KURTHET E SHEJTANIT

Allahu, azze ue xhel, në Kur’an thotë: “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë”. (El-A’raf: 27)

Shejtani mashtrimin dhe kurthin e tij fillimisht e praktikoi me dy prindërit tanë të ndershëm. Kjo ishte bela e madhe të cilën e nxiti zilia dhe zemërimi: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?” (El-Isra: 62), dhe të cilën e nxiti mendjemadhësia dhe kryelartësia: “përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar”. (El-Bekare: 34), dhe mjeti i tij ishin betimet e rrejshme: “Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!”. (El-A’raf: 21), dhe analogjitë e kota: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta” (El-A’raf: 12)

Ishte sprovë shumë e madhe dhe më e madhe bëhet atëherë kur forcohet pushteti i Iblisit dhe i provokon e i tremb zemrat, mendjet dhe emocionet në një luftë të rreptë, në të cilën përdor zërin e tij dhe të gjithë kalorësinë dhe këmbësorinë e tij: “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime-”. (El-Isra: 64)

Njohja e mashtrimeve të shejtanit dhe përsiatja në kurthet e tij zë vend të rëndësishëm në jetën e muslimanit për shkak se i mundësohet të mbrohet dhe të largohet prej intrigave të tij. Shejtani shfrytëzon dobësitë e cilësive të njeriut, nëse shejtanin e nxjerri nga Xheneti zilia, Ademin, alejhi selam, prej Xhenetit e nxori, siç thonë dijetarët, lakmia. Ecja e birit të Ademit pas gjurmëve të shejtanit e çon këtë deri në atë gradë sa që shejtanin e merr si të adhuruar përveç Allahut: “Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armik i hapët i juaji”. (Ja Sin: 60); “O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit”. (Merjem: 44) Robi e arrin këtë gradë atëherë kur frenat e udhëheqjes ia dorëzon armikut të tij dhe ia liron kapistrën epsheve të tij dhe e pason çdo shejtan të rebeluar: “e është caktuar për të (djallin), se kush e bën mik, ai (djalli) do ta shmangë (mikun) e do ta sjellë atë në dënimin e zjarrit”. (El-Haxh: 4) Ndërsa në një hadith ceket se: “Shejtani i del birit të Ademit në çdo rrugë përpara. I del në rrugën e tij të Islamit e i thotë: po bëhesh musliman dhe po e le fenë e prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve…”.

Në rast se nuk mundet ta mashtron robin që t’i bëj kufër Allahut, atëherë atë e drejton drejt rrugës së risive, dyshimeve dhe pasimeve të epsheve. Sa njerëz i mashtroi duke ua zbukuruar atyre risitë, e sa adhurues i mahniti duke ua zbukuruar atyre gënjeshtrat e tij, derisa i drejtoi drejt rrugës së devijimit dhe drejt rrugës pa kthim ku në të flasin për Allahun pa dituri dhe atë që nuk e dinë: “mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur. Ai ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini”. (El-Bekare: 168-169)

O vëllezër, po, të folurit pa dituri është pasim i gjurmëve të shejtanit dhe është baza e çdo shkatërrimi në besim dhe devijimi në ligjësim dhe më afër saj janë ata të cilët flasin për një lëmi që nuk e njohin mirë, e që më vonë kjo u bëhet atyre shkak që i nxit për në shpifje e gënjeshtra, mëkate e gjynahe dhe atëherë u vijnë shejtanët me të madhe: “A doni t’ju tregoj se kujt i vijnë djajtë? Ata i vijnë çdo gënjeshtari gjynahqar”. (Esh-Shuara: 220-221) Ata atëherë nuk thirrin më në udhëzim, nuk urdhërojnë më në devotshmëri dhe nuk udhëzojnë më në të vërtetën, ndërsa postier i shejtanit në të gjithë këtë është mendjelehtësia dhe ngutësia, ashtu edhe siç është përcjellë prej hadithit të Enes ibën Malikut, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Mos nxitimi është nga Allahu, ndërsa ngutja është nga shejtani”.

Pas këtij hapi shejtani kalon në hapin tjetër ku në të i frikëson njerëzit me armën e tij djallëzore, koprracinë dhe frikën prej varfërisë. Sufjan Theurij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shejtani nuk ka armë më të fortë për njeriun se sa frika prej varfërisë”. Kur ngulitet kjo frikë në zemrën e njeriut, e pengon atë prej të vërtetës, flet me epsh dhe për Allahun mendon keq. Këtë më së mirë na e sqaron Allahu, azze ue xhel, kur thotë: “Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm”. (El-Bekare: 268)

O ju vëllezër, zemërimi është rebelimi i shejtanit mbi mendjen e njeriut. Transmetohet prej njërit prej të Dërguarve të Allahut të i ketë thënë Iblisit: “Kur e mbisundon më së lehti të birin e Ademit? Iblisi iu përgjigj: “Atëherë kur është i zemëruar dhe kur e pason epshin”.

Premtimet, shpresat dhe mashtrimet janë këto një armë tjetër e fortë e shejtanit për njeriun: “Ai (djalli) u premton atyre dhe i josh me shpresa, por ato që premton djalli, janë vetëm mashtrime”. (En-Nisa: 120); “Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju mu përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten!”. (Ibrahim: 22); “Mirëpo, kur u ndeshën dy ushtritë (me engjëjt përkrah besimtarëve), ai u kthye nga thembrat e tij dhe u tha (jobesimtarëve): “Unë nuk kam të bëj me ju”. (El-Enfal: 48) Ky mashtrues i premton njerëzve sipas natyrshmërisë së tyre dhe i fut në kurthin e tij sipas ëndjeve dhe dëshirave të tyre. Pasanikun kur jep lëmoshë dhe bën vepra të mira e frikëson me varfëri, ndërsa pasurinë ia zbukuron me shkaqe të ndaluara dhe mjete të shëmtuara.

Shejtani pasuesve të feve dhe të grupeve fetare ua zbukuron fanatizmin dhe nënçmimin e kundërshtarëve dhe këtë rrugë ua përshkruan si rruga e kërkimit të diturisë dhe e dashurisë së dijetarëve. Largimi prej mesatares dhe tejkalimi i çdo kufiri jashtë normales është gjurmë e shejtanit dhe rrugë e tij. Disa prej selefit thoshin: “Nuk ka urdhëruar Allahu për një çështje vetëm se shejtani nëpërmjet tij ka nxitur në dy çështje, ose në mangësi dhe indiferencë ose në tejkalim të kufijve dhe ekstremizëm, dhe nuk i intereson Iblisit se me cilën do të fitojë”. Shejtani kurthet dhe grackat e tij i ngrit mes këtyre dy luginave, ec dhe thur komplote e intriga dhe i forcon ato. Si shkak i këtyre kurtheve disa prej popujve i tejkaluan kufijtë sa i takon të dërguarve të Allahut dhe pasuesve të tyre, duke i ngritur ata deri në nivelin dhe gradën e adhurimit, e disa popuj të tjerë u bënë indiferentë ndaj tyre duke vrarë një numër të konsiderueshëm prej tyre. Ka prej sekteve të cilët i tejkalojnë kufijtë e normales sa i takon dijetarëve të tyre duke i ngritur ata në një gradë të cilën nuk e meriton njeri, ndërsa në anën tjetër kemi njerëz të cilët i kundërshtojnë dhe janë indiferentë ndaj dijetarëve të tyre. Kjo e tëra si rrjedhojë e mashtrimeve të shejtanit.

Kur shikon në dispozitat sekondare do të shohësh njerëz të cilët kanë mangësi në njohjen e rregullave të pastërtisë, ndërsa në anën tjetër ka prej tyre që janë të sprovuar me vesvese, saqë dëgjojmë se ka prej njerëzve të cilët tanë ditën rrinë në banjo duke marr abdes dhe çdo herë që pastrohen mendojnë se nuk janë pastruar mirë dhe se duhet prapë të përsëritet abdesi i tyre. Kjo pa dyshim si rezultat i vesveseve të shejtanit dhe vesveseve të tyre. Ka prej njerëzve të cilët kërkimin e diturisë e kanë qëllim final, mirëpo i neglizhojnë veprat. Ka prej tyre që detyrimet e caktuara individuale i lajnë dhe nuk i mësojnë. Ka prej atyre të cilët i neglizhojnë veprat e zemrës dhe nuk i kushtojnë aspak rëndësi, ndërsa në anën tjetër kemi njerëz të cilët i neglizhojnë veprat e gjymtyrëve dhe pretendojnë heqjen e përgjegjësive prej disa dijetarëve të tyre. Kjo e tëra si rrjedhojë e mashtrimeve të shejtanit: “Djalli i ka joshur dhe i ka ushqyer me shpresa të rreme”. (Muhamed: 25); “Ai që ka për shok djallin, dihet sa shok i keq është!” (En-Nisa: 38); “Në të vërtetë, djajtë i shmangin jobesimtarët nga rruga e drejtë, ndonëse ata mendojnë se janë të udhëzuar drejt”. (Ez-Zuhruf: 37) Më të keqen që mund t’ia veprojë Iblisi atij që e merr atë për shok, është ta largojë shokun e tij prej rrugës së vërtetë, e pastaj mos ta lejojë që t’i qartësohet ajo rrugë dhe në fund ta ushqejë me iluzione se ai ecën nëpër rrugën e drejtë, rrugën e udhëzimit, derisa të befasohet se ai në të vërtetë është në rrugë të gabuar: “Ata kanë zgjedhur djajtë për mbrojtës në vend të Allahut dhe mendojnë se janë në rrugë të drejtë”. (El-A’raf: 30)

O muslimanë!

Ky shejtan i mallkuar ia ka dhënë besën vetvetes se do ta pengojë çdo bir të Ademit nga rruga e drejtë: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë, e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” (El-A’raf: 16-17) Mirëpo edhe pse ia ka dhanë besën vetvetes prapëseprapë kurthet e tij janë të dobëta nëse armatoset robi me armën e besimit të pastër dhe adhurimet ia përkushton vetëm se Allahut dhe mbështetet vetëm se tek Zoti i tij: “Në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre”. (En-Nahl: 99) Shejtani pra nuk ka asnjë lloj pushteti mbi ithtarët e besimit të pastër dhe mbi të sinqertit, mirëpo mbi ata të cilët e mohojnë Allahun dhe e miqësojnë atë sundimi i tij është shumë i madh: “A nuk e sheh se Ne i kemi dërguar djajtë te mohuesit, për t’i yshtur ata me forcë?”. (Merjem: 83)

O ju vëllezër, edhe përskaj qartësimit dhe sqarimit të mashtrimeve të shejtanit, besimtari mund të rrëshqet ose gabon, ndoshta edhe ta kaplojë yshtja prej shejtanit, t’i vjen ndonjë mendim i ligë ose ndonjë vesvese në zemrën e tij, mirëpo ai shumë shpejt kërkon mbrojtje tek Zoti i tij dhe i mbështetet përmendjes së Tij dhe pendohet me sinqeritet tek Ai dhe e largon shejtanin prej tij: “Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë”. (El-A’raf: 201) Lidhja e tij me Allahun është shumë e fortë dhe ajo e mbron që mos të bie në kurth të armikut të Allahut dhe armikut të tij dhe ai çdo herë kërkon mbrojtje tek Allahu prej joshjeve të tij: “Nëse djalli fillon të të joshë, kërko mbështetje te Allahu. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha”. (Fusilet: 36)

E drejta e çdo njërit është t’ia dojë të mirën vetvetes, ta mbrojë fenë e tij dhe ta largojë shejtanin prej tij, por kjo arrihet vetëm se me marrjen e rrugës së devotshmërisë, diturisë dhe përqendrimit, e jo me pasimin e epsheve dhe ëndjeve dhe gjurmëve të shejtanit.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur”. (El-Fatir 6)

Këto janë disa udhëzime dhe disa direktiva të zgjedhura profetike të cilat paralajmërojnë prej rrugëve të shejtanit dhe grackave të Iblisit.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Askush prej jush të mos hajë me të majtën dhe të mos pijë me të majtën. Kjo, sepse shejtani ha me të majtën dhe pi me të majtën”.

Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, të ketë thënë: “Nuk ndodhë të jenë tre veta në ndonjë vendbanim, qytet apo fshat, e pastaj të mos falen me xhemat e të mos ketë mbizotëruar djalli mbi ta. Mbahu për kolektivin (xhematin) ngase ujku e ha delen, që i ndahet tufës”.

Katade, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell prej të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, se ka thënë: “Ëndrra e mirë është prej Allahut dhe ëndrra e keqe është prej shejtanit. Nëse dikush prej jush shikon ndonjë ëndërr që e urren, atëherë le të pështyjë tre herë nga krahu i majtë e të kërkojë mbrojtje nga Allahu prej shejtanit, sepse ajo nuk ka për t’i bërë dëm”.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e shënon një hadith në librin e tij prej Ebu Seidit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur ndonjërit prej jush i hapet goja, le ta mbyllë atë me anë të dorës së tij ngase shejtani i futet brenda”.

Po ashtu imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e shënon një hadith në librin e tij prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se i dobëti, por çdonjëri është i dobishëm. Shpejto në atë që ke dobi, kërko ndihmë prej Allahut dhe mos u bën i pa aftë (mos u dorëzo). Nëse të godet diç (e padëshirueshme), mos thuaj: sikur ta kisha bërë këtë e këtë do të ishte kështu e kështu, por thuaj: ishte caktim i Allahut dhe Ai çka deshi veproi, ngase thënia sikur (ta bëja këtë…) hap derën e shejtanit”.

E lus Allahun të na bëj dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

Shejh Dr. Salih El Humejd

nga arabishtja: Irfan JAHIU