Përcillet nga Abdullah b. Omeri r.a. se Muhammedi a.s., ka thënë: “Kur Sulejmani, i biri i Davudit a.s., e ndërtoi xhaminë e Aksasë, prej Allahut kishte kërkuar tri gjëra:
1. Të gjykuarit në përputhshmëri me ligjin e Allahut xh.sh.,
2. Pushtetin, të cilin askërkush pas tij nuk do të mund ta kishte, dhe
3. Për secilin person që do ta vizitojë dhe do të falej në Mesxhidu-l-Aksa, ta falë Allahu dhe prej saj të dalë i pastruar nga gjunahet mu ashtu siç edhe e ka lindur nëna.”
Më pas, Pejgmaberi a.s. kishte shtuar, duke thënë: “Sa u përket dy të parave, ato iu dhanë, kurse për gjënë e tretë unë kam shpresë se edhe ajo i është dhuruar.” (Imam Ahmedi, Ibn Maxhe, hadithi është sahih).
Mësimi që mund të nxirret nga hadithi është fakti se, për t’i kërkuar Allahut diçka, duhet bërë ndonjë vepër në emër të Allahut dhe sa më e madhe dhe e vlefshme të jetë vepra, aq është edhe mundësia që të na pranohen lutjet.
Rast të njëjtë kemi edhe me Ibrahimin a.s. dhe djalin e tij pejgamber, Ismailin a.s., të cilët e lutën Allahun xh.sh., për disa gjëra, por këtë e bënë vetëm pasi ndërtuan Shtëpinë e Zotit, Qabenë e bekuar.
Ja si e përshkruan Kur’ani famëlartë këtë:
“Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes – luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!
Zoti ynë, bëna neve të dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tanë dhe falna neve, vërtet Ti je që falë shumë, je mëshirues!
Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi.” (El-Bekare, 127 – 129).
E s’ka dyshim që edhe këtyre pejgamberëve të ndritur Allahu xh.sh. ua pati pranuar lutjet.
Vëlla dhe motër e nderuar, ne i besojmë të njëjtit Allah, sikur që i besuan edhe pejgamberët e mëparshëm, andaj asnjëherë mos humbë shpresën dhe mos ndalë lutjen drejtuar Atij. Por, mundohu, gjithmonë, ta kënaqësh Allahu xh.sh. me ndonjë vepër të dobishme, që vërtetë e kënaq Atë, e pastaj kërko çfarë të duash nga Ai se ka për të ta dhuruar, inshallah.