Konfirmohet në hapësirë natyra e dyfishtë e dritës, pra aftësia e saj që të jetë njëkohësisht valë dhe grimcë, që parashikohet nga fizika kuantike, sipas një rezultati të publikuar në revistën “Science Advances”, falë një bashkëpunimi mes Agjencisë Hapësinore Italiane (ASI) dhe Universitetit të Padovas.
“Ky është një rezultat i rëndësishëm (…) që na ndihmon të hyjmë në misteret e pafundësisht të vogla dhe që të njohim më mirë sjelljen e dritës”, citon ANSA presidentin e ASI-së, Roberto Battiston, transmeton ATSH.
“Falë distancave hapësinore, kemi konfirmuar një prej supozimeve të teorisë kuantike, pra që drita ka një natyrë të dyfishtë valë-grimcë. Nëpërmjet këtij eksperimenti Italia konfirmon rolin e saj të nivelit të parë për zhvillimin e komunikimeve kuantike që do të kenë shumë aplikime në të ardhmen”, vazhdoi ai.
Ky studim italian kishte filluar në qershor 2015, duke dërguar mesazhin e parë kuantik në botë nëpërmjet një sateliti.
Zhvillimi i kësaj fushe të re kërkimi sapo ka filluar dhe ka shtyrë shumë vende të tjera të investojnë shuma kolosale në këto teknologji.
Në vend të parë janë Kina, Japonia, Gjermania, Kanadaja, Singapori dhe Austria.