DISA NGA CILËSITË E BESIMTARËVE NË KUR’AN

O ju njerëz, keni frikë Allahun dhe meditoni rreth asaj që e përmendi Allahu nga cilësitë e besimtarëve në Kur’an me qëllim që të merrni mësime dhe shembuj nga to. Allahu në Kur’an cilësitë e besimtarëve i ceki në shumë ajete e ndër to janë edhe ato cilësi që i ceki në fillim të sures (El-Mu’minun:: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), – të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”. (El-Mu’minun: 1-11)

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, rëndësinë e këtyre ajeteve e qartësoi në një hadith të cilin e përcjell imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Mua më zbritën dhjetë ajete dhe kush punon me to hyn në Xhenet”, e pastaj i lexoi ajetet e para të sures Mu’minun.

Gjithashtu imam Nesaiu, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila kur u pyet për moralin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, tha se morali i tij ishte Kur’ani dhe i lexoi ajetet: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët” e deri te “dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet”. (El-Mu’minun: 1-9), dhe tha: “Kështu ka qenë morali i të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam”.

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, dëshiroi të na njoftojë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, vepronte me këto ajete dhe përshkruhej me këto cilësi të cilat i përmbajnë këto ajete nga cilësitë e mira.

Allahu i Madhëruar na bëri me dije se besimtarët që pajisen me këto cilësi, ata janë fitimtarët, të lumturit dhe të shpëtuarit, kurse ata që nuk pajisen me këto cilësi janë të humburit ashtu siç tha edhe vet i Madhëruari. “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, pastaj e çuam atë (kur nuk beson) në gjendjen më të ulët, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira: ata do të kenë shpërblime të pandërprera”. (Et-Tin: 4-6); “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. (El-Asr: 1-3)

Allahu i Madhëruar në këto ajete na tregoi se çdo njeri është në humbje përveç atij që përshkruhet me besim dhe me vepër të mirë dhe thirr në të mirë dhe ndalon nga e keqja dhe bën durim në atë që sprovohet.

Thënia e Allahut: “të cilët janë të përulur në namazin e tyre”. (El-Mu’minun: 2), na bën me dije rëndësinë e faljes së namazit dhe pozitën e tij në Islam dhe se është një prej cilësive të besimtarëve për arsye se namazi është shtyllë e fesë dhe shkak që të mbron nga e shëmtuara dhe të largon nga e liga dhe ta lehtëson veprimin e punëve të mira ashtu siç thotë edhe Allahu: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz”. (El-Bekare: 45)

Përkujdesja për namazin duhet të jetë primare për muslimanin për arsye se gjëja e parë që do të japë llogari robi në Ditën e Kiametit do të jetë namazi. Të përulur në namaz do të thotë që zemra jote të jetë e pranishme në namaz e nënshtruar para Allahut dhe gjymtyrët e tua të jenë të qeta, pa lëvizje të panevojshme. Përulja në namaz është shpirti i tij dhe ajo që kërkohet në të dhe robi nuk merr nga namazi i tij vetëm se aq sa ka qenë prezentë shpirti i tij. Preokupimi i zemrës në namaz me gjëra të kota që nuk kanë lidhje me namazin dhe bërja e lëvizjeve të tepërta të panevojshme është sjellje dhe moral i keq me Allahun. Kthimi i fytyrës në të majtë apo në të djathtë është largim i fytyrës nga Allahu dhe mashtrim i shejtanit i cili tenton që t’i vjedh robit nga namazi i tij dhe kjo është argument i shkujdesjes së zemrës së tij nga namazi.

Thënia e Allahut: “të cilët shmangen nga fjalët e kota”. (El-Mu’minun: 3), e ka për qëllim largimin nga çdo e kotë dhe këtu përfshihet edhe shirku dhe të gjitha llojet e mëkateve dhe po ashtu e përfshin atë që nuk ka dobi prej saj nga thëniet dhe veprat.

Prej cilësive të besimtarëve është se ata i shmangen të gjitha llojeve të kotës dhe janë të preokupuar vetëm se me të vërtetën dhe të dobishmen për ta. Ata nuk i dëgjojnë përgojimet dhe bartjet e fjalëve, muzikën dhe instrumentet muzikore, nuk shikojnë në të kotën që u prezantohet nëpërmjet filmave dhe serialeve të ndryshme, nuk ulen nëpër mexhlise e dëfrimit ku në flitet e kota dhe veprohen mëkate e gjynahe dhe nuk i përgjigjen ftesave të atyre që e shpërndajnë të kotën nëpër tokë.

