LIGJËSIMI I SELAMIT DHE DOBITË E TIJ

Allahu i urdhëroi muslimanët që të përshëndeten në mes veti kur të hynë në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe tha: “O ju besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre”. Nur 27, dhe “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje të mirë e të bukur nga Allahu”. Nur 61.
Poashtu urdhëroi me dhënien e selamit gjatë takimeve me njëri-tjetrin. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nëse e takon dikush vëllanë e vet, le t’i jap selam, e nëse në mes tyre ka ndonjë pemë, mur apo gur e pastaj e takon le t’i japë atij selam”.
Poashtu ligjësohet dhënia e selamit gjatë ardhjes dhe fillimit të uljes, dhe gjatë ngritjes dhe largimit prej mexhlisit. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush vjen në ndonjë grupim, të përshëndesë me selam, dhe kur dëshiron të largohet, le të përshëndesë prapë me selam. Nuk është i pari më i vlefshëm se i fundit”.
Sunet është ta përshëndesë kalorësi këmbësorin, këmbësori të ulurin, pakica shumicën, i vogli të rriturin, dhe forma e përshëndetjes për atë që e fillon është: “Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu”, kurse për atë që i përgjigjet është: “Ue alejkumu selam ue rahmetullahi ue bereketuhu”. Kjo është forma më e mirë, por edhe nëse e shkurton ai që e jep vetëm se në “Es selamu alejkum”, dhe ai që përgjigjet vetëm se në “Ue alejkumu selam” lejohet, por më mirë është që kur t’ia kthen të shton në formë siç thotë edhe Allahu, azze ue xhel: “Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë”. Nisa 86.
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, kur e komenton këtë ajet thotë: “Kur të përshëndet një musliman përgjigju atij me më mirë duke shtuar në formë ose përgjigju ashtu si të përshëndeti”. Teprica apo shtimi në formë është e pëlqyer, ndërsa ngjasimi është detyrues që do të thotë se fillimi me selam është e pëlqyer, kurse përgjigja apo kthimi i tij detyrim dhe duhet patjetër të jetë me fjalën “Selam”.
Përshëndetjet si, mirëmëngjesi dhe mirëdita, nuk bëjnë pjesë në përshëndetjen me selam. Njeriu duhet patjetër që ta shqipton selamin dhe nuk mjafton shenja me dorë apo me kokë për shkak ndalesës që ka ardhur në hadithin të cilin e përcjell Amru ibën Shuajb, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, prej gjyshit të tij dhe ky i fundit  prej Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i cili ka thënë: “Nuk është prej nesh ai i cili i ngjason të huajit, mos u ngjasoni çifutëve dhe të krishterëve. Përshëndetja e çifutëve është shenja me gishta, ndërsa përshëndetja e krishterëve është përshëndetja me dorë”.
Por nëse është i përshëndeturi shurdh apo është larg e kështu me radhë nuk ka problem nëse e përshëndet me shenjë dhe njëkohësisht duke e shqiptuar selamin.
Përshëndetja me selam është prej të drejtave të muslimanëve të ndërsjella dhe duhet që të përshëndeten mes veti. Jobesimtarëve nuk lejohet që t’i përshëndesim me selam, por nëse ata fillojnë me selam, u themi: “Ue alejkum”, duke u bazuar në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Mos filloni të parët me selam ndaj krishterëve dhe çifutëve, dhe nëse e takoni në rrugë ndonjërin prej tyre detyrojeni atë që tu përmbahet anëve të rrugës”.
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nëse ju përshëndesin juve të krishterët dhe çifutët thuani atyre: “Ue alejkum”.
O ju musliman, dijeni Allahu ju mëshiroftë se ka kohëra dhe vende ku nuk ligjësohet në to dhënia e selamit, prej saj:
Kur njeriu është duke e kryer nevojën e vogël apo të madhe, apo është në tualet, pastaj gjatë hutbes së Xhumasë nuk lejohet që të përshëndetet xhemati kur e dëgjojnë hutben, për shkak se ata janë të urdhëruar të mos flasin dhe nëse i përshëndet ndonjëri nuk lejohet që t’ia kthejnë selamin.
Poashtu, gjatë leximit të Kuranit lexuesit nuk i jepet selam kur lexon. Ajo çka e meriton të përmendet dhe t’ia tërheqim vërejtjen është përshëndetja e njerëzve me dorë pas namazeve detyruese dhe vullnetare. Kjo përshëndetje nuk ligjësohet dhe nëse njeriu vazhdon në veprimin e saj kalon në risi. Nëse e vepron atë për ndonjë shkak si kur e takon ndonjë njeri të cilin nuk e ka parë një kohë të gjatë apo ka nevojë të i flet për diçka, kjo lejohet dhe nuk ka gjë në të.
