Çfarë duhet të dini në lidhje me infeksionet e veshit?

Fëmijët vërtet vuajnë shpesh nga infeksionet e veshit. Në fakt, 2 në 3 herë, fëmija do të preket nga infeksioni i veshit kur vuan nga gripi apo ftohja…

Arsyeja kryesore është se sistemi i tyre imunitar nuk është mjaft i fortë dhe rezistues si tek të rriturit, ndërsa lëngu nga veshët nuk lirohet aq lehtë dhe shpesh si tek të rriturit.

Veshi i notarit
Infeksioni i pjesës së jashtme të veshit zakonisht quhet veshi i notarit. Ky infeksion ndodh kur veshi është i lagur për një kohë më të gjatë, gjë që mundëson rritjen e baktereve. Megjithatë, edhe në qoftë se fëmija juaj nuk ka qëndruar në ujë, mbetjet e ndonjë substance (shtupat e pambukut) mund të shkaktojnë probleme. Kini kujdes në qoftë se fëmija e kruan veshin shpesh dhe nëse i dhemb kur e prekë. Veshi i notarit trajtohet me lehtësi, nevojiten pikat e veshit dhe mbajtja e veshëve në gjendje të thatë.

Diagnostikimi i infeksionit të veshit
Mënyra e vetme që në mënyrë të sigurt ta kontrolloni nëse fëmija vuan nga ndonjë infeksion i veshit është duke shkuar tek mjeku i cili me një otoskop do ta ekzaminojë brendinë e veshit. Otoskopi është një llambë e vogël me një thjerrëz të cilën mjeku e vendos në vesh. Veshi i shëndoshë do ta ketë një ngjyrë rozë, ndërsa infeksioni do të shkaktojë skuqje dhe ënjtje të veshit.

Brendia e veshit
Tubi Eustahian lidh veshin e mesëm me fytin. Ai mban një ekuilibër të presionit të ajrit dhe lëngut në vesh. Ftohja, gripi, dhe alergjitë mund ta irritojnë tubin Eustahian, duke shkaktuar ënjtjen e tij, përcjell koha.net.
Nëse tubi Eustahian është i bllokuar, vjen deri tek grumbullimi i lëngjeve në veshin e mesëm. Ky është një mjedis i përsosur për rritjen e baktereve dhe viruseve që shkaktojnë infeksionet.

Çarja e timpanit të veshit
Nëse presioni i ajrit është shumë i madh apo ka lëng në veshin e mesëm, kjo mund të shkaktojë që timpani i veshit të çahet. Nëse kjo ndodh, do ta vëreni një lëng të verdhë, kafe apo të bardhë i cili rrjedh nga veshi. Edhe pse kjo tingëllon e frikshme, timpani i veshit do të shërohet brenda disa javësh, dhe me dëgjimin e fëmijës tuaj gjithçka duhet të jetë në rregull. Lajmi i mirë është se dhimbja sigurisht do të zhduket sepse me plasaritjen e timpanit do të lirohet lëngu dhe do të rregullohet presioni i ajrit.

Simptomat e infeksionit të veshit
Simptoma e parë paralajmërues është dhimbja e veshit. Fëmija mund ta shmangë shtrirjen në anën ku i dhemb veshi, dhe ndoshta do të ketë gjumë të vështirësuar. Simptomat e tjera janë:
• Dëgjimi i dobësuar
• Temperatura
• Rrjedhja e lëngut nga veshi
• Marramendjet
• Hunda e zënë

Komplikimet
Nëse infeksioni i veshit kthehet vazhdimisht, rritet rreziku i humbjes së dëgjimit, problemet me të folur dhe meningjiti. Nëse fëmija juaj ka vuajtur vazhdimisht nga infeksioni i veshit, gjithsesi është mirë që ta kontrolloni dëgjimin e tij. /Telegrafi/