Në këtë muaj të begatshëm muslimanët me ndihmën e Allahut e fituan luftën e Bedrit kundër armiqve të tyre. Kjo ditë u quajt dita e Furkanit (Dallimit), për shkak se në këtë ditë me fitoren e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe të muslimanëve ndaj jobesimtarëve u dallua e vërteta prej të pavërtetës. Kjo betejë ndodhi në muajin Ramazan në vitin e dytë sipas hixhretit. Shkaku i luftës ishte se Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, i kishte arritur lajmi se Ebu Sufjani ishte drejtuar prej Shamit në drejtim të Mekës me një karvan të Kurejshëve. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i thirri sahabët që të dalin dhe ta marrin karvanin, për shkak se Kurejshët ishin armiq të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe të sahabëve, nuk kishin marrëveshje mes tyre dhe ata ishin të cilët i larguan prej shtëpive, ua morën pasurinë dhe me këtë e merituan atë që e dëshironte Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe shokët e tij.
Numri i muslimanëve ishte i përbërë prej treqind e dhjetë deri treqind e nëntëmbëdhjetë ushtarë, dy kuaj dhe shtatëdhjetë deve. Qëllimi primar i tyre ishte marrja e karvanit e jo lufta, mirëpo caktimi i Allahut ishte që të dyja palët të takohen pa dëshirën e tyre dhe të luftojnë mes veti. Ebu Sufjani kur e kuptoi se muslimanët ishin në pritje të tyre e dërgoi një lajmëtar te Kurejshët që t’i lajmërojë që të dalin ta mbrojnë pasurinë, kurse vetë me karvanin e ndërroi rrugën, me qëllim që t’i ikë muslimanëve. Kur u arriti lajmi Kurejshëve menjëherë u bënë gati për luftë. E formuan një ushtri që përbëhej prej njëmijë e treqind luftëtarësh. Kishin njëqind kuaj, gjashtëqind ushtarë të veshur me parzmore, ndërsa deve kishin aq shumë, saqë nuk u dihej saktësisht numri. Kryekomandant i tyre ishte Ebu Xhehli, armiku më i madh i muslimanëve dhe Faraoni i këtij umeti.
Kurejshët u nisën pikërisht ashtu siç flet Kurani: “Të cilët dolën nga shtëpitë e tyre duke shfaqur arrogancën e për t’u reklamuar njerëzve (trimërinë dhe gajretin e tyre), dhe për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut.” Enfal 74.
Kurejshët u nisën me shpejtësi të madhe nga veriu në drejtim të Bedrit. Rrugës morën një lajm të ri nga Ebu Sufjani, nëpërmjet së cilës u thoshte: “Ju u nisët për të shpëtuar karvanin, njerëzit dhe pasurinë, por këtë e bëri Zoti. Kthehuni në Mekë.” Ebu Xhehli, i tronditur u bërtiti: “Kurrsesi nuk do të kthehemi gjersa të arrijmë në Bedër. Atje do të pushojmë tri ditë, do të therim disa deve, do të ngopemi mirë e do të pimë verë e pastaj do të festojmë. Duhet të dëgjojnë arabët për ekspeditën dhe fuqinë tonë, e kurrë më të mos mendojnë se mund të na sulmojnë.”
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe muslimanët e kuptuan se ushtria mekase ishte nisur për t’i ndihmuar karvanit, dhe konstatuan se nuk kishin zgjidhje tjetër dhe se nuk mund t’i iknin përleshjes, ngase kjo do të thoshte paburrëri. Pas këshillave që i bëri Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, me sahabët u tha se Allahu ma premtoi fitoren mbi njërën prej dy grupeve, ose karvanin ose luftën. Atëherë u ngrit Mikdad ibën Amri, radijallahu anhu, e tha: “O Pejgamber i Allahut, shko rrugës të cilën të ka treguar Allahu. Ne jemi me ty. Pasha Allahun, çfarëdo që të ndodhë ty nuk do të themi ashtu siç i kanë thënë Beni Israilët Musait, alejhi selam: “Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, e ne do të rrimë këtu.” Maide 24. – “Jo, kurrsesi, ne ty të themi – Shko ti me Zotin tënd e luftoni, e ne do të luftojmë së bashku me ju. Pasha Krijuesin, i Cili të bëri Pejgamber, po qe se nisesh edhe në pjesën më të skajshme të Jemenit ne do të luftonim së bashku me ty përderisa ta pushtoje.”
