DISA VEÇORI TË HAXHIT DHE KUSHTET E TIJ

O muslimanë!

Haxhi është një prej shtyllave të Islamit dhe bazament i tij i fortë. Allahu, azze ue xhel, thotë: Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ali Imran: 96-97)

Prej kuptimit të ajetit dijetarët kanë konstatuar se Haxhi është detyrim për çdo musliman dhe ai i cili e mohon këtë dispozitë është qafir me unanimitet të dijetarëve. Allahu, azze ue xhel, i drejtohet të dashurit të Tij Ibrahimit, alejhi selam, duke i thënë: “Thirri njerëzit për haxhillëk”. (El-Haxh: 27)

Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Islami është i ngritur mbi pesë bazamente: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”.

Qëllimi i thënies “për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”, është: kush ka ushqim të mjaftueshëm të merr me vete dhe t’i le familjes derisa të kthehet dhe të posedojë mjet transporti i cili do ta çojë deri në Qabe dhe do ta kthejë deri në vatanin e tij.

Në ligjësimin e Haxhit gjejmë urtësi, dhe urtësinë e ligjësimit të saj na e qartëson Allahu, azze ue xhel, ku thotë: “Që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. (El-Haxh: 27-29)

Dobia e Haxhit pra, i kthehet vetëm haxhiut e jo Allahut, azze ue xhel, për shkak se: “Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ali Imran: 97) Ai nuk është nevojtarë për haxhilerë, por ata kanë nevojë për Atë.

Urtësia e vonimit të detyrimit të Haxhit krahas namazit, zeqatit dhe agjërimit qëndron në faktin se namazi është shtylla e fesë e cila përsëritet çdo ditë e natë nga pesë herë, zeqati është shtyllë e cila përmendet shumë herë si shok i pa ndashëm i namazit, ndërsa agjërimi për shkak se përsëritet çdo vit. Haxhi është bërë i obliguar në Islam në vitin e nëntë sipas hixhretit, kurse Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, nuk e ka kryer Haxhin më shumë se një herë edhe atë në vitin e dhjetë sipas hixhretit, ndërsa gjatë jetës së tij i ka kryer katër Umre.

Synimi i Haxhit dhe Umres është adhurimi i Allahut në ato vende ku i ka caktuar që të adhurohet. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Qëllimi i gjuajtjes së gurëve dhe sajit mes Safës dhe Merues nuk është tjetër veç se të përmendet Allahu, azze ue xhel”. 

Haxhi pra, është obligim me unanimitet të muslimanëve dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit. Është detyrim individual një herë në jetë për atë që ka mundësi dhe detyrim kolektiv i muslimanëve për çdo vit, ndërsa ai i cili shton më shumë se Haxhin e detyruar i llogaritet si vullnetar.

Umreja po ashtu është obligative sipas mendimit të shumë dijetarëve dhe si argument e marrin hadithin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kur është pyetur se a ka xhihad për gratë? Përgjigjja e tij ka qenë: “Po, për gratë ka xhihad, mirëpo pa luftë: Haxhi dhe Umreja”.

Pasi që është vërtetuar se Umreja për gratë është obligative, atëherë kjo dispozitë për burrat është edhe më e kërkuar. Një njeri e pyeti Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, për babanë e tij i cili ishte plak e i lodhur dhe nuk kishte mundësi të shkojë në Haxh e as në Umre. Përgjigjja e tij ishte: “Kryeje Haxhin dhe Umren në vend të tij”.

Haxhi dhe Umreja janë detyrim i çdo muslimani një herë në jetë dhe duhet të shpejtojë në kryerjen e tyre sipas mundësive, ndërsa çdo vonesë pa arsye është mëkat. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thuhet të ketë thënë: “O ju njerëz, ju është bërë Haxhi obligim, prandaj kryeni”. – E pyeti njëri prej të pranishmëve: A çdo vit? – U përgjigj: “Po të kisha thënë se po, atëherë do t’ju bëhej obligim për çdo vit e ju nuk do të kishit mundësi ta përballoni”

Imam Ahmedi shënon një hadith ku Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Përshpejtoni në kryerjen e Haxhit se asnjëri prej jush nuk e din se çka do t’i ndodh në të ardhmen”.

