MOSKË (AA) – Fotoreporterja e Anadolu Agency (AA) Şebnem Coşkun fitoi “Çmimin e Veçantë të Jurisë” në konkursin ndërkombëtar të fotografisë Andrei Stenin, njoftuan organizatorët e garës.
“Si fotografe, jam ndier gjithmonë me fat që jetoj në një qytet sikur Stambolli”, tha Coşkun për AA.
Fotografia e saj fituese, “Mëngjesi përgjatë historisë”, portretizon dy njerëz që pinë çaj dhe një mori pulëbardhash që kapin ushqim në tarracën e një ndërtese me pamje panoramike të Stambollit.
“Kishte një qendër kulturore, ku njerëzit hanin mëngjesin. U ula në këtë tryezë mëngjesi. Ishte e mahnitshme: çaj të nxehtë, gjevrekë të freskët, pulëbardha dhe Stambolli”, tha Coşkun.
Ajo gjithashtu theksoi se marrja e këtij çmimi në Rusi do të thotë shumë për të.
“Unë kam qenë në qytete të ndryshme në Rusi, ndërsa isha në detyrë për Kupën Botërore 2018 të FIFA-s. Kam takuar shumë fotografë rusë me përvojë”, tha ajo.
Coşkun ka lindur në vitin 1987 në Stamboll të Turqisë. Ajo filloi karrierën e saj të fotografisë në vitin 2008. Përfundoi arsimin e saj universitar dhe magjistroi në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin Marmara të Stambollit, Departamenti i Fotografisë.
Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë Andrei Stenin është garë vjetore e emëruar sipas fotoreporterit rus Andrei Stenin, i cili u vra në vitin 2014 në detyrë në Ukrainën Juglindore.