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, iu falënderua dhe iu lut Allahut për të.
Prijësi i ensarëve Sad ibën Muadhi, radijallahu anhu, tha: “Ndoshta ti mendon se ensarët i japin vetes të drejtë të ndihmojnë vetëm në shtëpitë e veta e të mos largohen prej tyre, kurse unë të them në emër të tyre dhe ta jap përgjigjen e tyre, nisu nga të duash, e na jep çka të duash. Atë që do ta marrësh do të na jetë më i ëndshëm se atë që nuk do ta lije. Çdo urdhër yti, për ne është urdhër të cilin e pranojmë dhe e zbatojmë me gjithë zemër. Pasha Allahun, po qe se do të na dilte përpara edhe deti, e ti të hysh në të, edhe ne do të vinim pas teje.”
Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, e gëzuan shumë fjalët e Sadit. Kjo i dha vullnet për aksion. Ai tha: “Nisuni dhe po ju jap lajmin e mirë se Allahu më ka premtuar njërin prej dy grupeve. Pasha Allahun, më bëhet se jam duke e parë vendin e shkatërrimit të tyre.”
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, vendosi të nisej me ushtrinë e vet në Bedër, para Kurejshëve, për të zënë një vendburim shumë të rëndësishëm të ujit.
Në muzg arritën poshtë burimeve të Bedrit dhe Habab ibën Mundhiri, radijallahu anhu, njëri nga vëzhguesit, u ngrit e tha: “A mendon, o Pejgamber i Allahut, të qëndrojmë këtu? A të ka urdhëruar Allahu që të jemi në këtë vend dhe se nuk guxojmë të shkojmë as përpara as prapa, apo kjo është çështje e mendimit të lirë, luftë dhe taktikë?” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Ky është vend për konsultim, luftë dhe taktikë.” Hababi vazhdoi: “O Pejgamber i Allahut, ky vend nuk është i mirë për të qëndruar. Nisu me njerëzit derisa të arrish gjer te pusi më i afërt i kurejshëve. Pusin rrënoje dhe mbuloje me dhe e gurë. Kështu vepro edhe me puset e tjera. Pastaj për vete do të hapim një kanal të cilin do ta mbushim me ujë. Vetëm atëherë do të nisemi në sulm. Ne do të kemi ujë për të pirë, e ata jo.” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Plani yt është i mirë.”
Allahu, azze ue xhel, atë natë dërgoi shiun që mushrikëve u nxori probleme dhe telashe, sepse ua vështirësoi rrugën dhe lëvizjen, kurse për muslimanët kjo ishte mëshirë e Allahut sepse shiu i lau, ua pastroi trupin dhe rrobat, i freskoi ata dhe e zbuti tokën, rërën e vrazhdë dhe nguliti dashuri në zemrat e tyre. Shiu, pra, për muslimanët ishte mëshira e Allahut.
Muslimanët ndërtuan një vendkomandë në një lartësirë në anën veriperëndimore nga fushëbeteja, nga mund të kontrollohej e tërë beteja dhe zgjodhën një grup të rinjsh në krye me Sad ibën Muadhin për të mbrojtur komandantin e tyre, Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u caktoi ushtarëve vendet dhe shkoi në vijën e parë. E ngriti dorën e tha: “Këtu nesër do të vritet, inshallah filani e filani, e këtu nesër do të vritet inshallah, filani e filani.” Pastaj Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, pjesën tjetër të natës e kaloi në namaz nën kurorën e një druri pranë vendkomandës, kurse muslimanët e tjerë e kaluan të qetësuar nën kupën e shkëlqyer të qiellit, me vetëbesim të plotë. Pushonin duke dëshiruar që Allahu t’u dërgonte ndonjë shenjë të mirë, të cilën nesër do ta shihnin me sytë e vet. Allahu, azze ue xhel, shpalli: “(Kjo mrekulli u paraqit atëherë) Kur Zoti bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë për qetësimin tuaj nga ana e Tij, e lëshoi shiun prej reve për t’ju pastruar me të dhe për t’ju larguar shqetësimin e djallit (frikësimin e tij), për t’i bashkuar zemrat tuaja me besim dhe t’jua forcojë këmbët tuaja.” Enfal 11.