Kushtet e Haxhit janë pesë: Islami, mendja e shëndoshë, pjekuria, liria dhe mundësia. Kur plotësohen këto kushte obligohet përshpejtimi i kryerjes së tij.

Haxhi dhe Umreja të bëra nga ana e fëmijës janë të pranuara mirëpo si vullnetare. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e ngriti fëmijën e saj dhe ia tregoi Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha: Për këtë fëmijë a ka Haxh? Iu përgjigj. “Po, Haxhi i tij është i pranuar (si vullnetar) dhe ti ke shpërblim”.

Në mesin e dijetarëve ka unanimitet se Haxhi i fëmijës i kryer para moshës madhore nuk e zëvendëson Haxhin e obliguar (Haxhin e Islamit), por detyrohet që kur ta arrijë moshën madhore ta kryej edhe një herë në rast se ka mundësi. Kur fëmija është në moshën e papjekurisë, përgjegjësi i tij detyrohet që ta bën nijetin në vend të tij, gjatë kryerjes së tavafit dhe sajit dhe gjatë qëndrimit në Mina, Arafat dhe Muzdelife duhet ta shoqërojë, gurët t’i gjuajë në vend të tij dhe ta largojë prej të gjitha ndalesave të Haxhit. Në rast se fëmija është në moshën e pjekurisë nijetin e Haxhit e bën vet me lejen e përgjegjësit, ritet e Haxhit i kryen vet ndërsa ato rite të cilat nuk ka mundësi t’i kryej vet i kryen përgjegjësi i tij dhe detyrohet t’i largohet të gjitha ndalesave të Haxhit sikurse i moshuari.

I aftë për kryerjen e Haxhit është ai i cili ka mundësi fizike e materiale, i përballon rrugës dhe mjetit të udhëtimit, i mjaftojnë të hollat gjatë shkuarjes dhe kthimit, po ashtu ka pasuri të mjaftueshme për anëtarët e familjes derisa të kthehet, rruga deri në Haxh është e sigurt për jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk duhet të niset pa i larë borxhet (ose të merr leje prej borxhliut që të shkoj në Haxh) dhe të kërkon falje prej atyre që u ka bërë padrejtësi. Në rast se ka pasuri mirëpo fizikisht është i dobët për shkak pleqërisë apo sëmundjes prej të cilës nuk shpresohet shërim, detyrohet që ta dërgoj ndokënd që ta kryen Haxhin në vend të tij qoftë prej të njëjtit vend apo ndonjë vendi tjetër. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e pyeti Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, se babai i saj është plak i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar dhe nuk mund t’i përballoj udhëtimit, a mund që ta kryej Haxhin në vend të tij? – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, iu përgjigj: “Kryeje Haxhin në vend të tij”.

Kusht për atë që e kryen Haxhin për ndonjë tjetër është ai ta ketë kryer Haxhin e Islamit për vete, duke u bazuar në atë që na e përcjell Ibën Abasi, radijallahu anhu, se ai e kishte dëgjuar një njeri të ketë thënë: “O Zot, i përgjigjëm ftesës Tënde për në Haxh në vend të Shubrimes”. – Ibën Abasi i tha: “A e kryer Haxhin për vete”? – Iu përgjigj: “Jo, nuk e kam kryer Haxhin e Islamit për vete”. – Ibën Abasi i tha: “Atëherë bëje së pari për vete e pastaj mundesh që ta bësh për ndonjë tjetër”.

Zëvendësuesit (bedelit) duhet t’i jepen të holla për rrugë, për ushqim dhe për nevojat tjera që i nevojiten gjatë Haxhit, nuk lejohet qiraja për Haxh dhe nuk lejohet ta merr Haxhin si mjet për përfitim të hollave. Synimi i zëvendësuesit duhet të jetë dobia e atij vëllait musliman që e kryen Haxhin për të, pastaj vizita e vendeve të shenjta, vizita e Qabesë, kështu që Haxhi duhet të kryhet vetëm për Allah e jo për dynja. Nëse Haxhin e kryen për të holla, Haxhi i tij nuk është i pranuar dhe po ashtu nuk i pranohet edhe atij i cili e ka dërguar për në Haxh. Prandaj duhet te kemi kujdes se kë e dërgojmë si zëvendësim në Haxh, për shkak se Haxhi është adhurim ndërsa adhurimet nuk kryhen vetëm se për Allah.

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU