Ç’ËSHTË BIXHOZI?

– Bixhoz quajmë çdo lojë të fatit që zhvillohet nga ana e partnerëve duke deponuar pasuri, me qëllim të përfitimit në dëm të njëri-tjetrit. Ne urdhërohemi nga Zoti që ta ndihmojmë njëri-tjetrin për mirëqenie më të mirë, mirëpo bixhozi arrin t’i shkatërrojë lidhjet dobiprurëse në mes njerëzve.

– Sëmundja e bixhozit e ka kapluar shoqërinë tonë, dhe pasojat e tij janë marramendëse! Ai shkatërron të gjitha virtytet e frytshme dhe çdo gjë që është njerëzore tek njeriu. Ai i robëron njerëzit e sëmurë prej tij dhe i hedh në gropë të thellë duke i bërë ata për vete.

– Bixhozi nuk është mundësi fitimi për ithtarët e tij. Bixhozi është rrugë e humbjes; aty e humb besimin, pasurinë, familjen, moralin dhe dinjitetin njerëzor. Bixhozi e ngufatë njeriun e dobët kohë pas kohe.

– Krijuesi, Mbikëqyrësi dhe Furnizuesi i kësaj bote dhe i çdo krijese, e ka ndaluar çdo veprimtari të bixhozit. Ai ka lënë shumë rrugë në të cilat njeriu mund të fitojë e të kultivojë të mira materiale dhe të gëzojë një mirëqenie më të mirë ekonomike. Mirëpo, mendjelehti viktimizohet në lojërat e fatit dhe dita-ditës shkon drejt rrënimit dhe varfërimit, duke qenë i pandërgjegjshëm se është duke e shkatërruar jeta e vet.

– Bixhozi shkakton armiqësi dhe ndjell urrejtje në mes të njerëzve. Shumë konflikte, përçarje dhe vrasje kanë ndodhur si rezultat i pasojave të mëdha të bixhozit. Bixhozi është pluhuri më ndotës i shoqërisë sonë, e një nga llojet më të përhapura të bixhozit është loja nëpër bastore, e cila e shkatërron rininë e një vendi.

– Andaj t’i përvishemi punës së ndershme, ta ndihmojmë njëri-tjetrin në të gjitha zhvillimet që na çojnë përpara dhe të bëhemi urë lidhëse dhe bashkëpunimi për të ndërtuar mirëqenien ekonomike larg nga bixhozi.

Autor: Labinot Kunushevci