ABDESI DHE ENERGJIA E NJERIUT

Allahu i Madhërishëm na ka shpallur se çdo gjë e ka krijuar nga uji: “. . . ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi . . .” (Enbija, 30).

Ujin e përziu me dheun dhe krijoi baltën: “Ai është që ju krijoi nga balta . . .” (Enamë, 2).

Dhe nga balta krijoi njeriun: “Dhe (përkujto) kur Zoti yt engjëjve u tha: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë.” (Hixhr, 28).

Pastaj Allahu e frymëzoi me shpirtin e Tij: “E kur ta përsos atë (në formën e njeriut) dhe t’i jap atij shpirtin që është krijesë Imja . . .” (Hixhr, 29).

Askush prej nesh nuk e ka përjetuar krijimin, por do të përjetojmë vdekjen: “. . . Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë . . .” (Enbija, 104).

Pra, njeriu u krijua nga uji dhe toka, dhe urtësia qëndron në atë që njeriu i kthehet burimit të tij. Kusht për robin është të jetë i pastër kur qëndron para Krijuesit, të marrë abdes, e nëse nuk mundet ai mund të marrë tejemum (pastrim simbolik). Allahu i Madhërishëm thotë:

 “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë . . .” (Maide, 6).

Në gjuhën arabe fjala vudu’ (abdes) d.m.th. pastërti, qartësi dhe shkëlqesi.

Abdesi është çelës i xhenetit dhe për këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush prej jush e plotëson abdesin dhe pas përfundimit thotë: “Dëshmoj që nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Allahut”, do t’i hapen tetë dyer të xhenetit për të hyrë tek ajo që dëshiron.” (Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu).

Abdesi është dritë në dynja dhe në ahiret. Në këtë botë lë gjurmë në formë drite në fytyrë dhe qetësi në zemër, dhe e bën jetën e njeriut oazë të blerueshëm dhe burim besimi të fuqishëm, ndërsa në botën tjetër kjo dritë do t’ia zbukurojë fytyrën dhe këmbët e besimtarit.

Ai do të jetë shenjë me të cilën Pejgamberi do t’i njohë besimtarët në Ditën e Gjykimit. Disa sahabë e pyetën Pejgamberin lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të: “Si do ta njohësh, o i Dërguari i Allahut atë që vjen pas teje nga umeti yt?” Ai u përgjigj: “A thua njeriu nuk e njeh kalin e tij, i cili ka shenja të bardha në ballë dhe në këmbë kur gjendet në mesin e kuajve të zinj?” Sahabët u përgjigjën: “Natyrisht që mundet.” Në këtë Pejgamberi tha: “Kështu edhe me besimtarët, kur do të vijnë te burimi (hauzi) do të kenë fytyra dhe këmbë të shndritshme nga gjurmët e abdesit.” (Muslimi, Nesaiu, Ibn Maxhxheh).

Allahu i Madhërishëm i ndihmon njerëzit, që nëpërmes abdesit të pastrohen nga mëkatet dhe të ngrihen në një shkallë më të lartë. Duke falënderuar për abdesin ata do të jenë të përgatitur të presin takimin me Allahun e Madhërishëm, siç ka thënë i Dërguari i Allahut: “A do t’ju tregoj me çfarë Allahu i fshin mëkatet dhe i ngre?” Thanë: “Po i Dërguar i Allahut.” Ai tha: “Marrja e abdesit me rregull, hapat e shumtë deri në xhami, pritja e namazit tjetër pas namazit, ky është xhihadi juaj.” (Muslimi dhe Tirmidhiu).

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit!” (Muslimi).

Ja se si Islami tregon kujdes për marrjen e abdesit me rregull duke arritur me këtë pastrimin e jashtëm dhe të brendshëm të muslimanit. Vërtetimi më i mirë i kësaj që thekson Islami në vazhdimësinë e pastërtisë trupore e shpirtërore është thënia e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem: “Kush merr abdes me rregull, kryen namazin e detyruar, atij do t’i falen mëkatet.” (Ahmedi dhe Muslimi).

Atëherë shtrohet pyetja: Ku qëndron fshehtësia e harmonisë në mes njeriut dhe botës?