Kjo natë para betejës ishte në prag të xhumasë, më shtatëmbëdhjetë Ramazan të vitit dy hixhrij.
Kur mushrikët dolën në fushëbetejë, përballë tyre dolën edhe muslimanët. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, iu drejtua Allahut me këto fjalë: “O Allahu im, këta janë Kurejshët, arritën me kalorësinë dhe me famën e tyre. Ty të kërcënohen dhe flasin gënjeshtra për Pejgamberin Tënd. O Allahu im, ma ofro ndihmën Tënde, të cilën ma ke premtuar! Mposhti ata sot.” dhe “O Zoti im, plotësoje premtimin Tënd që ma ke dhënë. Të lutem, o Zoti im, Ti na ndihmo, ne fuqimisht besojmë në fjalën Tënde!”
Allahu, azze ue xhel, ia pranoi lutjet dhe shpalli: “(Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë. Unë do të shtie frikë në zemrat e mohuesve, andaj goditini në qafë dhe në të gjithë gishtërinjtë”. Ne i dënuam kështu, sepse ata dolën kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kushdo që del kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ta dijë se Allahu është ndëshkues i ashpër. (Ne u thamë atyre:) “Ky është ndëshkimi, provojeni atë. Dënimi i zjarrit i pret mohuesit”. Enfal 12-14.
Në radhët e mushrikëve filloi çrregullimi. Shenjat e disfatës ishin gjithnjë e më të dukshme. Mushrikëve filluan t’u merreshin këmbët para sulmeve gjithnjë e më të fuqishme të muslimanëve. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem i dha urdhrin e fundit ushtrisë së vet për kundërsulm. Ai tha: “Ngjishini radhët dhe godisni me tërë fuqinë.” Pastaj shtoi: “Pasha Krijuesin, çdo njeri që merr pjesë sot në këtë betejë dhe lufton me durim të madh e nuk ikën nga lufta që të mos vritet, me siguri do të hyjë në Xhenet.” Gjithashtu u jepte zemër duke thënë: “Nisuni, nisuni, shkoni në Xhenet hapësirat e të cilit janë sa gjithë qiejt dhe Toka bashkë.”
Atëherë Umejr ibën Amri tha: “Oh, oh!” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e pyeti: “E çka mendon ti me atë oh, oh?” – “Pasha Allahun o Pejgamber, asgjë tjetër veçse sikur të isha njëri prej banorëve të tij.” – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “Ti me të vërtet do të bëhesh banor i xhenetit.” -Pastaj Umejri nxori hurmat nga xhepi e tha: “Nëse jam gjallë derisa t’i ha këto hurma, atëherë me të vërtetë qenka kohë e gjatë.” Pastaj i hodhi ato dhe vazhdoi luftën, ku së shpejti vritet.
Pastaj mori një grusht pluhur dhe ua hodhi kurejshëve, e tha: “Ju shëmtofshin fytyrat”, dhe ua hodhi pluhurin në fytyrë. Asnjë mushrik nuk ka shpëtuar pa e goditur rëra në sy, apo në hundë. Në lidhje me këtë Allahu, azze ue xhel, shpalli: “Dhe ti nuk ke gjuajtur kur gjuajte, por Allahu ka gjuajtur.” Enfal 17.
Fundi i betejës po afrohej. Mushrikët filluan të iknin masivisht nga fushëbeteja. Muslimanët i arrinin, i mbytnin dhe i zinin rob dhe beteja përfundoi me humbje të madhe të mushrikëve,. Muslimanët i dhanë katërmbëdhjetë shehidë Bedrit, gjashtë muhaxhirë dhe tetë ensarë. Mushrikët patën humbje të hatashme: shtatëdhjetë të vrarë dhe shtatëdhjetë të robëruar, kryesisht udhëheqës ushtarakë, prijës të fiseve e familjeve dhe pari.
