Që prej ditës së sotme hyjnë në fuqi rregullat e reja të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave.
Rregullorja e përgjithshme e mbrojtjes së të dhënave (GDPR) i jep qytetarëve të unionit më shumë të drejta për mënyrën se si përdoret informacioni i tyre personal. Kompanitë që punojnë në BE tani duhet të marrin leje mjaft të qartë nga përdoruesit për të mledhur informacionet e tyre personale, ose do të përballen me gjoba të rënda, transmeton tch.
Gjobat arrijnë deri në 20 milionë euro ose 4% e të ardhurave vjetore të kompanisë, që në rastin e Facebook do të ishin 2 miliardë euro.
GDPR është një përpjekje e ligjvënësve evropianë që të kufizojnë fuqinë e kompanive të teknologjisë. Sipas rregullores së re, çdo qytetar i BE-së ka të drejtë të shohë se çfarë informacioni kanë për të kompanitë dhe ta fshijë këtë informacion. Leja për të përdorur të dhënat është një tjetër ndryshim. Formulari i zakonshëm a jeni dakord me kushtet që shfaqet kur hapim një shërbim në internet, zor se do të duket më, pasi leja e marrë duhet të jetë shumë më specifike.
Rregullat e reja kanë të bëjnë jo vetëm me grumbullimin e të dhënave, por edhe me shitjen dhe shfryëtzimin e tyre për marketing. Analistët thonë se pritet një fluks i madh ankesash nga përdoruesit që në ditët e para të rregullores së re.
Nuk ka dyshim që kompanitë e teknologjisë kanë nisur punën për të gjetur mënyrën për të shmangur rregulloret e reja, nëse nuk ia kanë dalë akoma.