Shkencëtarët ridefinojnë termin kilogram

Kilogrami si një masë matëse, është duke marrë një ridefinim të termit nga shkencëtarët, përmes një konstante matematikore, për dallim nga tani, përmes një peshe të metaltë cilindrike e cila ka shërbyer si masa bazë, raporton Anadolu Agency (AA).

Përkufizimi i deritanishëm i kilogramit, daton nga 130 vite më parë, atëherë kur bota pranoi që cilindri i ngurtë nga platina dhe iridiumi të paraqesin njësinë e saktë matëse për një kilogram.

Bëhet fjalë për objektin e metaltë të madhësisë së topit për golf, i cili konsiderohet “kilogram i të gjithë kilogramëve” dhe gjendet i mbyllur me një kontroll të rreptë në zyrën ndërkombëtare të Masave dhe Peshave në Sevres të Francës.

Shkencëtarët kanë zbuluar se cilindri humb në peshë, më shumë gjasë nga shkaku i gazit që ishte brenda cilindrit në kohën kur është prodhuar.

Nga këtu, doli nevoja për një ridefinim të konceptit të kilogramit dhe shkallës bazë.

Shkencëtarët kanë arritur të bëjnë një përkufizim të ri të kilogramëve, bazuar në formulimin shkencor, përmes një konstante precize matematikore.

Të premten, përfaqësuesit qeveritarë do të mblidhen në një takim në Versaj të Francës, ku pritet të miratohet ridefinimi i ri shkencor i kilogramit.

Ndryshimi do të zbatohet në lëmin e ekonomisë dhe shkencës, ku nevojitet një përdorim ultra i saktë i matjes.