Thënia e Allahut: “të cilët japin zeqatin”. (El-Mu’minun: 4), e ka për qëllim ata që e pastrojnë veten duke vepruar vepra të mira (fjala zeqatë në aspekt gjuhësor do të thotë pastrim dhe shtim) dhe duke iu larguar ndalesave dhe duke e dhënë zeqatin e pasurisë së tyre.

Thënia e Allahut: “të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve)”. (El-Mu’minun: 5-7), e ka për qëllim ata që e ruajnë nderin e tyre duke mos rënë në imoralitet dhe homoseksualizëm dhe po ashtu iu larguan çdo mjeti i cili të çon deri në shthurje morale. Për këtë ata iu larguan shikimit të ndaluar, e stolisën veten me petkun e devotshmërisë dhe i larguan gratë nga përzierja me burra të huaj dhe nga udhëtimi pa mahrem dhe u larguan nga shikimet e filmave të degjeneruar dhe pamjeve të ndaluara. Pastaj Allahu i Madhëruar e qartësoi se atij që nuk i mjafton ajo që ia lejoi Allahu nga kënaqësitë me gratë e veta dhe i tejkalon kufijtë duke i bërë mëkat Allahut, ai do të jetë meritor i ndëshkimit dhe dënimit të Allahut.

Thënia e Allahut: “të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra”. (El-Mu’minun: 8), e ka për qëllim ata që i marrin amanetet duke filluar nga detyrimet fetare, të drejtat në pasuri, fshehtësive, pastaj mjeteve dhe sendeve të ndryshme, janë të detyruar që amanetin ta dërgojnë deri në vend dhe të përkujdesen për të ashtu siç e meriton ai amanet të përkujdeset. Po ashtu punëtorët dhe udhëheqësit janë të detyruar që amanetet e tyre që i kanë marrë tua japin hakun dhe mos t’i bëjnë padrejtësi njerëzve dhe tua kthejnë amanetet atyre që u përkasin: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin”. (En-Nisa: 58)

Marrja e amanetit do të thotë përkujdesja për të dhe të kthyerit e tij deri tek pronari në gjendje të mirë ashtu edhe siç e ke marrë për arsye se kjo është besëlidhje dhe besëlidhja duhet që të respektohet dhe mos të thyhet: “Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete”. (En-Nahl: 91)

Thënia e Allahut: “dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet”. (El-Mu’minun: 10), na qartëson vlerën dhe rëndësinë e namazit për arsye se Allahu fillon në fillim të sures me cekjen e faljes së namazit dhe i përfundon këto ajete me përmendjen e namazit dhe nxitjes që ai të falet rregullisht. Përkujdesja për namaz do të thotë falja e tij në kohë duke marrë abdes si duhet dhe duke i plotësuar kushtet, shtyllat, detyrimet dhe duke e falur në kohët e veta dhe në vendet ku ka urdhëruar Allahu që të falet e ato janë xhamitë edhe atë së bashku me xhemat. Kush len diçka nga këto dispozita pa asnjë arsye fetare nuk bën pjesë në ata që përkujdesen për namazin, madje ai konsiderohet nga ata që e neglizhojnë atë dhe për të cilët Allahu thotë: “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh”. (Merjem: 59); “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet”. (El-Maunë: 4-5)

Allahu i Madhëruar në fund të këtyre ajeteve e përmend shpërblimin e atyre që pajisen me këto cilësi të cekura në ajete dhe thotë: “Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”. (El-Mu’minun: 11)

Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kështu, kur të kërkoni prej Allahut (ndonjë gjë), kërkoni Firdeusin, i cili është pjesa e më e mirë dhe më e lartë e Xhenetit Përmbi të (Firdeusin) është Arshi i të Gjithëmëshirshmit (Allahut) dhe prej andej vërshojnë lumenjtë e Xhenetit”.

Pastaj Allahu i Madhëruar e mbaron ajetin ku e cek se qëndrimi i tyre në Firdeus do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të kenë nevojë për frikë se kjo do tu humb apo do të kalojë tek të tjerët dhe se ata do të nxirren nga ai.

E lus Allahun që me mëshirën dhe begatinë e Tij të na bën prej banorëve të Firdeusit.

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU