Çka lejohet të shihet nga femra muslimane para martesës? A lejohet ta heqë shaminë që t’ia tregojë flokët atij që e kërkon dorën e saj?

Kur një musliman shpreh interesimin serioz për t’u martuar me një muslimane dhe do që ta kërkojë për nuse, atëherë ai e bën këtë në mënyrë legjitime, të përcaktuar me Kur’anin famëlartë dhe Sunnetin pejgamberik. Pas marrjes së informatave të nevojshme rreth vajzës, ai duhet ta shohë atë femër apo ta dërgojë ndonjërën nga gratë e familjes që ta shohin dhe ta informojnë edhe më detajisht.
Më e pëlqyer është që të shkojë dhe ta shikojë vetë atë vajzë të cilën synon që ta martojë.

Transmetohet nga Xhabir ibn Abdullahu se i Dërguari i Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) ka thënë: “Kur dikush nga ju fejohet* (shih fusnotën se çka nënkupton në realitet termi “fejesë”, kujdes jo ajo që mendohet tek ne) me një vajzë, atëherë nëse i jepet mundësia ta shikojë atë nga ajo që e shtyn (apo nxitë pastaj) për martesë le ta bëjë”. Thotë Xhabiri: “U fejova me një vajzë dhe u fsheha nga ajo që ta shohë dhe pasi që e pash atë që më shtyu ta bëj niqahun dhe martesën, atëherë e martova atë”.
{Shënojnë Ahmedi, Ebu Dawudi dhe Imam Albani e klasifikon si të mirë}

Po ashtu nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu ) transmetohet të ketë thënë: “Derisa isha tek i Dërguari i Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) erdh një burrë dhe e lajmëroi që e kishte martuar një femër nga Ensaret.
I Dërguari i Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) e pyeti atë: “A e ke parë atë?” Tha: “Jo”!
Tha (sal-Allahu alejhi we sel-lem): “Shko dhe shihe, ngase në sytë e ensareve ka diçka (qëllimi ishte vogëlsia e syve, siç e shpjegojnë dijetarët)
Pra preferohet të shikohet.

Këtu e shoh të arsyeshme të jap një këshillë, e cila besoj se do sjell dobi për të dy palët. Pasi që siç përfituam nga hadithi i Xhabirit, legjitimitetin e shikimit të asaj edhe pa dijen e femrës, është më mirë që një djalosh besimtar këtë mundësi ta shfrytëzojë. Kjo është më e favorshme për të dytë, ngase nëse nuk i pëlqen nuk do t’i lëndojë ndjenjat e vajzës muslimane e cila do të ndjehej shumë keq po ta refuzonte, pasi e sheh në shtëpi të saj, pra në fazën e fejesës.
Prandaj kanë thënë dijetarët: “Shikimi i asaj femre preferohet të jetë para fejesës, ngase nëse nuk i pëlqen mundet ta lë dhe askush nuk dëmtohet, përkundër asaj nëse e bën pas fejesës (pas takimit, ngase do t’i lëndojë ndjenjat e asaj vajze). Nëse i pëlqen kur e sheh pa dijen e saj, atëherë të merret hapi i ardhshëm më konkret e që është shikimi në shtëpinë e saj.

Mirëpo, tash shtrohet pyetja bazike lidhur me këtë tematikë: “Çka lejohet të sheh burri nga nusja në fazën e fejesës, kur djali besimtar është interesuar ta martojë një vajzë muslimane dhe shkon për ta parë në shtëpinë e saj?”
Rreth kësaj ka divergjencë tek dijetarët. Ata ndahen në disa mendime lidhur me këtë çështje. Dy qëndrime të tyre nuk do t’i përmendi fare ngase fillimisht janë shumë të dobëta dhe së dyti mund të shkaktojnë konfuzione tek disa, sidomos tek shumë motra. Vlerësoj se dobia është më madhe nëse nuk përmenden fare.

Mendimet e dijetarëve janë si vijon:
Pjesa dërrmuese e dijetarëve (Xhumhuri) nga Hanefijtë, Shafijtë dhe Malikijtë kanë mendimin se lejohet të shikohet vetëm fytyra dhe duart e femrës. Hanefijtë kanë shtuar dhe kanë thënë se edhe këmbët mund të shihen. (Tek Malikijtë ekziston po ashtu mendimi, sipas një transmetimi tjetër, se krahas fytyrës dhe duarve lejohen edhe krahët.)
Mirëpo ky mendim, edhe pse është nga shumica e dijetarëve, e që nuk paraqet ndonjë dëm nëse praktikohet, po ta analizojmë në mënyrë shkencore dhe sidomos duke marrë në konsideratë veprën e sahabëve nuk del aq i fortë sa mendimi i disa dijetarëve tjerë të cilët thanë:
‘Lejohet të shihet ajo që zakonisht shihet kur qëndron në shtëpi para familjarëve duke ngërthyer flokët, qafën, këmbët, etj. krahas fytyrës dhe duarve.’
{Ky qëndrim është qëndrimi bazik i medh’hebit Hanbelij, e shënon Ibn Kudame në “El Mughni 7/454”, Ibn Kajjimi në “Tehdhiibus sunen 3, 25/26” dhe Ibn Haxheri në “Fet’hul Bari”}

Argumentet e Xhumhurit (pjesës dërrmuese të dijetarëve) janë argumentet e përgjithshëm të cilët aludojnë tek obligueshmëria e mbulesës.
Mirëpo në rastin tonë e kemi një rast të veçantë, rasti i fejesës, në hadithin e Xhabirit nuk ka ardhur asnjë përkufizim që të shikohet vetëm fytyra dhe duart apo gruaja të jetë ashtu e veshur sikur kur del jashtë. Hadithi ka ardhur në formën e përgjithshme e që nënkupton në përgjithësi ashtu siç vishet në shtëpi vajza, pa specifikim. Ky specifikim (Takjiid) nga ‘Xhumhuri’ që gruaja t’i ketë të dukshme vetëm fytyrën dhe duart nga fjala e përgjithshme e të Dërguarit kërkon argument, e këtu argument nuk ka nga ana e Xhumhurit, kështu që llogaritet në gjuhën shkencore “specifikim i hadithit pa argument specifik”.
(تقييد للحديث بدون نص مقيِّد)
Dhe po ashtu transmetimi të cilin e shënon Abdurrezaku dhe Seiid ibn Mensur në sunenin e tij se Halifja i besimtarëve Umeri (radijAllahu anhu) kishte shikuar kofshët e Ummu Kulthum, bijës së Aliut (radijAllahu anhu) gjatë fejesës, kjo hedh poshtë qëndrimin e ‘Xhumhurit’ se nuk lejohet përveç fytyrës dhe duarve.

Po ashtu të mendojmë kur Xhabiri (radijAllahu anhu) shkoi fshehurazi ta shikojë atë vajzën, si mund ajo të ishte e veshur në shtëpi, ajo sigurisht se nuk qëndron në shtëpi të saj me mbulesë, por ashtu siç rri para atyre që i ka mahrem.
Ky qëndrim është po ashtu konform logjikës dhe i dobishëm në çdo anë, ngase e dimë shumë qartë nga përvoja se shumë vajza me mbulesë duken shumë më të bukura se sa pa mbulesë.
Kur burri e sheh pastaj pa mbulesë mund të demoralizohet shumë dhe mund të vjen tek disa bile edhe deri te ndarja. Më e pakta që mund të ndodhë në këtë rast është që të ndjehet i zhgënjyer burri. Në këso raste janë femrat pra në favor në fillim (kur e sheh djali), por ka edhe raste ku ato duken shumë më të bukura pa mbulesë se sa me mbulesë dhe këtu nëse do t’ia tregojë flokët e saj të bukura refuzuedot të saj, ndoshta do të mendohej dy herë burri a e refuzon a jo.
Kjo i jep pra edhe një pamje reale femrës, “ashtu si është” dhe në dy rastet është në favor ngase ai burri nuk ka arsye pastaj ta shkurorëzojë pasi që e ka parë në formën reale.
Në bazë të analizës modeste të kësaj çështjeje, personalisht më pëlqen ky mendim i këtyre dijetarëve më shumë, ngase me të vërtetë të gjithë jemi të një mendimi se është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm për jetën e njeriut, dhe së paku flokët duhet t’i mundësohet t’ia sheh nuses së tij të ardhshme.
Disa motra ndoshta do të çuditen me këtë që thash, por kjo është fe dhe ne duhet të ndjekim atë që na bëhet qartë se është më afër argumenteve dhe të vërtetës. Neve na takon transmetimi i fesë, pa marrë parasysh kujt i pëlqen e kujt jo.
Mirëpo duhet potencohet se ky veprim (shfaqja e flokëve etj.) i lejohet vajzës kur djali vjen për ta parë në shtëpinë e saj dhe ajo gjendet me familjarët e ngushtë (që i ka mahrem) e jo nëpër restorante publike ku po ndodhin këto ‘takime’ tash, ngase aty e shohin edhe të tjerët. Sigurisht se tradita jonë e mëparshme që të shkohet “me pa nusen” në shtëpi ishte konform fesë së Allahut dhe kjo është më parësore që duhet të praktikohet, që duhet të ringjallet.

Të nderuar, për fund do t’i sjell shkurtimisht, disa fakte rreth kësaj mes’ele (shikimit të asaj vajze të cilën do ta martojë):
– Lejohet ta shikosh… bile është e pëlqyeshme ta shikosh atë, me lejen e saj apo pa lejen e saj
– Lejohet ta shikosh me lejen e përgjegjësit të saj dhe pa lejen e tij
– Nuk lejohet të vetmohesh me atë vajzë
– Nuk lejohet ta prekësh
– Lejohet ta shikosh disa herë derisa të mjafton për marrjen e vendimit tënd
– Sipas pjesës dërrmuese të dijetarëve lejohet vetëm fytyra dhe duart
– Tek Hanefijtë lejohen edhe këmbët
– Tek disa dijetarë lejohet të shihet edhe më shumë, lejohet të shihet ajo që shihet në shumicën e kohës së saj në shtëpi, qafa, krahët, këmbët etj. Ky është mendimi i përzgjedhur që është më afër argumenteve dhe kuptimit të sahabëve!
– Lejohet të dërgosh dikë nga gratë që ta shikojë më hollësisht atë vajzë të cilën synon për ta martuar… të përshkruhen flokët apo era e saj.
– Është më e favorshme të shihet njëherë fshehurazi për t’i ruajtur ndjenjat e saj

___________________________
* Me fejesë nënkuptohet faza e fundit kur përgjegjësi dhe vajza japin pëlqimin që burri musliman të shkojë e ta shikojë atë vajzë me qëllim të fuqishëm për martesë, në shtëpi apo diku tjetër mirëpo jo plotësimi i niqahut plotësisht, sikur qysh mendojnë tek ne…!

Hoxhë Ardian Elezi

Ardian Elezi