Përshëndetja me dorë gjatë takimit është sunet i pëlqyer dhe i kërkuar. Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk takohen dy muslimanë e përshëndetën me dorë vetëm se iu falen mëkatet, para se të ndahen”.
Përkulja gjatë përshëndetjes ndalohet edhe atë duke u bazuar në hadithin të cilin e shënon Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij se është pyetur Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, se a lejohet përkulja gjatë përshëndetjes? Është përgjigjur se nuk lejohet. Përkulja është një lloj rukue, ndërsa rukua dhe sexhdeja nuk lejohen vetëm se për Allahun.
Sa i takon dispozitës së ngritjes për selam ose për respekt të një njeriu i cili vjen prej rruge apo hyn në ndonjë mexhlis lejohet. Kurse ngritja në shenjë respekti të një njeriu e jo për arsye të përshëndetjes së tij, siç u ngrihet mbretërve, kryetarëve, etj, deri sa ata të ulen, apo siç i urdhërojnë mësuesit nxënësit të ngrihen kur ata hyn në klasë apo kur vjen ndonjë vizitor në klasë, kjo nuk lejohet. Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka qenë tradita e të parëve tanë gjatë periudhës së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe periudhës së halifeve të drejtë, të i ngrihen në këmbë Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe halifeve pas tij siç është traditë sot ku njerëzit u ngrihen në këmbë njëri-tjetrit”.
Madje Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se nuk ka pasur krijesë më të dashur tek ne se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, mirëpo askush prej sahabëve kur e shihte nuk iu ngritke në këmbë për shkak se ai e urrente atë.
Ndoshta janë ngritur për atë njeri i cili ka ardhur prej rruge që ta presin siç transmetohet se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, është ngritur për Ikramen, dhe u ka thënë Ensarëve kur erdhi Sad ibën Muadhi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Ngrihuni dhe priteni udhëheqësin e juaj”. Prandaj muslimanët duhet t’i pasojnë të parët tanë për të cilët Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë thënë se janë gjenerata më e mirë në historinë e njerëzimit dhe na kanë urdhëruar që t’i pasojmë ata.
O ju robërit e Allahut,
Kur njeriu përshëndet me selam apo i dërgohet selami prej një njeriu tjetër i cili nuk është prezent aty detyrohet që t’ia kthen dhe nëse përshëndetja është nëpërmjet ndonjë ndërmjetësuesi detyrohet të thotë “Ue alejhi selam”. Nëse përshëndetja është nëpërmjet ndonjë shkrimi apo letre, kur ta lexon duhet të thotë: “Ue alejkum selam”.
O ju musliman, frikojuni Allahut dhe përhapeni selamin mes jush për arsye se ai është shkak i shumë mirësive dhe i ringjalljes së Sunetit dhe i largimit të egërsisë mes njerëzve. Ai është prej fjalëve më të mira dhe të folurit më të bukur dhe Allahu për të tha: “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje të mirë e të bukur nga Allahu”. Nur 61.
O ju njerëz, kapuni për veprat e mira dhe virtytet e larta të moralit dhe dijeni se përhapja e selamit mes jush është shkak i shumë fryteve të mëdha, prej saj:
-Është një prej shkaqeve për hyrjen e njeriut në xhenet.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “O ju njerëz, përhapeni selamin, ushqeni nevojtarët, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni natën kur njerëzit tjerë flenë që të qetë të hyni në xhenet”.
-Është shkak i cili mbjell dashuri në zemër mes njerëzve.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk do të hyni në xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të mos duheni në mes vete. A nuk dëshironi t’ju udhëzoj në një gjë, nëse e bëni atë do të duheni në mes vete? Përhapeni selamin (përshëndetjen) në mes jush”.
-Selami dhe përshëndetja me dorë janë shkak i faljes së mëkateve.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk takohen dy muslimanë e përshëndetën me dorë vetëm se iu falen mëkatet, para se të ndahen”, dhe me një transmetim tjetër thotë: “Kur besimtari e takon një besimtar e përshëndet dhe ia japin dorën njëri-tjetrit, iu bien mëkatet siç bien gjethet e pemëve”.
O ju besimtarë për këto arsye kapuni për të dhe veproni me të që t’i fitoni të gjitha frytet e saj.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU