Fëmijët janë bukuria dhe shkëlqimi i kësaj bote, ndërsa ecja e tyre në rrugë të drejtë është dritë dhe kënaqësi e vërtetë për sytë e prindërve.
Për të qarë është gjendja në xhamitë tona të cilat janë boshe pa prezencën e të rinjve. Të rralla janë ato xhami ku përveç pleqve falen edhe të rinj. Kjo pasha Allahun nuk është mirë për neve dhe tregon se ka devijime në edukatë fetare dhe se kjo është dobësi e prindërve. Në rast se nuk falen sot, kur do të falen ata të rinj në xhemat me muslimanët!?
Pasi që mëkati më i madh dhe përgjegjësia më e madhe bie mbi prindërit, atëherë së pari e rikujtoj veten e pastaj të gjithë përgjegjësit e familjeve të cilët e morën mbi supe amanetin, me fjalët e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “Çdonjëri prej jush është bari (kujdestar) dhe çdonjëri është përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari për shtëpinë e tij dhe përgjegjës për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për kopenë e saj.”
Allahu, azze ue xhel, na njofton në Kur’an dhe thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Et-Tehrim: 6)
“Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.” (Ta Ha: 132)
Në një hadith të qartë të cilin na e rrëfen i Dërguari i këtij Umeti Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, i porosit të gjithë prindërit: “Urdhërojini fëmijët tuaj që të falin namazin në moshën shtatë vjeçare dhe qëllojini (rrihni) që të falen kur të mbushin dhjetë vjeç dhe ndajini nga njëri-tjetri në shtrat.”
Vëllezër muslimanë!
Prej këtij udhëzimi profetik dhe fisnik mësojmë se edukimi i fëmijës për namaz duhet të jetë shkallë-shkallë dhe serioz. Fëmija thirret në moshën shtatë vjeçare ta fal namazin, mirëpo nuk rrihet vetëm se atëherë kur i mbush dhjetë të plota. Periudha tre vjeçare duhet të jetë e mjaftueshme që t’i ngulitet në zemër dashuria ndaj namazit dhe brenda kësaj periudhe ai thërritet mbi pesëmijë herë për faljen e namazit! Ai që i përgjigjet kësaj thirrjeje vazhdimisht brenda tri viteve, a ka nevojë që ta rrahësh pas pesëmijë namazeve!? Të paktë janë ata prindër që e praktikojnë porosinë profetike dhe kanë nevojë për edukim pasi t’i mbushë fëmija i tij dhjetë vjet. Numri i shumtë i namazeve dhe shkuarja e tij e shpeshtë në xhami brenda këtyre viteve, do të jenë shkak për bërjen e namazit pjesë të programit ditor të tij.
Sot shumica e njerëzve i rrahin fëmijët e tyre për çështje të kota dhe banale të cilat nuk e arrijnë në vlerë gradën e namazit. Kush e mendon gjendjen e namazit të sabahut dhe sa prej fëmijëve dhe të rinjve prezantojnë në faljen e tij, do të mërzitet për gjendjen e umetin të Islamit!
Ku janë prindërit të cilët janë të detyruar t’i zgjojnë fëmijët e tyre?
Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, na rrëfen se kishte shkuar te tezja e tij Mejmuneh, radijallahu anha, dhe pasi që u errësua erdhi i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, dhe i pyeti: “A u fal djaloshi?” – I thanë: “ Po, o i Dërguar i Allahut, u fal.”
Ibën Omeri, radijallahu anhu, thonte: “Fëmijës i mësohet namazi atëherë kur e dallon të djathtën e tij prej të majtës.”
Të parët tanë i vështronin me vëmendje fëmijët e tyre se a e falnin namazin dhe i pyesnin rreth saj.
Nga Aisha, radijallahu anha, na përcillet të ketë thënë: “Sahabët i merrnin fëmijët e tyre në xhami, që të falen me ta. Njëkohësisht u jepnin ushqime të shijshme vetëm e vetëm që t’i inkurajojnë ata të vijnë në xhami e të falen me ta.”
Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, na njofton se njëri prej sahabëve e kishte pyetur birin e tij: “A u fale me ne? A e arrite tekbirin fillestar? – Ju përgjigj: “Jo” -Atëherë i tha: “Biri im je privuar prej një mirësie të madhe sa njëqind deve të gjitha syzezë.”
O ju prindër!
Mos lejoni që nesër të dalin prej duarve të juaja fëmijë që nuk falen dhe të bëheni mëkatar për nxjerrjen e tij në këtë Umet si jobesimtar prej prindërve muslimanë edhe atë me pakujdesi dhe mëshirë përmbysëse.
I frikoheni ftohtit dhe nuk e zgjoni prej gjumi për namazin e sabahut, i frikoheni nxehtit dhe nuk e lejoni të shkon në namazin e ikindisë! Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!” (Et-Teube: 81)
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e neglizhon edukimin e fëmijës së tij atë çka i bën dobi, vetëm se i ka bërë padrejtësi. Shumica e fëmijëve kanë devijuar në besim dhe moral, si rezultat i neglizhencës së prindërve për t’ua mësuar atyre fenë dhe rregullat e saj. Prandaj, i humbën dhe i shkatërruan kur ishin të vegjël dhe kështu si bënë dobi as vetes së tyre e as prindërve kur u rritën të mëdhenj.”
O ju prindër!
Kujdesi për faljen e fëmijëve në xhami ka shumë dobi, prej saj:
– Largimi i përgjegjësisë para Allahut, azze ue xhel, dhe mbrojtja prej mëkatit pas ngulitjes së dashurisë ndaj namazit dhe urdhrit për faljen e tij
Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush është përgjegjës i fëmijës apo jetimit apo robit dhe nuk e urdhëron në faljen e namazit, atëherë përgjegjësi dënohet dhe i tërhiqet vërejtje me rrahje të rëndë për shkak se i ka bërë mëkat Allahut dhe Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem.”
– Shpresa për shpërblim për atë që e vepron fëmija i tij
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush thërret në udhëzim, ai do të ketë shpërblimin e tij dhe shpërblimin e atyre që do e veprojnë pas tij, duke mos e pakësuar aspak shpërblimin e tyre.”
– Ndjenja se i biri është nën mbrojtjen dhe kujdesin e Allahut, azze ue xhel, tërë ditën
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush e fal namazin e sabahut me xhemat është nën mbrojtjen e Allahut.”
– Largimi i fëmijës kur të rritet prej rrethit të jobesimtarëve dhe munafikëve
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Marrëveshja mes nesh dhe atyre është namazi, kush e le atë vetëm se ka bërë kufër.”
“Nuk ka namaz më të vështirë për munafikët se namazi i sabahut dhe jacisë. Po ta dinin se çfarë vlere dhe të mirash ka në to, do të vinin po qe nevoja edhe duke u zvarritur.”
– Rritja e fëmijës në mirësi dhe në rrugë të drejtë që të bëhet thesar për të dy prindërit pas vdekjes së tyre.
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, mirësinë dhe drejtësinë e fëmijës e bëri kusht për t’i bërë dobi prindërve: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të.”
“Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” (Ibrahim: 40)
O ti prind musliman!
Këto janë disa shkaqe të cilat ndihmojnë që fëmija yt ta fal namazin:
1. Së pari, ti prind, duhet të jesh shëmbëlltyrë për fëmijën tënd duke qenë prej atyre që e falin namazin dhe kujdesen për të. Fëmija kur t’i mbush të shtatat dhe fillon t’i dallojë gjërat merre me vete në xhami për faljen e namazit, se fëmija rritet ashtu si e mëson prindi i tij.
2. Jepi përparësi çështjeve të ahiretit para atyre të dynjasë dhe ngulite këtë besim në mendjen dhe zemrën e fëmijës tënd. Mos të bëhen provimet shkollore më të rëndësishme se falja e namazit dhe mos të bëhet përsëritja për në shkollë më e rëndësishme se shkuarja në xhami. Nuk është krenari që fëmija yt të bëhet njeri me pozitë dhe me famë ndërsa ai është prej munafikëve ose jobesimtarëve që nuk prezantojnë në faljen e namazit. Mjafton të jesh krenar kur e di se i biri ushqehet prej asaj çka e fiton dora e tij dhe ai e fal namazin, kurse bashkimi i dy çështjeve pa dyshim se është më e mira.
