit do të jetojnë përgjithmonë! Hyrja në Xhenet është e lidhur ngushtë, o rob i Allahut, me praktikimin e obligimeve që i ke ndaj Tij. A nuk e di, o lënës i agjërimit, se Xheneti i ka tetë porta! Për Allahun, më thuaj, në cilën do të hysh, ndërkohë s`ke namaz, s`ke agjërim e sadaka. Me se dëshiron të hysh në Xhenet?! O lënës i agjërimit! Ja përse këmbëngul që ti të agjërosh. Në këtë muaj: – Prangosen shejtanët. – Është zbritur Kurani. – Hapen portat e Xhenetit dhe mbyllen portat e Zjarrit. – Në të është Nata e Kadrit, Natë kjo më e mirë se një mijë muaj. – Sadakaja në Ramazan është nga sadakatë më të mira. – Umreja në Ramazan e ka shpërblimin e haxhit. – Atij që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e kaluara. – Është një portë në Xhenet që quhet Rejjan, në të në Ditën e Ringjalljes hyjnë vetëm agjëruesit. – Agjëruesi ka dy gëzime: Një në iftar dhe një në Ditën kur do ta takojë Zotin e tij. – Agjërimi do të ndërmjetësojë për robin në Ditën e Kiametit. – Agjërimi është mburojë kundër zjarrit të Xhehenemit. – Atij që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Ai ia largon fytyrën e tij me këtë ditë nga Zjarri shtatëdhjetë vjet. – Tri lutje janë të pranuara: Lutja e agjëruesit, atij që i është bërë padrejtësi dhe udhëtarit. – Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë sesa era e parfumit. – Allahu liron çdo ditë grupe njerëzish nga zjarri i Xhehenemit. – Atij që falet me imamin (në namazin e teravisë), derisa ai të mbarojë, do t’i shkruhet sikur të jetë falur gjithë natën. – E shumë e shumë vlera e privilegje të tjera… O lënës i agjërimit! Vallë, edhe pas gjithë kësaj s’do të agjërosh?! Mos të të mashtrojë shejtani, kinse ka kohë kur do t`i kthehesh Zotit tënd, ngase shumica e atyre që vdesin sot janë të rinjtë! Vdekja s’të pyet. Ajo të vjen befas, e ti s’mund ta shtysh afatin e saj. Allahu i Madhëruar ka thënë.“Çdo popull ka afatin e vet. Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” (El-Araf, 34) O lënës i agjërimit! Të ta them edhe këtë: A nuk e di se në Somali dhe në vendet me varfëri të skajshme njerëzit vdesin urie?! Por megjithatë agjërojnë. Ndoshta këtë s`e ke ditur?! E ti, o lënës i agjërimit, sa e sa të mira Allahu t`i dhuroi, e, megjithatë, ende s’i bindesh Atij! Vallë, përse kjo mosmirënjohje ndaj Zotit tënd?! O lënës i agjërimit! Eja… eja e kthehu te Krijuesi yt! Bashkoju edhe ti karvanit të agjëruesve! Përjetoji edhe ti kënaqësitë e agjërimit! Dhe mos harro se Allahu nuk të obligon me një gjë të cilën s’mund ta kryesh! Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka.” (El-Bekare, 285) Dhe në fund, o rob i Allahut, e lus Allahun të të udhëzojë e të kthehesh tek Ai i penduar para se të të vijë vdekja e ti je mospërfillës ndaj urdhrave të Tij! Mos harro se Allahu e do pendimin tënd, andaj kthehu tek Ai i penduar në këtë muaj! Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nisa, 110) Dhe në fund: Çdo falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve./Burin Koçinaj