Kjo është energjia shpirtërore e fesë, e energjisë së balancuar në formën më subtile. Frutat e kësaj energjie paraqiten qartë në trupin dhe në shpirtin e njeriut, sikurse na thotë Ibën Abasi radijallahu anhu: “Me të vërtetë vepra e mirë jep shkëlqim në fytyrë dhe zemër, rrit nafakën, fuqizon trupin dhe ndikon që të tjerët ta duan. Ndërsa vepra e keqe me të vërtetë shkakton nxirje dhe errësirë në fytyrë e zemër, e dobëson trupin, e zvogëlon nafakën dhe shkakton urrejtjen e njerëzve.”

Abdesi me të vërtetë i kthen fuqinë trupit të njeriut, i pastron mëkatet, sepse mëkatet dhe veprat e këqija ndikojnë në gjendjen psikofizike të njeriut, dhe kështu njeriu e humb fuqinë. Ilaç për këtë është abdesi. Muslimi na tregon në hadithin sahih, që përcillet nga Amër ibën Abese, i cili iu lut Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, duke i thënë:

“O i Dërguari i Allahut më trego për abdesin?” Ndërsa Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “Kushdo prej jush, që merr abdes e me këtë rast pastron gojën dhe hundën, nëpër mjekër së bashku me ujin i bien mëkatet nga fytyra, kur pastron duart deri mbi bërryla, nëpër gishtërinj i bien mëkatet nga duart, kur i jep mes’h kokës, së bashku me ujin i bien mëkatet nga koka, kur pastron këmbët deri mbi nyje, me ujin nëpër gishtërinjtë e këmbës i bien mëkatet e këmbës, kur ngrihet dhe falet, dhe e falënderon Allahun e Madhërishëm ashtu siç e meriton Ai, dhe ia dorëzon zemrën Allahut, pas kësaj do të çlirohet nga mëkatet si në ditën kur e ka lindur nëna e vet.” (Muslimi).

Sikur njeriu të pastrohej me të gjitha mjetet për pastrim, por nuk do t’i kryente lëvizjet e parapara në rregullat e abdesit me të cilat Krijuesi i Urtë na ka urdhëruar, nuk do ta arrinim energjinë dhe harmoninë e merituar.

Shtrohet pyetja: A thua mëkatet lidhen me dorën, këmbën, fytyrën dhe veshin? Është fakt që mëkatet lënë gjurmë të mëdha në meridianet nëpër të cilët rrjedh energjia vitale, si dhe në fushën vitale, e cila rrethon trupin e njeriut. Në realitet mëkatet e çrregullojnë fushën elektromagnetike, e cila pastaj reflektohet në shëndetin e njeriut.

Njeriu siç dihet paraqet një energji kimike dhe elektromagnetike. Kjo energji kuptohet si energji vitale e cila shndrit nga trupi ynë dhe quhet prana ose vital force. Sido që ta quajmë kjo energji paraqet diçka që realisht është e pranishme (Brecher, Secrets of Energy Work, Darling, Kindrsley).

Abdesi është begati dhe dritë. Allahu i Madhërishëm i lavdëron ata që pastrohen: “. . . Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen.” (Bekare, 222).

Fryti i kësaj dashurie rrjedh nga fshehtësia e emrit të Allahut Hafidh (Ai që vigjilon gjithnjë mbi ne). Në të vërtetë Allahu e ruan njeriun me armë të jashtme dhe të brendshme, e kjo armë është abdesi. A thua edhe kjo nuk është një begati e Allahut të Madhërishëm: “. . .në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër) . . .” (Ibrahim, 34).

Një abdes mbi tjetrin është sikurse një dritë mbi tjetrën. Për këtë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, kur nisej për namaz lexonte këtë lutje: “O Zoti im, më jep dritë në zemër, dritë në sy, dritë në vesh, dritë nga ana e djathtë, dritë nga ana e majtë, dritë mbi mua dhe dritë nën mua.” (Buhariu).

Në bazë të kësaj që përmendëm është e qartë që njëra prej begative të fshehta për besimtarin është abdesi, i cili rikthen baraspeshën primare në fushën vitale, e cila e rrethon njeriun dhe rregullon çdo çrregullim në meridianet nëpër të cilët rrjedh energjia. Përveç pastërtisë fizike abdesi e mbron njeriun nga të gjithë ndikimet negative të teknologjisë bashkëkohore dhe ndotjes së mjedisit, të cilat ndikojnë në energjinë vitale të njeriut.

O Allah i Madhërishëm, na e mundëso që t’i kryejmë detyrimet e Tua, në mënyrë që Ti të jesh i kënaqur!

PRIM. DR. MED. SC. ALI ILJAZI