3. Bëhu durimtar dhe këmbëngulës se kjo çështje është e rëndë dhe lodhëse: ““Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë!” (Ta Ha: 132) dhe përgëzohu se fundi është i ëmbël: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)
4. Lexoja dhe mësoja fëmijës tënd hadithet që flasin mbi namazin. Sqaroja dispozitat e sheriatit për atë që nuk e fal namazin dhe çfarë dënimi e pret në dynja dhe ahiret. Tregoi se ai që e fal dhe kujdeset për të është prej atyre që Allahu i do dhe i mbron dhe shpërblimi i tij është Xheneti. Mos i thuaj se ti je ende i vogël dhe se ka kohë për ty kur do të falesh, por mësoja formën e faljes, dispozitat e saj dhe dobitë e saj se ajo i ndihmon në formimin e personalitetit.
5. Nxitni ata me shpërblime dhe dhurata të ndryshme për çdo namaz që e falin. Më kujtohet një prind i cili fëmijëve të tij për çdo namaz të sabahut të cilin e falnin në xhami u dhuronte të holla dhe si fryt i kësaj metode njëri prej fëmijëve iu bë një prej dijetarëve më të mëdhenj. Po ashtu më kujtohet një plakë e cila dilte me birin e saj në namazin e sabahut çdo ditë, dhe Allahu e fisnikëroi plakën me birin e saj dhe ia bëri prej hafizëve të Kur’anit dhe një prej imamëve të njohur dhe e bëri njeriun që më së shumti e respekton nënën e tij.
Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thonte: “Kujdesuni që fëmijëve mos t’u ikë koha e namazit. Pastaj bëjani atyre shprehi të mirën, sepse e mira duhet të bëhet traditë.”
6. Lutu për fëmijën tënd në çdo kohë dhe tento që ndonjëherë ai t’i dëgjojë lutjet e tua për namaz dhe udhëzim dhe begati. Prej lutjeve të profetëve dhe njerëzve të mirë ishte lutja: “Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” (Ibrahim: 40)
7. Shoqëro fëmijën tënd me njerëz të mirë besimtarë që e lexojnë Kur’anin dhe e falin namazin me xhemat.
8. Mendo çdo herë kur dëshiron të blen shtëpi që ajo të jetë afër xhamisë se ajo të ndihmon shumë në nënshtrim ndaj Allahut dhe posaçërisht i ndihmon fëmijës tënd në faljen e namazit.
9. Mendo ndonjëherë se fëmija yt të cilin e do mund të bëhet lëndë djegëse në rast se nuk falet: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tehrim: 6)
10. Bëhu serioz dhe këmbëngulës në urdhërimin e tyre për faljen e namazit. Kujdesu që t’i zgjosh prej gjumi në namazin e sabahut dhe merri të gjitha sebepet e mundshme, se fëmija kur e sheh se prindi ka seriozitet në këtë çështje atëherë edhe ai do ta merr çështjen me seriozitet. Bashkëpuno me imamin e xhamisë që ta nxit fëmijën tënd dhe të tjerëve në faljen e namazit dhe t’i përcjell ata se a prezantojnë rregullisht në xhami.
O prindër muslimanë, kjo rrugë është e rëndë dhe lodhshme, por më e lodhshme dhe më e mërzitshme është kur ta shohësh fëmijën tënd të devijuar, me alkool dhe me drogë ne duart e tij, prandaj lufto se mundi jot në fund do të shpërblehet: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)
E lus Allahun, azze ue xhel, që t’i përmirësojë dhe drejtojë familjet dhe pasardhësit tanë dhe t’i bën kënaqësia dhe drita e syve të prindërve.
SHEJH ABDULMELIK EL KASIM
Nga arabishtja: Irfan JAHIU