Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë;
Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do ta trajtojmë një problem të madh në shoqërinë tonë, e sidomos te rinia jonë, e ajo është kurvëria (zinaja).
Me fjalë të tjera, jemi të njoftuar me faktin se të rinjtë tanë po i praktikojnë të a.q. ‘marrëdhënie të lira intime’, që djemtë t’i sjellin në shtëpi të dashurat e tyre, që vajzat të shkojnë në shtëpitë e të dashurve të tyre, dhe krejt kjo po ndodh me pëlqimin e prindërve, ku disa prej tyre edhe po hyjnë në bashkëjetesë pa martesë. Kjo sot është moderne, thonë fëmijët tanë duke e cituar perëndimin modern, ndërsa martesa, feja dhe morali, janë diçka e vjetruar dhe duhet të hidhet në shportën e historisë.
Vëllezër të dashur;
Dikush nuk mërzitet që djali i tij e ka shfrytëzuar vajzën e dikujt, dhe fare nuk mendon se si ndihen prindërit e saj. Disa prej nesh nuk i japin rëndësi se ku qëndrojnë natën vonë vajzat e tyre, sepse mendojnë se janë të rritura dhe mund të bëjnë çka të dëshirojnë.
O vëllezërit e mi!
Kjo çka po bëjnë fëmijët tanë nuk është mburrje, as nuk ka arsye për gëzim.
Kjo është një katastrofë e madhe!
Kjo është një poshtërsi e madhe!
Ky është një turp i madh!
Këto nuk janë ‘marrëdhënie të lira intime’, kjo është kurvëri!
Dhe kurvëria, siç thotë Pejgamberi savs, numrin më të madh të njerëzve do ta çoj në xhehenem! Njëherit edhe për këtë botë do t’u shkaktojë nënçmim të madh.
Prandaj, Allahu i Plotfuqishëm, tërheq vërejtjen duke thënë: “Dhe, mos iu afroni kurvërisë (zinasë), sepse vërtet ajo është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë e keqe.” (el-Isra ‘, 32)
Zoti ynë, po thotë: “Mos bëni kurvëri!”, por po thotë: “As mos iu afroni kurvërisë!” Pse? Sepse kurvëria është zjarr, dhe kush luan me zjarr, ai digjet. Dhe zjarri i kësaj bote është vetëm pjesa e 70-të e zjarrit të xhehenemit. Ai jo vetëm që djeg, por ai karbonizon.
Prandaj, Zoti ynë na bën thirrje: “O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (et-Tahrim, 6)
Zoti ynë nuk dëshiron të na ndëshkojë. Ai dëshiron që ne të jemi në Rrugën e drejtë. Pyetja është vetëm se cilën po duam ne: Drejtimin apo Zjarrin.
Ne do të thoshim se fëmijëve tanë ua kemi dhënë të gjitha, domethënë – shoqërinë, paratë për xhep, internetin dhe lojërat. Më lejo, biri im, që të pushoj! Shko ti pak jashtë, dhe luaj! Merr ndonjë lojë të vogël, dhe luaj! Ja edhe paratë, blej për vete diçka!
Ne fëmijët tonë i ushqejmë me gjëra materiale, me të cilat shpirti i çdo njeriu ngopet shpejt.
Vëllezër besimtarë;
Nuk është ky edukimi islamik i fëmijës, ky është vetëm mjet për ta larguar evladin nga vetvetja. Dhe a kanë nevojë për këtë fëmijët tanë! JO !!!
Ata kanë pak nevojë për kohën tonë, për vëmendjen tonë dhe për bisedën tonë.
A është kjo shumë? A mund t’ua mundësojmë këtë?
Nëse mund t’ua mundësojmë të gjitha të tjerat, atëherë mund t’ua kushtojmë edhe vëmendjen tonë. Ne zakonisht themi: “Kam dhënë çdo gjë nga vetja.” Pikërisht aty është problemi, pse ne ua japim çdo gjë nga vetja, por nuk ua japim vetveten. Dhe themi: “Unë fëmijës tim i kam dhënë gjithçka, nuk di tjetër çka t’i jap atij. Nuk di si ta motivoj.”
Të dashurit e mi, ne fëmijëve do t’ua japim edhe motivimin edhe gjithë të tjerat, atëherë kur t’ua japim atyre VETEN TONË.
Prandaj, vëllezër të dashur, të flasim me djemtë dhe vajzat tona. Mos të presim t’i mbushin 18 vjet, e atëherë tu flasim për jetën, moralin, fenë dhe martesën. Lëreni fëmijët të luajnë deri në moshën 7 vjeçare, pastaj deri në moshën 14 vjeç, bëju mësues i tij, e më pas deri në moshën 21 vjeç, bëju mik i tij. Fëmijët rriten me shpejtësi dhe shumë shpejt harrojnë, sidomos kur ta kalojnë pubertetin dhe kur mendojnë se i kanë marrë të gjitha dituritë e botës.
Sa çel e mbyll sytë, i mbushin 18 vjet. Dhe pastaj nëse i kundërshtojmë në diçka, ata largohen nga shtëpia jonë, sepse janë moshërritur dhe mund të bëjnë çka të duan. Shkojnë sikur të mos na kishin parë kurrë. Harrojnë se sa net kemi kaluar pa gjumë, për shkak të vajit të tyre apo sëmundjes së tyre, sa herë për shkak të tyre kemi shkuar në punë pa gjumë dhe kemi rrezikuar që në punë apo gjatë rrugës të na godas diçka, sa shumë djersë kemi derdhur për t’ua siguruar atyre ushqimin, rrobat, këpucët, librat, transportin dhe të gjitha rregullimet tjera. Ata, thjeshtë, vetëm i paketojnë gjërat dhe shkojnë.
Vëllezër të dashur;
Nëse disa prej nesh jemi vonuar në tren, mos ta humbim shpresën. Ne e kemi Zotin tonë, i Cili kontrollon çdo gjë, i Cili mundet gjithçka, e kemi sexhden dhe lutjen si mjete për të arritur te Zoti. Andaj, le të kërkojmë udhëzim për fëmijët tonë dhe mos të harrojmë – të bisedojmë me ta! Le të bisedojmë me ta vetëm ashtu siç bisedon prindi me fëmijën e tij.
T’i udhëzojmë fëmijët tonë se marrëdhëniet intime jashtëmartesore, në fakt, janë kurvëri e cila është rreptësishtë e ndaluar (haram) edhe me ligjin e Allahut të Plotfuqishëm edhe me ligjin e logjikës së shëndoshë.
Nëse janë rritur për lidhje normale, le të martohen, sepse vetëm në martesë do ta kenë ndihmës dhe mbrojtjen e Allahut të Plotfuqishëm, mbrojtjen tonë dhe mbrojtjen e ligjit.
I lutem Allahut të dashur të na udhëzojë neve dhe fëmijët tanë në Rrugën e drejtë dhe të na shpëtojë nga zjarri i kësaj bote dhe nga zjarri i xhehenemit! Amin!
Referencë: Hfz. Emir Sinanović; http://dzematdonjevukovije.org//
Përshtati: Miftar Ajdini