Kur mbaroi lufta, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, erdhi dhe mbi mushrikët e vdekur mbajti një fjalim: “Sa farefis i keq ishit ndaj Pejgamberit tuaj. Të gjithë më quajtët gënjeshtar, gjersa të tjerët më besuan. Ju më pengonit, e të tjerët më ndihmonin. Ju më dëbuat, e të tjerët shtëpi më dhanë.” Pastaj urdhëroi të hidheshin në një bunar të vjetër në Bedër.
Ebu Talha, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar në Bedër që njëzet e katër njerëz, nga paria e mushrikëve, të hidheshin në një bunar të murosur të Bedrit si njerëz të pavlerë. Pas fitores, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, zakonisht qëndronte tri ditë në atë vend. Tri ditë pas betejës urdhëroi që t’i përgatisnin devenë për rrugë. U nis për në Medinë së bashku me shokët e vet. Kur mbërritën buzë bunarit, filloi të thërriste Kurejshët e vdekur në emër: “O filan filani, o filan filani! A nuk do ta kishit më që t’i nënshtroheshit Allahut dhe Pejgamberit të Tij? Ne me të vërtetë fituam atë që na ka premtuar Allahu. Po ju, a e fituat atë që ju ka premtuar Ai?”
Omeri, radijallahu anhu, tha: “O Pejgamber i Allahut, si mund t’u flasësh të vdekurve, të cilët nuk kanë shpirt?” – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Pasha Allahun, ju nuk dëgjoni aspak më mirë se ata.”
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur arriti në Medine thirri shokët e vet për t’u konsultuar me ta rreth robërve të luftës. Atëherë Ebu Bekri tha: “O Pejgamber i Allahut, ata janë të gjithë djem të xhaxhallarëve, anëtarë të familjeve kurejshite dhe bijtë e tyre. Mendoj se prej tyre ne duhet marrë shpagim, e kjo për ne do të kishte leverdi. Ndoshta Allahu do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, e të bëhen ndihmësit tanë.”
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e pyeti Omerin: “Çka mendon ti, o i biri i Hatabit?” Ai u përgjigj: “Unë nuk pajtohem me Ebu Bekrin. Do të dëshiroja të më japësh një kushëri e t’ia pres kokën. Nëse Aliu nuk ia kishte bërë këtë Akil ibën Ebi Talibit, e Hamza nipit të vet, si do të dinte Allahu se nuk kemi mëshirë ndaj jobesimtarëve!? Këta njerëz janë udhëheqës, prijës dhe bajraktarë të pabesimit.”
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, pranoi propozimin e Ebu Bekrit, kurse e refuzoi atë të Omerit.
Për disa shpagimi ishte me të holla prej njëmijë dërhem e deri në katërmijë dërhem, për disa shpagimi ishte që t’ua mësojnë fëmijëve të muslimanëve shkrimin dhe leximin, disa u lironin pa asnjë kusht në rast se kishte prej tyre dobi, e kështu me radhë.
Kjo pra ishte lufta e Bedrit ku fitoi grupi i vogël atë të madhin, për shkak se ishte e ngritur mbi fenë e Allahut, azze ue xhel, dhe e cila luftonte për ta ngritur fjalën e Allahut dhe ta mbron fenë e tij: “Sigurisht që kishte shenjë për ju në dy ushtritë që u ndeshën: njëra që luftonte në rrugën e Allahut dhe tjetra – e mohuesve, së cilës i dukej se para vetes kishte dy herë më shumë kundërshtarë. Allahu me ndihmën e Vet forcon kë të dëshirojë. Kjo, me të vërtetë, është mësim për largpamësit” Ali Imran 13.
O ju musliman, kapuni për fenë e juaj që ta fitoni armikun e juaj, bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë. Bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni.
SHEJH MUHAMED EL UTHEJMIN
Nga arabishtja: Irfan JAHIU