Mushmolla me plotë të drejtë po kthehet në menytë e përditshme shkaku i përbërësve të saj shërues. Mushmolla është pemë e fortë kundër infeksioneve që ndikon mirë në gjithë organizmin.
Me shekuj përdoret për shërimin e problemeve me tretjen – shëron infeksionet në zorrë dhe lukth, eliminon fryrjet. Shkaku i efektit të saj kundër baktereve dhe kundër viruseve, ndihmon te bajamet e infektuara dhe lehtëson organet e frymëmarrjes. Është e pasur me përbërës shërues dhe ushqimor.
Posedon proteina, karbohidrate, taninë, pektinë, acide organike. Po ashtu, është e pasur me vitamina C dhe vitaminat e grupit B.
Është burim i kaliumit, kalciumit, hekurit dhe magnezit. Pektina e pranishme ndikon në uljen e kolesterolit, përmirëson punën e zorrëve, parandalon kapsllëkun dhe ndihmon në shërimin e infeksioneve të ndryshme në organizëm.
Fryti i gjelbër nuk është i mirë për ta konsumuar, por në formë të çajit zbut dhe shëron shumë probleme shëndetësore. Parandalon diarrenë dhe gjakderdhjen.
Gjethet po ashtu janë të shëndetshme kur të mblidhen në pranverë, e sidomos janë të shëndetshme në parandalimin e gjakderdhjes dhe shërimin e mishit të dhëmbëve dhe gojën në përgjithësi.